E kaluara nacionaliste dhe shoviniste e Serbisë nuk u varros dot me Milosheviqin, përkundrazi…

 


Nderimet lamtumirës që i janë bërë Slobodan Milosheviqit në Beograd nga qindra mijëra serbë, përkrahja e qetë e dhembja që kanë shfaqur shumë të tjerë për vdekjen e tij, telegramet e ngushëllimit, që iu dërguan familjes së tij nga kreu shtetëror dhe qeveritar i Serbisë, mosgatishmëria e Qeverisë së Koshtunicës për t’ ia dorëzuar Hagës kriminelët: Ratko Mladiq dhe Radovan Karaxhiq, shëtitja lirshëm nëpër Serbi e mijëra kriminelëve, që janë përgjegjës për 300.000 viktima të luftës në republikat e ish-Jugosllavisë së AVNOJ-it dhe në Kosovë me rastin e shpërbërjes së saj, qasja aktualisht e njëjtë hegjemoniste dhe ekspansioniste ndaj Kosovës, janë tregues të mjaftueshëm për t’u bindur se me varrimin e Milosheviqit nuk u varros dot e kaluara e Serbisë, përkundrazi në mentalitetin mitik, militarist dhe kolonialist të serbëve po restaurohet dhe po konservohet edhe më tutje po ai mentalitet, pa asnjë ndryshim esencial.
Se nuk ka ndërruar asgjë esenciale në Serbinë militariste pas rënies së regjimit të Milosheviqit flasin shumë e shumë fakte. Në radhë të parë qëndrimi i Serbisë ndaj çështjes së Kosovës ka mbetur i njëjtë, në mos edhe më i rrezikshëm. Qëndrimi i Kishës serbe ka mbetur krejtësisht i pandryshueshëm, qëndrim i tërbuar, ekskluziv dhe antishqiptar. Serbët në pjesën e okupuar të Mitrovicës kanë demonstruar faqe botës disponimin e tyre fashist kundër shqiptarëve. Ata kanë kërkuar marshimin në Kosovë të forcave kriminale, që janë përgjegjës për dhjetëra mijëra krime kundër civilëve shqiptarë. Një pjesë syresh ka marrë pjesë në varrimin e “vozhdit” Milosheviq, i cili vdiq në Hagë, ndërsa u varros me nderime të jashtëzakonshme në vendlindjen e tij, në Pozharevc.
Komisari për Zgjerim i BE-së Oli Ren, duke komentuar pjesëmarrjen masive të serbëve në përcjelljen e kufomës së Milosheviqit, ka deklaruar se Serbia duhet patjetër të ballafaqohet me të kaluarën, sepse të gjitha luftërat Milosheviqi i ka bërë në emër të Serbisë.
Asgjë nuk ka ndërruar në Serbi pas rënies së regjimit të Milosheviqit. Ndërrimet që janë bërë sa për sy e faqe kanë ndodhur përballë presionit amerikan. Opinioni i informuar mirë në botë e di se forcat radikale fashiste të Sheshelit kanë shumicën e votave në parlament. E di po ashtu se Partisë Socialiste të Serbisë iu vodhën votat, me qëllim për të fituar domosdo koalicioni i sotëm qeveritar i vetë quajtur demokratik, për shkaqe të vetëkuptueshme.
I vetmi ndryshim që vërehet në Serbi është “nënshtrimi” nga presioni ndërkombëtar dhe frika nga sanksionet. Nën trysninë e tillë, serbët janë detyruar të ulen në një tavolinë dhe të bisedojnë me shqiptarët për çështjen e Kosovës, duke qenë të bindur se megjithatë do të fitojnë diçka, edhe pse në qershor të vitit 1999 kishin humbur gjithçka. Anëtarët e ekipit negociator serb ende mundohen të dirigjojnë se, cili në mesin e shqiptarëve duhet të jetë në ekipin negociator, e cili jo. Serbët nuk protestuan kur u postua kryeministër Bajram Rexhepi, as më vonë Bajram Kosumi, por protestuan me rastin e zgjedhjes kryeministër të Agim Çekut. Ata po ashtu protestuan për shkak të zgjedhjes së Hashim Thaçit, kryesues i ekipit negociator në takimin e Vjenës. Nuk kemi të bëjmë këtu vetëm me taktizime nga ana e Beogradit, por me qëndrime të mirëfillta antishqiptare dhe me pretendime të hapura për të shantazhuar procesin dhe për të imponuar një zgjidhje gjysmake për statusin e ardhshëm të Kosovës.
Serbia militariste, hegjemoniste e kolonialiste tashmë është pjesë e pandashme e mentalitetit serb, madje edhe e të rinjve serbë. Të edukuar në frymën e një patriotizmi mitologjik, të mbetur rob të mitomanisë dhe historisë së gënjeshtrave për të kaluarën, të prirë nga nacionalizmi primitiv për Serbinë e madhe, e cila sipas tyre shtrihet prej Vjenës në Stamboll, serbët kurrsesi nuk po arrijnë ta kuptojnë realitetin, sepse në Serbi nuk ka forca të mjaftueshme përparimtare dhe demokratike, të cilat do të angazhoheshin për një Serbi reale, tokësore, për një Serbi autentike dhe etnike, e cila shtrihet prej Nishit deri në Beograd, ashtu sikurse ka qenë në kohën e Baba Dovletit. Vetëm kur Serbisë t’ i ndahet Mali i Zi, Sanxhaku e Peshteri, kur t’ i hiqet Vojvodina dhe krahina e Timokut, atëherë serbët do të zgjohen nga ëndrra e tyre mitologjike, që ka zgjatur qysh prej vitit 1389. Vetëm atëherë do të mund të thuhej se ka vdekur e kaluara militariste, hegjemoniste e vrastare e Serbisë. Dhe, deri atëherë është iluzore të besohet se ka ndërrime pozitive, emancipuese e afirmative në Serbi. Kjo u rikonfirmua sidomos me rastin e varrosjes së kufomës së Milosheviqit. Serbia nuk mund të çlirohet kurrë nga e kaluara morbide e saj, po nuk e detyruan përdhunisht të çlirohet nga ankthi histerik i së kaluarës së trishtueshme e djallëzore. Ahmet Qeriqi

Kontrolloni gjithashtu

Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës e lëshojnë sallën e Kuvendit, nuk marrin pjesë në votime

Në Kuvendin e Kosovës. në mungesë të kuorumit, ka dështuar të themelohet komisioni hetimor për kontratat njëburimore

Në mungesë të kuorumit, ka dështuar të themelohet komisioni hetimor për kontratat njëburimore, pasi deputetët …