Skender Demaliaj

Dr. Skënder Demaliaj: Kriminelët serbë janë të lirë, në poste dhe në kolltuqe, kurse luftëtarët e lirisë në burgjet e Hagës

Çfarë padrejtësie!!!… Shqiptarët e Kosovës u ndanë padrejtësisht nga trungu i tyre mëmë, më 1913. Mbetën nën Serbi, më 1945 edhe pse Konferenca e Bujanit vendosi për bashkimin e tyre me Shqipërinë. Iu hoq autonomia, e fituar me gjak e sakrifica në vitin 1974 nga regjimi i Millosheviçit, më 1989. Udhëheqësit e UÇK-së: Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e të tjerë sot janë në burgjet e Hagës, të akuzuar pa fakte e padrejtësisht për vrasje e tortura të serbëve. Aleksandër Vuçiç, ministër i Propagandës së Millosheviçit, është në kolltukun presidencial. Me mburrje, i lumtur deklaron se ia arritëm qëllimit, i dërguam në gjyqin e Hagës udhëheqësit e UÇK-së. E quan fitore të shtetit e të popullit serb. Ivica Daçiç, zëdhënësi i Millosheviçit sot është në kolltukun e kryetarit të Kuvendit të Serbisë. Akuzon e kërcënon udhëheqësit e UÇK-së, luftëtarët e lirisë, por edhe serbët për zbulimin e varrezave masive të shqiptarëve. 1643 vetë janë të pagjetur, varrhumbur.

Historia po përsëritet në Serbi. Ivan Ribar, kryetar i Parlamentit të Jugosllavisë në vitet 1920-1923, kur u dogjën 182 fshatra shqiptare në Kosovë dhe u vranë 40 mijë kosovarë ishte përsëri në krye të Parlamentit të Jugosllavisë dhe nënshkroi vendimin që Kosova dhe Dukagjini t’i bashkohet Serbisë Federale, në gusht të vitit 1945. Në vitet 1998-1999 Aleksandër Vuçiç, Ivan Daçiç, Vojsllav Sheshel, gjeneralë të ushtrisë, të policisë e të sigurimit ishin bashkëpunëtorët më të ngushtë të Millosheviçit në kohën kur u vranë mbi 13 mijë civilë, mbi 1300 fëmijë (në Gjakovë 112 fëmijë), kur u dogjën fshatra e qytete të tëra dhe u dhunuan mbi 10 mijë gra. I vranë i masakruan, i dogjën në furrnalta, si dikur Hitleri, i hodhën në puset e ujit të pijshëm, në gropat e gëlqeres, i torturuan, iu prenë gjymtyrët, i tërhoqën pas makinave. Sot në Kosovë janë 4 mijë invalidë lufte. Human Rights në raportimet e saj në vitin 1999 deklaronte se u dëbuan nga Kosova 862979 shqiptarë etnikë. Ky dëbim u realizua me urdhërin e Beogradit nga ushtria, policia serbe, nga gjithë strukturat shtetarore serbe, me bekimin edhe të Kishës Ortodokse Serbe e të Akademisë së Shkencave të Serbisë. Udhëheqësit e sotëm serbë, të cilët e drejtuan gjenocidin serb ndaj shqiptarëve duhet të jenë në burg. Ka ndodhur e kundërta: nuk janë këta agresorët, vrasësit, por viktimat, shqiptarët liridashës që luftuan për të mbrojtur vendin e tyre, popullin e tyre, jetën e tyre. 2500 djem e vajza nga Kosova dhanë jetën. Derdhën gjakun që në Kosovë të flitet shqip, të mësohet shqip, të këndohet shqip, të valëvitet flamuri shqiptar. Këta dëshmorë e lanë nënën pa djalë e pa vajzë, fëmijën pa babë e pa nënë, motrën pa vëlla, gruan pa burrë që t’i jepet fund torturës serbe në Kosovë. Këta dëshmorë e lanë në mes ëndrrën e tyre për një ideal të madh: për Kosovën e lirë dhe të pavarur. Pa njohjen e përmasave reale të gjenocidit serb në Kosovë dhe pa ndëshkimin e kriminelëve, drejtues dhe pjesëmarrës në këto krime, ndërtimi i urave të bashkëpunimit Kosovë–Serbi është vetëm një iluzion. Nuk ka përse të bisedohet e të dialogohet me Serbinë në këto rrethana. U duhet bërë e qartë kjo edhe Europës, edhe SHBA-së, edhe Serbisë.

Akuzat u ngritën nga prokuroria Serbe, pa fakte, me qëllime të caktuara politike. Për ta paraqitur UÇK-në organizatë terroriste, për t’i paraqitur shqiptarët në Kosovë si terroristë, destabilizues për paqen dhe sigurinë në botë. Për të çbërë pavarësinë e Kosovës, për ta penguar atë drejt rrugës Euroatlantike dhe të Europës. Gënjyen si gjithnjë… E gjithë historia serbe është një gënjeshtër e madhe. E ka pranuar edhe akademiku Dobrica Qosiç, (babai shpirtëror i Millosheviçit) si një formë e patriotizmit serb, një konfirmim i inteligjencës së lindur. Libri i serbëve: “Gjenocidi i shqiptarëve ndaj serbëve në shekullin 20”, me 1200 faqe, i përkthyer në anglisht dhe i shpërndarë në gjithë botën është nga fillimi në fund me të pavërteta, me shpifje e mashtrime. Intrigë e gjallë…

Me qindra oficerë vrasës janë në krye të ushtrisë serbe sot, në organet e policisë e të sigurimit. Janë dekoruar dhe vazhdojnë të dekorohen me motivacionin: “Shembuj të Heroizmit e të Patriotizmit”. Njerëzit e Arkanit, të Sheshelit janë të lirë, të emëruar në strukturat e larta të shtetit serb. Nuk janë të penduar për krimet, përkundrazi krenarë që luftuan “terroristët shqiptarë”, që vranë me mijëra njerëz të pafajshëm. Në vend që të jenë në Hagë, nderohen dhe respektohen, fshihen e nuk dorëzohen edhe kur kërkohet ndonjëri prej tyre. Sheshel vazhdon të bëjë thirrje si më parë: “T’i përzëmë shqiptarët nga Bjeshkët e Nëmuna!” Arkani, dora e zgjatur dhe e sigurt e krimit të Millosheviçit deklaronte se Millosheviçi i zgjoi serbët dhe më zgjoi dhe mua nga gjumi. E ka pranuar edhe vetë Millosheviçi se ai ka zbatuar urdhërat e tij.

Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Ramush Haradinaj, Fatmir Lima e dhjetra të tjerë vuajtën burgjet serbe, kurse sot pas çlirimit të Kosovës po vuajnë edhe burgun në Hagë.

Qeveria shqiptare e Sali Berishës në vitin 2012 nuk duhej ta kishte votuar Rezolutën e Këshillit të Europës, nga ku mori rrugë Gjykata Speciale. Justifikimi se u dakordësuam me Bashkimin Europian, me SHBA-në, me aleatët tanë është i pabazë. Mbi gjithçka është mbrojtja e interesave të popullit shqiptar dhe të kombit shqiptar. Edhe Parlamenti i Kosovës nuk duhet të kishte votuar për ngritjen e Gjykatës Speciale. Ky Parlament po bën edhe një faj tjetër duke mosvotuar ligjin: “Për mbrojtjen e vlerave të Luftës së UÇK-së”. Faktori politik shqiptar në Kosovë duhet të jetë i bashkuar për çështjen kombëtare. Qëndrimrt e pozitës dhe të opozitës në Serbi janë të njëjta, kur është fjala për Kosovën. Qeveria shqiptare që në vitin 1999 duhej të kishte hartuar listën e kriminelëve serbë, t’ia dërgonte INTERPOL-it për t’i kapur dhe për t’i arrestuar, siç ka bërë qeveria serbe gjithë këto vite me shqiptarët e Kosovës.

Lufta e armatosur e UÇK-së është e drejtë, e lavdishme dhe e shenjtë. Ta mbrosh këtë do të thotë të mbrosh Kosovën, popullin e saj, lirinë, pavarësinë dhe të ardhmen e saj.

Sot më tepër se kurrë kërkohet urtësi, durim, mençuri, vendosmëri, guxim, reagim kombëtar, ndërgjegjësim kombëtar dhe bashkim kombëtar.

  1. Përgjegjës i Departamentit të Shkencave Politike në Universitetin “Mesdhetar” të Shqipërisë.

Kontrolloni gjithashtu

Sejdi Veseli

Sejdi Veseli: URANIUMI I VARFËRUAR DHE NDOTËSIT E TJERË RREZIK SERIOZ PËR KOSOVËN

Po mbushen tetë vete të plota nga përfundimi i luftës së armatosur kundër shkelësve të …