Behxhet Sh.Shala: Të gjithë vrasësit e Arben Idrizit dhe Fatos Lubonjës

Kur dikush portretizohet si i fuqishëm, me ndikim, që nxisin vëmendjen e të tjerëve, qoftë nga mëria, lakmia apo dëshira e sinqertë për të qenë si ai apo si ata atëherë thuhet, në mënyrë figurative se: ”pas kalit të fortë ngrihet pluhuri i madh“. Ndërsa, për ata që lodhen e që dikur kanë qenë të fortë, përkatësisht kuajt e dikurshëm thuhet se janë bërë mushka të lodhura fare! Konkurrencë brenda llojit do të thoja aq më parë që kali dhe mushka e kanë një vijë gjenetike. Këto krahasime janë aktuale gjithmonë duke i përdorur apo keqpërdorur! Varësisht nga interesi! Po Fatosi e Arbeni a mund të llogariten si mushka të lodhura? Nuk e besoj sepse për t’u konsideruar si të tillë duhej ta kishin një histori të “kuajve të fortë”! Nuk e kishin dhe as që do ta kenë! Në fakt, lehtë mund t’i llogarisim si mushkonja të vogla që ngrejnë pak pluhur me disa lehje të zhurmshme mediatike dhe thumbime që për pasojë kanë malarien (prishjen) e gjakut në planin njerëzor dhe kombëtar! Stërkeqës të gjakut dhe ndotës të karakterit. Ende nuk e kam krejt të qartë pse e bëjnë këtë?!


 


Fatos Lubonjën nuk e njoh por e di sa ka qenë politikisht i përndjekur gjatë diktaturës komuniste në Shqipëri. Duket se për pasojë i ka mbetur një urrejtje ndaj shqiptarëve dhe Shqipërisë, që nuk është thjesht mosbesim por është urrejtje që shpesh e riciklon në shkrimet dhe analizat e tij. Qëndrimet e tij janë larg të drejtave të njeriut. Janë e kundërta e tyre! Mos të flas për qëndrimet që i ka për shqiptarët e Kosovës ndaj të cilëve përjashtuar disa raste, si shumica e intelektualëve nga Shqipëria kanë qëndrim racist. Shqiptarët e Kosovës i konsiderojnë intelektualisht të hendikepuar dhe për ta flasin me një nënçmim skajshmërisht përjashtues. Mirëpo, ashtu nuk mendojnë për ata “intelektualë” shqiptarë e sidomos kosovarë për të cilët shkruajnë apo janë pjesë e emisioneve të tyre dhe paguhen mirë! Është me interes të theksohet se këta që e paguajnë Tosin kurrë nuk kanë bërë gjë të hajrit, as për Shqipërinë e as për Kosovën. Madje, kanë bërë kryesisht dëm! Kjo mbase është litari logjik që lidhë Tosin me Kosovën e që përfundon kryesisht me interes material. Fatos Lubonja në një intervistë për një medium gjerman deklaron se Ramush Haradinaj qenka vrasës ndonëse Tribunali i Hagës e ka shpallur të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës. Madje, këtë e ka bërë edhe në procesin e përsëritur! Tosi e citon Karla del Ponten, ish kryeprokuroren e Tribunalit e cila pati deklaruar se për shkak të vrasjes së dëshmitarëve nuk ka qenë e mundur të dëshmohet fajësia e Ramush Haradinajt. Madje, jo që e citon del Ponten por plotësisht i beson! Sikur edhe një autori tjetër që shkruan zi e terr për luftën e UÇK-së dhe Ramush Haradinajn. Fatos Lubonjës nuk i intereson as karakteri çlirimtar i luftës, as vuajtjet e shumta si dhe sakrifica por me një vetëdije të plotë dhe qëllimisht përpiqet ta kriminalizojë luftën dhe bartësit e saj! Çka ka të bëjë këtu me të drejtat e njeriut? Ai mund të ketë dyshime dhe shprehet që ka në vendimet e gjyqësorit në Shqipëri apo Kosovë por, si “mbrojtës” i të drejtave të njeriut si mund të dyshojë në vendimin e Gjyqit të Hagës që është autoritet suprem ndërkombëtar për krime lufte e në fakt që i mbron të drejtat e njeriut? Ky edhe është misioni i Tribunalit të Hagës për Krime Lufte. Po flirti i Lubonjës me një profitere të luftërave në hapësirat e ish Jugosllavisë siç ishte zonja del Ponte ka filluar më herët! Që nga koha e artë e karaxhozëve që merreshin, “hulumtonin“, shkruanin e çka jo tjetër trafikimin e organeve në “sallat e operacioneve” të UÇK-së në klinikat supermoderne të një stalle bagëtishë në Shtëpinë e Verdhë në një fshat afër Burrelit në Shqipëri. Në kohërat e rrenave të mëdha lindin dhe forcohen koalicionet e fuqishme! Pikërisht në këtë kohë isha i ftuar në televizionin B92 për të biseduar për këtë temë që ishte shumë atraktive sepse ishte mënyra më e mirë dhe më efikase për t’i eliminuar nga skena individë të caktuar apo për të mbajtur nën presion shumë individë të fuqishëm politik në Kosovë përmes hetimeve që ende po zgjasin sipas aktakuzës së mashtruesve Dik Marti dhe supermashtrueses del Ponte. Kjo ishte aktivizuar edhe për një arsye tjetër; të bëhej presion mbi Tribunalin e Hagës për ta dënuar Ramush Haradinajn. Në atë emision kam hedhur poshtë mundësinë që në atë stallë të shkretë bagëtishë në Burrel të jenë kryer operacione aq të sifistikuara siç ishte heqja e organeve dhe trafikimi me to! Pastaj foli një ekip gazetarësh nga Serbia sikur të ishin pjesë e prokurorisë së zonjë del Ponte. Dhe për fund përmes një linjeje telefonike u dëgjua zëri i “nasheg gosta iz Tirane“ siç e prezantuan në B92, ai i Fatos Lubonjës i cili ishte edhe më akuzues se i Karla del Pontes dhe medieve të Serbisë. Aq për Lubonjën.


 


Arben Idrizi shkruan rregullisht si kolumnist në gazetën Ekspress, të shuar fizikisht por të forcuar virtualisht dhe bënë përpjekje ta imitojë një gjeni shkrimtar rus siç ishte Dostojevski të cilit edhe fizikisht i ngjanë! Nuk mund t’i kontestohet zgjuarësia dhe shkathtësia gjatë shkrimit dhe trajtimit të temave që llogariten si të nxehta dhe të rrezikshme. Në fakt, është vetëm bllof sepse sot nuk është rrezik të shkruash për luftën e UÇK-së dhe komandantëve të saj! Madje është shumë përfituese të shkruash sa më keq për luftën dhe bartësit e saj apo t’i përqeshësh viktimat e shumta të kësaj lufte! Është rrezik të shkruash kundër Kosovës multietnike, kundër EULESH-it apo kundër ndonjë ambasadori apo diplomati që vranë e kthjell në Kosovë! Sot karriera ndërtohet nëse e shani Adem Demaçin i cili na prishi me Serbinë dhe Jugosllavinë, me “miqtë” ndërkombëtarë dhe duke na servuar Ballkaninë! Në fakt këtë e bëjnë ata që i shërbyen qençe Jugosllavisë dhe Serbisë të cilët në kohën e Titos kishin një rrogë ndërsa në kohën e Hashim Thaçit i marrin nga 4-5 rroga dhe kanë status të merituar. Po të mos ishte Adem Demaçi UÇK do të konsiderohej terroriste si Hesbollahu sot. Dhe nëse e analizoni politikisht dhe strategjikisht Ballkania ka qenë më e avancuar se Kosova e Rambujesë! Në shumë pika edhe më e avancuar se Kosova e bosnjëzuar e sotit.


 


Arben Idrizi në mbrojtje të një analisti delikuent dhe problematik siç është Fatos Lubonja i kriminalizon thuaja të gjithë bartësit e luftës dhe krijuesit e UÇK-së duke i quajtur vrasës dhe duke i shpallur fajtorë pa iu bërë fare gjyq. Lista e vrasësve të Arben Idrizit është bukur e gjatë: Ramush Haradinaj, Fatmir Limaj, Kadri Veseli, Ilmi Reçica, Latif Gashi, Azem Syla, Rrustem Mustafa – Remi, Xhabir Zharku, Xhavit Haliti, Bekim Haxhiu – Kamishi, Ramiz Lladrovci, Sami Lushtaku, Rexhep Selimi, Florin Krasniqi, Daut Haradinaj, Ukë Rugova dhe të gjithë pjesëtarët e Sigurimit të Atdheut dhe SHIK-ut. Pjesëtarët e UDB-së nuk përfshihen në listat e Lubonjës dhe Idrizit. Ata, Tosi dhe Beni mund të tregojnë pse nuk janë në lista! Kjo listë mjafton që me ta të përurohet dhe mbushet Burgu i Sigurisë së Lartë në Gërdofcë të Besianës. Dhe një pavijon në Burgun për Dëshmitarë të Mbrojtur në Dubravë. Ata që kanë krye deri në pesë vrasje mund të jenë edhe në Dubravë përkatësisht edhe në arrest shtëpiak nëse keni kryer një vrasje siç është rasti i Nazim Bllacës. Njëmend, pse në këtë list nuk është edhe emri i Nazimit?! Nazim Bllaca sot, pas disa diplomatëve është njeriu më i fuqishëm në Kosovë. Nga ai varet karriera politike dhe e ardhmja e shumë politikanëve në Kosovë! Është më i fuqishëm se 100 zona zgjedhore. Arben Idrizi nuk ka fare mëdyshje nëse të listuarit e tij janë vrasës. Ai i quan vrasës. Prandaj as unë nuk i futa në thonjëza . Po e citoj Arbenin. Dhe këtu pikërisht qëndron problemi apo krijohet problemi. Këtu kemi të bëjmë me shkelje drastike të të drejtave të njeriut. Në emër të cilave kanë shkruar edhe Tosi me Benin. Kemi të bëjmë me etosin. Me moralin gazetaresk, njerëzor dhe kombëtar. Me tejkalim dhe keqpërdorim të këtij morali. Profesional dhe njerëzor. Sepse, është e papranueshme që në të njëjtën kohë të jeni gazetar, analist, hetues, prokuror, polic dhe gjyqtar. Të dënoni njerëz pa gjyq. Pa një gjykim fer dhe të paanshëm. Kështu, së paku parashohin të drejtat e njeriut. Nuk e di çka po bëjnë Ismet Kabashi dhe Enver Peci, Fejzullah Hasani dhe Hamdi Ibrahimi, Mauricio Salustro dhe Shpend Maxhuni?! Apo EULESH-i i famshëm i cili kryesisht po merret me arrestimin dhe gjykimin e shqiptarëve. Kjo listë e “vrasësve“ e Arben Idrizit do të duhej të ishte desert për EULESH-in sepse të gjithë janë shqiptarë dhe hiç njërin që është trashëgimtar i “rezistencës paqësore historike“ të tjerët janë komandantë apo nga majat e UÇK-së! Ata, pas këtij artikulli është dashur të veprojnë sipas detyrës zyrtare dhe të merren, ose më ata që janë në listën e Arben Idrizit ose me vet Arben Idrizin si përpilues të listës nëse vërtetë ky e ka bërë listën! Në të kundërtën duhet të mbyllen prokuroritë, gjykatat dhe burgjet! Të mbetet vetëm EULESH, me Salustron, Fatos Lubonjën dhe Arben Idrizin! Sipas Arben Idrizit po del se kryevrasësi po del të jet pikërisht Komandanti Legjendar i UÇK-së, i Pavdekshmi Adem Jashari. Jo sepse paska vrarë policë, paramilitarë, ushtarë serbë dhe spiujë por se paska vrarë fëmijët dhe pleqtë e familjes Jashari. Familjes së tij! Me një fjalë Adem Jashari paska vrarë babën Shaban dhe nënën Zahide si dhe fëmijët e tij, të vëllaut Hamzës dhe të Rifatit!!! Ndihmo Zot! Nuk është Arbeni që i pari e thotë këtë! Këtë e kanë thënë më herët të gjithë ata që nuk kanë dhënë as kontributin më të vogël për lirinë e Kosovës duke përqeshur luftën dhe duke u tallur me viktimat. Ata, në fakt sot po jetojnë shumë mirë dhe numri i tyre po rritet në përputhje me horllëqet që po i bëjnë një pjesë e komandantëve të luftës dhe atyre që thirren në këtë emër duke u zhytur në hajni, jetë imorale, nepotizëm dhe kapjes së shtetit pa pushtet! Horrat që kanë dalë nga lufta po bëjnë penallti të panevojshme në zonën e ndaluar duke u dhënë rast horrave të pavdekshëm antikombëtarë të shënojnë gola sa të duan dhe kur të duan! Baca Adem ka thënë se: ”nuk do të mbetet kush pa u korit“! Dhe ashtu po del.


 


Ka mundësi që shumë kriminelë, të gjitha llojeve, t’i shpëtojnë drejtësisë tokësore por nuk ka mundësi t’i shpëtojnë drejtësisë hyjnore. Në këtë kontekst po e marrë dënimin që janë duke e pësuar disa nga lista e Arben Idrizit të cilët, në përpjekje për të mbrojtur prapanicën e tyre po u nënshtrohen faktit se mbi ta mund të pështyjë dhe lehë kush të dojë. Dënimi moral është shumë më i rëndë se dënimi penal! Së paku kështu duhet të jetë. Burgu harrohet por pafytyrësia nuk harrohet! Por Kosova është rast sui generis. Rast ku përballen por edhe bashkëjetojnë një pjesë e horrave të luftës të shndërruar në horra të paqes me ata horrat me mendësi sllave që po shumohen dita-ditës. Si rriqërat e Malishevës!


 


Ndërkaq sa i përket “kryevrasësit“ Adem Jashari, sikur thotë, Arben Idrizit, nuk ka dyshim se ai e krijoi historinë e shqiptarëve dhe u bë shembull i historisë së njerëzimit se si luftohet dhe jetohet për liri duke fituar pavdekësinë e përjetshme! Deri më sot nuk ka rast të tillë në historinë botërore dhe vështirë se do të ketë! Për aq kohë sa do të ketë jetë dhe njerëz në këtë botë, Adem Jashari do të përmendet. Ai mund të harrohet dhe injorohet nga ne, të mjerët që nuk bëmë asgjë për lirinë tonë dhe shtetin, të cilëve nuk na mbeti asgjë vetëm të kundërmojmë për së gjalli dhe qelbemi për së vdekuri! Për ne që jemi kalimtarë të rastit në këtë botë apo kufoma të gjalla sa për të përmushur një numër! Ne, qyqarët kemi nevojë të kompensohemi duke ua hequr lavdinë atyre që e merituan dhe duke u veshur me lavdinë e tyre ne që jemi qyqarë në shpirt, mendje dhe në veprim!

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …