Brickos

Dibran Fylli: Një dramë poetike me vazhdime të panumërta

Dibran Fylli: Një dramë poetike me vazhdime të panumërta

Kur e lexova për herë të parë librin poetik apo thënë më mirë, të vërtetat në librin me poezi ”Lora” bashkë me kërkesën që ta rregulloja teknikisht, me gjithë përpjekjet që të  mos më ngacmonin emocionet, nuk u ndjeva edhe aq pa to.

– E para, sepse para se ta takoja fizikisht dhe njihja për së afërmi, kisha dëgjuar dhe e kisha njohur vite më parë punën dhe angazhimin e tij prej intelektuali, poeti e atdhetari, autorin e librit, Prof. Asllan Lan Qyqallen.

– E dyta, sepse autori e ka dashur dhe vazhdon ta dojë punën, të cilën e ka bërë dhe vazhdon ta bëj me kompetencë, dhe, unë si lexues ta lexoja, t’i sistemoja të gjitha ato poezi për një personazh aq më peshë intelektuale e që autori e përshkruan bindshëm, pa komplekse, në mënyrë sa të sinqertë aq edhe  të drejtpërdrejt gjithë rriten dhe bëmat e saj sa intelektuale po aq edhe profesionale.

– E treta, dhe kryesorja se autori i veprës poetike “Lora” është bashkëpersonazh me personazhin kryesor të kësaj vepre.

Autori në këtë vepër poetike mendon, sugjeron e koncepton ndryshe nga të tjerët, jo pse ai është poet, por se ngjarjet i paraqet ashtu siç i ka përjetuar me kryepersonazhin e veprës (ndoshta dikush edhe mund ta konceptoi ndryshe). Ai në mënyrë brilante i paraqet rrjedhat e jetës, duke i shtruar ato në formë poetike.

Tani duke e njohur kryepersonazhin e veprës, duke e njohur edhe autorin e këtij libri poetik, duke u njohur edhe me produktin letrar të tij, u ndjeva edhe vetë pjesë e këtij rrëfimi poetik që doemos kërkonte një baraspeshë jo në kuptimin e logjikës se thjesht, por në kuptimin e një bote shpirtërore, që ndrynë e herë-herë shpërthen duke mos e anashkaluar edhe të mirën edhe të ligat që i kishte parashtruar koha e së kaluarës. Sëkendejmi brenda këtij rrëfimi poetik, bota shpirtërore nuk ishte gjë e lehtë të kapërdihej në një shekull me gjithë errësirën, hijet, turbullirat e vetëtimat që herë-herë lëshonin rreze e që më shumë të mërdhinin e që vetëm ndërgjegjja nuk ishte lehtë të përthekohej.

Në stinët kur kryepersonazhi, njëkohësisht edhe autori i këtij libri poetik, ruan largësinë e nevojshme të një periudhe me të sotmen e të ndodhurën, ai mbetet pjesë e një tërësie që e ruan atë dhe e le si gjurmë në një përmasë historike në letërsinë tonë.  Gjithë kjo po mi ngjan një  labirinthi, që fundin e errësuar të tij fillon ta ndritë një rreze e ngrohtë dielli, kushedi sa vite e dekada më parë.

Libri poetik “Lora” e autorit Lan Qyqalla, tani së fundi e përkthyer edhe në gjuhën frënge, rrëfen të vërtetat në formën poetike, megjithatë tregon një pjekuri në të gjitha zhanret e krijimtarisë letrare. Kjo, ndoshta pse autori kishte hezituar disa vite të shkruante atë që e ka bërë sot, por edhe për faktin se gjithçka është marr nga përvoja dhe përjetimi jetësor i tij.

Ky rrëfim, pavarësisht zhanrit teorik e stilistik të poezisë, mund të quhet vepër letrare në të cilën gjejmë dramën, dhe tragjedinë brenda shumë ngjarjeve duke filluar nga kryepersonazhi i moshës së re e deri të koha e po të njëjtit personazh në kohën e tashme. Sa përshkruhen detajet e jashtme, papritmas ndërhyn ndërtimi i profilit të personazhit, ndërtimi i pranisë së papranishme është një shkathtësi dhe mjeshtri e rrallë poetike në të njëjtën kohë. Libri poetik “Lora”, duket si një ringjallje, si një tingëllimë elegjiake dhe i terë rrëfimi poetik lidhet me kryepersonazhin dhe për udhët e jetës që nuk ishin aq të lehta.

Duke e lexuar librin “Lora” lexuesi gjënë dhe sheh pikërisht personazhin që është jo vetëm shembull i modelit jetësor, por është një interpretim i të së kaluarës, të tashmes dhe të ardhmes. Shkurt është një skenar i një drame poetike me vazhdime të panumërta.

Si lexues i paralexuesve ndihem i veçantë që kuptova tematikën e veçantë siç është e veçantë edhe vet jeta e kryepersonazhit më vlera të larta ideore, intelektuale, patriotike e atdhetare…

 

Kontrolloni gjithashtu

Doli nga shtypi Libri: “Analiza, kumtesa, poezi, politikë”, i autorit, Ismet Begolli

Doli nga shtypi Libri: “Analiza, kumtesa, poezi, politikë”, i autorit, Ismet Begolli

Libri i Ismet Begollit: Analiza,  kumtesa, poezi, politikë”, është një përmbledhje e veçantë krijuese, në …