leoni

Faik Ismajli: AJO ÇKA NDODHI ME 10 SHKURT, NË PRISHTINË, ISHTE KRIM

Duhet thënë që në fillim se ajo çka ndodhi me 10 Shkurt 2007 në Prishtinë, është Krim me plotë kuptimin e fjalës. 
Është Krim sepse nuk ka ndodhur rastësisht dhe pa qëllim ajo që ndodhi, por ishte e përgatitur që më parë nga kuzhinat djallëzore të UNMIK-ut dhe shërbyesve qorre të tyre SHPK-së! Ishte Krim sepse u derdh gjak i pafajshëm, u shuan jetë njerëzish, u rrahën dhe u maltretuan shumë të tjerë pa ndonjë shkak të arsyeshëm! Pos tjerash, ishte vendim i marrë nga kreu politik, po ashtu edhe nga Grupi i Unitetit, zaten këta e kishin bërë të njohur se do ta përdorin forcën pa asnjë hezitim!
Dihet qysh më herët, se UNMIK-u, Grupi i Unitetit, Qeveria e shumë parti politike, kanë pas urrejtje meskine e të papërmbajtur kundër Lëvizjes qytetare Vetëvendosja. Dhe kur dihet edhe ky fakt, mund të themi pa dyshim, se kjo ishte hakmarrje ndaj Vetëvendosjes për demonstratat e mëhershme e sidomos ndaj demonstratës së 28 Nëntorit të vitit të kaluar.
Pse gjithë kjo urrejtje kundër një Lëvizjeje qytetare që lufton me mjete paqësore demokratike, pa armë për çështjen e drejtë të popullit të vet, dhe si të thuash ka mbetur e vetmja forcë opozitare në Kosovë?
Përgjigjja është e thjeshtë! Sepse kanë frikë nga kundërshtarët, nga ata që i demaskojnë burokracinë e tyre. Nuk ju duhet opozitë, kështu janë mësuar e adaptuar! Duan të jenë vetëm ata. Pastaj kanë frikë, sepse e dinë mirë që janë futur në gjynahe, sepse e dinë mirë se e kanë të pamundur t’i lajnë këto gjynahe. Sepse e dinë mirë, se kanë gënjyer gjithë kohen dhe janë të detyruar të gënjejnë edhe në të ardhmen, derisa të munden! Thënë shkurt, kanë dështuar në Misionin që me dëshirë e kanë marrë përsipër. Prapë lind pyetja: Po pse kanë dështuar? Kanë dështuar sepse janë shkëputur qysh moti nga populli dhe hallet e tij! Çdo politikë që shkëputet nga populli është e destinuar të dështojë.
UNMIK-u, që prej fillimit është kujdesur për të përzgjedhë politikanë të dëgjueshëm, servilë dhe i ka joshur me poste e mundësi të mëdha korruptimi, me qëllim qe të mos kenë mundësi të rezistojnë ndaj vendimeve të tyre dhe në këtë mënyrë të bëjnë politikë pa telashe. Tek e fundit, aq ju bën të huajve se çka dhe si do të duket nesër Kosova. Luksi i madh i elitës sonë politike në një Kosovë të varfër që krahasohet me shtetet e varfra afrikane, e dëshmon vetëdijen dhe ndërgjegjen shumë të ultë të tyre. Sikur të ishin të ndërgjegjshëm, të pastër dhe njëmend të angazhuar për kauzën tonë jetike, nuk do ta kishim këtë situatë që e kemi.
Ne kishim menduar se regjimet e tipit Millosheviq kishin marrë fund njëherë e përgjithmonë në Kosovë. Ne kishim menduar se jemi futur në rrugën e lirisë dhe demokracisë dhe dihet se në demokraci bëhen edhe protesta, lejohen dhe merren parasysh edhe mendimet ndryshe, policia nuk ndërhynë pa arsye, por vetëm në raste ekstreme, ku është më e çmueshme jeta e qytetarit se çdo gjë tjetër! Por me 10 Shkurt 2007, UNMIK-u me argatët e tyre shqipfolës, na treguan se sa larg jemi nga liria e vërtetë e nga demokracia që aq shumë e zënë në gojë! Na treguan se ata janë si regjimi i Millosheviqit, bile edhe më keq, dhe na treguan se janë të gatshëm të shkojnë deri në polpotizëm të vrazhdë. Derisa policia e vendeve të ndryshme të Evropës dhe të botës kanë probleme me disa të rinj, të cilët përdorin alkoolin dhe lëndë të ndryshme narkotike, policia e instaluar në Kosovës ka probleme me popullin shqiptar vetëm e vetëm pse kërkon Liri dhe Pavarësi me anën e demonstratave paqësore. Jo vetëm kaq, sepse ky popull i shtypur një shekull të plotë nga Serbia, pas fitores së Pavarësisë, mëton të këndellet nga plagët e rënda të marra nga pushtuesi serb. Prandaj, rinia shqiptare e shtypur nga lufta afatgjate serbe, e uritur; rinia pa aktivitete, pa punë dhe pa ardhmëri të lumtur në vendlindjen e tyre, nuk ka zgjidhje tjetër pos fitores së lirisë dhe pavarësisë me anën e demonstratave të qeta.
Kjo rini e Kosovës me 90 për qind shqiptarë quhet Lëvizja për Vetëvendosje, që ka lindur nga gjiri i popullit të vuajtur, të traumatizuar dhe të rraskapitur një kohë të gjatë nga lufta kriminale serbe. 
Lëvizja Vetëvendosje nuk është themeluar për të bërë aleancë me qeveritarët që paguhen mirë, me pronarët e privilegjuar që nuk e kuptojnë skamjen e popullit, por është themeluar për të realizuar vullnetin e popullit shqiptar drejt Vetëvendosjes. Lëvizja kërkon respektimin e të drejtave të njeriut dhe të drejtave qytetare për të gjithë qytetarët e Kosovës. Prandaj, Vetëvendosja duke demonstruar në rrugët e Prishtinës kundër diskriminimit të popullit u rrah me shkopinj, u tymos me gaz lotsjellës, por edhe u qëllua me predha të policisë së UNMIK-ut dhe të ShPK-së. Papritmas një grua, udhëheqëse e Shoqatës për të pagjeturit shqiptar, e goditur nga shkopinjtë e policisë u shtri në asfaltin e përgjakur. Ajo tetë vjet me radhë me një regjistër të madh kërkon të afërmit e familjeve shqiptare, për të cilën vetëm Serbia kriminale i di se ku gjinden. Prandaj, nëse Beogradi hesht për qëllime raciste, nuk do të heshtin të afërmit e qytetarëve të zhdukur në luftë, nuk do të hesht kombi shqiptar i Shqiperisë Etnike. Me dhjetëra demonstrues filluan të rrëzohen në tokë, goditjet ajër tokë të policisë së UNMIK-ut e realizuan skenarin. Populli shqiptar kurrë nuk ka besuar që policia e UNMIK-ut do të sulmojë dhe do të qëllojë me predha dhe në mënyrë të pakontrolluar e që rezultoi me dy të vrarë dhe 80 qytetarë të plagosur.
Tmerri nuk mbaroi me kaq, sepse njësitë speciale të ShPK-së hynë me dhunë në zyrën e Lëvizjes Vetëvendosje, ku arrestuan udhëheqësin, Albin Kurti dhe maltretuan edhe disa aktivistë tjerë të Lëvizjes. Kuptohet që policia nuk ka nevojë të di për aktivitetin revolucionar të Vetëvendosjes, se siç thotë populli shqiptar, çdo gjë që gjendet në zyrën e Vetëvendosjes, gjendet te populli i pakënaqur i Kosovës. Ata duke shkatërruar zyrat modeste të Vetëvendosjes në të gjitha qytetet e Kosovës, treguan se janë kundër lirisë, demokracisë dhe pavarësisë së plotë të Kosovës. Kurrë në historinë e saj të bujshme Prishtina nuk ka përjetuar më shumë gaz lotsjellës se me 10 Shkurt 2007. U përdoren edhe fishekë që janë të ndaluar me konventat ndërkombëtare që prej vitit 1974.
Ndërsa populli po maltretohej e po vritej, udhëheqësit politikë të Kosovës nuk guxuan të dalin para demonstruesve për t’u thënë ndonjë fjalë, ndonjë shpjegim dhe ta vëzhgonin vetë situatën. Ata e panë më të udhës që me helikopter të KFOR-it të nisen në ekskursion në Mitrovicën veriore të spastruar nga shqiptarët, ndërsa të tjerët nuk e prishnin fare rehatinë e tyre luksoze! Hipokrizinë e tyre të vërtetë, pushtetarët e treguan po atë ditë, duke i dënuar demonstruesit e duke i akuzuar për eskalimin e dhunës, e nga ana tjetër arsyetonin ndërhyrjen shtazarake të policisë. Disa shkuan aq larg si zëdhënësja e Qeverisë, Ulpiana Lama, saqë këto demonstrata i kualifikoi si të nxitura nga Beogradi. Vlerësime të pa baza dhe qesharake si këto, na kujtojnë kohën e titistëve të Sinan Hasanit e Ali Shukriut. Kjo më së miri tregon se sa meskine janë qëndrimet e tyre dhe sa shumë janë futur në absurditet.
Hipokrizinë dhe përgjegjësinë e tyre, më së miri e dëshmuan autoritetet e Këshillit për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut me seli në Prishtinë, të cilat kishin qenë prezentë gjatë gjithë kohës së demonstratave. Ata me të drejt theksuan se, shkaktarë të dhunës në demonstratat e 10 – Shkurtit e që rezultoi edhe me të vdekur ishte “Grupi i Unitetit”. KMDLNj po ashtu dëshmoi se asnjë institucion apo individ, nuk ishte i kërcënuar nga protestat e Vetëvendosjes, por situatën e kanë eskaluar vetë forcat policore. Ky grup totalitar që ka uzurpuar të gjitha institucionet e Kosovës, përfshi edhe parlamentin, e të cilat institucione i ka zhveshë nga çdo e drejtë vendimi duke i shndërruar në vasalë të tyre.
Asnjë shenjë respekti e dhimbjeje për të plagosurit e të vrarët nuk u shpreh nga Grupi i Unitetit e shumë politikanë e parti tjera, përveç 2-3 vizitave në familjet e të vrarëve të cilat i bënë jo nga dhembja e përgjegjësia, por vetëm për marketing politik. Kryetari Sejdiu me paturpësi deklaroi se nuk e ndjen veten aspak përgjegjës për Krimin që ndodhi mbi popullin, të cilit i takon e që nga taksat e edhe këtyre njerëzve mbanë familjen e tij.
Për shtrembërimin e fakteve e realitetit në Kosovë, elita politike i ka në dispozicion pothuajse të gjitha mjetet e informimit qoftë ato elektronike, qoftë të shkruara, të cilat i mbanë rreptësisht nën censurën e vet! Nuk ke çka sheh e çka lexon tjetër në këto mjete informuese përveç propagandës së UNMIK-ut dhe të politikes ditore, gjithçka që shihet e shkruhet, së pari kalon nëpër filtrin e tyre dhe pastaj emitohet ajo që ju shkon apetitit të tyre. Mund të konstatojmë se, këto mjete të informimit janë po ashtu kontribuuese të situatës shpërthyese në Kosovë, ndaj e mbajnë një pjesë të fajit për informim jo të drejt, joprofesional të opinionit të gjerë.
Për krimin që ndodhi me 10 Shkurt, duhet të japin përgjegjësi shumë njerëz, nuk mjafton vetëm një dorëheqje formale e një ministri të papërgjegjshëm. Ekipi i Unitetit mundohet që me një dorëheqje t’i vejë kapak kësaj pune në mënyrë të paturpshme. Ky ekip despotësh, po mundohet që ta linçojë njëherë e mire udhëheqësin e Vetëvendosjes – Albin Kurti, dhe po orvatet t’i bëjë ndonjë proces të montuar politikë. Me sa duket kanë vendosë, që të zhyten edhe më shumë në krime dhe ta rrisin zemërimin e popullit edhe më shumë, derisa vullkani popull t’i përfshijë përpara. Ata që ndezin zjarr dhe i frynë zjarrit, do të digjen vetë në te. Sidoqoftë, javët dhe muajt e ardhshëm do të jenë edhe më të nxehtë dhe të paparashikueshëm dhe fatkeqësisht jemi të detyruar t’u bëjmë sfidë…!

Kontrolloni gjithashtu

Partia Demokratike Turke do të jetë partneri i ri i BDI-së për zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare

Partia Demokratike Turke do të jetë partneri i ri i BDI-së për zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare

Partia Demokratike Turke do të jetë partneri i ri i BDI-së për zgjedhjet presidenciale dhe …