Profesori amerikan dhe njohësi i çështjeve të Ballkanit, Daniel Serwer, ka reaguar ashpër pas aktgjykimit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, duke kritikuar jo vetëm vendimin, por edhe vetë Dhomat e Specializuara të Kosovës. Në opinionin e tij, Serwer ka shkruar se “nuk është vetëm vendimi ai që është i padrejtë”, duke vënë në pikëpyetje mënyrën e krijimit dhe funksionimit të kësaj gjykate. Sipas tij, Dhomat e Specializuara u krijuan pas presionit amerikan dhe evropian ndaj Kosovës dhe, sipas pretendimit të tij, fokusi i tyre u zhvendos nga pretendimet fillestare për trafikim organesh drejt pretendimeve të shërbimeve sekrete serbe. Serwer ka thënë se disa nga akuzat për krime të kryera nga pjesëtarë të UÇK-së janë të vërteta, por ka kundërshtuar përgjegjësinë komanduese të Hashim Thaçit. Sipas tij, Thaçi nuk kishte autoritet komandues mbi forcat që kryen krimet dhe gjatë luftës kishte rol kryesisht politik e komunikues. Profesori amerikan ka kritikuar edhe SHBA-në dhe vendet evropiane, duke deklaruar se ato duhet të “ndihen të turpëruar”, pasi, sipas tij, kanë “kriminalizuar një lëvizje çlirimtare që e kishin mbështetur” dhe e kanë shndërruar drejtësinë ndërkombëtare në “hakmarrje politike”. Serwer ka bërë thirrje që çdo protestë pas aktgjykimit të jetë paqësore, ndërsa ka theksuar se Thaçi dhe ish-krerët e tjerë të UÇK-së do ta apelojnë vendimin. “Nuk është vetëm vendimi ai që është i padrejtë. Është vetë gjykata”, ka përfunduar Serwer.Daniel Serwer
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
