Besnik Kryeziu: Zgjedhje apo zgjidhje për Kosovën …?

Ndonëse vitet e fundit, secilin veç e veç i kemi shpresuar, i kemi pritur si vitet e shpresës së madhe, vitet e pavarësisë, vitet e vendimit historik për Kosovën, ato të gjitha së bashku me shumë keqardhje po dalin si vite të humbura, vitet e rezultateve zero. Ndonëse viti 2007 mund të jetë gëzuar që viti paraardhës 2006 nuk u bë vit historik, zhgënjimi edhe për vitin 2007 po duket në horizont. Si duket përkrah luftës se kush do ta fitojë betejën diplomatike për Kosovën ka hyrë edhe lufta e viteve se cili nga ta do të jetë viti i cili në zemrat e shqiptarëve do shkruhet me shkronja të arta, ndryshe nga vitet e rëndomtë që i harrojmë po sa të vjen i riu.
Sa shtyrje bërrylash është bërë se kush do ta nënshkruajë pavarësinë e Kosovës, secili lider ditën për diell ka ëndërruar me sy hapur, të gjithë donin vend në sofrën e historisë. 
Si duket harruan se udha për te sofra historike nuk është e lehtë, është ecje nëpër teh thike, jo të gjithë e përballojnë këtë ecje e aq më pak liderët tanë. Ata u rrëzuan në ecje e sipër sepse u mungonte dija politike, u mungonte guximi dhe vendosmëria, ishin shkurt pamës deri në verbëri. Për ngushëllimin e tyre t’ua përkujtojmë se megjithatë historia ka dy faqe, faqen e bardh dhe faqen e zezë, se në cilën faqe do të jenë ata të shpresojmë që të jenë kaq inteligjent për ta kuptuar vetë. 
Pas shtyrjes së vendimit për statusin ndërkombëtarët duke e parë se durimit po i vie fundi dhe se e kanë të vështirë të menaxhojnë pakënaqësinë e qytetarëve e pollën edhe një ide, idenë e mbajtjes së zgjedhjeve para statusit. Ndonëse edhe disa parti politike u shprehën për zgjedhje, çështja është se: Kosova a ka nevojë për zgjedhje apo për zgjidhje? 
Unë mendoj se me gjithë qeverisjen e dobët që e kemi Kosova ka nevojë më shumë për zgjidhje se sa për zgjedhje. Pse? Sepse pas idesë për mbajtjen e zgjedhjeve qëndron mendimi se me këtë do të zhvendosej vëmendja e qytetarëve të Kosovës nga zgjidhja e statusit te zgjedhjet. E tërë ajo pakënaqësi akumuluese do shfryhej nëpër fushata para zgjedhore ku përsëri do të vazhdojnë premtimet për pekmez dhe qentë e Sharrit. Arsyeja tjetër që më bënë të jem kundër zgjedhjeve para zgjidhjes së statusit është se: edhe nëse mbahen këto zgjedhje nuk do të ndërrohet elita politike në vend, për të cilën Kosova do të kishte nevojë imediate dhe procesi politik do të merrte dimension të ri . Përafërsisht skena politike e Kosovës do të mbetet e njejtë me disa ndryshime të vogla të cilat nuk do të luanin rol në vendimmarrje. Duhet, sipas mendimit tim t’i heqim iluzionet se këto zgjedhje do të jenë demokratike sepse faktori ndërkombëtar na ka përcaktuar kornizat e lojës jashtë të cilave nuk guxojmë të dalim, dhe se cilat janë ato korniza i kemi parë në legjislaturën aktuale në Parlamentin e Kosovës ku deputetët kanë folur, kanë miratuar rezoluta e ligje të ndryshme dhe në fund i dërguari fuqi plot i Kombeve të Bashkuara ju ka rënë fshesë. Faktori ndërkombëtar nuk do të lejojë dhe aspak nuk ka interes në ndërrimin e elitës aktuale politike, ata kanë ende nevojë për këtë elitë politike e cila ishte mjaft e dëgjuar karshi kërkesave të tyre. 

Dikush do të thotë, po pas gjithë kësaj pakënaqësia në klasën politike a nuk do të ishin zgjedhjet shpëtim, dalje nga ky qorrsokak dhe mundësi për ndryshime, me keqardhje jo, dhe për arsye të vetme sepse prapë këta dështakë politik do t’i kemi në listat zgjedhore mu si ai që ka shitur dreqër kur e kanë pyetur se a bën me zgjedh, ju ka thënë s´ke çka zgjedh fund e krye një soj janë. Pra, mbajtja e zgjedhjeve para se të zgjidhet statusi nuk do të sjell risi në skenën politike kosovare dhe vetëm sa do vazhdonte pritjen e stërzgjatur të qytetarëve të Kosovës për statusin sepse në këto zgjedhje nuk do të kemi fituesin absolut, do të jenë të detyruar për koalicione mes partive politike që fitojnë mandate në parlament dhe ne e dimë se si dhe sa lehtë e shpejt merren veshë partitë politike në Kosovë, mbase edhe do të kenë nevojë për ndonjë ndërmjetësues ndërkombëtar për bërjen e qeverisë së re. 
Është, më duket luks që ne të merremi me fushata parazgjedhore kur tani qartas kanë dalë në horizont edhe opsione për ndarjen e Kosovës dhe ku reagimi i ndërkombëtarëve nuk ishte i fuqishëm kundër këtyre opsioneve .Për të gjithë ne që mendojmë dhe flasim shqip, është e qartë se edhe vazhdimi i negociatave është tregues se ndarja është rreziku, i cili po i kanoset Kosovës sepse logjikisht bisedimet e zhvilluara në kryeqytetin Austriakë, që si përfundim patën pakon e Ahtisarit, pako që siç u vlerësua me të drejt ishte vetëm për serbët e Kosovës e që në shumë pika ishte e rrezikshme për funksionalitetin e shtetit të Kosovës. Atëherë nëse pakoja e Ahtisarit ka rregulle pozitën e minoritetit serb pse duhet të bisedohet me Serbinë për të ardhmen politike të Kosovës, jam i pajtimit të bisedojmë me Serbinë, por vetëm pasi të kemi njohje reciproke nga të dyja shtetet dhe që këto bisedime t’i japin fund konfliktit shqiptaro- serb, por deri sa Serbia hapur po deklaron se nuk do të heqë dorë nga Kosova, çdo lloj bisedime që do të zhvillohen vetëm sa do ta faktorizojnë Serbinë, si një faktor që pa pëlqimin e të cilit nuk do të ketë pavarësi. 
Duhet edhe njëherë fuqishëm t´ia bëjmë me dije të gjithëve se Serbia e ka humbur Kosovën dhe se përpjekjet e kujtdo qofshin për ndarjen e Kosovës, Ballkanin do ta qonin në një definim të ri kufijsh ku ne do të reagonim fuqishëm dhe do të kërkonim bashkimin e trojeve shqiptare në një shtet të vetëm. Ne jemi sakrifikuar duke pranuar zgjedhe parciale për çështjen shqiptare por të jenë të sigurt se nëse hapet çështja e ndarjes së Kosovës atëherë pashmangshëm do të hapet edhe çështja e pa zgjidhur gjithë shqiptare por që fajin do ta bartin ata që po luajnë me këso opsione të rrezikshme dhe luftënxitëse për ndarjen e Kosovës. 

Por, cila është rruga që duhet ta ndjekim ? 

Pas gjithë atyre dështimeve dhe lëshimeve në Këshillin e Sigurimit është e qartë se procesi i pavarësimit të Kosovës duhet përfundimisht të kalojë te populli i Kosovës, parlamenti megjithë presionet që ka duhet ta bëjë fakt të kryer pavarësinë e Kosovës duke e shpallur pavarësinë e vendit. Presidenti amerikan z.Bush deklaroi gjatë vizitës së tij në Shqipëri se ai do të presë që të arrihet një konsensus mes Amerikës dhe Rusisë por në rast se ky konsensus nuk arrihet atëherë ai do të thotë mjaftë më. Pra kjo deklaratë e fuqishme e presidentit Bush duhet të jetë sinjal për shpalljen e pavarësisë nga parlamenti i Kosovës. Pavarësia e Kosovës në këtë rast do të njihej nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga blloku i shteteve perëndimore. Dhe vetëm atëherë pas njohjes ndërkombëtare të shtetit të Kosovës do të kishin kuptim zgjedhjet. Duke pasur parasysh aktualitetin politik dhe ndikimin që ka faktori ndërkombëtar te klasa politike e Kosovës mund të themi se zgjedhjet nuk do të jenë në funksion të zgjidhjes së statusit, ndërsa zgjidhja e statusit do të jetë në funksion të zgjedhjeve. Kosovës dhe qytetarëve të saj nuk i duhen zgjedhje të cilat për qëllim do të kenë lindjen e një Grupi të Ri të Unitetit ngase ky i tanishmi ka VDEKUR duke vrarë vetveten.

Kontrolloni gjithashtu

Ejup Maqedonci: Serbia me qasjen e saj hegjemoniste dhe agresive karshi Kosovës do të bëjë që tensionet të vazhdojnë

Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci, dje pas bllokimit në kufi me Serbinë të …