RKL: Evropa qysh moti e ka viktimizuar çështjen shqiptare, ajo nuk po mësohet dot as me pavarësinë e Kosovës

Dikur, në të kaluarën po të kritikoje  globalizmin komunist apo internacionalizmin proletar të Perandorisë komuniste të Lindjes do të ballafaqoheshe, jo vetëm me reagime, por edhe me ligjin, duke qenë i akuzuar për propagandë armiqësore. Asokohe ishte krijuar bindja se e ardhmja i përkiste socializmit, komunizmit, krijimit të një bote të re, pa kufij, pa shtypës e të shtypur, një botë me lëvizje krejtësisht të lirë të njerëzve, ku do të shuheshin madje edhe antagonizmat shoqërore, edhe kufijtë, etj. Ishte ajo bota  ëndërrimtare e sa e sa brezave të proletarëve idealistë, të cilët i bashkonte Internacionalja, si shprehja më sublime e të arriturave  ndërkombëtare. Por ëndrra e tillë, e cila zgjati afër 50 vjet, nuk i përballoi dot realitetit. Bota e Lindjes së Kuqe u dëmtua rëndë, por  nuk u fundos, sikur kanë dëshirë të mendojnë ëndërrimtarët e Perëndimit. Lindja e kuqe u ripozicionua, sidomos në Kinë dhe në ish-Bashkimin Sovjetik, ku me fitoren e Vladimir Putinit dhe krahut integrist rus, Rusia po e rikthen pozitën e vetë dominuese në Azi, por edhe në botë pas Amerikës. Mirëpo idealet e botës proletare u fundosen në shumë shtete satelite të ish-Bashkimit Sovjetik.


Në mes të Lindjes së Kuqe dhe  Shteteve të Bashkuara të Amerikës, madje edhe në aspektin gjeografik, shtrihet  Unioni globalist evropian, i cili përbëhet nga 27 shtete, të cilat, marrëveshjet e tyre mes veti dhe në raport me shtetet e tjera i rregullojnë me konsensus, me pajtim të përgjithshëm apo të pjesshëm. BE-ja tani po pretendon të krijojë një baraspeshë politike, ekonomike dhe tregtare  mes Lindjes dhe Perëndimit. Fakti se në këtë union bëjnë pjesë disa shtete të forta të Evropës, si Gjermania, Franca, Anglia dhe disa shtete të tjera, ka bërë që ky bashkim shtetesh të funksionojë, pavarësisht stagnimeve dhe problemeve të kohëpaskohshme, pavarësisht dështimeve të para sidomos pas bankrotimit financiar të Greqisë dhe mosmarrëveshjeve të brendshme të disa shteteve të Unionit.


 


BE-ja nga shqiptarët ëndërrimtarë konsiderohet si një parajsë e premtuar, ku pas anëtarësimit në të, pritet të shtohet begatia, pritet të marrë hov zhvillimi ekonomik i vendit, lëvizja e lirë e qytetarëve pa viza, dhe mundësitë e hapura për të gjetur punë krahu kudo në qytetet, rrugët  apo edhe  në fshatrat e Evropës.


Politikanët tanë në Tiranë, Prishtinë dhe në Shkup trumbetojnë çdo ditë se hyrja në BE do të jetë fitorja më e madhe historike e shqiptarëve, meqë, atje në Evropë, (ne gjeografikisht jemi pjesë e Evropës) sipas tyre nuk do të ketë kufij dhe shqiptarët do të mund të ndiheshin të bashkuar, edhe pse atyre nuk u pranohet kurrë bashkimi kombëtar, në një shtet,  sipas kriterit etnik dhe historik, i tillë sikur vlen për të gjithë popujt e Ballkanit dhe të Evropës.


Trumpetuesit e “parajsës evropiane” kanë të njëjtat paragjykime me trumbetuesit e dikurshëm të  “fitores së domosdoshme të komunizmit”.


Gjykuar realisht, politika e BE-së nuk ka qenë as është unike. Ajo zien përbrenda nga kontradiktat e shumta politike, ekonomike, zhvillimore e tregtare. BE-ja përfaqëson interesin e shteteve të fuqishme ekonomike mbi interesin e shteteve të dobëta ekonomike dhe kjo është aq e qartë, sa edhe e tejdukshme, për ata që flasin me gjuhën e fakteve dhe jo me mashtrimet  e fushatave zgjedhore.


BE-ja aktualisht përben një unionin ende në fazë eksperimentuese, me shumë dështime në të gjitha drejtimet.  Unioni globalist Evropian ndodhet në mes Lindjes dhe Amerikës, për të mos thënë edhe i varur nga të dyja këto vende. Pa fuqinë ushtarake të NATO-s, të cilën e drejton e financon dhe e komandon Amerika, BE-ja nuk do të mund të qëndronte, ashtu sikur nuk bën dot pa gazin rus dhe pa një lidhje të fortë ekonomike e tregtare me shtetet e Lindjes.


E ndodhur mes këtyre dy botëve, Unioni Evropian nuk ka ndërtuar identitet të qartë, meqë luhatet sipas erërave, që fryjnë sa nga Lindja sa nga Perëndimi.


 


 


Raportet dhe marrëdhëniet e shqiptarëve me shtetet e Evropës janë të kamotshme dhe si të tilla ato kanë një histori jo të lavdishme, as paqësore. Edhe pse shqiptarët ishin ndër popujt e parë të Ballkanit, të cilët qëndruan trimërisht kundër dominimit të Perandorisë Osmane, ata patën vetëm një përkrahje simbolike nga disa shtete të Evropës. Në kohën kur shqiptarët, me qëllim për të ruajtur aq sa mund të ruhej, në rrethana të dominimit të hovshëm dhe të pandashëm  turk, ata në shumicë pranuan islamin dhe nga shtetet e Evropës u etiketuan si tradhtarë të krishterimit. Pavarësisht se ata luftuan kundër Perandorisë, një pjesë e madhe e tyre mbështeti Stambollin dhe u bë pjesa e saj vitale, sidomos ushtarake.  Në kushte dhe rrethana të tilla, shqiptarët nuk mund të vepronin ndryshe, ashtu sikur edhe sot nuk po arrijnë të bashkohen në një shtet, sepse këtë nuk e lejon Brukseli, për hir të shteteve të krishtera sllave e greke.  Pas çlirimit nga Turqia në vitin 1912 bashkimin e shqiptarëve nuk e kishte lejuar Evropa  për më keq i kishte privuar ata madje edhe nga të drejtat elementare njerëzore, duke i lënë në mëshirë  të barbaroidëve sllavë dhe duke i hequr Shqipërisë dy të tretat e trojeve të saja etnike.


 


Pesë shtete të Evropës, të cilat nuk e kanë pranuar pavarësinë e Kosovës kanë shumë me tepër fuqi në vendimmarrje karshi vendit tonë, sesa 22 shtetet, që e kanë pranuar pavarësinë, në mënyrë  verbale  sa për sy e faqe.


Si shpjegohet kjo?


Çfarë demokracie na qenka kjo?


Apo ndoshta pranimi i pavarësisë së Kosovës nga këto shtete ka qenë, sa për të mos ia prishur Amerikës, e në anën tjetër kanë mjaftuar pesë shtete, të cilat po bëjnë përpjekje, që me çdo kusht Kosova të futet sërish nën sovranitetin e Serbisë.  Presioni sistematik, që Brukseli zyrtar i ka bërë dhe po i bën Kosovës për të pranuar të gjitha kërkesat e Serbisë, është presion i panjerëzishëm, i turpshëm, skandaloz dhe në esencë antishqiptar.  Po ashtu ka qenë dhe është i turpshëm dhe i papranueshëm edhe qëndrimi servil dhe skllavërues, në një masë të madhe edhe shantazhues i politikanëve shqiptarë ndaj presionit të BE-së gjatë procesit të bisedimeve me Serbinë, e cila jo vetëm që nuk e ka ndryshuar politikën e vet antishqiptare, por ajo shprehet për ditë e më agresive, ashtu sikur në kohën e Milosheviqit, duke dënuar intervenimin e NATO-s, ndaj Serbisë, e cila kishte për qëllim zhdukjen fizike të të gjithë shqiptarëve të Kosovës.


Pesë shtetet e BE-së, të cilat së bashku me Serbinë, por e mbajnë peng pavarësinë e Kosovës, nuk mund të bënin asgjë në këtë drejtim,  po të mos e kishin përkrahjen e heshtur të 22 vendeve të tjera, madje edhe të Gjermanisë,  të cilat edhe pse e kanë pranuar shtetin e pavarur të Kosovës, insistojnë që dialogu me Serbinë të përmbyllet, duke marrë në konsideratë të gjitha kërkesat e Beogradit, për shkak se Serbia është shumë më e rëndësishme për Brukselin, sesa Kosova.


Po të mos e kishte bekimin e heshtur të shteteve të BE-së, Serbia nuk do të mund të vepronte sipas motos, BE-në dhe Kosovën. Drita e parë e gjelbër për Serbinë në këtë drejtim është rikthimi i fusnotës e cila nënkupton statusin e pazgjidhur të vendit tonë duke u bazuar në Rezolutën 1244 të KS të OKB-së.


Që fusnota, në identifikimin zyrtar “Kosovo”, nuk është fjollë bore, as nuk shkrihet dot nga ngrohja globale, nuk është madje as e vdekur, më së miri e dinë ata që e kanë pranuar si të tillë, sepse këtë e di krejt bota, e dinë edhe politikanët shqiptarë, që e kanë futur kokën në zall, si struci.


Bashkimi Evropian, nuk po mësohet dot me pavarësinë e Kosovës, pavarësi për të cilën shqiptarët kanë investuar djersën dhe gjakun e tyre, ndërsa Amerika dhe bota përparimtare e demokratike kanë dhënë kontributin e tyre human, në parandalimin e një tragjedie edhe më të madhe njerëzore.


 


 


(Historiku i shkurtër i BE-së)


 


Guri i themelit për krijimin e Bashkimit Evropian u vendos nga Ministri i Jashtëm Francez, Robert Schuman, në deklaratën e tij të 9 majit të vitit1950, në të cilën ai parashtroi idenë e përpunuar më parë me Jean Monnet për bashkimin e industrive evropiane të qymyrit dhe të çelikut. Sipas tij, kjo do të përbënte një nismë historike për ndërtimin e një “Evrope të organizuar dhe vitale”, pa të cilën paqja në botë do të ishte e pamundur. Plani Schuman u bë realitet me nënshkrimin, në Paris, të Traktatit Themelues të Komunitetit Evropian të Qymyrit dhe Çelikut më 18 prill të vitit1951. Në nënshkrimin e traktatit merrnin pjesë Gjermania, Franca, Belgjika, Italia, Holanda dhe Luksemburgu. Një tjetër zhvillim i rëndësishëm erdhi disa vjet më vonë me Traktatet e Romës, të 25 marsit të vitit1957, të cilat krijuan Komunitetin Ekonomik Evropian dhe Komunitetin Evropian të Energjisë Atomike (EUROATOM). Këto komunitete filluan nga puna me hyrjen në fuqi të traktateve më 1 janar të vitit1958. Krijimi i Bashkimit Evropian me Traktatin e Mastrihtit shënoi një hap te mëtejshëm në rrugën e bashkimit politik të Evropës. Megjithëse ky traktat u nënshkrua më7 shkurt të vitit 1992, një numër pengesash gjatë procesit të ratifikimit (miratimi nga qytetarët e Danimarkës vetëm pas një referendumi të dytë ; procesi gjyqësor në Gjermani për deklarimin antikushtetues të miratimit), bënë që Traktati të mos hynte në fuqi deri më 1 nëntor të vitit1993. Traktati i Mastrihtit i referohet vetvetes si “një fazë e re në procesin e krijimit te bashkimit akoma më të ngushtë ndërmjet popujve të Evropës”. Krahas një numri ndryshimesh për Traktatet e Komunitetit Evropian dhe Euro-atomit, ai përmban edhe instrumentin për krijimin e Bashkimit Evropian – procesi për krijimin e së cilit ende konsiderohej si i papërfunduar. Traktati përbën hapin e parë në rrugën drejt krijimit të një sistemi kushtetues Evropian, në të cilin do të përfshihen edhe vetë komunitetet.


Bashkimi Evropian mori një zhvillim të mëtejshëm me Traktatin e Amsterdamit, i cili u nënshkrua me 1 tetor të vitit1997 dhe hyri në fuqi më 1 maj të vitit1999 pas ratifikimit nga të gjitha shtetet anëtare. Traktati i Amsterdamit ka modifikuar përmbajtjen e Traktatit të Mastrihtit në pesë fusha kryesore :


liria, siguria dhe drejtësia,


qytetaria e Bashkimit,


politika e jashtme,


institucionet e BE-së.


Gjatë samitit të Nicës, më 7-11 dhjetor2000, kryetarët e shteteve dhe të qeverive si dhe ministrat e jashtëm të shteteve anëtare, pas një maratone të gjatë bisedimesh, ranë dakord për miratimin e një kushtetute për Bashkimin Evropian. Traktati i Nicës përmban dispozita mbi ndarjen e pushteteve dhe procedurat vendimmarrëse të BE-së. Traktati u miratua në mënyrë përfundimtare nga qeveritë e shteteve anëtare, më 26 shkurt të vitit 2001, datë kur u nënshkrua nga ministrat e jashtëm. Pas kësaj, hyri në fuqi më 1 shkurt 2003, pas ratifikimit nga parlamentet e të gjitha shteteve anëtare.


Institucionet e BE-së janë:


Këshilli Evropian,


Këshilli i Ministrave,


Parlamenti Evropian,


Këshilli i Bashkimit Evropian,


Komisioni Evropian,


Gjykata Evropiane e Drejtësisë. (Vikipedia)

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …