Blerim Muriqi

Blerim Muriqi: DISKURSI I HELMIT NË GOJËT PUBLIKE VRET TË ARDHMEN E VENDIT 

Pse u desh, që kësaj here, Zafir Berisha ta riniste të keqen kudjestare, me gogolin serb Daciqa e Vuçiqa?

Të keqen, e cila flen e zgjohet në marrëdhëniet tona të brendshme sa herë kemi zgjedhje bashkë me vrasjet e quajtura politike. Kë po quan ai votë për Daciqin e Vuçiqin? Votën plebishitare të popullit të tij (meqë pritet një votë mëse 35-40% pro Vetvëndosjes në zgjedhjet që po shkojmë), rininë e vendit, të cilit ai i takon e për të cilin dergji rininë kazamateve serbe me gjithë vëllezërit e tij dhe bëri luftën çlirimtare nëpër betejat e lavdishme të Vrrinit, apo ndoshta oguri i zi ia ka errur sytë e nuk sheh se ajo votë merr jetë nga korifejtë e plejadës liribërësse të Kosovës me Vise, sikur janë Hydajet Hyseni, Emrush Xhemaili, Gani Krasniqi, Shemsi Syla me shokë të shumtë të veprimtarisë politike ilegale, angazhuese e të pushkës anë e kënd vendit që bashkë me zërat buçitës të auditoriumit të universiteteve tona, kanë mbledhur rreth një ëndrre të shndërruar në platformë politike, të vjetër e të rinj, për ta ofruar një alternativë qeverisëse, për të ndihmuar vendin e familjarët që duan t’i mbajnë fëmijët e tyre, rritur me mund, në vatrat e veta.

Pse pezmi pikërisht me Zafir Berishën, kur Kosova ka dy dekada që dergjet në diskurs të tillë mjeran, ku për votën në këto dy dekada është  prodhuar armiku e jo programi, oferta qeverisëse?

Zafiri vjen nga një familje e agazhuar për çlirimin e vendit, me veprimtari politike dhe angazhim ushtarak çlirimtar, ka përvojën 20 vjeçare të përfaqësimit institucional, ka mbuluar komisione sigurisë, e ka të qartë peshën e sigurisë kombëtare dhe ka gjithë kapacitetet e përvojës për të kuptuar peshën e diverzionit nga brenda e nga jashtë.

Pikërisht Zafiri e si zafirat nuk do duhej e nuk duhet as ta prodhojnë e as ta ndjekin një kurs të tillë! Zafiri e zafirat, dikur janë investuar për lirinë dhe për bërjen e Shqipërisë me parimin: së pari vendi e populli e pastaj vijmë ne dhe interesat tona të ngushta! Kush dhe pse po ndryshon sot: çështja apo ca zafira?!!!

Po hyjmë në klimë zgjedhore ku moti është shumë i ndjeshëm, dhe nuk na takon të atakojmë me terminologji që vret. Tani është oferta ajo që u intereson qytetarëve dhe partitë duhet të largohen nga diskursi i prodhimit të shpejt të armikut kujdestar për të prodhuar urrejtjen për mbulesë mungese oferte qeverisëse.

LVV dhe Albin Kurti sot nuk margjinalizohet dot më nga askush, dhe as e shndërron dot kush më në gogol të veshur me lloj lloj leckash. Ai nga dita e fillimit të pushtetimit të tij do ta filloi rrënimin e tij, sikur rëndom ndodhë me secilin politikan lider kudo në botën plurale. Kushdo që aspiron shkëlqimin kundrejt apo pas Albin në politikën tonë, le ta filloj betejën politike konkurruese që në fillin e kësaj fushate

Ndaj, pra, duhet të shohin, prej nga po vijmë e ku duam të shkojmë! Dhe të mos harrojmë se:  politikbërja jonë, që nga paslufta  në mungesë të kreativitetit politik dhe ofertave të përshtatshme me kërkesat e kohës,  jo pak është shërbyer me përdorje të kundërshtarit për të bindur mbështetësit  për votën dhe pushtetin.  Taborët e partive në gjithë këto vite janë përdorur për turma përballjeje, për çka ato në vazhdimësi janë injektuar me armiqësinë dhe për armikun, kinse politik, por që në fakt ka rezultuar në armikun biologjik. dhe jo për mbështetës ofertash apo diskurs gare.

Bërja e gjetjes së tjetrit në taborin e Serbisë dhe paraqitja e tjetrit vrasës politik, kanë qenë fillimisht standardi i vënë nga LDK me satelitët dhe PDK me simotrën AAK-në, me prurjet nga ilegale deri te liribërëse . Ky fjalor tejet i rëndë e ka fragmentarizuar shoqërinë tonë deri në moskomunikim. Sot këto dy koncepte jetojnë aq të ndara, sa kanalin ndarës ka rrezik që e ushqejnë dhe mbajnë në thellësitë e interesave të tyre përveç se shërbime armike edhe klanet e strukturuara kriminale, të cilat nga prapaskena, mund të jenë ato që mbajnë gjithë penjtë politikë të partive, meqë diskursi i tillë armiqësor po mbetet gjithmonë i pari dhe madhori në përballjen deri te pushtetbërërja kur gjithçka e thënë po gëlltitet dhe me partupësi stivohet për pritjen e radhës.

Ardhja në skenë e LVV-së, edhe pse, po mbi urrejtjen për të keqen përfaqësuese më shumë se sa të ndodhur,  edhe pse po mbi premisat e një akuze të gjithë skenës për dorë serbe e marifete si kjo, prap se prap, ajo ka bërë kapërcimin goxha të mjaftueshëm në zgjedhjet e fundit që armiqësia të zbresë në mosdurim  standardesh më shumë se sa në akuzë diskursi armiqsh me gogolin serb.

Edhe dialogu me Serbinë, i parë si mollë sherri e rrafsh akuze në po diskurs të njëjtë të së shkuarës, në zgjedhjet e kaluara u pa me një qasje tjetër mes kundërshtarëve, më shumë si standard se sa si diskurs shpalljeje dorë serbe a sinonime kuptimore që tingëllojnë po aq fyese.

Kjo mundësi që erdhi në fushatën për 6 tetorin e 2019-tës, është rrugë e mirë për të rritur standardin e konkurencës së ofertave qeverisëse para se atë ta marrim përballje individësh e kauzash patriotike e tradhtare.  Kemi parë “patriotë” që kanë plasur harta e kanë votuar demarkacione, të cilat mund t’ua bëjnë historinë pis edhe ca kryeheronjve të çlirimit të vendit. Baca Adem thoshte: – edhe minutën e fundit mund ta prishësh!

Gjithë zafirët e partive duhet të kuptojnë se tereni është i bollshëm për ta ndërtuar ofertën e subjektit të tyre: dialogu, përballja me pandeminë, përballimi i rrënjës ekonomike që ka shkaktuar pandemia dhe zhvillimi ekonomik, përmirësimi i sistemit arsimor, standardet e rritura të drejtësisë, anëtarësimi në organizma ndërkombëtare dhe marrëdhëniet rajonale në kushtet e minishengenit, të cilin ditë e më shumë po e imponon mosintegrimi i rajonit në Evropë. Gjitha këto pra janë tema të bollshme për këdo subjekt që brenda vetes ka qoftë edhe zafira me dy fije mend.

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …