Bedri Halimi: KUR SMITHAT T’I PRESIN RROBAT

Historia e rrobaqepësisë politike ka njohur lloj-lloj dizajnerësh, por asgjë nuk krahasohet me atë që pamë së fundmi në punëtorinë e madhe të Hagës. Kur dy burra me të njëjtin mbiemër, dy Smitha, njëri me thikën e mprehtë të prokurorit e tjetri me çekiçin e rëndë të gjyqtarit, ulen të të presin rrobat, mos prit ndonjë kostum mondan e modern. Pa t’i marrë fare masat, madje pa të pyetur fare nëse të rri lirshëm apo ngushtë, ata ta kanë bërë gati një qefin ligjor, të qepur mbrapsht, ku çdo tegel është dizajnuar me kohë nëpër sirtarë të pluhurosur.

Funksionimi i tyre të kujton ata sharratarët e vjetër të pyjeve, që punojnë me një sinkronizim perfekt e mekanik: njeri të mbaj mirë e fort nga krahët që të mos lëvizësh, e tjetri të mëshon pa mëshirë me topuzin e paragrafeve të gatshme.

Dhe sa bukur plotësohen në këtë duet! E gjithë shfaqja ngjan me një pjesë të vjetër operistike, partitura e së cilës nuk u shkrua as në Vjenë e as në Milano. Notat u morën të gatshme, të shkruara bukur e me kujdes në Beograd, në ato zyrat e errëta ku pluhuri i propagandës nuk fshihet kurrë. Atje u vizatua solfegji i këtij gjykimi, atje u ndanë rolet dhe solistët. Dhe tani, në pleqëri, kur skenat e mëdha të karrierës kanë rënë dhe dritat e vërteta kanë filluar të zbehen, ky Smithi i dytë u ngjit në podium për të interpretuar finalen e madhe. I kapur nga një dalldi e çuditshme për lavdi ndërkombëtare, ai u mundua ta imitojë Pavarotin e drejtësisë, atë tenorin e madh që me zërin e pastër e kristal do të duhej të këndonte arien e së vërtetës absolute.

Por, mjerisht, arti nuk bëhet me skenarë të porositur. Në vend të aries madhështore që pritej të ndriçonte sallën e Dhomave të Specializuara, nga ai profil i lodhur doli vetëm një zë i çjerrë. Një zë i trashë, i ngatërruar dhe monoton, fiks si zëri i një njeriu të dehur që këndon nëpër tallaze të natës, pa e ditur as vetë se çfarë po thotë e cilës gjuhë po i shërben.

Kështu, melodrama e Hagës përfundoi si një kakofoni e shpifur ligjore: libretoja bërtet serbisht, xhaketa pritet anglisht, dhe shfaqja mbyllet si një parodi ku spektatorët e zhgënjyer e kishin kuptuar fundin pa filluar mirë akti i parë. Kur Smithat ta presin kostumin, mos prit drejtësi, prit thjesht një copë të prerë sipas modelit të vjetër ballkanik, të cilës edhe Danica Marinkoviq do t’ua kishte lakmi.

Kontrolloni gjithashtu

Fidair Berisha: Kosova mes krizës politike dhe sfidave të sigurisë

Prof.As.Dr.Fidair Berisha: Kosova pas aktgjykimit të Hagës: siguria dhe stabiliteti në fokus

Aktgjykimi i fundit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit ka hapur …