Aktgjykimi i Hagës ka ngritur shqetësime serioze për pasojat e tij në disa nivele. Ai preku drejtpërdrejt jo vetëm ish-drejtuesit e UÇK-së, familjet e tyre dhe jetën e tyre të mëtejshme, por edhe tërë shoqërinë shqiptare dhe më gjerë. Një shqetësim i veçantë lidhet me mundësinë që ky aktgjykim të përdoret për të ndërtuar një narrativë përmes së cilës UÇK-ja paraqitet nën dritën e akuzave ndaj saj, duke ndikuar kështu në perceptimin për të dhe duke vënë në pikëpyetje legjitimitetin ndërkombëtar të ndërhyrjes së NATO-s në vitin 1999, si dhe të vendimmarrjes ndërkombëtare që i parapriu dhe e shoqëroi atë. Në të njëjtën kohë, ngrihen shqetësime lidhur me cenimin e kujtesës dhe statusit të dëshmorëve e heronjve që dhanë jetën për çlirimin e vendit, me sakrificat e mijëra qytetarëve dhe me mënyrën se si mund të vlerësohet lufta çlirimtare. Pasojat mund të shtrihen edhe në legjitimitetin politik dhe institucional të shtetit të pavarur të Kosovës, në stabilitetin e tij, në konsolidimin demokratik dhe në perceptimin ndërkombëtar ndaj tij. Andaj, ky gjykim ka ngritur shqetësime në shumë dimensione dhe rrezikon të përdoret për të cenuar të vërtetën e luftës së Kosovës dhe për të zbehur rëndësinë e sakrificës mbi të cilën u ndërtua liria e saj.
Megjithatë, një aktgjykim nuk mund të bëhet historia e një populli. Një vendim gjyqësor nuk mund të zëvendësojë tërësinë e fakteve, rrethanave dhe zhvillimeve historike që lidhen me luftën çlirimtare. UÇK-ja nuk u shfaq në një vakum, por ishte produkt i një realiteti politik dhe shoqëror të krijuar gjatë një periudhe të gjatë historike. Për ta kuptuar luftën çlirimtare, duhet të kuptohen edhe rrethanat që i paraprinë asaj: represioni, dhuna, gjenocidi, spastrimi etnik, zhvillimet politike e shoqërore që çuan në luftë etj. Pikërisht këtu qëndron një nga shqetësimet kryesore: rreziku që dënimi i ish-drejtuesve të UÇK-së të përdoret si përkufizim i vetë UÇK-së dhe, më tej, si mënyrë për ta interpretuar të gjithë luftën vetëm përmes këtij procesi gjyqësor. Një qasje e tillë do ta shkëpuste vendimin nga konteksti më i gjerë historik dhe politik në të cilin u zhvillua lufta. Për këtë arsye, është veçanërisht shqetësuese mundësia që ky aktgjykim të përdoret në të ardhmen edhe nga qarqe politike, mediatike dhe akademike për të ndërtuar një narrativë të njëanshme mbi UÇK-në dhe luftën e Kosovës.
Prandaj, kundërshtimi duhet të jetë i fortë, por edhe i organizuar. Nuk mjafton të thuhet se jemi kundër. Qëllimi duhet të jetë i drejtpërdrejtë: rrëzimi i dënimeve dhe shpallja e pafajësisë së tyre. Në këto momente të vështira, një nga mbështetjet më të fuqishme vazhdon të jetë ajo popullore. Kjo mbështetje duhet vlerësuar lart dhe të vazhdojë në forma të tilla, jo vetëm në Prishtinë, por edhe në Tiranë, Shkup, si dhe në të gjitha qendrat kryesore të vendeve evropiane dhe botërore. Por mbështetja qytetare duhet të shoqërohet me veprim institucional. Nuk mund të mbetet gjithçka vetëm në duart e qytetarëve, ndërsa institucionet të heshtin dhe kundërshtimi të kufizohet në deklarata. Reagimi institucional duhet të shoqërohet me mbështetje të fuqishme. Prishtina dhe Tirana duhet të luajnë rol përmes forcimit të kapaciteteve profesionale, diplomacisë dhe institucioneve tjera përkatëse, në mënyrë që vendimi përfundimtar të kërkohet përmes rrugëve juridike të lejuara. Në këtë fazë, çdo përpjekje duhet të përqendrohet në forcimin e apelit dhe në paraqitjen sa më të plotë të argumenteve që mund të çojnë në ndryshimin e vendimit. Ky është momenti për të vepruar, jo për të heshtur. Jo me përçarje, akuza të brendshme apo reagime të çastit, por me unitet, argumentim dhe mbështetje të fuqishme për rrugën juridike që ende mbetet e hapur.
Për Kosovën, beteja juridike nuk është e përfunduar për sa kohë që ekzistojnë mjete juridike për kundërshtimin e vendimit. Edhe pse koha e humbur nuk mund të kthehet, duhet të shfrytëzohet me vendosmëri çdo rrugë juridike që mbetet e hapur për të kërkuar drejtësi. Ndërkohë, shpifjet ndaj UÇK-së nuk duhet të kalohen në heshtje. Në rastet kur janë përdorur dëshmi të rreme, duhet që këto çështje të hetohen dhe personat të përballen me përgjegjësinë përkatëse.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
