Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka reaguar pas nisjes së gërmimeve në Zubin Potok, ku dyshohet për ekzistimin e një varreze masive, duke kërkuar që Serbia të japë përgjegjësi për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë dhe për fatin e personave të zhdukur me dhunë. Hamza tha se edhe pas 27 vitesh, mijëra familje vazhdojnë të jetojnë me dhimbjen dhe pasigurinë për fatin e më të dashurve të tyre, ndërsa e cilësoi të papranueshme mungesën e përgjegjësisë së Serbisë për krimet e luftës. Ai theksoi se, derisa në Hagë pritet përfundimi i procesit gjyqësor ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së, Serbia ende nuk është përballur me përgjegjësinë për krimet e kryera ndaj popullsisë së Kosovës dhe vazhdon të fshehë të vërtetën për mijëra persona të zhdukur. Hamza veçoi edhe rastin e Mitrovicës, duke kujtuar se mbi 100 familje në këtë komunë ende presin të mësojnë fatin e familjarëve të tyre. Ai përmendi edhe 23 intelektualët mitrovicas, të cilët u panë për herë të fundit më 19 prill 1999 në fshatrat e Zubin Potokut. Sipas tij, zbardhja e fatit të të zhdukurve dhe vendosja e drejtësisë mbeten detyrim moral, kombëtar dhe shtetëror. “Kosova nuk do të ndalet së kërkuari të vërtetën për çdo të zhdukur, drejtësi për çdo familje dhe përgjegjësi për çdo krim”, ka theksuar Hamza.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
