driloni com
vipa
AKP
Fillimi / Opinione / F. Shkreli: A ka të drejtë kryetari, Trump, kur thotë se vendet e NATO-s nuk paguajnë sa duhet për mbrojtjen e përbashkët?
Frank Shkreli

F. Shkreli: A ka të drejtë kryetari, Trump, kur thotë se vendet e NATO-s nuk paguajnë sa duhet për mbrojtjen e përbashkët?

Aleanca e NATO-s po zhvillon punimet e nivelit të lartë në Bruksel. Si zakonisht, në një takim të tillë, diskutohen çështje dhe sfida me të cilat përballet Aleanca e Atlantikut Verior, sidomos në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes, por edhe çështje të tjera që kanë të bëjnë me zhvillimet brenda aleancës si dhe me operacionet e saj në përgjithësi. Mirëpo, duket se mbledhja e nivelit të lartë e NATO-s në Bruksel dje dhe sot, po dominohet nga ankesa e Presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump se vendet anëtare të Aleancës Perëndimore nuk po shpenzojnë sa duhet për sigurinë e përbashkët dhe u ka kërkuar atyre që të rrisin kontributet e tyre ndaj aleancës.

Në takimin fillestar të mërkurën me Presidentin Trump, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Gjenerali Jens Stoltenberg i shprehi mirëseardhjen udhëheqsit amerikan në kryeqendrën e NATO-s duke thënë se në takimin e nivelit të lartë në Bruksel do të preken shumë çështje me rëndësi, ndër to edhe shpenzimet për mbrojtje.  Uhdëheqsi i NATO-s shtoi se, “Të gjithë ne jemi dakort se duhet të bëjmë më shumë në këtë fushë”, duke i thënë presidentit Trump se, “Jam dakort me ju se duhet të sigurojmë që aleatët të investojnë më shumë në këtë fushë”, është shprehur Stoltenberg. Ai deklaroi gjithashtu se lajmi i mirë është se të gjithë aleatët kanë filluar të investojnë më shumë për mbrojtje.  Z. Stoltenberg iu drejtua Presidentit Trump duke thënë se, “Mesazhi juaj ka pasur ndikimin e duhur dhe se do të bëjmë ç’është e mundur që të shënohen rritje të mëtejshme të buxhetit të mbrojtjes”, ka theksuar kryetari i NATO-s, në takimin që zhvilloi fillimisht me Presidentin Trump.  Ai shtoi se “Një NATO e fortë është e mirë jo vetëm për Evropën, por edhe për Shtetet e Bashkuara”, tha Stoltenberg.

Edhe presidentë të tjerë amerikanë si dhe Kongresi, nga hera në herë në të kaluarën, kanë venë në dukje kontributin më të madh të Shteteve të Bashkuara ndaj buxhetit të NATO-s, në krahasim me vendet e tjera anëtare.  Madje edhe paraadhësi i z. Trump, presidenti Barak Obama e kishte ngritur çështjen e mungesës së kontributeve të vendeve anëtare të NATO-s ndaj sigurisë së përbashkët. Por, presidenti Trump është treguar më këmbëngulës në këtë pikëpamje duke kërkuar rritjen e shpenzimeve për mbrojtje nga ana e vendeve anëtare të NATO-s duke përdorur një gjuhë direkte dhe të hapët, ndërsa disa do të thonin, aspak diplomatike, duke nervozuar aleatët me qëndrimet e tija ndaj NATO-s, një gjuhë kjo që nuk përdorej më përpara nga udhëheqsit ameriknaë.  Ai është shprehur se çdo vend anëtar i NATO-s që nuk kontribon atë që i takon për mbrojtje të përbashkët – e këta janë shumica, sipas tij – është duke përfituar në kurriz të taksa paguesve amerikanë.

Po, a ka të drejtë Presidenti Trump kur akuzon se shumica e vendeve të Aleancës nuk japin kontributin e nevojshëm për mbrojtje të përbashkët, madje as kontributin prej 2% të buxhetit të përgjithshëm kombëtar të vendeve anëtare, për të cilin kanë rënë dakort të gjithë, që në vitin 2006?  Është vështirë të thuhet dhe varet se statistikat e kujt duhet të besohen. Për më tepër, nuk është sigurt, sipas disa ekspertëve, se kur ankohet Z. Trump për mungesën e kontributeve evropiane ndaj NATO-s, nëse ai flet për fondet direkte ose indirekte të vendeve anëtare për mbrojtje të përbashkët të NATO-s.  Disa ekspertë, me të drejtë mbajnë qëndrimin se – nëqoftse ai flet për kontributet e drejtë për drejta ndaj aleancës nga vendet anëtare,  presidenti Trump po e ekzagjeron këtë çështje, por nga ana tjetër nëqoftse udhëheqsi i Shtëpisë së Bardhë flet për shpenzimet indirekte – të cilat janë shumë më të mëdha se sa fondet direkte të Shteteve të Bashkuara për NATO-n, atëherë ai mund të ketë të drejtë për pretendimet e tija se aleatët amerikanë në NATO nuk po konribojnë fondet që u takojnë, siç kanë pretenduar edhe para-ardhësit e Z. Trump, përfshirë, Presidentin Barak Obama.  Problemi mund të jetë mënyra se si e paraqet këtë problem presidenti Trump, në krahasim me para-ardhësit e vet.

Gazeta Washington Post, në një artikull mbi këtë çështje, shkruan se dokumentat e NATO-s tregojnë se shumica e vendeve anëtare nuk plotësojnë angazhimet e tyre dhe as udhëzimet e NATO-s, të pranuara nga të gjithë në vitin 2006, për kontributin prej 2% për mbrojtjen e përbashkët. Sot, më shumë se një dekadë më vonë, vetëm një numër i vogël aleatësh evropianë në NATO, kanë realizuar këtë objektiv.

Gazeta citon një dokument të NATO-s në të cilin thuhet se, “Shpenzimet e mbrojtjes të Shteteve të Bashkuara efektivisht përbëjnë 73% të shpenzimeve të përgjithshme të Aleancës, por kjo”, sipas NATO-s, “Nuk do të thotë se Shtetet e Bashkuara mbulojnë73% të kostos së përgjithëshme për operacionet e NATO-s si organizatë, përfshirë kryeqendrën në Bruksel dhe komandat ushtarake varëse të saj, por do të thotë se ekziston një varësi e madhe e Aleancës, në përgjithësi, në kontributin që japin Shtetet e Bashkuara, në fusha të tjera të operacioneve. Si për shembull në fushën e inteligjencës, mbrojtjen e raketave balistike e shumë fusha të tjera, në të cilat Shtetet e Bashkuara kanë një epërsi në krahasim me vendet e tjera anëtare.  Duket që, varësisht, se cilat shifra përdoren në lidhje me konributet, aq të ndryshme do të jenë edhe përfundimet në të cilat arrihet, gjë që mund të shkaktojë edhe keqkuptime. Thuhet se statistikat, cilat do qofshin ato, gënjejnë. Edhe ky problemi i kontributeve në NATO duket se është produkt statistikash që gënjejnë.

E kuptoj nëqoftse lexuesi është i konfuzuar me këto të dhëna, pasi as unë nuk e kuptoj se ku qëndron problemi i vërtetë dhe se cilat statistika duhen besuar, ose cilat të dhëna ka përpara presidenti Trump kur ankohet për mos kontributin e nevojshëm të aleatëve. A flet ai për shpenzimet direkte apo ato indirekte, a po për dyja?  Por, sidoqoftë, ndonëse diskutimi është aktual mbi mosbalancimin në shpenzimet ushtarake të vendeve të NATO-s, ai nuk është i ri, pasi vet NATO-ja ka thënë se ky problem ka ekzistuar ç’prej fillimit të aleancës. Ndryshimi është se kur u themelua NATO, Evropa ishte ende e shkatërruar nga lufta dhe e dobët ekonomikisht dhe nuk mund të flitej për një kontribut më të madh për aleancën, ndërsa sot, Evropa e Bashkuar është shumë më e fortë, qoftë ekonomikisht, qoftë ushtarakisht dhe ndoshta me të drejtë ose jo, Shtetet e Bashkuara, pikërisht Presidenti Trump, ashtu si edhe paraardhsit e tij, presin më shumë kontribute nga aleatët e tyre evropianë për mbrojtjen e përbashkët – pasi shumica kanë mundësi ta japin ndihmesën fhe fondet.

Është e vështirë të thuhet nëse tensionet e fundit transatlantike, si përfundim i kritikave të presidentit Trump ndaj vendeve anëtare të NATO-s, do të prekin ose jo marrëdhëniet midis aleatëve, por është e qartë se kritikat, me vend ose pa vend të presidentit Trump, duket se kanë pasur ndikimin e tyre tanimë, pasi ka shënja se vendet anëtare të NATO-s kanë hedhur hapat e para dhe kanë marrë masa për rritjen e investimeve për sigurinë dhe mbrojtjen e vet, përfshirë kontributin e 2% për operacionet e NATO-s. Megjithëkëtë, ndonëse NATO duket se është e angazhuar për realizimin e këtij objektivi prej 2%, disa ekspertë ushtarakë janë të mendimit se disa vende evropiane anëtare të aleancës nuk mund të arrijnë këtë objektiv pa ndërmarrë reformat ë dukëshme në strukturat e tyre ushtarake.

Ndërkaq, ata që — si përfundim i kritikave, me vend e pa vend, të Presidentit Trump ndaj NATO-s — mezi presin prishjen midis Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të tyre në NATO, qetësohuni se një gjë e tillë nuk do të ndodhë kurrë, madje edhe po të dëshironte kështu edhe Presidenti Trump, gjë që nuk e besoj.  Si mbështetës i fortë i NATO-s, ashtu si edhe shumë të tjerë, jam i bindur se është vet sistemi amerikan, përfshirë edhe Kongresin e Shteteve të Bashkuara, ai që nuk do të lejonte tensionet transatlantike. Lidhjet midis Evropës dhe Shteteve të Bashkuara janë tepër të forta dhe të rëndësishme që të afektohen madje edhe nga disa deklarata të një presidenti amerikan. Përball kritikave të presidentit Trump ndaj NATO-s në të kaluarën, por edhe para se të nisej për Bruksel, ishin përfaqsuesit e vërtetë të popullit amerikan — Kongresi i Shteteve të Bashkuara — ata të cilët i dërguan një mesazh jo vetëm presidentit Trump dhe NATO-s, por edhe botës, për lidhjet e patundura të Amerikës me aleatët e saj në NATO, duke votuar një rezolutë në mbështetje të Aleancës së Atlantikut Verior, NATO-s.  Në rezolutën e Senatit të Shteteve të Bashkuara prej 100-antarësh republikanë e demokratë – e miratuar me 92 vota në favor dhe 2 kundër — ligjëvensit amerikanë shprehën mbështetjen e tyre të fortë për NATO-n, ndërkohë që u bënë thirrje negociatorëve amerikanë të ritheksojnë angazhimin dhe mbështetjen e plotë të Shteteve të Bashkuara për Aleancën Veriore të Atlantikut, NATO.

Kontrolloni gjithashtu

Marjana Bulku: Sa e rëndësishme është kronologjia e ngjarjeve dhe kujtesa historike në demokraci?!

Marjana Bulku: Sa e rëndësishme është kronologjia e ngjarjeve dhe kujtesa historike në demokraci?!

 Është kjo një enigmë që shtjellohet pak nga pak teksa lexon “Demokracia nuk pret”, një ...