Fatmir Graiçevci

Fatmir Graiçevci: Kur emri është më shumë se emër

Vështirë se do merrnin për mua rëndësi të jashtëzakonshme emrat e mbiemrat po te mos trajnohesha për shëndet mendor nga ekspert të kësaj fushe nga më të mirët në botë! Ishte kjo periudha kur jam pasuruar me njohuri të shumta si asnjëherë më parë në jetën time! Një ndër mësimet që kam mësuar është se emrat nuk janë vetëm emra por janë më shumë se kaq! Kuptohet nëse dimë t’i analizojmë.

Emrat janë vetëm emra, vetëm në dukje të parë ama po gërmove më tutje, mahnitesh kur e kupton se emri është më shumë se emër! Nga analizimi i tyre, mund të mësosh jashtëzakonisht shumë.

Është interesant fakti se në fillim te viteve të ’90-ta, te ne në modë ishin këta dy emra: Liridon dhe Liridona ndërsa gjatë viteve 1998-1999, një emër tjetër që fillon të pëlqehet e të përdoret për pagëzim anë e kënd Kosovës – Çlirim/ Çlirimtare!

Por jo vetëm gjatë viteve të ’90- ta por edhe më herët, emrat na tregojnë për frymën që ka dominuar në periudha të caktuara! P.sh, gjatë viteve të komunizmit, në Shqipëri haset shpesh emri Marengelen. Në shikim të parë, duket vetëm emër ama nëse e analizojmë shohim se emri tregon një respekt dhe vlerësim për tri figurat emblematike të komunizmit- MARksi, ENGElsi dhe LENini! ( Ec e duroj sot personat me këta emra kur tregojnë se si prindërit e tyre e kanë urryer dhe luftuar komunizmin! ).

Por jo vetëm kaq. Gjatë viteve ’70 e ’80, te ne në Kosovë ka filluar të hyjnë në modë dy emra tjerë: Vllaznim dhe Bashkim! Është kjo koha e politikes zyrtare jugosllave e bashkim-vëllazërimit të kombeve e kombësive të Jugosllavisë. Ama duket se këta dy emra janë vënë disi me hile/ diplomaci sepse njohë familje që me këta dy emra kane aluduar në bashkim me Shqipërinë dhe se shqiptarët e Kosovës dhe Shqipërisë janë vëllezër dhe pavarësisht faktit se vëllezërit janë ndarë dhunshëm, ata duhet të riBashkohen një ditë!

Emrat tregojnë edhe diçka tjetër. Përderisa para viteve të ’50-ta e tutje, në Kosovë dominonin emra që tregonin përkatësinë fetare, ngadalë dalë, fëmijët fillojnë të pagëzohen me emra që tregojnë përkatësinë kombëtare. Këtë mund ta verifikoj çdo kush duke analizuar emrat e gjyshërve/gjysheve/ prindërve dhe në fund emrat e motrave, vëllezërve, nipave e mbesave.

Është interesant edhe një fakt tjetër në martesat e bashkëshortëve me përkatësi fetare  të ndryshme. Nga analizimi i emrave me të cilët kanë pagëzuar fëmijët e tyre, vërehet se ata kanë gjetur gjuhë të përbashkët duke pagëzuar fëmijët e tyre me emra që asociojnë në përkatësi kombëtare e jo fetare.

Një shembull tjetër se si nga emrat mund të mësojmë për frymën që ka dominuar në shoqëri është emri Pajtim \ Pajtesa. Ishin këta dy emra që përdoresh shpesh në pagëzimin e  fëmijëve gjatë viteve të ’90-ta, që karakterizoheshin me aksionin për Faljen e Gjaqeve dhe Ngatërresave, anekënd Kosovës, aksion i nisur nga rinia studentore e në ballë të së cilës u vë Antton Çeta.

Shembuj për rëndësinë e emrave dhe domethënien e tyre mund të përmendim edhe më shumë por është një shembull që duhet ta kemi gjithmonë parasysh sepse më bëhet se ai tregon më së shumti për mendësinë e fqinjëve tanë verior- serbëve!

Përderisa te ne kemi emra të ndryshëm dominues në periudha të ndryshme, të serbët kemi një emër tjetër shumë të pranishëm në të gjitha periudhat!!! Fjala është për emrin Vuk=ujk! S’besoj se ky emër është rastësisht i pranishëm në gjithë historinë dhe territorin serb! Mbase ky emër shpërfaq mendësinë e këtij kombi për të sulmuar e nënshtruar të tjerët dhe për të vendosur hegjemoni në një territor sa më të gjerë! A nuk e bëjnë këtë edhe ujqit!? A nuk provuan ta bëjnë këtë serbët ndaj shumë popujve gjatë viteve te ’90-ta, qoftë edhe me lufte të përgjakshme bash sikur ujqit. Kujtoni luftën kundër shqiptarëve, sllovenëve, kroatëve, boshnjakëve!

 

Dhe për fund një histori interesante familjare 

 

Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore dhe rivendosjes së kufirit të hekurt mes Shqipërisë dhe Kosovës nga regjimi Titist-Rankoviqist, shumë familja shqiptare mbeten të ndara mes tyre, pa mundësi kontaktimi normal mes tyre, ashtu sikur komunikonin familje anekënd botës.

 

Familja ime e gjerë ishte në Kosovë ndërsa dajat ishin në Shqipëri. Posa merrnin vesh nga letrat që shkëmbenin se kishin ndonjë fëmijë, andej ose këtej kufirit, emrat përsëdyteshin!

 

Halla jonë e madhe, Xhevahirja, pagëzon me emrin Osman, djalin e saj të dytë, sepse edhe daja i madh kishte emrin Osman ndërsa djalin e tretë e pagëzon me emrin Jusuf pasi djali i dajës së vogël, Nuhiut, kishte emrin Jusuf. Ndërkohë, edhe daja Nuhi, pagëzon njërën vajzë me emrin Ajshe, ashtu sikur e kishte pasur emrin mbesa e tij në Kosovë, Ajshja!

 

Axha jonë i vetëm, Mustafa, vajzën e tij të dytë e pagëzon me emrin Hajrie pasi edhe daja i tij kishte një vajzë me të njëjtin emër. Njëjtë vepron edhe djali i dajës së babës, Bajrushi, i cili njërin djalë e pagëzon me emrin Mustafë, meqë nipi i tij në Kosovë, kishte këtë emër. Edhe Halla jonë e vogël, Aishja, ndjek shembullin e njëjtë. Vajzën e saj të madhe e pagëzon Fatime, ashtu sikur ishte edhe vajza e dajës së saj, Fatimja. As prindi jonë, Avdullahu nuk bënë përjashtim. Vajzën e parë të tij e pagëzon me emrin Fatmire, ashtu siç e kishte emrin vajza e vogël e dajës Nuhi në Shqipëri, Fatmire. Dhe është interesant për ndjesitë që ju kanë shkaktuar përmendja e këtyre emrave. Jo rrallë deklaronin se përmendja e tyre ju shkakton emocione të përziera, mallëngjim dhe mërzi, në të njëjtën kohë. Sidomos gjyshes sonë, Xhemilës së cilës gjatë gjithë jetës së saj, vetëm një herë ju kishte lejuar të shkoj dhe t’i vizitoj vëllezërit e saj në Shqipëri. Dhe ajo, jo rrallë herë kishte thënë: Sa herë përmendën emrat e përsëdytur në Kosovë, më kujtojnë fytyrat e njerëzve të gjakut tim në Shqipëri dhe para syve disi sikur më përfytyrohen tiparet e tyre!

Vlen të përmendet se ndonëse në atë kohë dominonte familja patriarkale anekënd Kosovës,  hallat tona kishin gjetur një mirëkuptim tepër të madh në familjen ku ishin martuar që fëmijët t’i pagëzojnë sipas dëshirës së tyre – me emra të dajëve të tyre në Shqipëri, të cilët i njihnin vetëm përmes letrave të cilat jo rrallë herë vëreheshin se ishin hapur me të arritur në Kosovë, ende pa arritur te njerëzit për ku ishin nisur!!!

Kontrolloni gjithashtu

Takime vëllazërore me shqiptarët e Kroacisë

Kryetari i Nderit i Rrjetit Global të Bizneseve të Diasporës Shqiptare, njëherit dhe Anëtar i …