Brickos

Çka fshihet pas përpjekjeve për të botuar monografinë apo leksikonin(!) e të burgosurve politikë?

 


Ndër anomalitë e ndryshme që po ndodhin në fushën e publikimeve, është paralajmëruar të hartohet edhe një si projekt, monografi apo leksikon(!) duket sikur ende nuk e kanë definuar projektuesit, në të cilën do të përfshiheshin të gjithë të burgosurit politikë, madje të të gjitha kohërave(!). Absurditete të tillë bëjnë njerëzit, që nuk e njohin realitetin në të cilin jetojnë, që nuk i njohin kriteret elementare me të cilat sajohen veprat shkencore dhe historike. Të pretendosh ta shkruash një monografi të tillë, jo vetëm që është punë sizifi, por nuk arsyetohet në asnjë segment, madje as në segmentin kombëtar, as në atë shkencor.
Sa e sa herë kemi thënë dhe kemi dëshmuar shkencërisht se nuk mund të reduktohet historia e Lëvizjes së rezistencës, në histori të të “burgosurve politikë”, sepse këto dy kategori kanë dallime esenciale dhe nuk mund të inkorporohen njëra në tjetrën. Është një e vërtetë e pamohueshme, se në ballin e një lëvizje të fuqishme kombëtare, jo vetëm një herë ka qenë një ideator, i cili nuk ka qenë fare në burg, ashtu sikurse është e vërteta tjetër e pamohueshme se një i burgosur, ta quajmë politik, mund t i ketë shërbyer besnikërisht regjimit, pasi që ishte thyer dhe me veprën e tij mund ta ketë dëmtuar rëndë çështjen kombëtare. Raste të tilla, mjerisht mjaft të shprehura, ka pasur në mesin e të burgosurve të çdo grupi, të çdo lëvizjeje, të çdo epoke të historisë.
Në rastin tonë konkret, në Kosovë dhe në trojet ende të pabashkuara të Shqipërisë, kemi segmentin e veçantë të këtij fenomeni, meqë pjesa më konsekuente e Lëvizjes Kombëtare ka qëndruar e pathyeshme dhe ka vepruar në vazhdimësi për çlirim dhe bashkim kombëtar. Të tillët, mjerisht, pakicë në numër, por prijatarë të proceseve historike, nuk e konsiderojnë veten si “të burgosur politikë”, sepse burgu ishte pasoja e denoncimit të veprimtarisë, ishte hakmarrja e regjimit për kundërshtarin. Mirëpo, të tillët, sapo janë liruar nga burgu kanë vazhduar veprimtarinë në kushte dhe rrethana të caktuara dhe nuk janë dehur nga suksesi i të qenit i burgosur politik.
Përpjekjet për t’ u fshehur nën ombrellën e “të burgosurve politikë” bëhen për qëllime të ndryshme dhe të caktuara, në radhë të parë për përfitime të caktuara financiare dhe për ta mbuluar biografinë e akëcilit apo të akëcilëve të burgosur, të paktën me diçka.
Mendojmë se formulimi “I burgosur politik” tashmë nuk i qëndron kohës, edhe nëse i ka përballuar ndonjëherë. Ishte një gabim i trashëguar gjuhësor nga praktika ish komuniste serbe si “politiçki zatrvorenik” sikur qenë trajtuar informbyroistët dhe kundërshtarët e regjimit titist në vitet 50 e më vonë. Për shkak të bindjeve tjetërfare politike, ka pasur të dënuar edhe në mesin e komunistëve shqiptarë në Kosovë, të cilët nuk u pajtuan me orientimin ideologjik të Titos, sidomos me rastin e prishjes së tij me Stalinin. Mirëpo këta të burgosur nuk mund të kualifikohen njësoj, sikur ata që u burgosen për shkak se organizuan dhe zhvilluan kryengritjen e marsit dhe prillit të vitit 1981 duke vazhduar veprimtarinë e tillë deri në kohën e luftës çlirimtare dhe fitimtare të UÇK-së.
Kërkesa e pjesëtarëve të popullit të robëruar për të qenë i barabartë me popujt e tjerë, kërkesa për liri dhe bashkim kombëtar, në radhë të parë ishte dhe është kërkesë për të realizuar aspiratat historike, dhe si e tillë nuk ka të bëjë me ndonjë politikë të caktuar. Pikërisht për këtë, në epopenë e lavdishme të luftës së UÇK-së u ndalua çdo veprimtari politike, sepse lufta për çlirim nga robëria është luftë për të realizuar një aspiratë historike dhe jo luftë për të imponuar një politikë të caktuar, edhe pse kjo nuk mund të përjashtohet në tërësi.
Të gjitha grupimet politike në Kosovë, duke filluar nga NDSH-ja në vitin 1945 e duke vazhduar me sukses nga “Organizata Revolucionare për Bashkimin Kombëtar” më 1964, ideuar dhe themeluar nga veterani i lëvizjes sonë kombëtare, bacë Adem Demaçi, pastaj grupet marksiste-leniniste, që ishin bërthamat më të forta organizative në vitet 70 dhe 70 të shekullit të kaluar dhe grupet e tjera të mëvonshme, kanë pasur një program, programin e çlirimit dhe bashkimit kombëtar dhe jo një politikë tjetër nga ajo komuniste apo marksiste leniniste. Këtu edhe qëndron esenca e Lëvizjes sonë kombëtare, edhe pse ky segment shkencor nuk është trajtuar asnjëherë meritorisht, sepse kemi pasur punë të tjera për të bërë.
Veprimtarët jetikë të lëvizjes sonë kombëtare, ata të pathyeshmit, të cilët kaluan nëpër burgjet e pushtuesit dhe sapo u liruan, vazhduan veprimtarinë me armë në dorë kundër robëruesit dhe i sollën liri Kosovës, janë veteranët e luftës dhe të rezistencës dhe jo vetëm do farë të burgosur politikë. Si të tillë, si të burgosur politikë, nuk na trajtonte as regjimi titist. Ne për ta ishim vetëm nacionalistë dhe irredentistë, që me mjete dhe metoda të ndryshme, kishim vepruar kundër bashkim vëllazërimit dhe rregullimit shtetëror të Jugosllavisë. Sipas këtij interpretimi ne ishim kundërshtarë të Jugosllavisë dhe kërkonim ta copëtonin një pjesë të saj, me qëllim për t’ ia bashkëngjitur Shqipërisë. Kjo ishte esenca e atij interpretimi dhe këtë e di çdo qytetar paksa i informuar i vendit tonë.
Termi “ i burgosur politik” tashmë sikur ka humbur edhe nga fjalori i gazetarisë. Procesi i demokratizimit të raporteve shoqërore e politike sidomos në vendet ballkanike, ka bërë që kundërshtarët politikë të vihen në garë për pushtet dhe jo ta burgosin njëri tjetrin, edhe pse ka raste të tilla, por nuk janë shumë të shprehura, sikur në kohën e totalitarizmit dhe ndarjes bllokiste të botës deri në vitin 1990.
Si do të mund të shkruhej monografia, leksikoni(!) me biografitë e të burgosurve politikë?

Kriteret për të sajuar një monografi të tillë janë tejet të vështira për t’ i vënë në veprim. Së pasi duhet të përkufizohet koha dhe hapësira, dy kategoritë themelore për shkrimin e një monografie, por kurrsesi të një leksikoni, nëse pretenduesit e projektit të tillë e kuptojnë çka nënkupton fjala leksikon. Nëse këto dy kritere nuk përfillen, atëherë humbet tërësisht vlera e një libri të tillë. Nëse përfillen, dhe do të duhej të përfilleshin këto dy kritere bazë, atëherë do të mbesin jashtë monografisë mijëra të dënuar të kohës e regjimit të Mbretërisë Serbe, natyrisht duke lënë anash të burgosurit e të syrgjynosurit të kohës së “baba Dovletit”. Do të mbeteshin anash sepse mungojnë në tërësi shënimet. Nëse monografia e tillë e supozuar do të përkufizohej prej vitit 1945 e deri më 1999, në një monografi, apo leksikon(!) të tillë disa mijëra faqesh, nuk do të mund të prezantoheshin vetëm emrat e mbiemrat, sepse sipas të dhënave deri diku edhe zyrtare, nëpër burgjet e Jugosllavisë si kundërshtarë të regjimit janë trajtuar dhjetëra mijëra shqiptarë. Pjesa më e madhe prej tyre janë dënuar prej vitit 1945 deri në vitin 1952. Është fjala për mijëra të dënuar dhe të pushkatuar si pjesëtarë të Lëvizjes Nacional Demokratike Shqiptare.
Nëse hartuesit e supozuar të kësaj monografie, përkufizojnë një periudhë të caktuar historike 5 apo 10 vjeçare edhe mund të ia dalin. Mirëpo në rastin e tillë do të zbehet ideja megalomane, e cila si duket është edhe preokupimi kryesor i hartuesve të kësaj monografie dhe në rastin e tillë, përfitimi do të ishte minor, meqë një monografi të tillë do ta blinin vetëm të prezantuarit e gjallë të monografisë.
Pavarësisht nga metodologjia që do të vihet në zbatim, sajimi i një monografie, apo leksikoni të tillë me biografi të të “burgosurve politikë”, sikur vetëquhen disa megalomanë e skribë të pandreqshëm, duket se do të bëhet me qëllim për thithjen e mjeteve nga donatorët e ndryshëm në emër të këtij projekti. Projekti, sipas të gjitha gjasave do të jetë mbulesa e tyre për të zhvatur favore, duke mos i dhënë llogari askujt. Projekti mbase ka edhe një qëllim, që në kohën e rrahagjokësisë patriotike, të mos ngelin gjithnjë në margjina disa individë, që për një arsye apo tjetër kanë mbajtur ndonjë muaj apo ndonjë vjet burg. Ahmet Qeriqi

Kontrolloni gjithashtu

Komisioni për Politikë dhe Demokraci i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës miraton raportin për kërkesën e anëtarësimit të Kosovës

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës ka shënuar një hap të rëndësishëm në procesin e …