Gjergj Kastrioti-Skënderbeu

Evropa kërkon që Gjergj Kastriotit, t’ ia heqim Skënderbeun, ndërsa Azia kërkon që Skënderbeut t’ ia heqim, Gjergj Kastriotin

Përpjekjet për përvetësimin, apo shkarravitjen e personaliteteve historike, për lakimin e emrave të tyre sipas shijes dhe bindjeve politike e ideologjike, përpjekjet për ta paraqitur Gjergj Kastriotin, Skënderbeun, kryqtar, sikur bën, Vilgjil Kule, apo tregtar kuajsh e pelash sikur pretendon, gjermani sllavist, Shmidt, apo turk-vrasës, sikur etiketon ndonjë islamist frik i konvertuar, përpjekjet për ta paraqitur si mbrojtës të krishterimit, apo përpjekjet për t’ ia mohuar origjinën shqiptare, sikur bëjnë grekët e serbët, të gjitha këto tok tregojnë një të vërtetë të pa mohueshme, se Skënderbeu ishte dhe po mbetet  personalitet madhor, vështirë i kapshëm, apo i lakueshëm  për të qenë i këtillë apo i  atillë, sipas bindjeve e interesave ideologjike e fetare të individëve,  apo klaneve të caktuara.

Evropa kërkon nga ne që Gjergj Kastriotit, t’ ia heqim Skënderbeun, ndërsa Azia kërkon që Skënderbeut t’ ia heqim, Gjergj Kastriotin. Ne, shqiptarët që jemi edukuar në frymën, “skëndebegiane e ademjashariane” as për hir të Evropës, as për hir të Azisë nuk do ta vëmë në dilemë ADN-në tonë kombëtare, Gjergj Kastriotin-Skënderbeun. Pa çka se do të mbesim keq për Evropën,  apo për Azinë.

Gjergj Kastrioti, i njohur ndër shqiptarë dhe kudo në botë si, Skënderbeu, ka qenë dhe po mbetet  shqiptari më i madh, më i njohur dhe me fuqinë më unifikuese  i të gjitha kohëve, gjatë tërë historisë sonë prej kohës së tij e deri sot. Pavarësisht përpjekjeve që janë bërë dhe po bëhen për t’ ia ulur vlerën, për ta deformuar kohën dhe qëndresën e tij, për ta përvetësuar nga fqinjët, për ta damkosur nga një taraf shqip-shkruesish, për ta paraqitur si mbrojtës së krishterimit dhe kundërshtar të islamit, e vërteta për Gjergj Kastriotin, Skënderbeun kurrë nuk mund të zhbëhet as të përvetësohet.

Kthimi i tij në Krujë më 1443, nuk kishte të bënte me fenë, por me Atdheun e pushtuar, të cilit i doli zot si askush tjetër në Ballkan, apo në Evropën e asaj kohe që jetonte me tmerr e zi nga invadimi virulent i Perandorisë Osmane. Ai për herë të parë në historinë e principatave, e princërve shqiptarë që ia hanin kokën njëri tjetrit  duke u shërbyer herë Romës, herë  Bizantit e herë Turqisë; edhe pse me mund, arriti t’ i bashkojë dhe arriti të krijojë bërthamën e fuqishme të rezistencës, për të cilën di Turqia dhe tërë bota.

Qëndresa e tij, përballja e suksesshme kundër Perandorisë, të cilës i kishte shërbyer për shumë vite, por ajo nuk ia kishte realizuar premtimin, strategjia ushtarake e politike, vendosen bërthamën e  Arbërisë, e cila pas vdekjes së tij, më 17 janar 1468, kishte filluar të  quhej edhe Shqipëri, sepse ai kishte luftuar me flamurin që kishte shqiponjën dykrenore në mes. Prej asaj kohe fjala “shqiponjë” prodhoi emrin sinonim kombëtar, shqiptar, me të cilin ata  identifikoheshin për veten e tyre, pavarësisht se të huajt kurrë nuk e njohën as e njohin këtë emër. Ata na kanë quajtur dhe na quajnë në bazë të emrin arbër, nga qyteti Albanoi, Albanopolis, që del i shënuar edhe në hartën e Ptolomeut, qysh në shekullin e dytë.

Gjergj Kastrioti nëpër shekuj u bë burim frymëzimi i rezistencës jo vetëm për arbërit-shqiptarët por edhe për të gjithë popujt e Evropës. Nuk ka vend në Evropë ku nuk është shkruar apo nuk është përkthyer të paktën një vepër për të. Personaliteti i Skënderbeut radhitet në mesin e ushtarakëve e strategëve më të njohur të botës.

Përpjekjet për përvetësimin, apo shkarravitjen e personaliteteve historike, për lakimin e emrave të tyre sipas shijes dhe bindjes politike e ideologjike, përpjekjet për ta paraqitur Gjergj Kastriotin, Skënderbeun, kryqtar, sikur bën, Vilgjil Kule, apo tregtar kuajsh e pelash sikur pretendon, gjermani sllavist, Shmidt, apo turk-vrasës, sikur etiketon ndonjë islamist frik i konvertuar, përpjekjet për ta paraqitur si mbrojtës të krishterimit, apo përpjekjet për t’ ia mohuar origjinën shqiptare, sikur bëjnë grekët e serbët, të gjitha këto tok tregojnë një të vërtetë të pa mohueshme, se Skënderbeu ishte dhe po mbetet  personalitet madhor, vështirë i kapshëm, apo i lakueshëm  për të qenë i këtillë apo i  atillë, sipas bindjeve e interesave ideologjike e fetare të individëve,  apo klaneve të caktuara.

Është vështirë të vërtetohet, duke u mbështetur në dokumente reale historike se Ai ishte kryqtar, apo mbrojtës i krishterimit, meqë nuk luftoi për ta mbrojtur varrin e Jezusit në Palestinë, as ndërmori ndonjë ekspeditë për ta rimarrë Konstandinopolisin nga turqit, as pati nevojë të shkojë e ta mbrojë Vatikanin e rrezikuar nga Mehmed Pushtuesi.

Gjergj Kastrioti  ishte dhe gjatë tërë jetës së tij mbeti,  një shqiptar, një gjeneral dhe strateg lufte, i cili mbi të gjitha e deshi Atdheun, tokat e të parëve, njerëzit e fisit, të gjuhës, të gjakut. Atdheu i lirë ishte synimi i tij jetësor, bashkimi i shqiptarëve nën këtë ide ishte jo vetëm synimi, por edhe realizimi i atij synimi për afër 25 vjet.

Si rast i tillë, unikat në historinë tonë kombëtare, ideja dhe porositë e tij u rishfaqën  në të gjitha periudhat e Lëvizjeve tona për liri, kundër të huajve  nga Lindja e Perëndimi dhe në këtë segment, Ai mbeti strumbullari i ADN-së kombëtare të shqiptarëve, pa dallim feje, krahine apo ideologjie.

I trajtuar nga turqit si “tradhtar”, atij iu vulos fati për të qenë i ndjekur dhe për ta zbrazur mbi të dhe luftëtarët e tij tërë zemërimin e një Perandorie shumë të fuqishme, që shtrihej gjerë e gjatë mbi tri kontinente.  I trajtuar nga Venediku dhe Vatikani si një rival, që po e rrezikonte dominimin e tyre tregtar  në Shqipëri, ai nuk e mori bekimin e Evropës për së gjalli. Vetëm pas vdekjes, pasi Sulltan Sylejmani mbante nën rrethim Vjenën, Romën, Vatikanin, Barcelonën e shumë qytete të tjera të Evropës dhe kishte pushtuar krejt Ballkanin dhe Evropën Lindore, bota e krishterë ishte kujtuar për kalorësin e famshëm, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, për të cilin u shkruan sa e sa libra, drama, poezi madje edhe opera.

Gjergj Kastrioti-Skënderbeu

Emri mysliman, Skënderbe,  nuk iu hoq kurrë nga shkrimtarët evropianë, me qëllim për t’ ia kujtuar edhe 20 vitet në shërbim të Sulltanëve të Turqisë, shërbim të cilin Evropa nuk ia fali as po ia fal, sepse ajo do ta donte një Gjergj Kastriot, si Riçard Zemërluani i famshëm i kryqëzatave, që kishte vrarë e masakruar mijëra myslimanë e hebraikë, gra e fëmijë dhe që nuk ishte vrarë në luftë kundër ushtarëve të  Salaudin Ejubiut, por kishte vulosur jetën në një gjiriz ujërash të zeza, duke ikur nga Palestina. I tillë ishte Zemërluani, por kurrë nuk mund të kishte qenë si Skënderbeu. Ai nuk kishte asnjë synim ta mbronte Evropën as krishterimin, sepse në këtë ide nuk e ndihmoi as Evropa e kohës as edhe fqinjët tanë të dhunshëm, grekët e shkulur e serbët e shurrosur të kohës.

Evropës së kohës,  kur ishte e rrethuar nga të gjitha anët me çallmat e turqve, luftërat e Gjergj Kastrioti iu shërbenin për frymëzim, për t’ iu dhënë zemër princërve të shumtë, të teletisur  me tituj, dekorata e armë të praruara në ar e serm, por  që u dridhen para pashallarëve turq, përplot  500 vjet.

Skënderbeu nuk luftoi për çlirimin e Evropës, por për çlirimin dhe bashkimin e shqiptarëve, të cilët nuk e duronin pushtimin, me të cilin aq lehtë u pajtuan sllavët e grekët, që pasi pranuan skllavërinë e përkuljen morën bekimin e Sulltanit, të cilit pastaj  i bënin temena, ia puthnin jo dorën, por këmbët e qyrkun e gjatë, i cili me siguri se duhet të ketë qenë i pastër. Ashtu më vonë bënë edhe shumë vezirë shqiptarë që luftuan për interesat e Perandorisë.

Skënderbeu qëndroi mes Azisë dhe Evropës, Ai qëndroi vertikalisht, duke i treguar botës në Lindje dhe në Perëndim se derisa nuk vdes ideali për liri, nuk vdes populli, kombi as Atdheu, pavarësisht se me çfarë force do të përballej. Ai e tregoi me vepër, e tregoi me dhjetëra beteja të fituara, në të cilat pati mbështetjen morale të Evropës e të Vatikanit, por jo të ushtarëve e princave trima të Evropës, të cilëve frika nga Turqit iu kishte hyrë në palcë të qenies së tyre. Ajo ndihmë simbolike që i dërgoi Roma, Vatikani apo Venediku, nuk është për t’ u përmendur seriozisht, as pir hir të kësaj Evropës së djeshme të Gjergj Fishtës, apo kësaj të sotmes të BE-së të Ramës e Thaçit,  sepse ishte një ndihmë po thuajse e papërfillshme.  Kjo dihet botërisht. Janë sa e sa dokumente të kohës, në gjuhën latine e turke,  që flasin për këto relacione, për këto hiq ndihma në krahasim me nevojat që Ai pati.

Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, heroi kombëtar dhe personaliteti më i njohur i Shqipërisë

Ata që sot marrin turrin, që për hir të integrimit në Evropë ta paraqesin  Gjergj Kastriotin si kryqtar, bëjnë përpjekje për ta kryqëzuar, për së vdekuri,  për t’ i ndarë shqiptarët në pikëpamje feje, për ta paraqitur pjesën shqiptare, islame, si turke e arabe dhe pjesën krishtere si ushtarë të Krishtit, sipas shijes së dikurshme së Papa Inoçentit, që dërgoi drejt vdekjes të tmerrshme, (në dy nga 12 kryqëzatat) 16.000 mijë fëmijë të krishterë  nga vendet e Evropës, prej moshës 12 deri në 16 vjet për ta çliruar varrin e Krishtit, “meqë ata ende nuk kishin rënë në mëkat sikur baballarët e tyre”. Ata ishin kryqtarët dhe jo Skënderbeu. Ai nuk vrau asnjë fëmijë turk, nuk çnderoi as një femër turke, por luftoi në mbrojtje të fëmijëve, grave e burrave shqiptarë dhe i mbrojti për mrekulli, jo me lutje drejtuar Krishtit, as Muhamedit, jo me hipokrizi e tradhti sikur princat e Evropës, por me trimëri e burrëri si trimat e Arbrit. Ushtarët e tij  jo rastësisht u krahasuan me shqiponjat.

Përpjekjet për ta luhatur nga memoria dhe ndërgjegjja e formuar kombëtare, personalitetin e Skënderbeut, nuk patën as nuk do të kenë sukses. Pseudo historianët, papagajtë e politikave të ditës, mjeranët e analistët e vetëshpallur, të gjithë ata që duan të fërkohen me Skënderbeun, janë djegur dhe do të digjen, sepse dielli nuk mbulohet me shoshë, sepse nuk mund të ndërrohet historia e një kombi për hatër të një politikani të ditës, për hir të Brukselit, as për hir të Stambollit. Gjergj Kastrioti-Skënderbeu është trinia kombëtare shqiptare, është kulti që bashkon Komb, Fe, Gjuhë, Atdhe dhe që nuk trandet dot nga plehrat e mbetjet romane, bizantine, turke, greke, sllave, serbe, cincare, bullgare  apo evropiane.

Evropa kërkon nga ne që Gjergj Kastriotit, t’ ia heqim Skënderbeun, ndërsa Azia kërkon që Skënderbeut t’ ia heqim, Gjergj Kastriotin. Ne, shqiptarët që jemi edukuar në frymën “skëndebegiane e ademjashariane” as për hir të Evropës, as për hir të Azisë nuk do ta vëmë në dilemë ADN-në tonë kombëtare, Gjergj Kastriotin-Skënderbeun. Pa çka se do të mbesim keq për Evropën  apo për Azinë.

 

(Ahmet Qeriqi)

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …