Brickos

Rifat Xhafer Goxhufi (7.3.1969 - 3.5.1999)

Rifat Xhafer Goxhufi (7.3.1969 – 3.5.1999)

Rifat Goxhufi, i biri i Xhaferrit dhe i Nailes, ka lindur në fshatin Koliq, Komuna e Prishtinës. Rrëmbimi armëve për liri nga Rifat Goxhufi nuk është ndonjë përjashtm për familjen e tij, pasi pjestarët e saj kanë marrë pjesë në të gjitha kryengritjet dhe luftrat e mëdha të shqiptarëve për liri. Kështu në kryengritjet e viteve 1910 – 1912, xhaxhai i babait të tij, Selim Goxhufi, ka qënë pjesmarrës me armë në dorë. Edhe në Luftën e II Botërore, i biri Selimit, Murat Goxhufi iu bashkohet luftës kundër fashizmit, duke e ndjekur atë deri në Bosnjë, ku edhe është vrarë nga sërbët gjat kthimi, për bindjet e tij nacionaliste. Edhe gjyshi i dëshmorit Rifat Goxhufi, Azem Goxhufi, gjatë Luftës së Dytë Botërore ka qënë pjestar i formacioneve nacionaliste të komanduara nga Shaban Polluzha, në armatën 20 mijë luftëtarëshe të Mbrojtjes Kombëtare të Kosovës në vitet 1944 -1945.
Dihet se shqiptarët në Kosovë nuk reshtën përpjekjet për liri e bashkim shqiptar. Në vitet gjashtëdhjetë kemi lëvizjet ilegale të rinissë studentore dhe asaj shkollore, ku figurë kryesore njihet Adem Demaçi. Në grupin e tij ka bërë pjesë edhe xhaxhai i dëshmorit Rifat Goxhufi, Ajet Goxhufi, i cili dënohet me disa muaj burgim në fund të viteve gjashtëdhjetë.
Të persekutuar nga regjimi titist, kuptohet që duke qëndruar në Koliq, fëmijët e Xhaferit kish gjasa që të mbetëshin jo vetëm pa shkollë, por edhe pa profesion, dhe babai i dëshmorit, Xhafer Goxhufi vendos të shpërngulet nga Koliqi dhe vendoset në Lluzhan të Llapit. Blen tokë dhe ndërton shtëpi, ndërsa vetë punësohet në Prishtinë si shitës në ndërmarrjen “Agimi” të Gjakovës, derisa doli në pension.
Mirëpo nuk ishte e thënë që kjo familje të shpëtonte nga ndjekjet dhe persekutimet. Edhe këtu e evidentuan si familje me pikëpamje nacionaliste, gjë që ndikoi te fëmijët e Xhaferit dhe Nailes që edhe ata të rriteshin me urrejtjen ndaj pushtuesit serb dhe kolonëve të tyre në Kosovë. Kur Rifati ishte në klasën e 6-të, një nga ditët e shkollës ndodhi që të kalonte pranë vorrezave të serbëve në afërsi të fshatit të tij, ku zhvillohej një procesion i varrosjes së një serbi. Rifati, për të treguar “burrërinë” e tij, shprehet me zë të lartë që ta dëgjonin serbët: Sot një, nesër shtatë. Të nesërmen paditet në gjykatë nga serbët dhe gjykata e Besianës (Podujevës) e dënon me 2 muaj burg. Dënimi i Refatit ishte edhe fillimi i raprezalieve të reja për familjen. Askush nga fshati nuk u bënte vizita dhe Refatin nuk e pranonin më në shkollë. Me ndihmën e arsimtarëve Osman dhe Xhevat Humolli, Rifati regjistrohet në shkollën e fshatit Lupç i Poshtëm. Por duke qënë se ishte dënuar si “prishës i bashkim-vëllazërimit”, kur mbaroi klasën e tetë nuk e pranuan të regjistrohej për të vazhduar studimet në shkollën e mesne në Besianë, prandaj mbeti pa punë dhe pa shkollë. Periudha dyvjeçare pa punë e pa shkollë i akumuloi edhe më shumë urrejtjen kundër Serbisë dhe serbëve.
Familja kish nevojë për të ardhura ekonomike. Vëllezërit ishin pa punë, atëherë Rifati detyrohet të kërkojë punë jashtë Kosovës, atje ku nuk e njihnin. Shkon në Paraçin të Serbisë si puntor krahu në ndërtim, ku punon dy vjet, pastaj shkon në Zagreb të Kroacisë derisa mbushi moshën për ushtar, shërbim të cilin e kreu në Pirot. Gjatë periudhës që kryen shërbimin ushtarak, viti 1989, për arsye të demostratave të shumta që ndodhnin në Kosovë dhe të kaluarës së tij “me njolla” në biografi për serbët, Rifatin e marrin disa herë në intervista provokative, gjë që i lanë të kuptonte se edhe pas mbarimit të ushtrisë nuk do ta kishte të lehtë. Këto bindje e detyruan që me t’u kthyer nga shërbimi ushtarak të largohet sa më shpejt nga Kosova dhe shkon emigrant në Mynhen, Gjermani, ku gjeti punë e u sistemua shumë shpejt. Por, duke qënë i armatosur me ndjenjën e lirisë për Kosovën dhe familjen e vet, edhe në Gjermani u lidh menjëherë me lëvizjet politike të shqiptarëve të atjeshëm dhe u bë njëri ndër aktivistët më të njohur të LPK-së jo vetëm në Mynhen por në tërë Gjermaninë. Së bashku me Ilaz Sokolin (të atin e dëshmorit Bedri Sokoli) dhe shumë të tjerë bëhen ndër organizuesit kryesorë të tubimeve patriotike të shqiptarëve nëpër qytetet e Gjermanisë si dhe në shtetet e tjera.
Në periudhën e luftimeve të para të UÇK-së të zhvilluara në Drenicë, në Likoshan dhe Qirez, Rifat Goxhufi u ndodh me pushime pranë familjes, në Kosovë dhe në fund të majit mars 1998 kthehet në Gjermani për të propaganduar luftën çlirimtare dhe për të mbledhur sa më shumë ndihma për të. Jo vetëm që për një përiudhe 8-mujore kontribon vetë me ndihma financiare, duke dhuruar 2000 marka Gjermane, por u bë njëri ndër aktivistët kryesorë të nxitjes së shqiptarëve për të financuar Fondin “Vendlindja Thërret”. Kur Rifati niset për në Gjermani, vëllai i tij i madh, Azemi reshtohet në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe lufton pandërprerë deri në mbarimin e saj.
Edhe armiku serb dhe bashkëpuntorët e tij nuk bënin gjumë. Duke e marrë vesh se dy djemtë e Xhafer Goxhufit ishin luftëtarë, shkojnë dhe ia djegin me themel të dy shtëpitë që kishte. Familja e tij mbetet vetëm me rrobat që kishin veshur. Prindërit, motrat dhe vëllezërit e vegjël u detyruan të ktheheshin e të jetonin në Koliq, ku qëndruan deri në mbarimin e luftës dhe ku përjetuan tërë luftën, duke mos u larguar nga kosova. Më 1.12.1998 në Koliq i lind djali Durimi, pas dy vajzave, Donjetës dhe Mirjetës. Ky gëzim e bëri me flatra dhe vendosi që të linte Gjermaninë dhe të rreshtohej në radhët e UÇK-së me armë në dorë, duke qënë i sigurt se u bë me pasardhës. Me të dëgjuar thirrjen e përbashkët të Qeverisë së Përkohëshme të Kosovës dhe të Shtabit të Përgjithëshëm të UÇK-së, merr uniformën dhe niset për në Shqipëri. Paraqitet te qëndra e grumbullimit në Durrës, restorant “Drenica”, dhe prej andej vjen në Krumë. Kur forcat ëlirimtare të UÇK-ë sulmuan në Koshare për të depërtuar në drejtim të thellësisë së Kosovës, për hapjen e korridorit Shqipëri – Kosovë për furnizimet e nevojshme për luftën, Rifat Goxhufi ishte ndër luftëtarët e radhëve të para që e ndërmorën atë sulm. Bazuar në aftësinë dhe shkathtësinë e tij, ai emërohet qysh në fillim, komandant i skuadrës së Parë, toga e Parë, batalioni Tretë i brigadës 138 të UÇK-së. Kur arrin te karakolli i serbëve në buzë të kufirit, në sektorin e sulmit të batalionit, Rifati organizon marrjen e tij në fshehtësi të plotë. Futet në karakoll prej dritares dhe i gjen ushtarët serbë në gjumë. Ata ishin tre. I vret ata dhe del po nga dritarja. Ky ishte sinjal për grupin e sulmit që të hidheshin në sulm me në kryekomandantin e skuadrës Rifat Goxhufi.
Brigada 138 “Agim Ramadani” e UÇK-së, dihet se e zgjeroi së tepërmi frontin e luftimeve dhe si rrjedhojë i ra forca goditëse për të përparuar në drejtim të thellësisë së Kosovës. Ajo depërtoi 7-10 km dhe atje lufton ashpër kundër ushtarëve serbë, duke i detyruar këta të fundit të tërheqin sa më shumë forca nga thellësia dhe kështu t’ia lehtësonin mundësinë e manovrimit forcave të tjera të zonës së Dukagjinit. Më 3 maj 1999, në orën 15, skuadra e komanduar nga Rifat Goxhufi mori detyrë të vëzhgonte terrenin dhe vendvendosjet e fundit të armikut, me qëllim që gjatë natës batalioni të ndërmerrte sulmin për të përparuar më në thellësi të armikut. Rifati zgjedh edhe tre shokë të tij dhe niset për vëzhgim. Lëviznin të maskuar dhe në njëshkolonë, nga 10 deri 15 m. larg njeri-tjetrit. Në krye të grypit të vëzhgimit ishte komandanti i skuadrës. Porsa doli të lartësia me emrin Maja e Gllavës, në fshatin Koshare, diktohet nga snajperistët e ushtrisë serbe që ishin vendosur nëpër pemët e larta, dhe goditet. Bie i plagosur. Shokët shpërndahen në formacion luftimi dhe hapin zjarr në drejtimin nga erdhi e shtëna armike. Rifati ishte plagosur rëndë. Bashkëluftëtari Hamdi Aliu i jep ndihmën e parë dhe së bashku me shokët e tjerë i jep ndihmën e parë. Pas rreth gjysmë ore nga momenti i plagosjes, për shkak të hemoragjisë së brendshme, Rifat Goxhufi u nda përgjithmonë nga shokët, fëmijët dhe familja e tij, por u përjetësua si djalë i shtrenjtë i Kosovës, e cila nuk ka për ta harruar në jetë të jetëve.
Në muajin Gusht 1999 familja e e Rifatit i merr eshtrat e tij dhe i sjell në Kosovë, në varrezat e kompleksit memorial në Koshare, ku prehen të qetë. (D. G.)

Kontrolloni gjithashtu

Fejzullah Sokol Graiçevci (22.1.1951 - 19.4.1999)

Fejzullah Sokol Graiçevci (22.1.1951 – 19.4.1999)

Fejzullahu ishte djali i Sokol e Vahide Graiçevcit. Lindi më 22 janar të vitit 1951, …