leoni

Dr. Ledion Kristafi: Në fund të dialogut Kosovë-Serbi duhet të arrihet një marrëveshje përfundimtare

Në fund të dialogut Kosovë-Serbi do të ketë një marrëveshje përfundimtare, të paktën kjo është bërë e qartë disa herë nga përfaqësues të lartë të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Gjithashtu është e qartë që marrëveshja përfundimtare do të përfshijë njohjen e Kosovës nga Serbia ose të paktën lejimin e Kosovës që të ketë një vend në OKB dhe njohjen e plotë.

Gjithashtu tashmë duket se është e qartë se nga një marrëveshje e tillë edhe Serbia do të fitojë ‘’diçka’’ në këmbim të asaj që pritet të japë: përkatësisht ose njohjen e pavarësisë së Kosovës, ose të paktën lejimin e Kosovës për të qenë pjesë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe të gjitha organizatave të tjera ndërkombëtare dhe rrjedhimisht dhe njohja nga të gjitha shtetet e botës.

Vetëm në këtë mënyrë Kosova do të bëhet një shtet në kuptimin e mirëfilltë të fjalës. Pa një njohje të tillë, Kosova rrezikon të ngelet në nivelin e një çështjeje gjysmake, si Transdnjistria në Moldavi, Osetia e Jugut dhe Abhazia në Gjeorgji dhe Qiproja e veriut, megjithëse Kosova njihet nga shumë më shumë shtete se sa këto të lartpërmendurat.

Si mund të jetë një marrëveshje përfundimtare dhe pasojat e saj? Duke e marrë të mirëqenë faktin që gjendja e tanishme në marrëdhëniet Kosovë-Serbi nuk mund të vazhdojë dhe nuk do të vazhdojë, skenari i parë është ai i një marrëveshjeje përfundimtare në të cilën Kosova do të njihej prej Serbisë ose të paktën do të lejohej të bëhej pjesë e OKB dhe organizatave të tjera dhe serbët e Kosovës veçanërisht në veri të vendit do të fitonin një autonomi të zgjeruar. Gjithashtu Kisha serbe në Kosovë mund të shndërrohej në një Vatikan të dytë. Ky është një skenar i diskutuar shpesh, veçanërisht version i parë i autonomsë, që do të ishte një vazhdim i Bashkësisë së Komunave Serbe të dakordësuar në Bruksel në 2013 por të pazbatuar në praktikë.

Një marrëveshje e tillë nuk do e zgjidhte problemin e veriut të Kosovës, madje do e përkeqësonte. Sot veriu i Kosovës është praktikisht jashtë kontrollit të qeverisë së Prishtinës dhe duket se në një farë mënyre qeveria në Prishtinë është pajtuar me idenë që ai territor mund të vazhdojë edhe në të ardhmen të jetë përtej kontrollit të Prishtinës.As dialogu në Bruksel dhe as ndikimi i BE-së dhe SHBA-ve nuk ka bërë gjë që të ndryshojë situatën.

Por një marrëveshje që zbaton Bashkësinë e Komunave Serbe ose një formë edhe më autonome, edhe më të zgjeruar të Bashkësisë në kompetenca dhe të drejta, do e përkeqësonte situatën në kuptimin që do e zyrtarizonte dhe institucionalizonte përfundimisht faktin që veriu i Kosovës (Mitrovica e veriut, Leposaviçi, Zubin Potoku dhe Zveçani) janë përtej kontrollit të qeverisë në Prishtinë. Me një marrëveshje të tillë përfundimtare megjithëse Kosova do të fitonte një vend në OKB dhe njohje të plotë ndërkombëtare, ajo do të hiqte dorë përfundimisht nga kontrolli mbi një pjesë të territorit të saj. Një skenar i tillë nuk do të kishte pasoja negative për rajonin, por nuk do të vendoste një paqe përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë, mes shqiptarëve dhe serbëve, pasi edhe në këtë mënyrë veriu i Kosovës mund të shndërrohej në burim problemesh dhe duke pranuar një marrëveshje të tillë Kosova do të zyrtarizonte dhe institucionalizonte praninë dhe ndikimin e Serbisë në Kosovë. Qëllimi duhet të jetë eliminimi i kësaj pranie dhe këtij ndikimi, jo zyrtarizimi.

Skenari i dytë është ai më i përfoluri i javëve të fundit: shkëmbim territoresh, korrigjim kufiri. Në një marrëveshje të tillë Kosova do të përfitonte Preshevën, Bujanovcin dhe ndoshta disa fshatra shqiptare në Medvegjë, ndërkohë nga ana tjetër Serbia do të përfitonte Leposaviçin, Zubin Potokun, Zveçanin dhe ndoshta Mitrovicën e veriut. Pas korrigjimit të kufirit, Serbia do të njihte pavarësinë e Kosovës dhe ndoshta të drejtën e saj për t’u bashkuar me cilindo shtet tjetër në Ballkan. Ky skenar për shqiptarët nuk do të ishte i keq. Shqiptarët do të merrnin përfundimisht luginën e Preshevës dhe kështu do të zgjidhnin përfundimisht çështjen e shqiptarëve në Serbi. Shqiptarët gjithashtu do të merrnin njohjen përfundimtare të shtetësisë së Kosovës dhe rrjedhimisht një vend në OKB. Gjithashtu në këtë mënyrë shqiptarët do të zgjidhnin përfundimisht problemin e veriut të Kosovës, që në vitet e fundit ka treguar se nuk mund të zgjidhet as me bisedime dhe sigurisht as me forcë.

Gjithashtu në një marrëveshje të tillë, shqiptarët do të kishin mundësinë e parë të vërtetë që nga viti 1913 për të ribashkuar në një njësi të vetme politike pjesën më të madhe të tokave shqiptare në Ballkan, nga Konispoli në Preshevë, nëse diçka e tillë do të ishte e pranueshme për Shqipërinë, Kosovën dhe bashkësinë ndërkombëtare dhe të mund të gjendej një format i përshtatshëm për bashkimin e dy shteteve. Një marrëveshje e tillë i hap rrugën bashkimit të mundshëm të Shqipërisë me Kosovën, por edhe nëse kjo nuk është qëllim, një marrëveshje e tillë i hap rrugën të paktën një bashkëpunimi shumë të gjerë politik dhe ekonomik mes Shqipërisë dhe Kosovës, pse jo dhe një bashkimi ekonomik. Vetëm kur të zgjidhen përfundimisht problemet e Kosovës me Serbinë, mundet që Shqipëria dhe Kosova të hyjnë në marrëdhënie të thelluara dhe të gjera politiko-ekonomike.Në të kundërt, faktori dhe ndikimi serb në Kosovë do të jetë gjithmonë kundër këtyre marrëdhënieve Shqipëri-Kosovë.

Nga ana tjetër, një marrëveshje e tillë ka disa probleme dhe rrjedhoja të mundshme negative. Së pari, gati gjysma e serbëve në Kosovë nuk jetojnë në veri të Kosovës, por poshtë lumit Ibër. Duke bërë korrigjimin e kufijve, ngelet një numër i konsiderueshëm serbësh në Kosovë dhe bashkë me ta ngelet dhe problemi me Serbinë dhe ndikimi serb në Kosovë, kështu që megjithëse e zgjidh gjysmën e problemit me veriun e Kosovës, gjysmën tjetër nuk ke mundësi ta zgjidhësh. Një mundësi hipotetike do të ishte shkëmbimi i popullsisë por Kosova duke marrë luginën e Preshevës, nuk ka me kë të shkëmbejë popullsinë serbe. Pra, duket se dhe korrigjimi i kufijve nuk e zgjidh përfundimisht problemin. Në këtë këndvështrim, nëse korrigjimi i kufijve sipas skemës së përmendur më sipër, është ajo çka ka në mendje edhe presidenti serb Aleksandar Vuçiç, duket e pakuptueshme se pse mund të kërkojë diçka të tillë kur nuk e zgjidh përfundimisht problemin shqiptaro-serb në Kosovë.

Një shpjegim ndaj kësaj pakuptueshmërie mund të gjendet në Bosnje Hercegovinë. Një marrëveshje e tillë me korrigjim kufijsh në Ballkan do të krijonte një precedent që mund të përdorej edhe në raste të tjera, veçanërisht në Bosnje-Hercegovinë dhe Maqedoni. Pra, do të kishim atë që quhet ‘’efekti domino’’. Nuk mund të thuhet që diçka e tillë do të ndodhë, por pas një marrëveshje të tillë, do të ketë një justifikim për të ndodhur dhe diku tjetër. Mundësia më e madhe që të ndodhë është në Bosnje-Hercegovinë dhe jo në Maqedoni. Kjo për shkak se në Bosnje dhe Hercegovinë, për shkak të luftës së para dy dhjetë veçarëve, linjat ndarëse mes serbëve, kroatëve dhe boshnjakëve, janë më të dallueshme se linjat ndarëse mes shqiptarëve dhe maqedonasve në Maqedoni. Jo më kot, Milorad Dodik, Presidenti i Republikës Serbe në Bosnje-Hercegovinë është shprehur pro korrigjimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë që sipas tij mund të ndiqej nga ato mes Serbisë dhe Bosnje-Hercegovinës me bashkimin e Republikës Serbe të Bosnje-Hercegovinës me Serbinë. (Dita)

Në këtë mënyrë, permes kësaj marrëveshje, shqiptarët mund të përfitojnë luginën e Preshevës, por nga ana tjetër do i krijojnë një precedent elementit serb në Ballkan për të rritur ndikimin në qendër të Gadishullit.

Në një mënyrë ose tjetër, duhet të ketë një zgjidhje përfundimtare të çështjes së Kosovës. Tashmë në dallim nga dy dekada më parë nuk diskutohet më pavarësia apo shtetësia e Kosovës. As elita politike dhe intelektuale serbe nuk e diskuton më që pavarësia dhe shtetësia e Kosovës është e pakthyeshme. Problemi që kërkon zgjidhje është që pavarësia dhe shtetësia e Kosovës të jetë e plotë me hyrjen në OKB dhe njohjen nga të gjitha shtetet e botës, pasi që tani është një shtetësi gjysmake.Në mënyrë që kjo të arrihet nevojitet një marrëveshje përfundimtare me Serbinë dhe një marrëveshje e tillë nuk arrihet nëse dhe Serbia nuk do të marrë diçka.

Kjo nuk duhet të jetë një tabu. Shqiptarët si në Kosovë dhe në Shqipëri duhet t’i largohen qëndrimeve ekstreme. Për një marrëveshje të tillë, që mund t’i japë fund një konflikti të paktën më shumë se një shekullor, nevojiten kompromise të mëdha. Vazhdimi i status quo-së, edhe në këndvështrimin e zhvillimeve të fundit në politikën ndërkombëtare si politika e jashtme e Donald Trump apo rritja e ndikimit të Rusisë, tregojnë se vazhdimi i gjendjes së tanishme nuk do i sillte asnjë përfitim Kosovës dhe as Serbisë. Gjendja e tashme është pengesë për të ardhmen.

Kontrolloni gjithashtu

Arbanë Qeriqi-Gashi: Fetnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar

Arbanë Qeriqi-Gashi: Fetnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar

F- etnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar, është një …