Behxhet Sh.Shala: Bukuria e shëmtuar, shëmtia e lakuriqësuar

Bukuria e shëmtuar, shëmtia e lakuriqësuar: E tërë Kosova, Shqipëria, Ballkani, Evropa, Amerika dhe të tjerët po merren kryesisht me fuss – note ( gjermanisht ) apo bisht – note* ( shqip ).  Në tekstin do të shënohet thjesht si bishtnota*. Interpretimet e saj janë shumë interesante si dikur Neni i Kodit Penal të ish Jugosllavisë i njohur si Propaganda Armiqësore. Ai nen zgjatej, zgjerohej dhe shkurtohej sipas nevojave të kohës dhe sipas interesave të pushtetit. Çdonjëri e interpretonte sipas dëshirës. Politika shtypëse jugosllave i shqiptonte dënimet e larta me burg sepse kështu arsyetohej perceptimi mbi rrezikshmërinë e lartë të atyre që dënoheshin.


 


Të dënuarit thoshin se dënimet janë drakonike për një parullë të shkruar, një këngë patriotike të Shkurtes dhe Shyhretes të kënduar, apo një kërkesë për liri , barazi dhe demokraci të brohoritur. Prokurorët dhe gjykatësit e atëhershëm të ricikluar edhe sot në pozita të ngjashme apo si këshilltarë të qeverisë nuk ishin të kënaqur me dënimet e prera ! Kërkonin që “armiqtë e popullit”, shkatërruesit e Jugosllavisë dhe të vëllazërim – bashkimit të dënohen sipas Prokrustit! Avokatët, një pjesë e mirë e tyre ishin të miqësuar me UDB, gjykatësit dhe prokurorët duke i shërbyer krimit pasi që i rripnin edhe shtatë palë lëkurë familjarëve të të dënuarve thoshin se: “i kemi shpëtuar ndryshe do të dënoheshin me dënime shumë më të larta “!


 


Është interesante që pikërisht individë nga kategoritë e lartpërmendura që dikur punonin kundër interesave kombëtare dhe qençe i shërbenin Titos edhe sot janë aktivë, në mos ata vet atëherë vazhdimësia gjenetike e turpit të tyre. Tash, të konvertuar në mbrojtës të shtetit dhe demokracisë. Në mbrojtës të dinjitetit kombëtar multietnik dhe të identitetit kosovar! Identiteti kombëtar kosovar është degjenerim i kromozomeve që për pasojë ka idiotësinë kombëtare! Ky është rrethi i parë dhe duket më i besueshmi i kryeministrit tonë, z. Hashim Thaçi! Këtyre asnjëherë nuk u ka interesuar fati i Kosovës dhe po të pyeteshin këta Kosova do të mbetej Mala Jugosllavija ose Velika Serbija!


 


Prandaj, më duket e neveritshme kur këta anal-istë i dalin në mbrojtje Thaçit ndërsa flirtojnë në një shtrat me mbrojtësit e demokracisë dhe Republikës së Kosovës. Marrëveshja e imponuar për përfaqësim rajonal të Kosovo* nuk do mend se është shumë e dëmshme dhe rezultatet e këtij dëmi ( jo vetëm kolateral ) nuk do të shkrihen si një fjollë bore e Zezditë Tahririt por do të mbesin si një njollë e cila do ta ndotë ambientin politik, të sigurisë, strategjik dhe shtetërorë të Kosovës. Skajshmërisht do të rrezikojë ekologjinë shtetërore të Kosovës. Sikur shpërthimi dhe derdhja në ujëra të deteve dhe oqeaneve të naftës nga tankerët!


 


E tërë bota pastaj merret me pasojat e kësaj derdhjeje e cila nuk prodhon vetëm katastrofë ekologjike por edhe pasoja zingjirore në ekonomi, turizëm, zhvillim e deri edhe në politikë! Mendoj se kemi paguar një çmim shumë të lartë për diçka që ka një vlerë shumë të vogël! Figurativisht, kemi ndërruar pallatin 30 katesh me një bodrum të pasigurt që mund të shembet në çdo çast! Kryeministrit Thaçi i vunë patinat në këmbë” miqtë ndërkombëtarë” duke e lëshuar në një terren ku fare lehtë thyhet qafa! Jam shumë i sigurt se Thaçi nuk i ka mbathur vullnetarisht patinat dhe se nuk e kanë pyetur fare nëse dinë t’i drejtojë ato apo jo!


 


Tash po e kritikojnë Thaçin se ka rrëshqitur me pranimin e kësaj marrëveshjeje, ata që tërë jetën kanë rrëshqitur, në planin njerëzor, kombëtar dhe politik! Për veten time me asnjë çmim nuk do të pranoja këtë marrëveshje, sikur që nuk do ta nënshkruaja Deklaratën e Pavarësisë me hat – trickun e 1244 në përmbajtjen e saj! Prandaj, është fort e pamoralshme që ata që e kanë përkrahur tekstin e Deklaratës së Pavarësisë 1244 X 3 , qoftë si nënshkrues, përkrahës etj. sot ta kundërshtojnë bishtnotën Kosovo*. Bishtnota Kosovo* është ngjizur në Rambuje, ndërsa, pas një vdekje klinike të supozuar (dëshirë jona) është rikthyer në jetë më tërë fuqinë e saj në Bruksel!


 


Ata që aq shpejt dhe aq trimërisht e “ mbrojtën “ Republikën u dorëzuan pas shigjetave të Zeusit të Dragodanit! Shigjetave vdekjeprurëse për shëndetin dhe karrierën politike! Që shkaktojnë vdekje politike të shndërruara në kufoma të lëvizshme fizike! Politikani që mëton jetëgjatësi politike dhe ruajtjen e kurrizit sipas formulës së Zotit ( vertikalizmi ) duhet të paguaj një çmim për mbrojtjen e qëndrimit dhe parimit! E kësi politikanësh kemi shumë pak në Kosovo*. Kështu i kemi dy tabore: ata që bëjnë përpjekje ta mbrojnë bishtnotën* me çdo kusht, duke qenë edhe vet të bindur se nuk e kanë edhe në argument të vetëm ta bëjnë këtë dhe ata që e sulmojnë bishtnotën* dhe e “mbrojnë” Republikën, ndonëse po të ishin në vendin e shefit edhe vet do ta pranonin jo një bishtnotë*, por edhe njëqind të tjera!


 


E kanë dëshmuar këtë shumë herë më parë duke marrë pjesë në shumë negociata dhe duke pranuar edhe formulimet e ruajtjes së sovranitetit të Jugosllavisë mbi Kosovën, Pakon e Ahtisarit, Rezolutën 1244 dhe kanë votuar të gjitha rezolutat në Kuvendin e Kosovës që kanë prodhuar si dobiq këtë marrëveshjen për përfaqësim rajonal të Kosovës. Në fund të fundit pse duhet të zmbrapsen para ambasadorëve të “ fuqishëm “ kur akuzohen për antiamerikanizëm dhe antievropianizëm nëse në pyetje janë mbrojtja e interesave shtetërore!


 


Ambasadorët në fjalë nga pozitat krejtësisht antidemokratike dhe makiaveliste i kanë dhunuar parimet demokratike elementare siç janë liria e fjalës dhe e shprehjes! Po, në fund të fundit mirë ua kanë bërë sepse politikanët tanë besojnë në miqësi vetëm kur kanë interes material apo kur kanë frikë të madhe! Sidomos këtë të dytën, kur kanë frikë të madhe! Ishte tejet e turpshme paraqitja e një politikani që e mbronte fusnotën, jo nga posti politik që e ka por siç shkruan ai , me argumente profesio – analiste e që nënkupton, përkthyer në shqip argumente të bythës! Marrëveshja me fusnotë është thjesht një dhunim prandaj në këtë kontekst duhet kërkuar rrethanat lehtësuese. Sa më shumë që arsyetohet, lakuriqësia do të jetë më e shëmtuar! Mendoj se mbrojtja më e mirë e cila do të pranohet kur të përballemi me pasojat është fakti se e kemi pranuar në situatë të stresit të rëndë, në rrethana të dhunimit individual dhe kolektiv!


 


Fituesit e premisë dhe minjtë e llotarisë: Imoraliteti i një pjese të bashkësisë ndërkombëtare ishte zënë në flagrancë të plotë me rastin e trajtimit të Kosovës. Këta, që më parë kishin prerë mendjen t’i japin Serbisë statusin e kandidatit dhe ky ishte preteksti. Ndërkaq konteksti ishte futja e dhunshme e bishtnotës Kosovo*, e cila nuk e paragjykon statusin e Kosovës pavarësinë e së cilës e kishin pranuar 88 shtete. Nuk ka rast në historinë shtetformuese që dikush e shpallë pavarësinë, ndërkaq që pastaj e relativizon atë sikur që është rasti ynë! Po bie se këto shtete që e kanë pranuar pavarësinë tani po e paragjykojnë atë duke e vë në pyetje legalitetin e saj! Ka qenë shumë më e moralshme dhe e pranueshme që Serbisë t’i njihej statusi i kandidatit e që statusi politik i Kosovës të mos bishtëzohej*.


 


Kështu, as Serbia nuk është ndarë aq fituese sa flet Ujk Jeremiqi , Borko Danguba apo Zezdita Tahriri, si përfaqësuese e ndërkombëtarëve në bisedimet Serbi – BE. Marrëveshja për përfaqësim rajonal Kosovo* është në fakt legjitimim i federalizimit të Kosovës. Federatë midis republikave apo entiteteve politike dhe etnike, serbe dhe shqiptarë të kosovarizuar. Apo, është varianti i karikuar i Ballkanisë, së propozuar më parë nga Adem Demaçi. Ballkania e Adem Demaçit ka qenë Amerikë krahasuar me çka po përgatitet tash!


 


Arsyetimet se BE po i bënë lëshime Serbisë për ta disiplinuar atë e që në planin strategjik do të ishte e dobishme i ngjanë më shumë një fjolle të Zezditës sesa një mundësie, apo qëllimi real! Veriu i Kosovës me një status të veçantë (pavarësisht formulimit- ambalazhimit ) do të prodhojë efekte në Shtërpcë, Graçanicë, Partesh, Mishlesh dhe komunat tjera xhuxhe multietnike ( 100 për qind) serbë!


Integrimi multietnik në një kaos me ekskluzivitet një etnik: Serbët që marrin rroga të majme nga buxheti i Kosovës janë shumë lojalë, e kanë pranuar shtetin e Kosovës dhe janë integruar në institucionet e Kosovës. Deputetja e Serbisë në Kuvendin e Kosovës, llapjanka çapkëne, Rada Trajkoviq doli në mbrojtje milicëve të MUP-it të Serbisë, të cilët sipas saj kryenin detyrën e tyre duke bërë presion dhe duke vepruar në komunat e Parteshit, Gjilanit dhe Kamenicës, komuna këto gjeografikisht në shtetin e Kosovës, sipas Radës, në territorin e Serbisë.


 


Madje ajo njësitin e Policisë së Kosovës ROSU e quajti terroriste duke bërë ftesë publike në Graçanicë që serbët të mos i pranojnë institucionet e Kosovës! Për këtë aktivitet integrues dhe pajtues ajo paguhet së paku 3000 euro nga buxheti i Kosovës. Haram i qofshin asaj që i merr por 100 herë haram i qofshin atyre që i japin! Gjithashtu, me rastin e festimit të 4 vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës në Parlamentin e Kosovës nuk ishte as një deputetë i vetëm i nacionalitetit serb, ministër serb, zëvendësministër apo zëvendës-kryeminisër të këtij nacionaliteti! Ndërkombëtarët këtë mungesë e konsideronin të arsyeshme për shkak të ndjeshmërisë së situatës politike dhe angazhimeve shtesë. Mbahej referendumi në veri. Tanët, në mungesë të guximit flisnin broçkulla për Kosovën multietnike!


 


Ilaçet e preferuara në Kosovë! Në Kosovë ka shumë përfaqësi farmaceutike që kujdesen për përmirësimit të shëndetit të qytetarëve të saj! Antibiotikët shërojnë infeksionet e ndryshme ndërsa analgetikët zbusin dhimbjet. Të kokës zakonisht. Aty na godasin, kryesisht. Bensedini është ilaç për qetësim ndërsa ilaçi kryesor që shkakton dhimbje koke, trupi, prapanice dhe shpirtërore është Dell-sedini! Dhe që prodhon fatalitet të pariparueshëm!


 


Për fund, diçka optimiste: Kam filluar të humb besimin në njerëz. Politikanëve edhe ashtu nuk u kam besuar fort. Mirëpo është trimëruese që kam filluar ta kthej besimin në njerëz duke lexuar një intervistë të doajenit të shqiptarizmës dhe atdhedashurisë, zotni Gjet Macollit! Edhe këtij nuk do t’i besoja po të ishte politikan. Po, politikan nuk është dhe as që do të bëhet ndonjëherë! Në një intervistë një të përditshmeje kosovare, kombëtare me fusnotë, Lartmadhëria e Tij deklaroi se bishnota nuk pengon fare procesin e njohjeve për Kosovën. Madje, tha se vetëm sa do të shtohet numri i njohjeve! Po të mos kisha parasysh angazhimin e tij antologjik për Kosovën, shqiptarët, kosovarët e sidomos komunitetin e biznesit vështirë se do të përmbahesha nga ndonjë kualifikim i paartikuluar pozitivisht! Deklarata e tij më bëri që të mos çmendem!


 


Thashë, nëse ky Gjet Macolli me tërë atë bagazh politik që i ka futur edhe Jelcinit, Putinit, Gadafit, Sllobës, sulltanëve të Kazakistanit nuk sheh rrezik nga bishtnota * kush është kliçka ime që shes mend! Pastaj edhe doktori i Tropojës, Rama i bashkisë, Ilir Dukati i Skraparit, Xhozi, mbretëreshë e Shkodrës, Shëngjinit , Lezhës e pronave të tjera, ish- presidentët e pensionuar e pranojnë fusnotën, çfarë të drejte kam unë ta kundërshtoj atë si i deklasuar! Në planin kombëtar e sidomos ndërkombëtar!


 


Po reagoj shumë i vonuar, prandaj edhe jam i deklasuar, i denominuar. Po të isha i mençur në masë sa peshon injoranca ime nuk do të lejoja që fusnota të jetë propozim i Serbisë por me kohë do të propozoja që të bëhet preambulë e Deklaratës së Pavarësisë! Vetëm atëherë do të kisha respektin e pushtetit dhe miletit! Dhe, pa asnjë dyshim do të më rehabilitonin “ miqtë “ ndërkombëtarë! Qoftë edhe si zagar!

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …