leoni

Dha dorëheqje kryeministri që aq shumë “deshi ta bënte” historinë

Shkaqet dhe rrethanat të cilat e shtynë z. Bajram Kosumi të japë dorëheqje nga posti i kryeministrit të Kosovës me siguri se janë të shumta dhe tash për tash ende të pa qarta. Por, një është e sigurt, Kosumi nuk është më kryeministër dhe nuk dihet se ku do ta përplasin erërat, që kanë nisur të fryjnë që me fillimin e marsit të këtij viti.
Kritikat kundër Kosumit si kryeministër kanë nisur që në ditët e para të zgjedhjes në postin e tij, aq shumë të ëndërruar e të preferuar. Është në këtë rrëfim një e vërtetë e hidhur, të cilën mbase nuk e kishte diktuar sa duhet Kosumi euforik i asaj kohe, kur u postua kryeministër, është një fakt të cilën e kanë vërejtur të gjithë kritikuesit, por edhe dashamirët e tij. Ai nuk arriti ta bëjë zap gëzimin, që ndjeu në kohën ku e postuan kryeministër, pas dorëheqjes së detyrueshme të kryeministrit Ramush Haradinaj. Madje, dukej asokohe sikur Kosumi mezi kishte pritur që Ramushi të nisej drejt Sheveningenit. Kjo mungesë gjeturie e Kosumit zbërthente para opinionit shpirtngushtësinë e tij, ëndrrën e tij jetësore për poste me rëndësi dhe ndonjë ëndërr tjetër.
Në mungesë të intuitës së duhur intelektuale, në mungesë të disa virtyteve të domosdoshme, që duhet të ketë njeriu për të qenë i baraspeshuar në çaste dhe momente delikate, në egon e Bajram Kosumit filloi të zgjohej diabolikisht ndjenja e sundimtarit, ndjenja e të nëpërkëmburit të deridjeshëm e kthyer në forcë virulente, për ta ndërruar jetën, por edhe botën përreth me aq sa mund të ndërrohet ajo. I etur për pushtet, për forcë, për lavd, i etur për të realizuar disa nga motivet e fjetura thellë në pasione, Kosumi shumë shpejt do të pësojë një metamorfozë të çuditshme. Ai do të udhëhiqet vetëm nga filozofia makiaveliste, të cilën do ta quante filozofi pragmatiste, duke ia përshtatur atë momentit dhe rrethanave të caktuara politike.
Duke qenë pjesë e proceseve politike, të cilat (edhe aktualisht) i dikton UNMIK-u në Kosovë, Kosumi tashmë si duket e kishte kuptuar se një kryeministër “kukull” në çdo kohë do të mund të shfajësohej për çdo veprim të papeshuar, të bërë me apo pa qëllim. Këtë mësim Kosumi mbase edhe e ka ditur kaherë, por asnjëherë si duket nuk ka menduar dhe nuk ka besuar se ajo që i lejohet Jovit, nuk i lejohet edhe Bovit.
Një segment tjetër që çoi në degjenerimin e tij politik ishte edhe kritika e pareshtur e shumë qarqeve, e sidomos kritikat, madje edhe fyerjet e sharjet që adresoheshin drejt tij nga opozita dhe disa gazeta e media të papërgjegjshme. Kjo ia sforcoi inatin Kosumit dhe ai tashmë kishte filluar të mos përfillte asgjë. Në këtë ndeshje me mediat, ai filloi të humbasë, duke u mbështjellë në aureolën e zyrtarit, i cili nuk begenis të merret me cikërrima dhe shkrime të gazetave. Për më keq, ai tuboi rreth vetes lajkatarët, deledashët, ish-udbashët dhe tërë një soj të servilëve, të cilët iu hakmorën, ashtu sikurse edhe pritej, ashtu sikurse dinë të bëjnë të tillët. Mirëpo, kështu ndodh, kur njeriu i etur për poste dhe pushtet fillon të rezonojë me trurin e zogut, e cili e sheh thërminë brenda kurthit, por jo edhe kurthin. Kosumi i etur për lavd, i etur për të qenë protagonist kryesor i historisë, do ta ëndërronte bërjen e saj, por nuk do t’ i mjaftonte kapitali, edhe pse kishte bërë disa vjet burg gjatë kohës së regjimit okupator të Titos dhe të vasalit Azem Vllasi në Kosovë. Kishte të tjerë që kishin kaluar më shumë kohë se ai nëpër burgje, që nuk ishin thyer asnjëherë, që kishin organizuar dhe kishin vepruar në lëvizjen e armatosur dhe kishin hyrë ngadhënjimtarë në Prishtinë, nga zonat e luftimeve e jo nga Kukësi e Stankoveci. Të tillët asnjëherë nuk kishin rrahur gjoks dhe nuk mendonin se prapa po iu shkonte historia.
Në mungesë të këtij kapitali, Kosumi do të fillojë të shpalos retorikën demagogjike, të qëndisur me nocionet e demokracisë, e shpeshherë edhe me sintagmat tashmë të njohura patriotike. Duke qenë se mendonte për veten, apo pretendonte ta improvizonte njeriun e historisë, ai filloi ta devalvojë edhe këtë koncept. Çdo nismë për fillimin e përkufizimit të zgjidhjes së statusit të Kosovës, Kosumi do ta quante nismë historike. Vitin 2005 e kishte quajtur vit historik, vitin 2006 do ta quante po ashtu një vit vendimtar historik, vajtjen si statist në OKB, po ashtu do ta quante një ngjarje të madhe historike, duke lënë anash, apo mbase edhe duke harruar se historia e vërtetë e lirisë së Kosovës tashmë kishte ndodhur dhe ajo ishte shkruar me gjakun e legjendarit Adem Jashari dhe me gjakun e derdhur rrëke për liri të dëshmorëve dhe martirëve të Kosovës.
Megjithatë, Bajram Kosumi ka arritur të futet në një kapitull të historisë së errët të Kosovës, të kapitullit të sundimit të UNMIK-ut në Kosovë, si kryeministër i adaptuar në rrethana të zhvillimeve të caktuara politike dhe i detyruar të japë dorëheqje në rrethana po ashtu delikate dhe të paparashikueshme historike. Ahmet Qeriqi

Kontrolloni gjithashtu

Raportuesja për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Isabel Santos, tha se i vjen keq nga deklaratat e Greqisë, për Fredi Belerin

Raportuesja për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Isabel Santos, tha se i vjen keq nga deklaratat e Greqisë, për Fredi Belerin

Raportuesja për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Isabel Santos, tha se i vjen keq  nga deklaratat e …