Besa Ismaili-Ahmeti: Kosova duhet ta garantojë me Kushtetutë të drejtën për ujë të pijshëm

Besa Ismaili-Ahmeti, ka bërë thirrje që Kosova të ndërmarrë masa afatgjata për mbrojtjen e burimeve ujore, duke propozuar që e drejta për qasje në ujë të pijshëm të garantohet me Kushtetutë, sipas modelit të Sllovenisë. Ajo ka theksuar se Kosova disponon pasuri të mëdha ujore, por ka paralajmëruar se ndryshimet klimatike, periudhat e zgjatura të thatësirës dhe degradimi i mjedisit e bëjnë të domosdoshme mbrojtjen ligjore të këtij burimi jetik. Ismaili-Ahmeti ka vlerësuar se përvojat ndërkombëtare tregojnë se uji duhet të trajtohet si prioritet strategjik, duke veçuar rastin e Sllovenisë, e cila e ka garantuar me Kushtetutë të drejtën për qasje në ujë të pijshëm dhe ka ndaluar privatizimin e tij. Sipas saj, edhe Kosova duhet të krijojë mekanizma ligjorë që e mbrojnë ujin si pasuri kombëtare dhe të mirë publike, duke siguruar që ai të mos jetë objekt i interesave të ngushta ekonomike apo i keqmenaxhimit. “Uji nuk është mall. Uji është e drejtë, siguri kombëtare dhe përgjegjësi ndaj brezave që vijnë. Prandaj, një ligj i ngjashëm me atë të Sllovenisë do të ishte një hap i mençur dhe vizionar për të ardhmen e Kosovës”, ka shkruar Ismaili-Ahmeti.

Kontrolloni gjithashtu

YIHR: Serbia vazhdon të mohojë krimet e luftës – Reçaku, Srebrenica dhe Sarajeva ende objekt i revizionizmit shtetëror

Iniciativa e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Beograd ka ngritur alarmin se …