Brickos

Bedri Islami

Bedri Islami: Për çfarë po përgatitet, Ilir Meta?

Ka një dalldi të pazakontë në të gjithë qëndrimin politik dhe ligjërimin e vazhdueshëm të të emëruarit me punë në presidencën e Shqipërisë, Ilir Meta. Po bëhet më shumë se një vit që gjendja e tij e paqëndrueshme emocionale dhe veprimet e tij të sjellin në mendje delirin e një njeriu që, ndërsa e ndjen se po rrëshqet gjithnjë e më poshtë, kërkon të marrë me vete gjithçka që është e mundur dhe, për këtë, si asnjëherë tjetër, kemi një president që më shumë se i arsyeshëm është i shkalluar; më shumë se një njeri normal është në një gjendje anormale; më tej se sa një drejtues i arsyeshëm, qoftë edhe i një firme të zakonshme, është turbullues dhe agresiv; një njeri i deleguar në presidencë për të mos qenë palë, por që prej kohësh është shndërruar në simbolin e opozitës ngrefosëse, e çorientuar, kërcënuese dhe antikushtetuese.

Shqipëria në 30 vitet e saj ka pasur presidentë që e kanë çuar vendit drejt luftës civile, dhe, mjerisht, nuk janë ndëshkuar; ka pasur presidentë që nuk e kanë nxjerrë qimen nga qulli, dhe tani dikush si konjukturë të kohës i përgëzon; ka pasur të atilllë që janë pasuruar duke shitur vendet e punës të gjykatësve, sëbashku me zwvendësin e tyre dhe tani shiten si burra të mirë dhe të ndershëm; ka pasur njerëz të devotshëm, besnikë të partisë dhe të liderit të tyre, por të kujdesshëm me ligjet, tani ka një të deleguar që, si asnjë tjetër, kërcënon kushtetutën, thyen të gjitha ligjet e një vendi që është republikë parlamentare, bën thirrje për kryengritje dhe rebelim, kërcënon me shpërndarje parlamenti, dekreton e çdekreton zgjedhje, tallet dhe përqesh njerëzit me foto plazhiste nga vila e tij milionëshe, fshin fotot e videot e banjove të qenve dhe të maceve në pallatin e tij lalzian, ku është krijuar oazi i politikës, mafias dhe i drejtësisë – një antishtet sundues mbi shtetin;  del i pafajshëm edhe pse duket me zë dhe me figurë është duke bërë një akt të zakonshëm korruptiv, kërcënon në zgjedhjet politike se ,“thoni se po vjen Ilir Meta me miqtë e tij”, shpërndan para haptas në pragun e votimeve, është numërori një në akte korruptive, harxhon dhjetëra e qindra mijëra paund për shkollimin e fëmijëve, e kthen partinë e tij në një detashment ushtarak dhe, në fund, mbledh njerëzit në sheshin para zyrës së tij për të kërcënuar qeverinë e vendit të tij, që për më tepër e ka dërguar në atë zyrë, ku nuk do të duhej të ishte asnjë ditë.

Është rastësi apo një gjetje e menduar mirë për të shkuar drejt asaj që ka përgatitur prej kohësh në mendjen e tij?

Ilir Meta është një politikan karriere. Në fakt, vetëm këtë zanat ka, asnjë tjetër. Nuk i ka thënë kush “puna e mbarë” që kur ka lindur dhe as nuk do i thotë njeri. Tentakulat e tij mbi shtetin janë ogurzeza, të pamëshirshme dhe, si duket, do të mbesin gjatë në jetën politike. Njeri i veprimit të drejtpërdrejtë – gjatë luftës së Kosovës ishte pa dyshim funksionari më i lartë i shtetit që vepronte pa dorashka në mbështetje të Ushtrisë Çlirimtare –  , zemërak dhe pasionant, i rreptë në kërkesën e tij dhe ndër të paktët politikanë shqiptarë që e mban fjalën dhe nuk e braktis mikun e tij. Atë që nuk e harron, nuk e fal dhe, ka një kujtesë fenomenale, rasti i Dritan Priftit e tregon këtë, të cilit nuk ia fali dëshminë dhe nuk qëndroi i qetë deri sa rastësisht, të ndjerit ia “ vodhën” të gjitha filmimet që kishte ruajtur për një ditë të zezë.

Dy herë e ka provuar veten se mund të ngrejë struktura nga e para, edhe kur duket e pamundur; herën e parë me FRESH-in, gjë e pabesuar për kohën, kur të gjithë po e braktisnin anijen socialiste; dhe herën e dytë me LSI, kur askush nuk e mendonte mbijetesën e tij dhe ai ia doli. E vetmja forcë politike pas një ndarjeje që i mbijetoi kohës dhe u bë e treta e domosdoshme në qeverisje. Përmes LSI-së rrëzoi Nanon në vitin 2005, përmes saj mbajti në pushtet Berishën, po në këtë rrugë e rrëzoi atë në vitin 2013 dhe, vetëm katër vite më vonë e kuptoi se balanca e krijuar prej tij, ku ai vetë dhe njerëzit e tij ishin të domosdoshëm, u përmbys, ai doli nga loja, pasi e kishin dërguar thuajse me forcë në selinë presidenciale.

Kishte qenë vonë kur e kishte kuptuar. Miku i tij i dikurshëm, pastaj armiku i tij, më pas përsëri miku dhe tani armiku, ia kishte hedhur dhe ai vetë doli nga e domosdoshmja, sepse kishte dalë nga loja dhe nga pushteti. Dy njerëzit e urdhëruar prej tij, ish ministra, për të bërë deklarata budallaqe vetëm sa e lajkatojnë të majtën në pushtet – në fakt edhe ajo nuk është më e majtë – e bëjnë LSI-në një forcë amorfe dhe, si duket, nëse nuk ndryshojnë rregullat e lojës, një forcë që mund të jetë shpejt e tepërt në jetën politike shqiptare.

Ilir Meta, thamë është 30 vite njeri i politikës dhe vetëm i saj , më mirë se gjithë të tjerët në partinë e tij apo në frontin opozitar, edhe më mirë se Nard Ndoka, e di se dalja nga politika është shkuarja drejt gjykimit.

Dy rrugë ka përpara tij – ose mbetet në politikë si një lojtar i fortë, ose të jetë objekt e subjekt i SPAK-ut. Rrugë tjetër nuk ka. Nëse para tij do të shtrohet vetëm një pyetje mbi bazat financiare të jetesës, me siguri “Vetingu” do e kishte nxjerrë jashtë loje.

SPAK-u e filloi me burgaxhinj dhe njerëz të lidhur me krimin, çka ishte më e lehtë, në fakt këtu i drejtoi politika, dhe, jo drejt vetë politikës që është pjesë e krimit. Nuk ka asnjë bandë në Shqipëri që nuk vegjeton, forcohet, mbijeton e nuk ka lidhje me politikën. Politika është garancia e krimit.

Ajo që ka bërë deri tani Meta në vitin e fundit është pjesë e provave për aktin final të zgjedhjeve të vitit të ardhshëm.

E ka nisur si delirant, duke sjellë ndër mend Alenden dhe grushtin e shtetit kilian, pasi , nëse e sheh fundosjen e arkës së tij, LSI, ai është i gatshëm të bëjë një akt  të tillë dhe po përgatit veten për ta bërë: një grusht shteti institucional, mos njohjen e rezultatit të zgjedhjeve dhe, me siguri që nuk do e njohë, nëse forca e tij politike del jashtë sistemit, ose, në rastin më të mirë për të, nuk është pjesë e qeverisjes.

Megjithëse nuk ka asnjë të drejtë kushtetuese për dekretimin apo mos dekretimin e qeverisë ai po përgatitet të bëjë një akt të tillë dhe për këtë i duhen disa mekanizma të grumbulluar rreth tij.

Pas Alendes, duke shkuar në terren nacional, Meta solli ndër mend Vojo Kushin e Mic Sokolin, iu kthye Selam Musait dhe të tjerëve, si akte dëshpëruese; kërkoi dhe nuk gjeti një kryeministër rezervë dhe dalldia e tij e shpuri deri tek një analist tv, të cilin e pyeti nëse ai donte të ishte kryeministër; bëri përsëri thirrje për përmbysjen e pushtetit, dhe, kur të gjitha këto nuk i mjaftuan, tani kërkon të grumbullojë rreth vetes këdo që është i gatshëm të sulmojë qeverinë.

Biznesmenë të lidhur me mafian, që kanë filluar të bëjnë “ donacione” të panjohura drejt opozitës nga frika e ndërrimit të pushtetit, gezetarë – ndonjëri nga të cilët ishte në dosjet e Gazidedes për informimet ndaj kolegëve të tij gazetarë, dosje që tani mund të jetë në arkivën Berisha, por që i ka kaluar edhe Metës; ekstremistë të mediave që bëjnë TV privatë dhe shteti nuk ka as kurajon të pyesë se nga është burimi i parave që kapin shifra miliona euro; portale dhe “analistë” që shpifjen e kanë profesion dhe fshihen pas ligjit që nuk e kap median; politikanë që tash 30 vite kanë dërmuar këtë vend dhe, jo të fundit, pas një grupimi që është joshur nga pushteti, është dalldisur nga sulmi psiqik mbi të dhe të cilët janë të gatshëm të kthehen në grupe sulmues për hatër të “Lideres”. Bile, edhe me këngë.

Meta nuk mund ta bëjë këtë me forcat që ai ka rreth vetes dhe as me legjionin ende të pashuar të Berishës, që fshihet nën emrin e Azem Hajdarit.

Atij i duhet e gjithë opozita, përmes së cilës ai bëri disa prova një vit më parë, dogji çfarë kishte për të djegur, shkatërroi çfarë e lejuan qëllimisht të shkatërrojë, nxiti turma për sulm dhe, kur i tërhoqën veshin, bëri thirje për zbrapsje.

Metës nuk i duhet Basha, ai është i përkohshëm dhe i padobishëm, për të shkuar më tej, i dëmshëm. Basha është lideri dy kahësh: në kohët e fundit ai po përpiqet të gjejë një mesore të artë, mes dhunës dhe paraqitjes ndryshe, çka është e vështirë për të, por e padëshiruar nga Meta. Një drejtues i opozitës, që “të gënjen edhe kur e pyet sa është ora”, sipas thënies së vetë Ilir Metës, është guri i parë që duhet mënjanuar dhe lëvizjet e këtij të fundit, duke grumbulluar rreth vetes një trupë drejtuese që nuk ia fishkëllen askush, por besnikë të tij, nuk e tremb Ilir Metën.

Meta e di se me njerëzit e tij të LSI-së, shumica ende në moshën e çunakërisë dhe të delirit, që i josh me shijen e pushtetit, nuk merr dot as komunën më të fundit në Shqipëri, por e di, po ashtu, se me njerëzit e PD-së, opozita ku ende janë grupet sulmuese, mund të bëjë grushtin e shtetit nga një ëndërr presidenciale në një realitet të përkohshëm.

Mënjanimi i Bashës, në mos de jure, de fakto ka mbështetjen e një grupi pranë Berishës, të cilët ende kanë drojën se, si shokët e tyre katër vite më parë, mund të jenë jashtë listave të deputetëve ose, edhe po të jenë në lista, votuesi i së djathtës mund të orientohet kundër tyre dhe atëherë, duke qenë jashtë parlamentit, shumë prej tyre vazhdojnë të jenë të pasur, por politikisht janë askush.

Dy institucione të rëndësishme që monitorojnë Shqipërinë, njëra europiane dhe tjetra përtej Atlantikut, sipas të dhënave të besueshme, kanë kërkuar dhe kanë në tryezat e tyre dosjet e disa njerëzve të politikës, e mbi të gjitha duhet të jetë dosja presidenciale.

Sprova e mëhershme e Ilir Metës kundër Vetingut dhe futja në lojë e ish prokurorit të përgjithshëm, Llalla, në fakt sekseri i tokave, ishte sinjal i fuqishëm për këto institucione se gjërat shumë shpejt mund të dalin jashtë kontrollit dhe se në figurën e presidentit nuk do të kenë më një mbështetës normal, të dinjitetshëm, por kundërshtarin e vazhdueshëm, përbuzës dhe hakmarrës.

Si duket, edhe Meta e mori mesazhin e këtij qëndrimi, që i është dhënë krejt haptas, ndaj gjysmën e të keqes e ka gjetur gjithnjë tek përfaqësuesit dhe diplomatët e huaj, të cilët, duke i sulmuar fort sot, nesër do të synojë t’i bëjnë të heshtin. Asnjë forcë politike dhe asnjë figurë e tillë, në asnjë moment në këto 30 vite jetë plurale, as Berisha në vitin 1997 kur i rrëshqiste pushteti, nuk ka qenë kaq agresiv ndaj botës diplomatike dhe kaq vulgar në paraqitjet e tij.

Sprova e tij e një viti më parë, me krijimin e precedentit të rrezikshëm të presidentit mbi kushtetutën dhe mbivendosjen e datave zgjedhore për të çuar në përleshje dhe rreziqe të mëdha, edhe nëse dështoi nga ndërhyrja e këtyre institucioneve, nuk do të thotë se është e fundit. Sulmet mbi shkollat nga bandat e njohura, tentimi për ta kthyer Shkodrën edhe një herë në vendin e gjakut të derdhur, çka u ndalua përmes një telefonate urgjente në telefonin e kryebashkiakes, të gjitha janë provat e përgatitura për fillimin e vitit 2021.

Dhe të gjitha duhet të jenë në dosjen e tij, e cila, edhe pa to, ka qenë e fryrë, e detajuar dhe mjerisht jo në dobi të vendit.

Ka të ngjarë që Shqipëria të jetë jo shumë larg, vendi ku dy presidentëve apo ish presidentëve t’u ndalohet udhëtimi në disa vende jashtë Shqipërisë… (Dita)

Kontrolloni gjithashtu

Sejdi Veseli

Sejdi Veseli: URANIUMI I VARFËRUAR DHE NDOTËSIT E TJERË RREZIK SERIOZ PËR KOSOVËN

Po mbushen tetë vete të plota nga përfundimi i luftës së armatosur kundër shkelësve të …