Mbrojtja e Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt e kundërshton vendimin e gjykatësit të procedurës paraprake

Betimi për Drejtësi: Mbrojtja para trupit gjykues në Hagë e të pandehurve, Hysni Gucati, Nasim Haradinaj dhe e avokatëve të tyre

Hysni Gucati, në fjalën e tij përmbyllëse, ka thënë se do të vazhdojë të luftojë për të drejtat e popullit të tij, deri në ditën e fundit të jetës së tij dhe se e ardhmja e Kosovës e motivon atë.

Gucati ka thënë se është qytetar shumë krenar i Republikës së Kosovës dhe është krenar me atë se ku janë sot si komb dhe me plot shpresë për atë që do të bëhet në të ardhmen.

Ai tha se në vitin 1997, bashkë me moshatarët e tij i janë bashkëngjitur Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) për të mbrojtur atdheun dhe popullin e tij.

“Kam qenë dëshmitar i shumë ngjarjeve të tmerrshme gjatë kësaj kohe, kam qenë dëshmitar edhe i luftës, janë gjëra që nuk kisha dashur t’i shoh më kurrë dhe nuk kam dëshirë të përsëriten në asnjë vend të botës”, tha ai.

Tutje, tha se çdo viktimë e krimit gjatë luftës apo paqes e meriton të drejtën që personat që kanë kryer krime ndaj tyre të hetohen dhe ndiqen penalisht.

 

Gucati ka thënë se vet ka qenë viktimë e krimit siç kanë qenë edhe shumë shokë të tij të UÇK-së dhe qytetarë të Kosovës dhe ato krime duhet të ndiqen aty ku është e mundur.

“Vet si viktimë e krimit e kuptoj çka kanë vuajtur viktimat tjera të krimit, e ndjej vuajtjen që kanë vuajtur”, tha ai.

Ai tha se nuk mund të jetë e drejtë që një grup të shpallet përgjegjës për akte kriminale, kur krijimi i këtij grupi ka qenë për të ndaluar akte kriminale.

Tutje, tha se i është bashkuar UÇK-së me qëllimin e vetëm që të ndalohej vuajtja e bashkëqytetarëve të tij dhe të parandalohej vuajta që mund t’iu shkaktohej atyre.

“Do isha i fyer nëse do të shihej veprimtaria ime si diçka tjetër, përveç se një akt i drejtë”, ka thënë ai.

Ai tha se e drejtë e popullit të Kosovës dhe çdo vendi është që gjithë kohës të jenë në gjendje të jetojnë në paqe, të shprehin mendimin e tyre përmes lirisë së shprehjes, të jetojnë pa frikë.

“Këto të drejta duhet të respektohen dhe garantohen gjithandej botës”, ka thënë Gucati.

Tutje, tha se do t’i qëndrojë pranë kujtdo që kërkon t’i mbrojë këto vlera dhe se është bërë kryetar i OVL- UÇK-së për të garantuar këto të drejta për anëtarët e saj dhe se gjithmonë ka vepruar në interesin e tyre më të mirë dhe për të siguruar të ardhme të sigurt për ta e familjet e tyre.

“Gjatë gjithë kohës kur kam vepruar për anëtarët e OVL- UÇK pa frikë dhe pa favorizime nëse kam menduar se diçka është thënë, është bërë ose krijuar e që ka qenë kundër interesave të tyre më të mirë, ashtu si e kam parë, ka qenë obligim i imi t’i mbroj dhe shërbej atyre”, ka thënë Gucati.

I njëjti tha se në shtator të 2020-ës është ballafaquar me një marrje të vendimi si kryetar, pas arritjes së dokumenteve dhe ka marrë vendimin me anëtarët e këshillit të OVL-UÇK, i cili ka qenë në interes më të mirë të anëtarësisë.

“Më 25 shtator 2020 jeta ime ndryshoi dhe ajo e familjes time, asnjëherë nuk kam tentuar të fshihem nga këto vendime, jam ballafaquar me pasojat e arrestimit tim duke respektuar ndjenjën e njëjtë të përgjegjësisë që gjithmonë e kam pasur”, ka thënë ai.

“Unë vazhdoj të pohoj se jam i pafajshëm sa i përket akuzave penale ndaj meje. Kam vepruar siç kam bërë gjatë gjithë jetës nga ndjenjat e sinqerta, obligimin për të tjerët”, ka thënë Gucati.

Ai tha se është krenar që është shqiptar dhe se Kosova kurrë nuk ka qenë agresor ndaj asnjë vendi dhe se kanë të drejtë të mbrojnë të drejtën ndaj atyre që kundërshtojnë të drejtën që të jetojnë në paqe.

“Dëshiroj të them se çdo sugjerim që është bërë ndaj UÇK që është organizatë e përbashkët kriminale është absurde, e pavërtetë dhe fyerje e dëshmorëve dhe të rënëve në luftën për Kosovën”, ka thënë ai.

Në fund, tha se UÇK ka qenë, është dhe vazhdon të jetë simbol i lirisë dhe demokracisë së Kosovës.


Haradinaj- prokurores: Fjalën kriminel merreni mbrapsht dhe mbajeni për vete se mua nuk më takon kjo fjalë

(Përditësuar)- Në fjalën e tij përmbyllëse, Nasim Haradinaj i është drejtuar prokurores Valeria Bolicci duke i thënë “Ndërsa ju prokurore fjalën kriminel merreni mbrapsht dhe mbajeni për vete se mua nuk më takon kjo fjalë”.

Fillimisht, Haradinaj ka thënë se kur filloi seanca e 14 marsit dhe dëgjoi se do t’i jepet gjysmë ore e drejta e fjalës përmbyllëse, ka menduar se nuk do të ketë nevojë të marrë fjalën fare, pa marrë parasysh kërkesat apo ngarkesat e fajësisë mbi të.

Sipas tij, kishte vendosur të mos flasë fare por të dëgjojë rrjedhën e procedurave, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Por, sipas Haradinajt, kur prokurorja Valeria Bolicci mori fjalën, ajo u mundua të imponohej paturpësisht dhe ta vendos trupin gjykues para aktit të kryer që me harbutërinë e saj shkoi aq larg që jo vetëm bëri gabim amatorik që nuk mund të ndodhin as në gjykatat më diktatoriale por i fyeu dhe u tha “këta të dy janë kriminelë”.

Ai tha se pasi paneli gjykues nuk reagoi, kjo e nxiti të marrë fjalën dhe se kjo është paprecedent qoftë për një prokurori surrogate e se e kupton prokurorinë se është e mllefosur që s’ka fakte, por ajo duhet të dijë se për ta ende vlen parimi i prezumimit të pafajësisë.

Haradinaj deklaroi se prokuroria tha se e kanë penguar drejtësinë që 20 vite, por Valeria Bolicci po harron se këto dhoma nuk kanë mbushur ende 7 vite nga formimi.

“Prokurore është gabim amatoresk në drejtësi pasi ne ngarkohemi vetëm për një periudhë kohore prej 2 javësh. Nëse prokurorja ka llogaritë kohën e veprimtarisë time edhe këtu ia ka fut kot dhe e ka gabim, unë që nga viti 1978 nga mosha 15 vjeçare e i bie 44 vite, kam vepru për lirinë dhe të drejtat legjitime të popullit tim dhe e kam luftuar okupimin dhe robërinë e popullit tim”, ka thënë ai.

Tutje tha se nëse fakti që e do njerëzoren dhe të drejtën njerëzore të popullit të tij dhe ka gatishmërinë të luftojë kundër të padrejtës dhe këtë prokurorja e quan veprimtari kriminale, atëherë ajo ka probleme me perceptimin e të drejtës themelore të popullit.

“Kundërshtimi im qëndron te politika e prokurorisë dhe kjo prokurori nuk po bën punën e vet për qytetarët e Kosovës”, tha ai.

Ai tha se pret nga paneli drejtësi dhe që drejtësia të dalë në shesh e triumfojë.

“Ndërsa ju prokurore fjalën kriminel merreni mbrapsht dhe mbajeni për vete se mua nuk më takon kjo fjalë”, ka thënë ai.

Tutje, iu drejtua edhe Prokurorit të Specializuar, Jack Smith, lidhur me atë që ai tha se Haradinaj ka interes personal.

Ai tha se dhe prokurori e di se kjo është gënjeshtër.

“Po të kisha këqyr interesin tim personal do isha me familjen time, s’do isha as në luftë, s’do isha i burgosur, por kjo të duhet të diktosh dhe impenjohesh në marrjen e vendimit të këtij paneli”, ka thënë Haradinaj.

Ai i tha Smith se kërkoi dënim të lartë për të për të arritur efektin që mos të guxojnë të tjerët të mendojnë kështu.

“Zoti prokuror, beso se je kundërshtim me vetveten, nëse të kujtohet fjalimi i parë, ti ke thënë se është e lejuar të mendohet ndryshe”, ka thënë ai.

Tutje, theksoi se ky mendim që prokurori ka është mendim i prokurorive dikatoriale që i ka bërë Serbia e shumë shtete diktatoriale që kanë menduar të ndalojnë fjalën dhe kjo duhet ta turpëroj atë, shtetin nga ai vjen dhe institucionin që përfaqëson.

Kurse, për prokurorin James Patch, i përmendi një citim nga fjalimi i tij gjatë kësaj seance për të cilin tha se beson se i ka dalë nga shpirti njerëzor.

“Tha kanë ndodhë në Kosovë masakra, krime dhe vrasje të ndryshme dhe nga kjo atje dëshmitarët që dëshmojnë kundër heronjve kombëtarë quhet tradhtarë, po ashtu është ashtu mendon shteti yt, i jemi e edhe Suedia, por nëse këqyret me syrin e Smithit qysh po na këqyr ne, ty sonte duhet me t’u ngrit aktakuza sepse bëre dhe dhe mesazh ma kërcënues që ti i ke për dëshmitarët se nëse the se quhen tradhtar[ ata që vinë e dëshmojnë kundër heronjve kombëtarë, atëherë po i bien që heronjtë kombëtarë po doni t’i qitni në aktakuzë”, i ka thënë ai.

Në fund, ai tha se gjithçka që e ka bërë, e ka bërë për shtetin e tij.


Edhe avokati i Haradinajt e kundërshton propozimin e prokurorisë për dënim me burgim prej gjashtë vitesh

(Përditësuar) – Toby Cadman, avokati i Nasim Haradinajt, e ka kundërshtuar dënimin me burgim prej gjashtë vitesh të propozuar nga prokuroria për të mbrojturin e tij.

Avokati Toby Cadman tha se nuk ka prova për vënien në shënjestër të viktimave vulnerabël dhe abuzim të pushtetit dhe nuk është vendosur se është bërë ndonjë mizori, e se asnjë nga faktorët nuk është vërtetuar përtej dyshimit të arsyeshëm.

“Rrethanat zbutëse si sjellja e një personi të dënuar pasi është kryer akti duhet t’i jepet peshë. Sjellja në kohën e tanishme e të akuzuarit duhet të them se rrethanat zbutëse duhet të merren parasysh në bazën e tërësisë së faktorëve dhe probabilitetit dhe në kontrast me faktorët rënduese në aktakuzë. Paneli nuk duhet të kufizohet në faktorët zbutës që përfshihen në Rregulloren e DhSK por edhe në rastet tjera të gjykatave ndërkombëtare dhe faktorët tjetër të përshtatshëm”, ka thënë ai.

Sipas tij, Haradinaj ka marrë hapa aktiv që gazetarët që kanë marr dokumentet të kryenin detyrën profesionale dhe nuk ka asnjë provë se ka kërcënuar apo frikësuar ndonjë dëshmitar, apo ka kontaktuar ndonjë dëshmitar. Sipas tij, të gjitha këto duhet të merren parasysh nga trupi gjykues.

Ai tha se Haradinaj ka bashkëpunuar me ZPS dhe kur e kontaktuan, ai siguroi që zyrtarët e ZPS-së të ishin të mirëpritur dhe siguroi që një kopje e atyre dokumenteve të ruhej për ZPS-në, e se ishte tërësisht transparent për të gjitha materialet që u shkuan.

“Ka ofruar gjitha provat e mundshme përfshirë kamerat e sigurisë dhe ka lehtësuar hetimin me kohë të kësaj çështje. Ai bëri të qartë se donte të hetoheshin rrethanat e rrjedhjes së këtyre dokumenteve nga ZPS, por ZPS vendosi të mos merrte asnjë veprim”, ka thënë Cadman.

Ai tha se kur Haradinaj mori vesh për kërkesën e Gucatit shkoi në zyrat e OVL-UÇK-së dhe nuk u përpoq t’i shmangej drejtësisë dhe e bëri praninë e tij të ditur dhe foli me gazetarët e policinë jashtë ndërtesës, duke shtuar se u tha të gjithëve se do të bënte intervistë në televizor dhe kur u arrestua kërkoi të arrestohej nga Policia e Kosovës dhe bashkëpunoi.

“Sa i përket praktikës ndërkombëtare, rëndësia e krimit ka rëndësi themelore në rastin e dhënies së dënimit dhe kjo ka të bëj jo vetëm me rëndësinë objektive, por edhe rrethanat që e lehtësojnë çështjen. Vlerësimi duhet të bëhet mbi bazën e rrethanave konkrete, si nga ana sasiore, ashtu edhe nga ana cilësore. Në një rast të mospërfilljes së gjykatës në rastin Gjdoza u pa se ishte qasja e drejt që trupi gjykues nuk u fokusua vetëm te vepra penale, por edhe faktorët tjerë rrethanor”, tha ai.

Tutje, tha se nuk është paraqitur asnjë provë për të treguar se ndonjë individ ka vuajtur apo pësuar lëndim fizik si rezultat i veprimeve të Haradinajt, e se ZPS nuk është penguar për të kryer mandatin e vet apo hetimin e kësaj çështje apo çështjeve tjera.

“Dhënia e një dënimi me burgim do të ishte dispropocionale. Trupi gjykues duhet të siguroj të ketë propocionalitet dhe çdo dënim duhet ët jetë proporcional dhe të merren parasysh edhe konsiderata të tjera. Motivi i të akuzuarit mund të quhet rrethanë lehtësuese, motivet e tij kanë qenë shumë të qarta gjatë gjithë kohës”, ka thënë ai.

Tutje, tha se qëllimi ishte të vinte në vëmendjen e publikut atë që ai e quan bashkëpunim jo etik mes ZPS dhe zyrtarëve serb, çka edhe shumë shqiptarë e konsiderojnë se ata persona kanë qenë të përfshirë në shumë masakra të shumë shqiptarëve në Kosovë.

“Pika 1 dhe 2 e aktakuzës, duke pas parasysh që Haradinaj as nuk ka kërcënuar e kontaktuar asnjë nga dëshmitarët dhe zyrtarët publik, atëherë i vetmi dënim që mund të jepni ju të nderuar gjykatës nëse vendosni të jetë fajtor, do të jetë një dënim me burg sa më i shkurtër të jetë i mundur duke pas parasysh kohën e kaluar në burg deri tani”, ka deklaruar Cadman.

Sipas tij, nëse trupi gjykues mendon të jap dënim me burg, megjithëse mendojnë se është e pajustifikueshme çfarëdo dënimi me burg që mund të jepet, duhet të jetë sa më i vogël të jetë e mundshme dhe jo më shumë se koha e kaluar në paraburgim.

Për pikën 3, ai tha se nuk janë paraqitur prova se ndonjë dëshmitar i ZPS-së ka pësuar frikësim të drejtpërdrejt dhe as Haradinaj nuk i ka kontaktuar dhe si rezultat është pozicioni i mbrojtjes se kjo çfarëdo dënimi që mund të jetë për këtë pikë të mos jetë dënim me burgim.

Lidhur me pikën 4 duke pasur parasysh mungesën e provave, mbrojtja tha se nuk duhet të jepet dënimi me burg, por nëse jepet nuk duhet të jetë më i gjatë se ai i kaluar në burg.

Sa i përket pikës 5, duke pas parasysh motivimin e Haradinaj që ka qenë interesi i publikut, ai tha se mendojnë se dënimi me gjobë do ishte i përshtatshëm nëse shpallet i fajshëm i njëjti.

Kurse, për piken 6, ai tha se Haradinaj ka marrë hapa aktiv që mos të zbulohej asnjë informacion konfidencial dhe se nuk mund të thuhet se ka pasur pasoja serioze për ata persona që kanë status të mbrojtur.

Edhe për këtë pikë, ai tha se nuk duhet të jepet dënim me burg, por nëse trupi gjykues e vlerëson se duhet të jepet dënim me burg, duhet të jepet në gamën më të vogël dhe jo më e gjatë se koha e kaluar në paraburgim.

“Nëse trupi gjykues mendon se rrethanat lehtësuese që kemi përcaktuar këtu përsëri duhet të japin vendim me burgim, atëherë Haradinaj i ka bërë tashmë 18 muaj dhe të gjitha çështjet që përmenden duhet të merren parasysh”, ka thënë Cadman.

Ai tha se rrethanat e Haradinajt kanë ndryshuar shumë gjatë kohës sa ka qenë në burg dhe katër muaj pasi u burgos, bashkëshortja e tij u diagnostifikua me kancer dhe shpjegoi hapat që iu deshën asaj të marrë për të trajtuar sëmundjen.

“Ishte izoluar gjatë një periudhë të jetës së saj të vështirë, mungesa e tij gjatë jetës familjare është ndjerë shumë gjatë kohëve të tilla, megjithatë se tani është në remision, trajtimi që ka bërë e ka rënduar trupin e saj dhe mirëqenien psikologjike. Si baba dhe bashkëshort është i shqetësuar për mundësinë se kanceri mund të kthehet dhe si çdo bashkëshort dhe baba tjetër është e vështirë për të mos jetë me familjen e tij në këtë kohë”, tha ai.

Sipas tij, vendimi për burgim do të kishte pasoja për bashkëshorten e tij dhe mirëqenien e familjes.

“Situata rëndësohet edhe më tej edhe nga shëndeti i keq i vëllait të tij më të vogël, nuk do t’i jap hollësitë e tij por si mund ta shihni nga referenca për karakterin që ka jep i biri, ai ka thënë se shëndeti i tij po rëndohet çdo ditë”, ka thënë Cadman.

Ai tha se të gjithë faktorët së bashku përbëjnë rrethana të jashtëzakonshme dhe trupi gjykues nuk duhet të mbyll sytë para tyre kur të marr parasysh faktorët lehtësues.

“Keni referencat e bëra në emër të Haradinaj, përveç bashkëshortes e djalit, keni edhe deklaratën e ambasadorit William Walker, edhe pse janë hequr pjesë të deklaratës së tij. Do shikoni dy raste kur Walker ndërmjetësoi me Haradinaj dhe ka treguar një ndjenjë detyre ndaj përdorimit të qasjes jo të dhunshme dhe kjo tregon se Haradinaj është person që vendos tjerët para vetes”, tha ai.

Tutje, tha se kanë dhënë edhe deklaratë financiare dhe këtë e kanë dhënë për të treguar se nëse do të jepet dënim financiar, të shihet çka mund të paguaj Haradinaj.

“Një gjobë 20 mijë euro si ato të tribunaleve tjerë është pengues apo parandalues i mjaftueshëm në kundërshtim me atë që thotë Prokurori i Specializuar”, ka thënë ai, duke shtuar se në Kosovë një gjobë e tillë është shumë e madhe, njëashtu si për Haradinajn.

Së fundi, sa i përket pendimit, Cadman tha se ky është një argument i papërshtatshëm nga ana e prokurorisë pasi si u pa në videot e transmetuara, Haradinaj tha gjithmonë se ka vepruar në mënyrë transparente dhe interes të publikut.

“Nëse në fund ju dilni se ishte e paligjshme, e ne themi se nuk ishte dhe dhënia e dënimit shumë të madh do të ketë efekt negativ në të drejtën e fjalës së lirë. Do të ishte dënim i tepruar dhe do të kishte ndikim të keq në popullin në Kosovë”, ka thënë Cadman.

Ai tha se veprimet e Haradinajt kërkojnë të jepet ndëshkim jo me burg dhe dënim me gjobë brenda mundësive të tij financiare.

Tutje, tha se nëse paneli mendon të jep dënim me burgim, të ketë parasysh propocionalitetin dhe totalitetin dhe duke marrë parasysh kohën e kaluar në paraburgim, raporton “Betimi për Drejtësi”.


Avokati i Gucatit e kundërshton dënimin e propozuar me 6 vjet burg, thotë se i mbrojturi i tij është person i sinqertë dhe i ndershëm

Jonathan Elystan Reese, avokati i Hysni Gucatit, e ka kundërshtuar dënimin me burgim prej gjashtë vitesh të propozuar nga prokuroria për të mbrojturin e tij, duke deklaruar se ky i fundit është person i sinqertë dhe ndershëm.

Ai deklaroi se Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) në vazhdimësi ka treguar mungesë respekti për gjykatën dhe përveç mungesës për gjykatën, mund të shtohet edhe mungesa e respektit për çdo tribunal që ndodhet në këtë qytet.

“Pasi zoti Smith e ka pasqyruar në formë të qartë në kamera këtë. Vendimi për dënimin është vendim që ju përket vetëm ju i nderuar gjykatës”, ka thënë ai.

Sipas avokatit, neni 69 i Kodit Penal të Kosovës trajton nivelin e përgjegjësisë penale dhe sa më e lartë të jetë përgjegjësia penale, aq më i lartë është dënimi, kurse sa më e ulët përgjegjësia ashtu edhe dënimi.

Ai tha se neni 69 i referohet qëllimit si dhe sjelljes së shkuar, kurse tutje përmendi dhe nenin 70 të këtij kodi.

“Së pari gjykata e ka vënë re bashkëpunimin e zotit Gucati më gjykatën gjatë gjithë procesit gjyqësor por edhe gjithë kohës që ka qenë i ndaluar. Ju keni prova që kanë të bëjnë me karakterin e zotit Gucati, janë të shumta që demonstrojnë që kemi të bëjmë me një individ që i ka dedikuar jetën e vet të vënit në shërbim të të tjerëve. Është njeri i sinqertë lidhur me detyrat e vet, i sinqertë dhe ndershëm me gruan e fëmijët, e fëmijët në shkollën ku ka punuar, i dedikuar për komunitetin ku ka jetuar për vite dhe për shokët me të cilët ka luftuar”, ka thënë ai.

Avokati tha se nuk mund të jetë ky rast në fjalë që i akuzuari ka vepruar për arsye personale.

“Nuk është dënuar asnjëherë më parë dhe është e rëndësishme jo vetëm me faktin që mund të ngrihet pyetja se a mund të kryej përsëri vepra, por është diçka që duhet pranuar bashkë me karakterin e vet. Ai nuk ka kryer asnjë vepër të mëparshme penale. Sa i takon pasojave kam bërë parashtrimet e mia të martën dhe mërkurën dhe dua të kujtoj trupin gjykues elementin e barrës së provës se i takon ZPS-së”, ka thënë ai.

Sipas tij, i takon prokurorisë të provoj përtej dyshimit të arsyeshëm që ka tipare rënduese dhe se është përgjegjëse për të parashtruar dhe siguruar se ka të bëj me situatë përtej barrës së provës.

“Nuk ka prova për shembull sa i takon pikës në aktakuzë që ka të bëj me frikësimin, asnjë person nuk është nxitur të jap deklaratë të rreme apo të refuzoj të jap deklaratë apo që ka pasur një person që nuk ka dhënë informacion në mënyrë tjetër për shkak të veprimeve të akuzuarit. Nuk ka provë që flet për dhunë apo dëmtime që janë shkaktuar”, tha ai.

Kurse sa i takon emrave të përmendur në publik, ai tha se janë vetëm 14 dhe mbështetet në rrethanat në këtë fazë që thotë se në këtë moment dërgojnë në përjashtimin e veprës penale, përkatësisht gabim ligji.

“Natyra dhe shkalla e pjesëmarrjes së Gucatit dhe synimet lidhur me çdo akuzë do të duhet të përcaktohet ende nga ju të nderuar gjykatës dhe unë parashtroj se asgjë në rrethanat lidhur me të përveç parashtrimeve të martën dhe mërkurën dhe sigurisht sa më i ulet të jetë niveli i pjesëmarrjes, aq më e ulët është fajësia. ZPS ka dëshmuar abuzim me kompetencat e veta dhe ne mendojmë që parashtrimi i ZPS-së lidhur me këtë është tërësisht jo i mbështetur”, tha ai.

Ai tha se të akuzuarit dokumentet nuk i kanë publikuar drejtpërdrejt dhe as nuk i kanë vënë në dispozicion, si dhe tha se ZPS ka keqinterpretuar dëshminë e ekspertes së sinjalizimit, Anna Myers.

“Është e vështirë për prokurorinë të interpretojnë botimin e informacionit nga shtypi si faktor rëndues ndërkohë që prokuroria siç e dëgjuam e lëvdon shtypin për mënyrën si ka trajtuar këto dokumente dhe kjo situatë nuk interpretohet siç duhet edhe kur thuhet që viktimat janë veçanërisht të cenueshme dhe janë pambrojtje. Nuk është dhënë asnjë provë nga ZPS që të dhënat përkatëse kishin të bëjnë me viktima krimi”, tha Reese.

Ai shtoi se nuk dinë se çfarë informacioni kishte të bënte me personat në fjalë dhe se nuk dinë natyrën e informacionit që kanë dhënë dhe nëse kanë dhënë informacion apo jo.

“Nëse 14 emrat e përmendur në publik, janë emra publik dhe pjesa dërrmuese e tyre janë zyrtarë serb. Nuk është me rëndësi dhe nuk i bënë viktimat vulnerabël apo të pambrojtur klima në Kosovë, të gjitha veprat penale në kundërshtim me Kodin Penal në Kosovë janë të kryera në Kosovë, kanë elemente të pengimin, kërcënimit, shfajësimit, klima është e njëjta pavarësisht vepra penale. Dhe kjo nuk e bën një person që përfshihet në këtë informacion të cenueshëm pavarësisht natyrës së krimi”, tha ai.

Lidhur me pengimin, tha se nuk është e përshtatshme të vendoset afat me burgim dhe se duhet të shikohet natyra.

“Nëse shkon në dënim me burg i takon që nuk kemi të bëjmë me pengim, por kemi të bëjmë me një dënim më të rëndë se sa faji. Dënimi duhet të jetë në përpjesëtim me fajësinë e kryer. Psh, dënimi me burgim nuk duhet të përdoret si element i vendimmarrjes”, tha Reese.

Ai tha se nuk mund të trajtohet kjo çështje duke dhënë dënim me burgim pasi kjo nuk është e përshtatshme dhe tha se llogaritja e viteve nga ZPS nuk ka bazë fare.

“Nga çështja që kanë cituar dhe kanë cituar shumë çështje nga shumë gjykata tjera ndërkombëtare dhe duke pranuar që çështjet duhet mbështetur te faktet reale, por ndërkohë nuk është e përshtatshme ajo që është dënuar si dënim për vepra të kësaj natyre dhe kjo tregon se këto 10 muaj që ka qenë Gucati në paraburgim sa po priste zgjidhjen e kësaj çështje është drejt skajit më të mundshëm të dënimit që mund të jepet”, ka thënë ai.

Ai tha se duke qenë se kjo është gjykatë e Kosovës që ka gjykuar çështjet e Kosovës dhe nuk duhet të jetë një gjykatë ku ka padrejtësi dhe se nuk duhet të jepet një dënim i ndryshëm me atë që do të merrte po të ndodhte gjykimi në territorin e Kosovës.

Tutje, tha se dënimi me kusht mund të jetë për masa të dënimit deri në dy vite të gjata dhe se kjo është një dënim i rëndë në vetvete.

“Kjo do të nënkuptonte që për shembull ju të nderuar gjykatës të arrini në përfundimin që një masë e dënimit e përshtatshme për këtë vepër penale do të ishte 3 vite e 6 muaj dhe nëse zbritet në 18 muaj zbritet në dy vite që do të ishte dënim me kusht dhe ne do të thoni se kështu do të merreshin parasysh edhe disa shqetësime që ngreh Prokurori i Specializuar. Neni 49 parasheh kushtet për dënimet me kusht. Do të ju kërkoja të shihni dosjet e protokolluara paraprake për këtë çështje. Ne do të kërkonim që nëse gjeni në mënyrë të drejt që është kryer vepër penale të impononi periudhë 2 vjeçare me kusht”, ka thënë Reese.

Ai tha se 18 muajt e kaluara në paraburgim janë shumë të ashpra dhe gjashtë vitet me burgim që i kërkon prokuroria si dënim janë skandaloze. Kurse, duke u përgjigjur në pyetje të trupit gjykues tha se nuk ka mundësi të ketë një masë dënimi pjesërisht me kusht.

“Nëse brenda fushëveprimit të Kodit Penal të Kosovës e përmban një kompetencë për dënim të pjesshëm me kusht atëherë është e përjashtuar pasi ajo është pjesë e një dënimi të vetëm të dhënë në bazë të Rregullores që ka DhSK”, tha Reese.

Prokurori thotë se i vetmi dënim i përshtatshëm për Gucatin e Haradinaj është ai me burgim

Në fjalën e tij, prokurori James Patch, ka deklaruar se i vetmi dënim i përshtatshëm për Gucatin e Haradinaj që po akuzohen për vepra penale lidhur me pengimin e administrimit të drejtësisë është ai me burgim.

Prokurori James Patch ka deklaruar se në dosjen përfundimtare të ZPS pjesëmarrja e të akuzuarve në krim është përshkruar si e drejtpërdrejt, sistematike, entuziaste dhe se të gjitha këto janë të sakta.

“Ndërkohë që po flasim për këto terma përshkrues dua të kujtoj për disa nga mbiemrat që janë përdor nga të akuzuarit në programe televizive për të përshkruar personat që kishin akuzuar se po bashkëpunojnë me ZPS-në. Këto fjalë tradhtar, gënjeshtar, kriminel, thithës gjaku nuk janë vetëm thjesht të dëmshëm për dëshmitarët sepse janë fyerje apo mund t’i ofendojnë”, ka thënë ai.

Sipas tij, këto fjalë mund të përshkruhen vetëm në një mënyrë si fjalë frikësuese dhe se janë përdorur për t’i margjinalizuar ata dhe etiketuar dhe se kjo është e rrezikshme.

“Ai kërkon të konsideroj dëshmitarët si të pavlerë, armiq dhe si persona që nuk meritojnë të kenë të drejtat baza”, ka thënë ai, duke thënë se kjo legjitimon të tjerët për të frikësuar, kërcënuar dëshmitarët.

Tutje, tha se etiketimet që janë përdorur kanë qenë të tilla se do të dërgonin në izolim dëshmitarët.

Sipas tij, në Kosovë të quhesh tradhtar dhe bashkëpunëtor dhe të quhesh si person që ndihmon kauzën serbe është gjëja më e rrezikshme dhe e dëmshme që mund të bëhet.

“Të portretizohet dikush se është kundër kauzës kombëtare është lojë e rrezikshme”, tha prokurori.

Ai tha se dëshmitarët e guximshëm nuk kanë bërë asgjë për të marrë këto etiketime.

“Provat vërtetojnë se kanë nxjerr identitetin dhe të dhënat personale të dëshmitarëve për publikun”, tha ai.

Sipas prokurorit, dëshmitarët në shumë gjykata të kësaj natyre nuk janë në pozitë të lakmueshme dhe pjesa më e madhe do të jetë me fat se nuk janë në vendin e tyre, por se duhet të provojnë të jenë në vendin e tyre.

Prokurori ka thënë duhet të imagjinohet frika që do të ndihej po të gjendeshin në pozicionin të dëgjonin emrin e tyre.

“Askush nga ne nuk ja dëshiron këtë askujt. Duke ju kthyer parashtrimeve të mbrojtjes, prezumimi se kanë bërë dokumentet konfidenciale të disponueshme për shtypin profesional, është e pasaktë dhe edhe po të ishte kështu, kjo është parëndësi”, tha ai.

Tutje, ai deklaroi se vendimi i ndërgjegjshëm i të akuzuarve për të nxjerrë këto dokumente gjatë konferencave për shtyp dhe duke iu kërkuar të pranishmëve të merrnin dokumentet dërgon në synimin e tyre për t’i bërë ato publike dhe se kjo është lëvizje e analizuar dhe taktike.

“Në momentin që dokumentet për botën për t’i marrë, pasojat janë të patjetërsueshme”, ka thënë prokurori, duke shtuar se synimi i dhënies së dokumenteve për shtypin ishte që të shpërndaheshin sa më shumë.

Sipas tij, trupi gjykues ka provat se të akuzuarit kanë thënë emrat e shumë dëshmitarëve.

“Ndërkohë kanë zbuluar edhe emra personash me interes për TFHS dhe ZPS. Të akuzuarit kanë dhënë edhe numrat e shumë vendndodhjeve që ZPS ishte në hetimet e veta dhe po mundohej të vërtetonte nëse kishin ndodhur krime të caktuara dhe nëse kishte viktima që historitë e tyre duhet të dëgjoheshin sepse viktimat meritojnë drejtësi”, deklaroi ai.

Ai ka deklaruar se ZPS asnjëherë nuk e ka bërë informacionin për vendndodhjen me rëndësi për ta publik.

“Veprimet e të akuzuarve sa i takon nxjerrjes së këtij informacioni, ata vendosën që ky informacion të shkonte përtej, të dilte nga duart e ZPS-së. Kjo në vetvete është një hap i patjetërsueshëm dhe i ndërmarrë i llogaritur nga të akuzuarit”, tha ai.

Sipas tij, në artikujt e publikuar jo vetëm që janë vendosur emrat e vendndodhjes, por edhe emrat e viktimave dhe periudha përkatëse në të cilat pretendohej se kanë ndodhur krimet.

“Dëshmitarët kanë shprehur zemërim, shqetësim, frikë dhe janë ndjerë të kërcënuar dhe disa kanë kërkuar të mos kontaktohen më dhe disa janë zhvendosur me vendbanim”, ka thënë prokurori Patch.

Ai tha se dëshpërimi i dëshmitarëve është vërtetuar me bisedimet që ka shkëmbyer Zdenka Pumper dhe që ka dhënë dëshmi për to në sallën e gjyqit.

Prokurori ka deklaruar se ka dëshmitarë që vazhdojnë të jenë të angazhuar drejt drejtësisë.

“Duke iu kthyer rëndësisë së synimit për të penguar DhSK dhe ZPS, sjellja e të akuzuarve nuk ishte sjellje e momentit, por diçka që është menduar për shumë kohë. Sjellja e tyre e mbështetur edhe në përpjekjet e mëparshme për të zhbërë këtë gjykatë është tërësisht kriminale”, tha prokurori.

Tutje, prokurori ka thënë që synimi i të akuzuarve ishte të cenonin këtë gjykatë.

“Kjo ishte një strategji dhe fushatë dhe provat nuk lënë pikë dyshimi lidhur me këtë”, tha ai, duke thënë se të akuzuarit do të vazhdonin me veprimet e tyre nëse do kishin mundësinë.

Në vijim në gjykatore u shfaqen pamje nga deklarimet e Gucatit e Haradinajt në gjykatore, ndër to njëra ku Gucati mohonte se është penduar për veprimet e tij dhe se pendohet aty ku gabim dhe se aty ku nuk e di që ka bërë gabimin nuk ka nevojë të kërkoj falje. Tutje, dëgjohej duke thënë se ai nuk ka vjedhur dhe nuk ka fyer askënd shpirtërisht e nuk ka arsye të kërkoj falje.

Tutje, Haradinaj u shfaq duke thënë “ për atë që unë e pranova, jo çka ti po pretendon, asnjë grimë nuk ndjena i pendum sepse e kam bërë me vetëdijen time të thellë i bindur se është në dobi të transparencës dhe interesit publik dhe kam kryer një obligim që më është dashur ta kryej”. Si dhe duke thënë se nuk pendohet pasi nuk ka bërë diçka.

Ai tha se të akuzuarit nuk janë akuzuar për marrjen e dokumenteve dhe se duhet të dënohen mbi bazat e akuzave që janë ngritur dhe jo për gjërat që nuk kanë bërë apo nuk janë akuzuar.

“E dimë se dhuna e drejtpërdrejt apo kërcënuar nuk është pjesë e aktakuzës dhe nuk do të thotë se të akuzuarit kanë të drejtë për formë ulje në dënim, ata kanë nxitur publikun dhe njerëzit në nëj masë të tillë që veprimet e tilla mund të nxiteshin. Lidhur me shëndetin jo të mirë duhet të zbatohet si faktor zbutës vetëm në raste të jashtëzakonshme apo radha, nuk ka bazë ajo e Gucatit që duhet të merren parasysh ajo e pandemisë globale. Zyra e administratës ka respektuar të drejtat e të akuzuarve gjithë kohën”, tha ai.

Tutje, tha se mbrojtja e Haradinaj ka thënë se fakti që i akuzuari po vepron në interes publik duhet të merret parasysh.

“Kjo nuk duhet të merret parasysh. Veprimet e Haradinaj e Gucatit tregojnë të kundërtën, provat tregojnë se nuk i morën veprimet për interesin publik, ata i bënë për të frikësuar dhe marr hak ndaj dëshmitarëve, kjo nuk është në interes të publikut. T’i thërrasësh dëshmitarët tradhtar, spiun nuk është në interes të publikut”, tha prokurori.

Prokurori tha se sa i përket karakterit të mirë dhe referencave, ndonëse karakteri i mirë mund të jetë rrezik më i vogël për të kryer vepra penale, kjo nuk mund të thuhet në këtë rast, pasi të akuzuarit janë të vendosur në synimin e tyre për të kryer vepra penale.

“ Kemi video të cilat mund t’i shikoni të nderuar gjykatës për të parë karakterin e dëshmitarëve në kontestin e tyre, në mënyrë të paprerë dhe të paanshme, cdo tregues për karakterin e mirë nuk e ul atë rëndësinë që kanë veprimet e të akuzuarve dhe për të cilat janë në gjyq. Ata i kanë quajtur dëshmitarë gënjeshtar, tradhtar, spiunë në televizor”, tha prokurori.

Tutje, ai ka deklaruar se sipas nenin 47 të Kodit Penal të Kosovës thuhet se qëllimi i dënimit me kusht nuk është të jepet dënim për një vepër penale që nuk është aq e rëndë kur në fakt kërcënimi me dënim është i mjaftueshëm për të parandaluar kryesin për të kryer një krim tjetër.

“I keni para vetes krimet dhe natyrën e tyre. Një parashtrim tjetër i mbrojtjes që duhet të hedhni poshtë është që të jepet dënim me gjobë. Do të them që paneli nuk duhet të vlerë monetare për kryerjen e krimeve si ato që janë akuzuar të akuzuarit sepse edhe kur persona të ndryshëm, sidomos kur persona të tjerë mund të jepnin apo ishin të gatshëm të paguanin atë gjobë. I vetmi dënim i përshtatshëm është më burgim dhe ajo që kemi kërkuar ne është e duhur, propocionale dhe e nevojshme”, tha ai, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Kontrolloni gjithashtu

Egzon Kastrati

Egzon Kastrati: Varfëria është një problem social-ekonomik (i trajtuar por pa zgjidhje)

Kosova po përballet me shumë probleme sociale dhe ekonomike nga viti 2022, kemi një trend …