Brickos

Dr. Feti Mehdiu

Dr. Feti Mehdiu: Letër e hapur Lordit XH. Robertson, në gusht të vitit 2001 lidhur me luftën e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare

Zotëri  sekretar i NATO-s

Nuk ka shqiptarë normal i cili, kur paraqiteni Ju ekran, të mos bëhet i tëri veshë e sy që të  dëgjojë me vëmendje  shprehjet dhe të shohë qëndrimin Tuaj për krizën në Maqedoni.

Unë jam njëri nga ata.

            Arsyeja që më ka shtyrë t’iu drejtohem në këtë mënyrë, janë dy deklaratat tuaja të fundit: me  3. maj 2001  në RTK, në bisedën me Gjeraqina Tuhinën, dhe me 7 maj 2001 në  Shkup, në prani të parisë së shtetit të Maqedonisë “demokratike”, siç e quani Ju, që kërkon t’i shpallë luftë gjysmës së popullit të vet. Nga këto deklarata  del se Ju,  kur deklaroni për Ushtrinë Çlirimtare Kombëtare se janë: “ … rrugaçë, një grup vrastarësh… që duan të shkatërrojnë një shtet demokratik… janë një grup ekstremistësh që nuk dinë tjetër gjë veç dhunës…” e fyeni popullin shqiptarë, sidomos në Maqedoni. Mos e ndani popullin nga ushtria e vet, sepse kjo ndarje që ka qenë e pranishme në Kosovë për një kohë shumë të gjatë, ka dhënë rezultate shumë të këqija, për çka Ju, tani, jeni të informuar shumë mirë.

            Kjo është hera e parë që i drejtohem një funksionari të lartë, siç jeni Ju, haptazi, edhe pse, deri tani, kamë dëgjuar vazhdimisht këso deklaratash, madje edhe më  fyese kundra popullit shqiptarë, por ata fyerje vinin nga subjekte destruktive të qarqeve komuniste e antidemokratike. Kjo ka qenë shumë e rëndësishme për mua.

            Këtë që bëj tani, e bëj për shkak se unë nuk dyshoj fare në qëllimin Tuaj të mirë dhe dëshirën Tuaj të sinqertë që në Maqedoni të mos ketë vrasje. Ju dëshironi që me biseda ndërnjerëzore të  zgjidhen të gjitha çështjet kontestuese ndërmjet dy popujve që me shekuj kanë jetuar në këto hapësira edhe atëherë kur janë quajtur: ILIRIA, MACEDONIA SECUNDA, RUMELIA, ARNAUTLLUK, VARDARSKA BANOVINA edhe  REPUBLIKA SOCIALISTE E MAQEDONISË. Këtu do të vazhdojnë të jetojnë edhe pas këtyre grindjeve, jo si robër por si qytetar të barabartë, ashtu sikur që jetojnë popuj tjerë,  në numër shumë më të vogël se shqiptarët këtu, në shtete demokratike të Evropës dhe botës.

            Nuk dyshojmë se Ju doni paqe në Maqedoni, por jini të bindur se shqiptarët në Maqedoni, në tërësi – me gjithë ata që i quajtët  “rrugaçë”, besoj nga informatat e gabuara që u kanë ofruar qarqet jodemokratike  dhe antishqiptare – e dëshirojnë edhe më shumë, porse Ju e dini se pa liri e barazi, paqja është vetëm një mashtrim. Shqiptarët në Maqedoni kanë dhënë dëshmi për këtë edhe në këto dhjetë vjetët e fundit, por sa vlen kur ai shteti, të cilin Ju e quani demokratik, akoma vazhdon të luaj lojën e sistemit komunist.

            Ata që kanë kap armët dhe  sot gjenden në mal, zotëri, janë pikërisht ata që e filluan luftën haptazi kundër komunizmit maqedonas qysh në vitin 1981. Maqedonia, edhe pas shpërbërjes së komunizmit në Ballkan, pas vitit 1990, nuk i ka lejuar ata të kthehen në atdheun e tyre e të zhvillojnë veprimtarinë e tyre për ndërtimin e shtetit demokratik ashtu siç keni vepruar Ju 18 vjet në Angli. Pikërisht këtu qëndron e keqja.

E keqja është se Shkupi imiton politikën e qendrave antidemokratike që përgatisin skenarë sikur ajo e djeshmja në Banjallukë e në Trebinjë ( Bosnjë e Hercegovinë) dhe Shkupi nuk është Londër. Prandaj edhe popujt që jetojnë në Maqedoni, me politikën aktuale, nuk mund të jenë anglezë. Politika aktuale e Shkupit mendon  se do të mund të Ju mashtrojë edhe Juve siç ka bërë me shqiptarët qysh nga viti 1940 e deri sot.

Mos lejoni të ndodhë ashtu.

            Ju zotëri i çmuar dhe shumë i nderuar, mund të kërkoni nga ekspertët Tuaj që të mësoni çka thoshte  Çerçili dhe të tjerët, pas Luftës Dytë Botërore për njerëzit që mbanin pushtetin në  Jugosllavi, atëherë, e sot mbajnë pushtetin në Shkup.

Mbase zotëri Xhefri Gedmin (VOA-7, maj 2001, 23,ooh.), ka njohuri të hollësishme që Juve mund të Ju shërbejnë të mos nxitoni dhe nga një qëllim shumë fisnik e i  mirë të jepni një deklaratë fyese. Besoj se  deklarata Juaj është e mbështetur në informacionet zyrtare të Shkupit zyrtarë që Juve u premton paqen dhe në anën tjetër nxisin dhe vazhdojnë dhunën dhe luftën.

Mendoj se ju duhet nga shërbimi  adekuat të siguroni informacione për gjendjen reale në Ushtrinë  Çlirimtare Kombëtare,  a kanë vrarë ata ndonjë civil, ndonjë grua apo ndonjë fëmijë  siç bëjnë forcat maqedonase? A kanë djeg ndonjë shtëpi civili…  a kanë thyer ndonjë dyqan të maqedonëve?  Ju me ata mund të flisni në cilën gjuhë që dëshironi, aq më parë kur kërkesat e tyre Ju i dini përmes subjekteve politike shqiptare në Maqedoni. Dallimi është se tani nuk mjaftojnë fjalët e premtimet, por duhet të fillojë zbatimi, realizimi i kërkesave normale njerëzore e demokratike.

 

Maj 2001

Kontrolloni gjithashtu

Prof. dr. Sabit Syla & Prof. dr. Hamit Kaba: DOKUMENTE BRITANIKE PËR DEMONSTRAT E VITIT 1981 NË KOSOVË – X

-112- Për përdorim të kufizuar J C R Gray Esq                                                                                           Ambasada britanike FCO                                                                                                                     Beograd I …