Sot, Zana Bytyqi-Geci e OJQ-së “Familja dhe Shpresa” kërkon takim me kryeministrin, Albin Kurti

Familja dhe Shpresa: Lletër deputetëve të Kosovës për gjykatën speciale

 (Bëjeni të mundurën ndaj kriminelëve të Serbisë, plotësojeni ligjin selektiv për gjykatën speciale)

Kryetarja e shoqatës “Familja dhe Shpresa” nga Klina, Zana Bytyqi-Geci i ka ftuar sot përmes një letre deputetët e Kosovës që ta plotësojnë URGJENTISHT ligjin për gjykatën speciale në mënyrë që serbët që kanë kryer krime lufte ndaj civilëve shqiptarë të mund të ndëshkohen nga e njëjta gjykatë për masakrat e pëdhunimet dhe krimet e tjera të shumta ndaj civilëve shqiptarë të Kosovës gjatë luftës 1998-1999.

Qindra kriminelë serbë, të rangut më të ulët e deri tek gjeneralët e regjimit të Sllobodan Millosheviqit janë të lirë në Serbi dhe të mbrojtur nga ish-ministri i tij, tash Kryetar i Serbisë Aleskandar Vuçiç dhe nga ish-zëdhënësi i partisë së të njëjtit, e tash ministër i jashtëm Ivica Daçiç.

Edhe pas 20 vitesh shteti i Serbisë po i strehon dhe mbron këta kriminelë që masakruan rreth 13000 civilë shqiptarë të Kosovës, i përdhunuan rreth 20,000 gra dhe vajza shqiptare, u dëbuan mbi 800,000 shqiptarë nga atdheu i ynë, dhe shkatërruan prona tona të tyre dhe prona shoqërore të Kosovës.

Po të njëjtit kriminelë dhe shteti i Serbisë edhe pas 20 vitesh mbeten të pandëshkuar, e për fat të keq dhe të turpshëm këtij mos-ndëshkimi i është bashkëngjitur edhe parlamenti i Kosovës i vitit 2015, në mesin e tyre edhe udhëheqës të partive politike, krerë institucional dhe anëtarë të dikurshëm dhe të tashëm të parlamentit të vendit tonë, kur në gushtin e para katër vitesh e miratuan ligjin e mbrapshtë, të turpshëm e selektiv, me të cilin u themelua gjykata speciale (Dhomat e Specializuara dhe Prokuroria Specialiste) me seli në Hagë për vetëm krimet e pretenduara për indiditës e UçK-së.

Që nga 13 Nëntori 2016 ne nga shoqata “Familja dhe Shpresa” nga Klina jemi duke e përsëritur kërkesën për të PLOTËSUAR ligjin e kësaj gjykate selektive për të mundësuar prosekutimin dhe ndëshkimin e kriminelëve serbë.

 Por zëri i ynë, dhe të tjerëve familjarë të viktimave shqiptare, çuditshëm është injoruar deri më tash nga pjesëtaret e krejt institucioneve të Kosovës, pra edhe anëtarët e parlamenteve të deritashëm dhe ligji ende nuk është plotësuar.

Kjo situatë është e padurueshme, e papranueshme. Ju ftojmë që të gjithë juve, deputetë të parlamentit të Kosovës, që të këndelleni, ta thirrni ndërgjegjen tuaj, e ta PLOTËSONI ligjin për gjykatën speciale URGJENTISHT e t’ia mundësoni kryeprokurorit Jack Smith që të persekutojë krimet serbe ndaj më të dashurve tanë gjatë luftës 1998-1999 për liri dhe pavarësi.

Me plotësimin e kodit të procedurës penale nga parlamenti i Kosovës që të akuzuarit për krime lufte të ndëshkohen edhe në mungesë, gjykata speciale do të mund të ndëshkonte kriminelët serbë po ashtu në mungesë atje në Hagë, deri sa Serbia të detyrohet që të bashkëpunojë plotësisht me të njëjtën gjykatë edhe për krimet e kriminelëve të saj.

Por, që kjo të ndodhë është pikërisht parlamenti i Kosovës ai i cili duhet që ta plotësojë ligjin e tashëm selektiv për këtë gjykatë.

Serbia nuk po i dërgon dhe nuk do t’i dërgojë kriminelët e saj në territorin e Kosovës për gjykim në gjykatat në Kosovë. Rasti i gjeneralit Momir Stojanovic dhe 16 të tjerë si ai të ushtrisë serbe të akuzuar nga prokurorët e EULEX-it në gjykatën në Gjakovë për krimet në Mejë dhe Krushë është ilustrim i kësaj sepse tash e katër vite ata janë të kërkuar nga Interpoli për dërgim dhe gjykim në Kosovë.

Prandaj, plotësimi i ligjit për gjykatën speciale është mënyra më e mirë dhe më e mundshme që Jack Smith dhe gjykatësit atje në Hagë të Holandës të mund të fillojnë të merren me krimet e serbëve dhe të Serbisë ndaj më të dashurve tanë.

PLOTËSOJNI këtë ligj selektiv e diskriminues deputetë të Kosovës.

Dëgjojeni zërin tonë. Mos e injoroni zërin tonë për drejtësi për krimet e luftës ndaj më të dashurve tanë.

Hapeni derën e drejtësisë me votën tuaj duke e PLOTËSUAR ligjin në fjalë. Mos i amnistoni kriminelët e Serbisë me heshtjen tuaj.

 Ne nuk do të ndalemi me thirrjet tona për plotësimin e këtij ligji. Puna e krye-prokurorit Jack Smith dhe gjykatësve të kësaj gjykate varet nga ju, nga vota e juaj aty në parlament.

Ju dhe vetëm ju jeni ata që mund të bëni të mundurën aty në parlament me votën tuaj që kriminelët e Serbisë dhe Serbia të ndëshkohen atje në Hagë të Holandës për krimet ndaj më të dashurve tanë.

Kontrolloni gjithashtu

Shemsi Syla

Zëvendësministri i Mbrojtjes, Shemsi Syla ka reaguar kundër dezinformatave dhe shpifjeve në disa portale

Zëvendësministri i Mbrojtjes, Shemsi Syla, ka njoftuar se në përgjigje të dezinformatave dhe shpifjeve të …