Dr. Agim Vinca: Metamorfoza politike e Ali Ahmetit

Tek e dëgjoja mbrëmë kryetarin e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmetin, si fliste në “Klan Kosova”, e pashë me sytë e mi se si e shpërfytyron njeriun pushteti.


As hija e Abazit të dikurshëm, veprimtarit të devotshëm të lëvizjes ilegale, i cili, vite me radhë, në Perëndim, proklamonte idenë e çlirimit të tokave shqiptare nga pushtuesit sllavë dhe të bashkimit të tyre me Shqipërinë mëmë dhe ëndërronte e luftonte për sendërtimin e kësaj ideje.


Për ata që mund të mos e dinë “Abazi” (Abaz Gjuka-personazh i romanit Gjarpijt e gjakut të Adem Demaçit) është pseudonimi i kohës së ilegalitetit i Ali Ahmetit, me të cilin e njihnin atë shokët e tij të organizatës: Lëvizjes Popullore për Republikën e Kosovës (LPRK), e cila më vonë e ndryshoi paksa emrin dhe u quajt: Lëvizja Popullore e Kosovës (LPK). Në organizatën së cilës i takonte Abazi, alias Ali Ahmeti, sikurse edhe në organizatat e tjera simotra të saj, bëhej betimi solemn i anëtarit për luftë deri në vdekje për sendërtimin e këtij ideali sublim: idealit të çlirimit dhe bashkimit kombëtar.


Në vitin 2001, kur shpërtheu kryengritja e armatosur shqiptare në Maqedoni, Ali Ahmeti u vu në krye të luftës, e cila ishte një luftë atipike, e paparë në histori, sepse filloi si luftë për çlirimin e territorit dhe u shndërrua në luftë për të drejta njerëzore e kombëtare.


Kohërat ndryshojnë e bashkë me të edhe njerëzit, por askush nuk ka besuar se Ali Ahmeti do të ndryshonte aq shumë brenda pak vitesh.


Në vend që të fliste për situatën e krijuar në Maqedoni pas botimit të Enciklopedisë së AMSHA-së, lideri i BDI-së, të cilit i pëlqen ta quajë veten ose ta quajnë të tjerët, veçanërisht gazetarët servilë, edhe “lider i shqiptarëve në Maqedoni”, i zbaviste shikuesit me rrëfimin patetik për dorëzimin e uniformës së tij Pieter Feith-it, duke përmendur besën, gjakun dhe pikanteri të tjera folkloriko-mitologjike, që s’përkonin fare me seriozitetin e momentit.


Ishte entuziazmuar nga një tryezë e mbajtur një ditë më parë në Shkup, ku, si tha ai, “akademikë shqiptarë dhe maqedonë” ishin distancuar nga Enciklopedia e Blazhe Ristovskit. Ky edhe ishte emri më i përmendur në diskursin patetiko-retorik të kryetarit të BDI-së, zotit Ali Ahmeti, i cili, herë-herë, i ngjante një fjalimi elektoral, sepse oratori numëronte të arriturat “e mëdha” të shqiptarëve në Maqedoni gjatë kohës sa është ai në pushtet, duke përmendur universitetet, studentët, policët, oficerët dhe, madje, edhe nënoficerët e ARM-së, ku ushtari shqiptar komandohet maqedonisht, natyrisht.


Sepse shqipja në Maqedoni jo vetëm që s’ka arritur të depërtojë në ushtri (larg qoftë!), por as në gjykata, në polici e administratë, madje as në ato pjesë të IRJM-së, ku pjesën dërrmuese të popullatës e përbëjnë shqiptarët.


Gjuha shqipe në Maqedoni ende nuk është gjuhë zyrtare (në gjendjen e saj të tashme, ajo nuk mund të quhet, madje, as gjuhë gjysmëzyrtare) dhe bërja e saj e tillë, pra “gjuhë zyrtare”, e barabartë me maqedonishten, do të duhej të ishte preokupim kryesor i faktorit politik shqiptar në Maqedoni dhe veçanërisht i liderit të BDI-së, ish-luftëtarit Ahmeti, që uniformën e tij të përgjakur ia paskësh dorëzuar si testament Pieter Feith-it në vitin 2001.      


Pas kryengritjes së armatosur të vitit 2001, në të cilën luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (UÇK) u mbajtën leksion forcave të armatosura të shtetit maqedonas, Ali Ahmeti u ngut të deklaronte solemnisht, me të zbritur nga mali: “Maqedonia është atdheu im”, ashtu siç u ngut t’ia ndizte cigaren përunjësisht kryeministrit të atëhershëm të Maqedonisë, Branko Cërvenkovskit! Me veprimin e parë, shpalljen solemne të Maqedonisë për “atdhe të tij”, me të hyrë në qeveri e parlament, Abazi i konvertuar politikan, e përzjeu keq, më keq se një fillorist, konceptin e shtetit me atë të atdheut. Dhe kush pa: aktivisti i Lëvizjes, që ishte rritur me vargjet e Naimit, të Çajupit e të Pashko Vasës dhe me veprat e “shokut Enver”, që kishin qenë literatura e tij, në mos e vetme, gjithsesi më e preferuara. Po ato ditë, me rastin e një vizite në Dibër, në Dibrën e Madhe, lideri i BDI-së u fotografua duke i mbajtur zjarr kolegut të tij, kryetarit të LSDM-së dhe kryeministër i Maqedonisë, Cërvenkovskit! Ka mundësi që ky gjest të interpretohet si respekt ndaj më të moshuarit konform traditës shqiptare. Por, koha tregoi se nuk bëhet fjalë për traditë e mirësjellje, por thjesht për inferioritet politik. Ai gjest e imazh transmetonte atëbotë dhe transmeton edhe sot (sot mbase më shumë se atëherë), një mesazh: atë të raportit të çirakut me mjeshtrin! Po qe se duam të bëjmë pak humor, atëherë do të thoshim se Brankoja është me moshë “më i madh” se Aliu, prandaj… Por, mënjanë shakanë! Sjellja e tillë flet për pozitën tmerrësisht inferiore të partnerit shqiptar të koalicionit qeveritar në raport me atë maqedonas. Dhe ky raport, tani që në krye të qeverisë është një politikan më i ri në moshë se Ali Ahmeti, Nikolla Gruevski, jo vetëm që nuk është përmirësuar, por, përkundrazi, është përkeqësuar.


 


            Pra, nuk bëhet fjalë për traditë a mirësjellje, por thjesht për nënshtrim e vardisje. Quajeni po deshët edhe vasalitet. Si të doni.


 


            E dini ç’ka ndodhur në Maqedoni sipas kryetarit të BDI-së, Ali Ahmetit? “Një ushtar i papërgjegjshëm, i pandërgjegjshëm, një zoti Ristovski a Ristevski, njëfarë akademiku, na e prishi armëpushimin pas tetë vjetësh!”. Ja, kjo ka ndodhur. Asgjë tjetër. Po të ishte në luftë, Abazi do ta zgjidhte fare lehtë këtë punë, duke e ndëshkuar “ushtarin e papërgjegjshëm”, “me burg”, si u shpreh ai. Do ta bënte këtë edhe sot, po të ishte “ushtari” i tij, por ja që “ushtari i papërgjegjshëm”, i veshur me togën e akademikut, ka qëlluar i “taborit” tjetër dhe Abazi ynë është i pafuqishëm t’ia “vërë prangat” atij, qoftë edhe me ndihmën e akadamikëve të tij shqiptarë, anëtarë të AMSHA-së. Që është i pafuqishëm, kjo s’është ndonjë mëkat i madh, por që s’është i vetëdijshëm për pafuqinë e tij (jo vetëm si subjekt politik, por edhe si individ), kjo s’i falet.


 


            “Armëpushimi” shqiptaro-maqedon, pra, qenka thyer, kurse “kapedani” i taborit shqiptar, “kaçaku” Ali Ahmeti, bir “kaçakësh të egër”, si gjithë ne të tjerët, që paskëshin invaduar Maqedoninë një a dy shekuj më parë, nuk e ka parë të udhës ta takojë dhe të flasë drejtpërdrejt, sy më sy, me “kapedanin” e palës tjetër, “komitin” Nikolla Gruevski dhe të kërkojë përgjigje (nëse jo edhe përgjegjësi) nga ana e tij për “shkeljen” e marrëveshjes, por i paska çuar haber atij nëpërmjet përfaqësuesit të vet, zv.kryeministrit Ademi, që “t’i qaset seriozisht problemit”. Aferim, kapedan!


 


            Mirëpo, analistë shqiptarë në Maqedoni, përfshirë edhe mikun dhe mbështetësin e parezervë të tij, Kim Mehmetin, thonë se ky “armëpushim” është thyer shumë herë nga pala tjetër, madje jo vetëm brenda 7-8, por edhe dy-tre viteve të fundit dhe përmendin Brodecin e Nerezin, ku njerëzit ende shërojnë plagët dhe vajtojnë të vrarët, pa harruar as provokimet e shumta në planin etnokulturor, siç janë: përpjekja e vazhdueshme për të fshirë gjurmët e trashëgimisë kulturore shqiptare, materiale e shpirtërore, në truallin e Maqedonisë së sotme, ku shqiparët jetojnë me shekuj, që nga antika e këndej, pra denbabaden dhe tendencën e vazhdueshme të qarqeve akademike maqedonase për përvetësimin e figurave të shquara të historisë dhe të kulturës shqiptare si Skënderbeu, Nënë Tereza, Asdreni, Migjeni etj.


 


            Po ku e patëm fjalën? Te Bllazhe Ristovski apo Ristevski, e marrtë dreqi! Akademiku në fjalë, që është kryeredaktor i Enciklopedisë zyrtare maqedonase të finacuar nga shteti, na qenka ai “ushtari i padisiplinuar”, që duhet ndëshkuar. Po nga kush nuk u tha. Tendenca që ekscesi i Enciklopedisë të paraqitet si çështje e një “ushtari që ka prishur armëpushimin” (aluzion në B. Ristovskin), siç u shpreh A. Ahmeti në debatin në “Klan-Kosova”, është qasje naive, joserioze dhe simplifikuese e problemit.



 


            Sipas Ali Ahmetit dilte, madje, se partia e tij, BDI, në programin e saj e paskësh edhe kujdesin për Luginën e Preshevës, sepse ua paskësh dërguar shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës fakultetin “te dera e shtëpisë”, në Kumanovë.


 


            Por kulmi i gjithë kësaj maskarade politike të Ali Ahmetit ishte momenti kur ai e shpalli veten botërisht politikanin më të mirë shqiptar në Maqedoni, kurse njeriun që kishte përballë, Ali Aliun, intelektualin më të mirë shqiptar të Maqedonisë së tij të dashur prej Dojrani e deri në Zajaz! Dëm që ne s’kemi emisione të tipit “Fiks fare”, kurse “Fiksi” i Tiranës s’para merret me shqiptarët këndej kufijve, sepse deklarata groteske e Aliut: “Ky s’ka gjet’ më t’mir’ se unë; as un’ s’kam gjet’ më t’mir’ se ky!”, e denjë për të hyrë në ndonjë enciklopedi të ardhshme të marrëzisë, do të ishte material ideal për Saimirin dhe Doktorin ditë me radhë.


 


            I pyetur nga udhëheqësi i emisionit se ç’mendim kishte për projektin e vitit 2001 mbi “ndarjen” mes maqedonasve dhe shqiptarëve, të njohur si “projekti i Efremovit” (kryetarit të atëhershëm të AMSHA-së), Ali Ahmeti u deklarua me të drejtë kundër, por mënyra e rezonimit të tij për të ishte tepër e thjeshtëzuar dhe e lehtë.


 


            Projekti i Efremovit u ofronte shqiptarëve vetëm Tetovën, Gostivarin dhe Dibrën, duke mbajtur për vete krejt pjesën tjetër të Maqedonisë Perëndimore (lexo: shqiptare) dhe duke kërkuar si kompensim prej Shqipërisë Pogradecin dhe Prespën, në mënyrë që Maqedonia të fuste në gjirin e saj të dy liqenet: të Ohrit dhe të Prespës, që janë një pasuri e madhe natyrore jo vetëm për Maqedoninë e Shqipërinë, por edhe për tërë Ballkanin.


 


            Po të kishim politikanë “të fortë” e jo vasalë që i përulen gjithkujt që u ofron një post dhe akademikë të zotë e me integritet moral e intelektual e jo si këta të Abazit, që tremben nga hija e vet dhe belbëzojnë edhe me gojë edhe me shkrim, ne do të dilnim para botës (pse jo) me “variantin tonë” të ndarjes me maqedonasit, si kundërpërgjigje projektit të Efremovit, e jo të përbetohemi ditë e natë për Maqedoninë unike, siç vepron Ali Ahmeti, nga frika se, siç u shpreh në emisionin e Baton Haxhiut, do t’i mbetej jashtë “profesori i tij i dashur, Ali Aliu”! (Nuk mund të mos hapim këtu një parantezë e t’i themi zotni Ali Ahmetit: “Mos u mërzit për profesorin, se ai ka shtëpi edhe në Prespë, edhe Shkup, edhe në Prishtinë, në mos edhe në Tiranë, por mërzitu për ushtarët e tu pa status anekënd Maqedonisë, që edhe pas amnistisë së përgjithshme, u kanoset rreziku i arrestimit dhe i dënimit me burg”).


 


            Bashkësia ndërkombëtare, e interesuar që ta ruajë Maqedoninë si tampon-zonë, do ta refuzonte sigurisht edhe “projektin tonë” hipotetik të “ndarjes”, ashtu siç e refuzoi atë të Georgievskit, po ne do t’i tregonim palës maqedonase, por edhe fqinjëve ballkanas e krejt botës, se në rast ndarjeje eventuale të Maqedonisë ata nuk mund të pretendojnë kurrsesi të marrin “pjesën e luanit”.


 


            Duke e pasur parasysh kompleksitetin e problemit dhe rrethanat në Ballkan, por edhe rekomandimet e miqve tanë, në radhë të parë amerikanë, askush me mend në kokë nuk do të deklarohej kundër idesë së një Maqedonie si shtet i përbashkët i maqedonasve (sllavë) dhe shqiptarëve etnikë, e edhe i të tjerëve që jetojnë në këtë shtet, por me kusht që Maqedonia të funksionojë vërtet si shtet demokratik e multietnik (në të vërtetë si shtet dykombësh), duke u bërë Zvicra e Ballkanit.


 


            Vend “nderi” në diskursin politik të Ali Ahmetit, përfshirë edhe paraqitjen e tij në “Klan-Kosova”, zë e famshmja “Marrëveshje e Ohrit”, e cila, duke u lexuar ndryshe nga maqedonasit e ndryshe nga shqiptarët, e pak më ndryshe nga ndërkombëtarët dhe duke mos u zbatuar në praktikë qoftë edhe e tillë çfarë është as kaq vjet pas nënshkrimit (13 gusht 2001) është komprometuar në masë të madhe, aq sa mund të thuhet se më shumë se “marrëveshje” është bërë një “mosmarrëveshje” mes dy palëve![1]


 


            Paraqitja e Ali Ahmetit në “Klan-Kosova” më ktheu disa vjet pas, duke ma përtërirë një ngjarje për të cilën nuk kam folur deri më sot publikisht.


 


            Ishin muajt prill-maj të vitit 2004, kur unë, si anëtar i Këshillit Drejtues të Mbrëmjeve Poetike të Strugës, luftoja (krejt vetëm) për statusin e gjuhës shqipe në këtë manifestim të njohur ndërkombëtar, në të cilin, me statutin e ri, që kërkohej të miratohej me “procedurë të shpejtuar”, gjuha shqipe përjashtohej krejtësisht nga përdorimi. Do të duhej shumë kohë e hapësirë për të treguar kohën dhe energjitë që pata harxhuar për këtë çështje, aq sa sot, pas kaq vitesh, edhe mua vetë më duket disi e pabesueshme.


 


            Unë u bëra “jurist”: bëra vërejtje me shkrim në statutin dhe e stopova atë për rreth një muaj e gjysmë, duke e kthyer mbrapsht në Ministrinë e Kulturës, që ishte hartues i tij dhe duke e çuar punën deri në Këshillin për Jurisprudencë të Presidencës së shtetit, prej nga vinin përgjigje me shkrim në të cilat thuhej: “Lidhur me vërejtjet e z. Agim Vinca përkitazi me statutin e ri të MPS-së, Ju informojmë se ky është manifestim ndërkombëtar, prandaj në të nuk parashihet përdorimi i gjuhe tjetër, pos maqedonishtes dhe anglishtes”. Standardi i 20%, thuhej më tutje në ato shkresa të thata, që vinin nga zyrat më të larta të shtetit, vlen vetëm për administratën lokale. Kaq. Pikë. Vula dhe nënshkrimi në fund. Ndërkohë, kryetari i KD të MPS, njeri i afërt i kryetarit të shtetit, më akuzonte për “bllokadë të punës” dhe për “mbetje pa rrogë të drejtorit të festivalit”, me fajin tim, sipas tij, derisa një ditë me diell, më në fund, statuti u aprovua me shumicë votash (4 me 1), me ç’rast unë u pata thënë kolegëve të mi maqedonas, shkrimtarë e akademikë, se “në Maqedoni nuk paska ndodhur asnjë ndryshim” dhe se klasa politike maqedonase, por edhe elita intelektuale, me ndonjë përjashtim të rrallë, nuk paskan nxjerrë kurrfarë mësimi nga konflikti i vitit 2001! Për këto të drejta, të nderuar kolegë, këtu u bë një luftë!


 


            Rreth tryezës heshtje. Askush nga anëtarët e Këshillit nuk fliste. Vetëm kryetari Z. Ançevski përsëriste si papagall fjalët: “Ne nuk jemi juristë!” dhe i gëzohej epilogut.


 


            Do ta çoja këtë çështje me siguri edhe në Gjykatën Kushtetuese po të kisha përkrahje minimale nga faktori politik shqiptar dhe personalisht nga Ali Ahmeti dhe po qe se njëri nga dy gjyqtarët shqiptarë anëtarë të Gjykatës Kushtetuese të Maqedonisë, me të cilin isha konsultuar për çështje profesionale, nuk do të më sugjeronte të hiqja dorë nga kjo punë, sepse “e kisha theksuar mjaftueshëm atë”!


 


            Dy herë pata shkuar me makinë nga Prishtina në Tetovë dhe nga Tetova në Reçicë të Vogël, në selinë e BDI-së, ku ca djem të rinj, civilë, më shihnin me dyshim si të isha ndonjë atentator i rrezikshëm, për ta takuar kryetarin Ali Ahmeti, por më kot. Zotëria e tij secilën herë ishte i zënë dhe s’kishte kohë të më priste, qoftë edhe një gjysmë ore, sado që unë nuk shkoja për punë personale, por për një çështje tejet të rëndësishme, që s’kishte të bënte fare me mua, e as me familjen time a farefisin tim, por me statusin e gjuhës shqipe në Maqedoni, që ai kishte marrë përsipër ta bënte gjuhë zyrtare, të barabartë me maqedonishten (!), sepse unë, prof. A. V., si duket nuk hyja në radhën e “profesorëve të tij të dashur”.


 


            Abazi i dikurshëm i LPK-së dhe ish-komandanti i UÇK-së, Ali Ahmeti, i shndërruar në kryetar të partisë së tij politike me emrin BDI (maqedonisht: DUI), e kishte bërë tashmë zgjedhjen e vet në mesin e intelektualëve shqiptarë në Maqedoni, duke u përcaktuar për ata që kishin “rrënjë” të forta në Shkup, miq funksionarë e ish-funksionarë, maqedonas e shqiptarë dhe që si të tillë ishin të pranueshëm për palën maqedonase. Nuk e di a vetvetiu apo me sugjerimin e të tjerëve, Abazi i dikurshëm “enverist” dhe Aliu i tanishëm “integrist”, u afrua me kastën e intelektualëve që mund t’ia përmirësonin “imazhin” dhe t’ia  forconin pozitat politike liderit të sapozbritur nga malet, e jo me “radikalët” që vazhdonin ende avazin e mospajtimit me diskriminimin e shqiptarëve në IRJM, tani në kushte të reja dhe me forma të tjera, më të sofistikuara se ato të mëparshmet, të kohës së komunizmit, kur Ali Ahmeti, alias Abazi me shokë, ëndërronin dhe punonin për çlirimin dhe bashkimin e trojeve shqiptare kudo “ku bukës i thonë bukë e ujit ujë”.


 


            Refuzimi i Ali Ahmetit për t’u takuar me mua, tani që ishte akomoduar në qeveri dhe kishte krijuar lidhje të forta miqësore me intelektualë e politikanë shqiptarë lojalë ndaj të gjitha Maqedonive – prej asaj të Llazos e të Kiros e gjer tek kjo e Brankos, Lubços dhe e “Grujos” (nofkë e partnerit të tanishëm të Ali Ahmetit, kryeministrit Gruevski) – ishte shenjë e qartë e distancimit nga unë. As sot e kësaj dite nuk e di bash mirë se përse vepronte kështu, ashtu siç nuk e kam plotësisht të qartë se përse u hoqa nga lista e profesorëve të Fakultetit të Shkencave Humane dhe të Arteve (sot: Fakulteti i Filologjisë) po në vitin 2004, kur u zyrtarizua Universiteti i Tetovës. 


            Nuk e pata bërë publik këtë fakt – refuzimin e Ali Ahmetit për t’u takuar me mua përkitazi me statusin e gjuhës shqipe në festivalin ndërkombëtar të poezisë që për çdo vit mbahet në Strugë, për shkak se në atë kohë në Maqedoni kishte plasur sherri i decentralizimit dhe mendoja se Abazi me shokë e kishin hallin te ky problem, që, shi në Strugë, ku ishin çuar peshë maqedonasit vendorë, të nxitur nga lart, kishte arritur pikën e vet të vlimit.


 


            Në pamundësi që ta takoja edhe herën e dytë kryetarin e BDI-së (herën e parë më thanë se ishte në udhëtim zyrtar, kurse të dytën – se ishte në takim me një delegacion gjerman!) ia lashë, në selinë e Partisë, dosjen me dokumente, tok me një letër të shkurtër, në të cilën e njoftoja me thelbin e problemit – statutin diskriminues të MPS-së dhe përçapjet e mia për ta ndryshuar atë, duke ia bërë me dije se lidhur me këtë çështje i kisha njoftuar edhe bashkëpunëtorët e tij të ngushtë: zëvendëskryeministrin Musa Xhaferi, ministrin e arsimit, Aziz Pollozhani, si dhe ministrin e drejtësisë, që asokohe po ashtu ishte shqiptar, Hixhet Mehmetin. “Nuk e kuptoj se përse përçapjet e mia në mbrojtje të gjuhës shqipe kanë hasur në ‘bllokadë të plotë institucionale’, madje edhe nga pala shqiptare” – i pata shkruar ndër të tjera Ali Ahmetit, i cili nuk e pa të udhës jo vetëm të më përgjigjej me shkrim, ashtu siç i isha drejtuar unë, por as të më merrte së paku në telefon për mirësjellje, me një fjalë nuk denjoi të komunikonte fare me mua. (Njësoj, si “shefi” i tyre, vepruan edhe vartësit e tij “bëdëistë”, demek më “injoruan” krejtësisht!).


 


            Isha mjaft i zemëruar me sjelljen e tij, por megjithatë heshta. Thjesht e kurseva  për shkak të situatës. Koha do të tregojë se e kisha pasur gabim. LPK-istët e dikurshëm, në krye me Abaz Gjukën, të transformuar në “politikanë pragmatikë”, më shumë se interesi kombëtar, i paskësh joshur ruajtja e pozitave dhe privilegjeve të tyre të fituara me “gjak”. Me gjakun e atyre që ranë më 2001 me shpresë se do ta ndryshonin një herë e mirë pozitën e shqiptarëve në Maqedoni!


 


            E po nuk shkohet gjithmonë me një palë mend, sidomos kur njeriu vendos të hyjë në politikë dhe, madje, të bëjë “politikë të madhe” (me kaçik të vogël!) – politikën e premtimeve të pafund popullit të vet dhe të lëshimeve pa fund partnerit maqedonas, që s’mund të quhet ndryshe pos politikë e turpit!


 


            Në zgjedhjet e 2006-s partia e Ali Ahmetit, Bashkimi Demokratik për Integrim, falë “famës” së luftës, përsëri fitoi numër më të madh votash në krahasim me rivalen e saj, Partinë Demokratike Shqiptare të Arbër Xhaferit e Menduh Thaçit, por nuk hyri në qeveri. Kjo e dyta bëri ç’bëri dhe ia luajti lojën! Krisi kiameti! Pasoi një dëshpërim i madh i “integristëve” dhe mbështetësve të tyre, përfshirë edhe grupin e intelektualëve tek të cilët tashmë ishte mbështetur përfundimisht Abazi, të cilët për këtë padrejtësi u ankuan gjer te sekretarja amerikane e shtetit, Kondoliza Rajs. S’lanë gur pa luajtur e as derë pa trokitur, por pa sukses. Mbetën jashtë qeverisë, së paku përkohësisht, pa poste ministrash; pa resorë e pa dikasterë dhe, për më keq – pa tenderë!


 


            Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, refuzoi të takohej me mua. Zëvendëskryeministri Musa Xhaferi nuk iu përgjigj letrës sime. Ministri i drejtësisë, Hixhet Mehmeti, më iku para sysh te dyert e Ministrisë. Anëtari shqiptar i Gjykatës Kushtetuese të Maqedonisë, B. Pollozhani, më shkruante: “e ke theksuar mjaftueshëm këtë problem”!


 


            E gjithë kjo situatë m’u rishfaq në kujtesë dje mbrëma, ndërsa e dëgjoja Ali Ahmetin se si fliste në studion e TV Klan Kosova, tok me akademikët A. Aliu, R. Ismajli e M. Kraja, nga të cilët vetëm ky i fundit u përpoq t’ia ndalte një çikë turrin populist Abazit dhe ta fuste bisedën në binarë. As edhe më e vogla shenjë për krizë qeveritare nuk vërehej në “ligjëratën” e tij sa konfuze aq edhe qesharake. Përkundrazi vendosmëria për të qëndruar në qeveri i shihej në çdo fjalë që shqiptonte e, madje, edhe në gjeste e mimikë, paçka se i kishte plasur në dorë si bombë skandali i Enciklopedisë.      


 


            Më erdhi keq sinqerisht për Abazin e dikurshëm, atë djalosh përplot ëndrra e dashuri për atdheun, të gatshëm për aksion e sakrifica, të ngulfatur nga politikani i sotëm, lideri i partisë në pushtet nga radhët e shqiptarëve, BDI. Ilegali i dikurshëm me nofkën “Abazi”, nuk rron më, ndjesë pastë! Aliu e vrau Abazin, ashtu siç e vret Jaku Ajakun (lexo: pragmatisti idealistin) në tregimin Mjegulla të Hivzi Sulejmanit. Heroi i kësaj farse politike shqiptaro-ballkanike me elemente tragjikomike, Abaz Gjuka, nuk ka “vdekur” fizikisht, por moralisht, duke ia lëshuar vendin politikanit të moderuar e pragmatik Ali Ahmeti, të cilin pushteti e ka shpërfytyruar në mënyrë të papërfytyrueshme.


 


[1] Mos vallë në rastin e shqiptarëve në Maqedoni vlen thënia e famshme e Qosiqit: “fitues në luftë, humbës në paqe”?! Shqiptarët e Maqedonisë në vitin 2001 mund të thuhet se e fituan luftën në raport me maqedonasit me vetë faktin që i detyruan ata të uleshin rreth tryezës së bisedimeve dhe të nënshkruanin një “marrëveshje”. Natyrisht, fjala është për Marrëveshjen e Ohrit (MO), në tekstin e së cilës, për çudi, edhe pse ky dokument u nënshkrua nga përfaqësuesit politikë të palëve në konflikt: shqiptarëve dhe maqedonasve, shqiptarët nuk përmenden fare, por vetëm bashkësitë jomaqedonase. Po bëhen gati dhjetë vjet nga nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje, por pozita e shqiptarëve në Maqedoni nuk ndryshoi shumë në raport me të kaluarën, për të mos thënë se edhe u keqësua në ndonjë plan, jo edhe pa fajin e vetë shqiptarëve.


 


Prishtinë, 25. 9. 2009.


 


 Shtypi shqip i Shkupit refuzoi ta botonte këtë shkrim në kohën kur u shkrua. Botohet për herë të parë.

Kontrolloni gjithashtu

Britania e Madhe: Kosova e Serbia duhet të jenë të përfshira në mënyrë konstruktive në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja

Sigurimi i pavarësisë dhe sovranitetit të Kosovës ishte tema e diskutuar në seancën e fundit …