MIT
kek
mbpzhr 2018
Airport Adem Jashari
Fillimi / Dëshmorët / Avdyl Islam Duçi (4.4.1937 – 3.5.1998)
Avdyl Islam Duçi (4.4.1937 - 3.5.1998)

Avdyl Islam Duçi (4.4.1937 – 3.5.1998)

Lufta çlirimtare në trevën e Rekës së Keqe, si kudo në Kosovë, shënon një epope të lavdishme të popullit shqiptar për liri. Ajo u kurorëzua me fitore, falë heroizmit të luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Dëshmori Avdyl Duçi, u lind në Ponoshec të Rekës së Keqe, komuna e Gjakovës, më 4 prill 1937. Prindërit e tij, Islam e Xufë Duçi, i patën shtatë djem e tri vajza. Ndër ta, Avdyli ishte i pari fëmijë i tyre. Rrjedh nga një familje atdhetare, bujare, arsimdashëse dhe intelektuale. Axha i tij, Hasani, vuajti dënimin në burgun famëkeq për shqiptarët, në Goli Otok, për shkak të veprimtarisë nacionale e antijugosllave. Shpesh i ishte maltretuar edhe i ati, Islami. Për dallim nga vëllezërit e motrat, Isa, Ymeri, Haziri, Mehmeti, Hajdini e Tafili, si dhe motra e vogël, Shyhreti, Avdyli, nuk pati mundësi të shkollohej më tej, për shkak të kushteve të vështira e të mungesës së krahut të punës. Shkollën fillore e kreu në Ponoshec. Kryesisht u mor me bujqësi, ndërsa një kohë punoi edhe në Gjermani. Për shkak të veprimtarisë revolucionare, Avdyli ishte i përndjekur nga policia serbe, i bastisur, i arrestuar e i maltretuar. Bashkë me Mon Nezën e Binak Mirjakën nga Skivjani, ai ishte arrestuar në trekufirin: Kosovë-Shqipëri-Malit i Zi. Kontaktet e para me pjesëtarët e UÇK-së, Avdyli i pati në prill të vitit 1998, kur filloi organizimi i njësiteve ushtarake në Dukagjin. Ponosheci ishte ndër fshatrat e para të kësaj ane, fill pas betejës në Gllogjan, Jabllanicë, Junik, Smolicë etj., që u rreshtua në krah të UÇK-së. Së pari aty u formua shtabi lokal i ushtrisë nga luftëtarët: Avni Sejdiu, Osman Panxha, Riza Aliu, Isuf Imeri etj., kurse më 14 prill 1998, nga shtëpia e Avdylit nisen për në Shqipëri 57 rekrutë për armatim. Për armatim në Malësinë e Tropojës, Avdyli e dërgoi të birin, Lanin, nipat: Islamin e Gëzimin (dëshmor), djalin e axhës, Hysenin e mbi pesëdhjetë vullnetarë të tjerë. Megjithë moshën e vjetër, pjesëtar i mobilizuar i UÇK-së, Avdyli u bë prej momentit të armatosjes së tij e bashkëfshatarëve dhe formimit të shtabeve lokale më 17 prill 1998. Meqenëse Ponosheci, për armikun ishte pikë strategjike parambrojtëse e paravëzhguese e zonës ndarëse midis Kosovës e Shqipërisë politike, aty ishin koncentruar forca të mëdha ushtarake serbe. Pas betejës së zhvilluar te “Livadhi i Gjatë”, fshatit iu bë rrethim i hekurt, por i cili nuk arrin ta dalë hovin e luftimeve të pjesëtarëve të UÇK-së.
Më 3 maj 1998, në Ponoshec u zhvillua një betejë e ashpër kundër forcave serbe, që e kishin vënë në rrethim fshatin. Beteja filloi në orën 10 dhe zgjati deri në mesnatë. Duhej çarë rrethimi, pos tjerash për ta nxjerrë popullatën civile në mesin e të cilëve kishte edhe të plagosur. Popullata nxirret deri te vendi i quajtur Arëza në drejtim të fshatit Popoc. Në të kthyer nga përcjellja e popullatës, Avdyli shkëmben zjarr me forcat e pushtuesit serb.
Pas një qëndrese heroike, Avdyli bie dëshmor te Jazi i Fushës. Trupi i tij u tërhoq nga morgu i spitalit të Gjakovës dhe u varros më 7 maj 1998, në fshatin Nivokaz, pasi Ponosheci kishte rënë në duart e pushtuesit. Rivarroset me nderime ushtarake në Ponoshec, më 26 korrik 1999. Për lirinë e Kosovës, më 12 maj 1998 u flijua edhe djali i vëllait të Avdylit, Gëzim Duçi. Familja e dëshmorit Avdyl Duçi ka marrë Mirënjohje nga Shoqatat e dala nga lufta, nga ZOD-i dhe nga KK i Gjakovës. Avdyli ka lënë bashkëshorten, Hatën dhe fëmijët: Binakun, Duçin, Lanin, Burimin dhe Sabrien, të cilët sot krenohen me heroizmin dhe sakrificën e babait të tyre dëshmor. (Z. Gj.)

Kontrolloni gjithashtu

Bedri Ilaz Sokoli, (14.1.1964 – 1.11.1989)

Bedri Ilaz Sokoli, (14.1.1964 – 1.11.1989)

Zhvillimet revolucionare të Marsit dhe Prillit të vitit 1981, i kishin dhënë hovin vendimtar kërkesave ...