Brickos

Besim Rizah Tiku (1.7.1977 – 3.5.1999)

Besim Rizah Tiku (1.7.1977 – 3.5.1999)

Historia e vrasjes së burrave shqiptarë nga uniforma e pushtuesit serb, si te shumë familje të Drenicës e të mbarë Kosovës, ishte përsëritur edhe në familjen Tiku të fshatit Verbovc të Drenasit. Kësaj familjeje, në vitin 1945, në përfundim të Luftës së Dytë Botërore, çetnikët serbë ia kishin vrarë tre burra, si bashkëkryengritës të Shaban Polluzhës: Xhemailin, Hysenin dhe Aliun. Këtij cikli historik të vrasjeve i dha fund lufta e Ushtrisë Çlirimtare e Kosovës dhe gjaku i pastër i luftëtarëve e luftëtareve të kësaj ushtrie, në mesin e të cilëve edhe i stërnipërve të tre burrave të familjes Tiku, Besim e Naim Tiku.

Dëshmori Besim Tiku është i lindur në fshatin Verbovc të komunës së Drenasit nga prindërit Rizah e Fatë Tiku. Ai kishte tre vëllezër e tri motra: Agimin, Hashimin, Dritoni, Bahrien, Shehrien dhe Zyrafeten.

Arsimin fillor e kishte kryer në fshatin fqinj Qëndresë (ish-Terstenik) të Drenasit, kurse atë të mesëm, në shkollën teknike në Drenas. Për shkak të rrethanave të rënda që mbretëronin në vitet ’90 të shekullit 20, ai nuk vendos të regjistrohet në universitet pasi kryen shkollën e mesme, ndërsa një vit më vonë çështja e studimeve u bë edhe më e pakuptimtë për faktin se atëherë filloi lufta çlirimtare, e cila kërkonte mbështetje dhe gjak lirie.

Megjithëse nuk ishte student dhe as në Prishtinë, Besimi mori pjesë në protestën studentore më 1 tetor të vitit 1997, në Prishtinë, e cila u bë preludi i ngjarjeve të mëdha e dramatike që do të fillonin së shpejti në Kosovë, e që do të kurorë- zoheshin me fitoren e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe me fundin e sundimit njëshekullor serb mbi Kosovën. Në protestë e kishte ftuar shoku i shkollës, Driton Thaçi nga Llapushniku, i cili tashmë ishte student. Pa dyshim, ngjarjet e asaj dite proteste kishin lënë mbresë të pshlyeshme në mendjen dhe ndërgjegjen e Besimit, sepse ai kishte parë dy botë krejtësisht të kundërta përballë njëra-tjetrës: studentët paqësorë që simbolizonin të ardhmen e civilizuar dhe në anën tjetër, pamjen e një regjimi të egër, barbar e primitiv. Barbarizmi i policisë serbe i shprehur kundër protestuesve që kërkonin të drejtën e shkollimit e të dritës, e kishte mbushur me mllef urrejtjeje shpirtin revolucionar të Besim Tikut. Atë ditë fillimtetori, ai e kishte parë sa larg ishte perspektiva për rininë shqiptare dhe se për të arritur deri te ajo do të duhej të kalohej nëpër një luftë të ashpër, plot tmerre, gjak e lot, por që do të ishte e pashmangshme, madje edhe e afërt.

Rënia e Komandantit Legjendar Adem Jashari në epopenë e lavdishme të Prekazit të 5, 6 e 7 marsit të vitit 1998, shtoi pezmin e urrejtjes kundër pushtuesit shekullor serb dhe mobilizoi mijëra luftëtarë të lirisë, jo vetëm në trevën e Drenicës, por anekend Kosovës, për të kapur armën e për t’i dalur përballë armikut vrasëtar. Brenda një periudhe të shkurtër, grupe luftëtarësh në fshatra e lagje fshatrash, fillimisht në zonën e Drenicës, u organizuan e u betuan në himnin e flamurit kombë- tar, për t’ia marrë hakun legjendarit Adem Jashari, e për ta çuar deri në fitore luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ata pothuajse rrufeshëm ngrenë pikat ushtarake, hapën istikamet dhe ngjeshën armët që kishin për t’ia bërë benë pushtuesit serb, i cili tashmë e kishte mbushur kupën. Jashtë këtij angazhimi nuk kishin mbetur as djemtë trima të fshatit Verbovc të Drenasit. Afër lagjes së familjeve Tiku, Goshani e Prokshi, në një pyll të fshatit me pozitë strategjike për veprime luftarake ishte formuar pika e parë ushtarake e UÇK-së në këtë fshat, në përbërje të luftëtarëve Besim Tiku, Naim Tiku, Zejnullah Prokshi, Tahir Goshani, Nasuf Goshani, Skënder Prokshi, Halim Goshani e të tjerë. Përgjegjës i Pikës ishte caktuar Zejnullah Prokshi. Luftëtarët ishin armatosur me armë të lehta personale, madje edhe me pushkë gjuetie, por me zemër të madhe. Në verën e vitit 1998, Besimi ishte pjesë e grupit të madh të luftëtarëve të UÇK-së të Zonës së Drenicës, të cilët shkuan në drejtim të Junikut me qëllim për të marrë armë e municion përtej kufirit të robërisë që ndante Kosovën nga ama e saj, Shqipëria londineze.

Meqenëse lufta çlirimtare ndërmjet vuajtjeve e sakrificave, aty-këtu ka edhe dromca lumturie e normaliteti, të cilat janë pjesë e ligjshme e vazhdimësisë së jetës, një të tillë dromcë pati edhe për luftëtarin Besim Tiku, i cili nën zjarrin e breshërisë së armëve të armikut kishte vendosur dhe arritur të martohej me Vjollcë Janovën nga Korrotica e Drenasit. Mirëpo, lumturia vetëmsa kishte ngjizur frytin e saj dhe së shpejti do të ndërpritej, sepse altari i lirisë po e priste sakrificën sublime të Besimit, më 3 maj të vitit 1999, pikërisht një muaj, ditë më ditë, para se të vinte në jetë drita e vetme e qiftit, Iliriana, e cila babain dëshmor e ka shijuar vetëm si emër e si krenari. Besimi dhe bashkëluftëtarët e tij, pas mobilizimit si pjesëtarë të UÇK-së kishin marrë pjesë në aksione të shumta çlirimtare, kudo që e kishte kërkuar nevoja, si në Verbovc, Qëndresë, Gllobar, Vasilevë e fshatra të tjerë. Ata koordinonin aksionet e tyre me luftëtarët çlirimtarë të pikave të tjera ushtarake në fshat dhe në fshatrat përreth.

Në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishin radhitur edhe djemtë e dy axhallarëve të Besimit, Naimi, Fadili dhe Ardiani.

Pas riorganizimit të formacioneve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në vjeshtë të vitit 1998, njësiti i Pikës ushtarake ku bënte pjesë Besim Tiku veproi në kuadrin e Brigadës 114 “Fehmi Lladrovci”. Kjo brigadë përfshinte një rreze të gjerë veprimi në Zonën Operative të Drenicës, kryesisht në fshatrat e komunës së Drenasit.

Vetëm dy javë para se të binte dëshmori Besim Tiku, në fushën e nderit në fshatin Vasilevë të Drenasit kishte rënë djali i xhaxhait të tij dhe bashkëluftëtari, Naim Tiku. Ndërsa më 24 mars 1999, ditën kur pritej intervenimi ushtarak i NATOs mbi makinerinë serbe të luftës, militarët serbë e kishin vrarë pranë shtëpisë së tij në Verbovc, babain e dëshmorit Besim Tiku, Rizahin.

Ndërkohë, ora e luftës çlirimtare po numëronte sekondat e saj shekullorë dhe nuk mund të parashikohej se çfarë do të mund të ndodhte nga sekonda në sekondë. Për këtë arsye, Besimi dhe bashkëluftëtari i tij Tahir Goshani ia kishin lënë porosinë njëri-tjetrit që ta ruanin fishekun e fundit për shoqishoin, në rast nevoje. Sepse luftëtarët e lirisë nuk duhet të bien në duart e armikut!

Më 3 maj të vitit 1999, forcat serbe kishin ndërmarrë një ofansivë sulmi e rrethimi ndaj fshatit Shtuticë. Granatimet në drejtim të tij u bënë nga Verbovci dhe Polluzha. Sulmet ishin të ashpra e me armatim të rëndë, pas të cilave po depërtonte këmbësoria serbe. Në luftimet e asaj dite, në altarin e lirisë, në Shtuticë u përjetësuan dshmorët Besim Tiku, Tahir Goshani nga Verbovci e Nysret Halilaj. Vendin e rënies së tyre, kriminelët pushtues serbë e kishin djegur duke ia vënë zjarrin malit në shenjë barbarie. Të nesërmen, më 4 Maj, trupi i Besimit e i dëshmorëve të tjerë u varrosën në vendin e rënies në Shtuticë. Pas përfundimit të luftës çlirimtare, rivarrimi i tyre u bë në Varrezat e Dëshmorëve në Polac të Skënderajt.

Kujtimin e përjetshëm për dëshmorin Besim Tiku e rrezaton përmendorja e ngritur për katër dëshmorët e lagjes Tiku e Goshani në Verbovc: Besim Tikun, Tahir Gashanin, Naim Tikun e Nasuf Gashanin. (N. M.)

Kontrolloni gjithashtu

Zabit Ahmet Shabandula (5.4.1964 - 29.3.1999)

Zabit Ahmet Shabandula (5.4.1964 – 29.3.1999)

Menjëherë pas 24 marsit të vitit 1999, pas bombardimeve të NAT0-s mbi forcat çetnike serbe, …