Epilogu i pritur tragjikomik i një Kuvendi

 


Të çarat e para dhe të pariparueshme në Lidhjen Demokratike të Kosovës, filluan qysh në kohën kur ishte gjallë Ibrahim Rugova, kryetari i parë dhe i vetmi i kësaj partie për 16 vjet. Ndërkohë, fillet e përçarjes u sheshuan që në ditën e vdekjes së Rugovës, me rastin e shpalljes së ditëve të zisë për të. Më vonë, duke qenë se partia kishte mbetur pa kryetar, ajo nga radhët e veta nxori kandidatin për kryetar të Kosovës, por jo edhe kryetarin e partisë. Ambiciet për pushtet, për poste dobiprurëse, përfitime nga tenderët, dhe ambicie të tjera të sëmura, për të ngelur gjithnjë në radhën e parë, dolën sheshit në teatrin tragjikomik, që u luajt me orë të tëra para publikut shikues, në sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë. Kohavizioni ka meritë që incizoi këtë teatër tragjikomik, i cili shënon edhe fundin e LDK-së rugoviane dhe fillimin e rirreshtimit të ri të elektoratit të kësaj partie në kushte dhe rrethana të reja, mbase pa bagazhin arkaik, bajraktar, autarkik e patriarkal.

Rrjedha e Kuvendit të Gjashtë Zgjedhor të LDK-së, mbajtur më 9 dhjetor 2006 shënoi shpërthimin e parë, shkizmën e madhe që pritej të ndodhte, meqë problemet e mprehura brenda kësaj partie për shumë kohë ishin restauruar, ishin konservuar e fshehur me qëllim për ta ruajtur tërësinë dhe shumicën e elektoratit. Mirëpo ja që erdhi koha kur kontradiktat e shumta të brendshme të kësaj partie dolën në sipërfaqe, madje dolën në formën më të keqe, groteske, madje në formën më antidemokratike të mundshme, në stilin më të keq për një lëvizje që ka mbijetuar me vetëlavdërime e fjalë të mëdha për paqe, tolerancë, besim mirëkuptim e të tjera.
Dhe, në Kuvendin e fundit zgjedhor të kësaj partie u pa mirë se cili ishte niveli i “kulturës së tolerancës” së këtyre njerëzve. Në të vërtetë u pa etja e pashuar e këtyre njerëzve për pushtet, lufta për të dominuar me çdo kusht, lufta për të mbijetuar përgjithmonë në të njëjtin post, sepse kështu kishte dhënë shembullin personal, vetë Ibrahim Rugova. Dhe rugovistët bënë gara virulente për ta paraqitur vetveten e tyre si trashëgimtarë ideologjikë, por edhe nostalgjikë të Rugovës, jo sepse e duan aq shumë Rugovën këta ithtarë fanatikë, por sepse secili në vetveten e vet e sheh Rugovën e madh apo të vogël, e nuhat praktikën e tij jetësore, për të mos u shqitur kurrë nga posti, sepse Rugova, me shembullin e tij kështu i kishte mësuar nxënësit besnikë, fanatikët partiakë, që më lehtë e japin kokën se postin. Kjo u pa ashiqare.

Një delegat në Kuvend citoi një fjalë të urtë e cila thotë, “se kush mbjell erë korrë furtunë”. Në të vërtetë era e duhma e tillë e mbjellë në LDK, nuk është e kohës së fundit, ajo është mbjellë që në themelim, sepse këtë parti e themeluan shumë nga ata që i kishin shërbyer me tërë qenien okupatorëve jugosllavë, sepse kjo parti në radhët e veta i pranonte të gjithë, si bashkëpunëtorët e UDB-së ashtu edhe ish të përndjekurit. Ishte një kazan i madh ku zihej gjithçka, për qëllime të përfitimeve nga politika, jo për qëllime të çlirimit nga robëria, sepse kur erdhi puna për të luftuar, shumica dërrmuese e delegatëve të djeshëm, kishin ikur me gratë e nuset e tyre në Stankovec dhe në Kukës, në Romë e në Berlin e kudo nëpër botë. Disa nga ata të degëve të perëndimit, nuk e kishin prishur fare rehatinë e tyre, por kishin thithur në të gjitha fondet që buronin në emër të çlirimit të Kosovës.

E mjerë u tregua LDK-ja në Kuvendin e saj të Gjashtë Zgjedhor, madje më e mjerë sesa kanë menduar kritikët dhe dashakeqësit e kësaj partie. Sepse si të mos duket e mjerë një parti, e cila nuk ka guxim të ndahet qetë, dhe e cila ka aq burra trima sa rrahën e copëtohen me grushte. Ndarja në këtë rast i frikëson të gjithë, sepse në zgjedhje mund të fitojnë forca të tjera, dhe humbjen në zgjedhje, LDK-ja nuk e honeps dot. Ajo është mësuar që gjithnjë të jetë në pozitë dhe nuk e mendon dot veten në opozitë. Dhe pikërisht për këtë rrahën me grushte shahen e fyhen mes veti delegatët e kësaj partie, meqë demokracia sipas tyre është përkufizuar me maksimën “krejt ose hiq”.
Në këtë rrugë të rrezikshme për të qëndruar në krye denbabaden kjo parti po plaket, po stërkeqet. Në kreun e partisë nuk ka të rinj nën moshën 30 vjeçare, ka një numër tepër të vogël të femrave, ka një shumicë pleq senilë, shërbëtorë të gjitha regjimeve të kaluara, që nuk shqiten dot nga kreu i partisë, nuk largohen me asnjë çmim. Ky është ai çimentimi bajraktar, vulgar dhe i papërgjegjshëm i kësaj partie, e cila kurrsesi nuk mund të reformohet, nuk mund të modernizohet, sepse në mendjet e anëtarëve të kësaj partie ende dominon mentaliteti i robit, mentaliteti i krahinës dhe i bajrakut, mentaliteti i komunës dhe i fisit, mentaliteti i familjarizimit e nepotizmit. Mjerisht një gjendje e tillë është e pranishme edhe nëpër partitë e tjera të Kosovës, ku më shumë e ku më pak.

Kuvendi i Gjashtë Zgjedhor i LDK-së shënoi përçarjen definitive të elektoratit, duke i dhënë fund përgjithmonë praktikës së deritanishme të organizimit dhe funksionimit. Ndarja në dysh tashmë ka ndodhur. Krahu “humbës” është po ashtu i fortë dhe ka pjesën më virulente të elektoratit. Daci i vetëshpallur i pagabueshëm, me një “logjikë të stisur të shkencëtarit”, me siguri se do të shpik, në mos ndonjë formulë kimike, atëherë ndonjë parti të “pagabueshme” politike.
Zezona që plasi në LDK në momentin më të vështirë politik nëpër të cilin po kalon vendi ynë, tregoi se anëtarët dhe udhëheqësit e LDK-së, shumica prej tyre, më shumë e duan partinë, më shumë i duan postet e përfitimet sesa Kosovën. Ahmet Qeriqi

Kontrolloni gjithashtu

Fidaim Lushi: Në kujtim të Flakadanit të Lirisë, atdhetarit, veprimtarit dhe ish-burgosurit politik të vitit 1981, Remzi Lushi (15.02.1961 - 20.04.2017)

Fidaim Lushi: Në kujtim të Flakadanit të Lirisë, atdhetarit, veprimtarit dhe ish-burgosurit politik të vitit 1981, Remzi Lushi (15.02.1961 – 20.04.2017)

Me 20 prill bëhen shtatë vite nga ikja e vëllait Remzi nga kjo botë. Gjithmonë …