Kroacia pas verdiktit të Hagës: Aktgjykimi nuk e ndryshon faktin se Kosova ishte viktimë e regjimit të Millosheviqit

Ministria e Punëve të Jashtme e Kroacisë ka reaguar pas aktgjykimit të shkallës së parë të Dhomave të Specializuara të Kosovës ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke theksuar se vendimi nuk është përfundimtar dhe se nuk duhet të paragjykohet rezultati i procedurës së mëtejshme. Në reagimin zyrtar, MPJ-ja kroate ka thënë se e merr në dijeni aktgjykimin e shkallës së parë, duke nënvizuar se ndaj tij mund të vazhdojë procedura gjyqësore. “Kroacia merr në dijeni aktgjykimin e shkallës së parë të gjykatës specialetë Hagës. Ky është një aktgjykim jo përfundimtar dhe ne nuk dëshirojmë të paragjykojmë rezultatin përfundimtar të procedurës”, thuhet në reagim. Megjithatë, Kroacia ka vënë në dukje se aktgjykimi nuk e ndryshon kontekstin historik të luftës në Kosovë dhe faktin se Kosova dhe popullsia e saj ishin viktima të represionit dhe krimeve të rënda të kryera nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit. “Në të njëjtën kohë, ky aktgjykim nuk e ndryshon kontekstin historik të luftërave në Kosovë, e as faktin se Kosova dhe popullsia e saj ishin viktima të represionit dhe krimeve të rënda të kryera nga regjimi i Millosheviqit”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Jashtme kroate.  “Përgjegjësia individuale e personave të caktuar nuk mund të shërbejë si bazë për relativizimin e këtyre krimeve, e as për vënien në pikëpyetje të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës”, thuhet në reagim.

Kontrolloni gjithashtu

Franca pas verdiktit të Hagës: Vendimi mund të apelohet, mbështetja për pavarësinë e Kosovës mbetet e palëkundur

Franca ka reaguar pas aktgjykimit dënues të Dhomave të Specializuara të Kosovës ndaj Hashim Thaçit, …