Fatmir Humolli

Fatmir Humolli: Lufta e UÇK-së ka qenë ndër luftërat më të pastëra në botë, por të zgjedhurit tanë nuk e vlerësuan si duhet

Të nderuar qytetarë, në veçanti bashkëluftëtarë që keni qenë të rreshtuar në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Lufta e UÇK-së ka qenë ndër luftërat më të pastëra në botë. UÇK ka qenë institucion që ka buruar nga populli i cili e ka drejtuar luftën kundër pushtuesit serb. Si të tillë do të duhej ta vlerësonin edhe të gjitha institucionet tjera të Kosovës. Por në vend të kësaj, të zgjedhurit tanë nuk e vlerësuan si duhet UÇK-në e as luftën e saj sepse duke votuar pro formimit të Gjykatës Speciale ata e shëndërruan atë në një ‘’bandë’’ që ka luftuar për interesat personale. Një vendim i tillë, i marrë nën presionin ndërkombëtar për t’ia plotësuar apetitet shovenizmit serb dhe aleatëve të saj në Evropën që e kanë izoluar Kosovën sot, ishte plotësisht i gabuar.

Pas luftës në Afganistan, SHBA e ka formuar kampin e Guatanamës ku mbahen të burgosur personat që kanë kryer akte terroriste dhe krime të tjera të rënda kundër njerëzimit, i cili është vlerësuar të jetë në kundërshtim me legjislacionin amerikan. Njësoj, Kosova ka bërë një Guatanama për UÇK-në lufta e së cilës është mbështetur nga të gjitha vendet demokratike the NATO-ja. Duhet kuptuar që pjestarët e UÇK-së kur kanë vendosur të marrin armët për të luftuar, kanë qenë të gatshëm ta japin edhe jetën e tyre dhe përsëri janë të gatshëm e të patrembur ta bëjnë të njejtën gjë. Mirëpo, trajtimi i komandantëve dhe ushtarëve të UÇK-së i të njejtit nivel me terroristët nëpër botë është i padrejtë, i papranueshëm dhe ofendues.

Përgjegjësinë në fushën e sundimit të ligjit për Kosovë e kanë pasur edhe misione tjera ndërkombëtare nëpër filtrat e të cilave kanë hyrë e janë dënuar edhe pjestarët e UCK-së, si: UNMIK, EULEX dhe Tribunali i Hagës për ish-Jugosllavinë. Atëherë pse ka pasur nevojë edhe për një gjykatë për ta poshtëruar UÇK-në?

Gjykata Speciale nuk po merret me krimin por po merret me UÇK-në si tërësi. Ajo po fton thuajse të gjithë eprorët, komandantët e ushtarët e ushtrisë clirimtare. Pse është kjo hipokrizi në klasën tone politike që thonë se gjykata është formuar për ta pastruar UÇK-në?!

Këtë gjykatë e kanë bërë ata që s’kanë besuar se ne mund të çlirohemi nga pushtuesi serb. Ata nuk po merren se kush janë dhe çfarë kanë bërë ata që janë ndaluar nga UÇK-ja, por po merren me atë se kush i ka ndaluar! Nëse UÇK-ja ka qenë institucion çlirimtar, pse duhet të merret në përgjegjësi nëse ajo ka burgosur ose ka ndaluar hajdutë e kriminelë që kanë bashkëpunuar me armikun? Kjo është e njejtë sikurse sot të burgosen policët pse po mbajnë rend e po burgosin hajdutë e kriminelë, ose persona që janë në kërkim ndërkombëtar për terrorizëm.

Ne shqiptarët kemi përvojë nëpër gjykatat serbe e jugosllave, ku i patën mbushur burgjet jugosllave me të burgosur politik shqiptarë e kur maltretoheshin prindërit dhe familjarët tanë për të na vizituar. Pse kemi nevojë që sot të ‘’eksportojmë’’ të burgosur si atëherë?! Vota për themelimin e Gjykatës Speciale është bërë nën presionin e bashkësisë ndërkombëtare dhe në kundërshtim me vullnetin e lirë të përfaqësuesve tanë, rrjedhimisht të popullit tonë. Kjo është njejtë si vendimi i Kuvendit të Prizrenit në v.1945 i cili miratoi rezolutën që Kosova të jetë nën Serbi, vendim ky i cili u morr nën presionin e Serbisë e ku ata që e kundërshtuan atë, më vonë u dënuan e disa nga ta edhe u ekzekutuan. Poashtu edhe ndërrimet Kushtetuese në fund të viteve të 80-ta të cilat u bënë nën presionin e pushtuesit serb të drejtuara nga kryekrimineli Millosheviq.

Aktet e tilla juridike të cilat janë bërë me mungesë të pajtimit të vullnetit të lirë të popullit dhe me prani të dhunës, lajthimit dhe presionit, sipas së drejtës ndërkombëtare konsiderohen akte të paligjshme apo të pavlefshme. Kjo gjykatë duhet të anulohet nga Kuvendi i Republikës së Kosovës për ta kthyer dinjitetin kombëtar. Gjykatat tona duhet të merren me profiterët e luftës, e jo të huajt dhe mos të përzihen profiterët e luftës me luftëtarët për clirim të vendit. Avokati i Popullit, Këshilli për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të njeriut, shoqëria civile dhe i gjithë populli i Kosovës duhet të reagojnë dhe ta kthejnë presionin nga Kuvendi i Kosovës për ta shfuqizuar Gjykatën Speciale, ashtu siç iu është bërë presion atyre nga bashkësia ndërkombëtare për ta votuar atë, në mënyrë që të kthehemi në gjendjen normale.

Kontrolloni gjithashtu

Agnes Hohl: Behide Hasanaj – një grua me zemër të madhe

Behide Hasanaj – një grua me zemër të madhe Behide Hansaj ka lindur në Pejë …