Dritan Goxhaj: Kujt i shërben në të vërtetë propaganda e frikës që përdor, Albin Kurti dhe qeveria e tij, në Kosovë!

Gjatë Luftës së Dytë Botërore propaganda e frikës ishte një lloj mashtrimi emocional që u shfrytëzua për të bindur njerëzit të mbronin idealet e luftës. E njëjta propagandë pothuajse ka filluar të bëhët edhe tashti, që dy vjet që ka filluar lufta në Ukrainë. Dhe pothuajse po aq ka edhe qeveria Kurti në Prishtinë që po propagandon një propagandë të tillë të frikës, ku sa herë që kanë mundësi nëpër dalje publike dhe mediatike po deklarohen se Sërbia ka 48 baza ushtarake në kufi me Kosovën dhe se prej tyre do sulmojë Kosovën, Prita që këtë tezë ta ngrinte Kryeministri Kurti edhe aty ku kjo e kish vendin, në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Por jo, nuk ndodhi kështu.

Pikërisht aty ku duhej ta përmendte këtë gjë që nuk lë rast pa e theksuar në çdo dalje të tijën mediatike dhe publike, nuk e përmendi fare në KS të OKB, në përballjen që kishte me Vuçiçin para disa ditësh në këtë institucion ndërkombëtar.

Po përse vallë nuk e përmendi fare këtë gjë?!

Për të kuptuar arsyen na duhet të shohim në brendësi të kësaj deklarate të përsëritur prej tij dhe qeverisë së tij sa herë që i jepet mundësia.

Kurti thotë “ Serbia ka 48 baza ushtarake në kufi me Kosovën”.

Ku dhe si qëndron e vërteta e kësaj deklarate?

Është e vërtetë që Serbia ka 48 pika të ndryshme ushtarake në afërsi të kufirit me Kosovën, por këto pika nuk janë baza ushtarake ashtu si pretendon Kurti.

Ato janë disa pika ushtarake nga të cilat 28 i përkasin ushtrisë serbe, dhe 20 i përkasin xhandarmërisë serbe.

28 Pikat e ushtrisë serbe janë ato që në gjuhën ushtarake të NATO-s njihen si Forward Operational Bases, dhe që në fjalorin e ushtrisë shqiptare njihen si Baza të Përparuara Operacionale.

Një bazë e përparuar operacionale ka kapacitet të mbajë deri në 120 ushtarë, që do të thotë vetëm një kompani.

Ndërsa 20 pikat e xhandarmërisë serbe nuk janë baza operacionale të përparuara por vetëm pika kontrolli sigurie, ose siç njihen ndryshe në kuadër të NATO-s, Security Check Points.

Këto pika sigurie për ndryshim nga ato të ushtrisë kanë kapacitet të mbajnë vetëm 30 veta, dmth vetëm një togë ushtarësh.

Por në realitet sa është sasia e forcave të vendosura në këto pika?

Aktualisht këto pika të avancuara të ushtrisë mbulohen nga Batalioni i 41 dhe 42 të këmbësorisë të vendosura në Bazën Ushtararake në Bujanoc, në atë që njihet si baza e Cepotinjës.

Si dhe nga Batalioni i 21 i Këmbësorisë i vendosur në Rashkë.

Ndërsa të gjitha pikat e Xhandarmërisë në kufi me Kosovën mbulohen nga Detashmenti i Xhabdarmërisë me bazë në Nish dhe nga ai me bazë në Kraljevo. Ky detashment ka madhësinë e një batalioni.

Dhe një batalion i ushtrisë serbe në organikë ka 680 veta personel, nga të cilët vetëm 340 janë ushtarë, pjesa tjetër janë oficerë dhe nën/oficerë.

Dy batalionet e ushtrisë serbe të vendosura në bazën ushtarake në Bujanoc, ku duhet theksuar se ajo është me të vërtetë bazë ushtarake, nuk janë në organik të plotë.

Këtë gjë e vërteton fakti se baza e Bujanocit ka kapacitet vetëm për 1000 veta. Por këto dy batalione sëbashku po të kishin organikë të plotë duhej të bënin – 680 x 2 = 1360 veta.

Në realitet këto dy batalione kanë vetëm nga 350-380 veta personel.

Dhe nga ky personel qëndron në këto pika të avancuara vetëm nga 12 veta, pra vetëm një skuadër pushkatarësh.

Ndërsa batalioni i xhandarmërisë serbe, për ndryshim nga ato të ushtrisë është në kapacitetin e tij të plotë, me 680 veta personel. Aktualisht serbia ka vetëm 3000 forca xhandarmërie, dhe këto janë të ndara në katër batalione dhe të vendosura, një në Beograd ku është edhe komanda e kësaj force, një në Novi Sad, dhe dy të tjerat në Nish dhe në Kraljevo.

Dhe nga dy batalionet e vendosura në Nish dhe Kraljevo bëhet furnizimi i këtyre pikave të sigurisë, ku edhe në to aktualisht nuk janë më shumë se 12 veta të përqëndruar, që do të thotë një skuadër.

Po ku janë të vendosura këto pika ( baza të përparuara operacionale)?

Aktualisht këto pika fillojnë nga kufiri trekëndësh midis Kosovës, Serbisë dhe Maqedonisë dhe shtrihen përgjatë kufirit me Kosovën në një distancë prej 500m deri në 1.5km, deri në pjesën e kufirit që kufizohet me Leposaviçin.

26 Prej tyre shtrihen në pjesën përballë Gjilanit, që do të thotë se ndodhen përballë forcave amerikane, pasi ato e kanë nën kontroll këtë zonë.

Ndërsa 7 pika të tjera shtrihen në zonën përballë Prishtinës dhe deri në Podujevë, përfshi edhe territorin përballë Podujevës. Ndërsa 12 të fundit shtrihen nga zona përballë Mitrovicës e deri në Leposaviç.

Ashtu siç edhe shihet pjesa më e madhe e këtyre pikave ndodhet në pjesën e poshtme të Kosovës dhe kryesisht janë pika të ndërtuara gjatë dhe që nga mbarimi i luftës në Preshëvë Medvegjë e Bujanoc.

Gjith sasia e këtyre forcave në këto pika në çdo kohë arrin në 576 forca, afërsisht sa një batalion.

Dhe në rast se mendoni se më një batalion Serbia do sulmojë Kosovën, dhe për më tepër forcat amerikane që ndodhen në pjesën më të madhe të përqëndrimit të këtyre pikave, atëherë vërtet duhet të keni probleme të mëdha mendore.

Ndoshta do thoni se Serbia në çdo kohë do çonte trupa në këto baza të përparuara.

Po, ajo mund ti zhvendosi trupat e saj, por asnjëherë pa u vënë re nga NATO dhe veçanërisht amerikanët, të cilët i kanë gjatë gjithë kohës nën monitorim këto forca, dhe sidomos bazën ushtarake të Cepotinjës në Bujanoc.

Ashtu siç edhe shihet këto “baza” që nuk le rast pa i cekur Kurti nuk mund ti përmendte edhe në KS të OKB-së, pasi ai e di shumë mirë që ato nuk janë baza në kuptimin që ai i përdor për arsye propagndistike sa herë që mundet.

Apo këta populistët gjithnjëë kanë nevojë për armiq për të mbajtur pushtetin, ndaj edhe në këtë vazhdë shpikin edhe atentate dhe plane për “eleminimin” e tyre, si ai i para do ditëve, të cilin e demantoi Ministria e Brendshme e Maqedonisë me deklaratë zyrtare.

E gjithë kjo më sjell në mendje Shqipërinë e kohës së regjimit të Partisë së Punës.

Nga 1948 e deri në fund të viteve 60 kur ishim pjesë e Traktatit të Varshavës mbizotëronte propaganda e frikës së do na sulmonte NATO.

Kur dolëm nga ky traktat dhe për nja dy vite e pamë se askush nuk e vuri ujin në zjarr për të sulmuar, atëherë për të mbajtur pushtetin u detyruan të shpikin armiqtë e brendëshëm, derisa i vranë të gjithë heronjtë e luftës.

Tashmë Kurtit nuk i kanë mbetur armiq të brendshëm, pasi ata ja hoqi qafe komuniteti ndërkombëtar me anë të Gjykatës Speciale, ndaj edhe tashti me çdo kusht është kapur për armiqtë  e jashtëm.

Jo se serbët i kemi miq, por ama nuk janë më ata armiqtë që mund të na sulmojnë sërish me forca ushtarake nga këto “Baza” në kufi me Kosovën.

Por ajo që më shqetëson në gjithë këtë lojë, është se kujt i shërben në të vërtetë kjo propaganda e frikës që përdor Kurti dhe qeveria e tij në Kosovë!

Tiranë, 13 Shkurt 2024

Kontrolloni gjithashtu

Takime vëllazërore me shqiptarët e Kroacisë

Kryetari i Nderit i Rrjetit Global të Bizneseve të Diasporës Shqiptare, njëherit dhe Anëtar i …