Faton Mehmetaj: Në çfarë gjendje është Kosova sot?

Kosova u shpall e pavarur më 17 shkurt 2008, gati nëntë vite pasi ishte çliruar. Që nga ajo kohë e deri më sot procesi i vendimmarrjes nuk është varur vetëm nga pala kosovare, por është imponuar nga shumë qendra të vendosjes, nga pakica serbe e instrumentalizuar nga Beogradi, nga Serbia e cila e ka shtrirë ndikimin në Kosovë përmes kohëzgjatjes së dialogut-bisedimeve Kosovë-Serbi, duke përfituar kohë të mjaftueshme për t’i realizuar planet serbomëdha të Akademisë së Shkencave të Serbisë ndaj Kosovës, pastaj nga ndërhyrja e UNMIK-ut, EULEX-it, Zyra e Bashkimit Europian në Kosovë, nga implementimi i Pakos së Ahtisaarit, e zyrave të tjera me ndikim ndërkombëtar në Kosovë. (Jemi të shpallur të pavarur e pavarësi nuk kemi). Për hatër të bashkësisë ndërkombëtare, partneritetit dhe marrëdhënieve të mira që i ka Kosova me të, Kosovën e shpallëm shtet multietnik, edhe pse me mbi 90 për qind popullsi shqiptare, ku të gjitha pakicat nuk e përbëjnë as 10 për qind të popullsisë së përgjithshme të vendit. Për hir të tolerancës që e ka shumica shqiptare ndaj pakicës 3 përqindëshe serbe, serbët udhëheqin me Kosovën, e pengojnë dhe e kushtëzojnë Kosovën në proceset zhvillimore dhe integruese sa herë që t’i konvenon Serbisë. Në saje të kësaj tolerance, pakica serbe ka udhëhequr me Kosovën edhe në të kaluarën.

 

Që nga viti 2000 e këndej nga qeveritë e kaluara dhe kjo aktuale janë shitur pasuritë nëntokësore dhe mbitokësore të Kosovës. Për ta injoruar, nënçmuar e denigruar skajshmërisht këtë popull lidershipi ynë i servoi për të ngrënë miellin nga Serbia, të dedikuar për kafshë. Për pak të holla që i marrin nën dorë klasa politike e Kosovës e bëri të varur popullin e Kosovës nga ekonomia dhe industria ushqimore e Serbisë, ani pse burime të ndryshme bëjnë të ditur se në Serbi ekzistojnë linja të veçanta ushqimore me cilësi të dyshimtë kancerogjene, të dedikuara vetëm për Kosovën. Afërsisht, mallra në vlerë prej prej mbi 500 milionë eurosh i eksporton Serbia në Kosovë. Kjo po ndodhë për shkak të obskurantizmit e miopisë së klasës politike.

 

Serbia edhe pse shpesh e propagandon luftën, ajo nuk ka nevojë për luftë në Kosovë sepse e ka shtrirë ndikimin politik përmes ndikimit ekonomik. Si pasojë e kësaj Kosova po zbrazet, mbi 60 fshatra shqiptare pothuajse janë zhdukur dhe nuk jeton më askush në to nga pakujdesia e klasës politike.

 

Që nga viti 2000 e këndej janë shpërngulur mijëra vetë në vendet e Europës, për shkak se të zgjedhurit e popullit nuk u kanë krijuar kurrfarë kushtesh për të jetuar në Kosovë. Të kujtojmë shpërnguljen e fundit në masë, në organizimin e të cilës kanë gisht edhe zyrtarë të Kosovës. Papunësia në vendin tonë dhe varfëria i kalon të gjitha caqet e standardeve të popujve që jetojnë në Europë. Afërsisht 65 për qind e popullatës gjendet nën obligime të kredive. Shumë bashkëluftëtarë të qeveritarëve tanë kanë bërë vetëvrasje për shkak të kushteve të rënda ekonomike. Edhe pse kanë kaluar 16 vite që nga përfundimi i luftës, edhe sot e kësaj dite nuk është zgjidhur çështja e statusit të veteranit të luftës, që është krejtësisht e pakuptimtë dhe e neglizhuar qëllimisht. Spitalet e Kosovës janë bërë varr i qytetarëve, edhe pse janë ndarë grante të mëdha për ta mëkëmbur këtë dikaster shëndetësor.

 

Pos të gjitha këtyre vuajtjeve dhe sakrificave të shumta, Kosova gjendet prapë para sfidave të tkurrjes së kufijve të vet shtetërorë, me eksterritorialitet të manastireve, me enklava të pavarura, të cilat nuk e njohin shtetësinë as kushtetutën e Kosovës, me Asociacion të komunave serbe, të formuar së fundmi, që është shtet brenda shtetit dhe që do ta pamundësojë skajshmërisht zhvillimin ekonomik dhe funksionimin e Republikës së Kosovës si shtet. Faktikisht, Kosova është e pavarur, por administrativisht me disa pjesë të okupuara nga struktura paramilitare serbe ku funksionon sistemi paralel i Serbisë, me financa, arsim, shëndetësi, siguri, etj.

 

Disa vende, siç është pjesa veriore e Mitrovicës dhe të tjera, janë ripushtuar prapë nga njësitet paramilitare serbe që bashkësia ndërkombëtare (miqtë tanë) i quajnë “struktura paralele”. Ushtria e Kosovës, Policia e Kosovës, KFOR-i, UNMIK-u e EULEX-i, kanë vendosur në Kosovë rend e qetësi, por qe 16 vite rrallë herë kanë mundur ta kalojnë urën e famshme mbi lumin Ibër, e cila u bë edhe temë e bisedimeve në Bruksel, pasi që në qershor të vitit të kaluar serbët në koordinim me qeverinë e Serbisë e bllokuan tërësisht për kalim, duke mbjellë pisha në saksitë e betonit. Edhe pse mbi 15 mijë shqiptarë janë vrarë, masakruar e zhdukur nga forcat okupuese të Serbisë gjatë luftës në Kosovë, mbetje eshtrash të qindra shqiptarëve u gjetën edhe në Serbi, ku ende gjenden varreza të pandriçuara masive të shqiptarëve, pavarësisht krimeve të luftës dhe gjenocidit kundër njerëzimit që e kreu në Kosovë, Serbia po e luan rolin e viktimës, gjeste këto që janë bërë të parapëlqyera për shumë shtete të Ballkanit e të Europës. Sigurisht për t’i mbështetur klanet e mafies politike dhe ushtarake që e bënë luftën në Kosovë, pa kurrfarë rregullash i sollën në Kuvendin e Kosovës të palegjitimuara fare partitë radikale serbe, duke i anashkaluar pjesëtarët e pakicës serbe të Kosovës, të cilët e kanë pranuar dhe e njohin shtetin e Kosovës. Ata që i dogjën pikat kufitare, ata që e barrikaduan një pjesë të Kosovës, ata që i vranë, i plagosën, i shanë dhe që e poshtëruan bashkësinë ndërkombëtare janë futur në polici e në mekanizma të tjerë të sigurisë së Kosovës. Faktikisht, Kosova është shpallur e pavarur me Deklaratën Kushtetuese të 2 korrikut të vitit 1990, por nuk ka funksionuar si e tillë. Kosova u shpall e pavarur nga Parlamenti i Kosovës, më 17 shkurt 2008, pasi UÇK-ja bashkë me forcat aleate të NATO-s i dëbuan forcat okupuese serbe nga Kosova në qershor të vitit 1999. Që nga viti 2008 e deri në ditët e sotme Kosova nuk ka pasur progres ekonomik as politik. Pas bisedimeve të gjata të Kosovës me fqinjin verior Serbinë, për çështje të brendshme të shtetit tonë, Kosovës pothuajse iu ka marrë pavarësia. Kjo nuk po ndodhë për herë të parë, Kosovës iu ka marrë liria e pavarësia edhe herë të tjera që nga viti 1945 e këndej. Që nga ajo kohë populli i Kosovës ka dëshmuar se është i gatshëm për të luftuar e për t’u sakrifikuar për liri e pavarësi deri sa ta fitojë pavarësinë e vërtetë.

 

Secili qytetar e ka marrë vesh se kjo që ka ndodhur me Kosovën dhe se çka iu ka servuar Kosovës pas maratonës së gjatë të bisedimeve Kosovë-Serbi është kthim prapa në kohë dhe grabitje e pavarësisë.

 

Shpallja e Pavarësisë së Kosovës, pas përpjekjeve të gjata që rezultuan pas bisedimeve të Vjenës dhe Pakos së Ahtisaarit – mbi bazën e të cilës edhe u krijua shteti ynë, ka dalë nga binarët mbi të cilët është formuar shteti i ri.

 

Shteti i Kosovës nuk ka ekonomi, sepse ekonomia e shtetit të Kosovës është ajo e Serbisë.

 

Shteti ynë nuk ka ushtri, sepse kështu u konvenon klaneve të caktuara në krye me “Listën Serbe”, të deleguarës së Serbisë, që ka hyrë në Kuvendin e Kosovës dhe në institucionet tjera të vendit, por që nuk i njeh këto institucione, nuk e njeh pavarësinë e vendit, por që papengueshëm vazhdon të punojë e të veprojë për minimin e progresit dhe të shtetndërtimit të Kosovës.

 

Shteti i Kosovës nuk ka kufij të definuar, sepse edhe më tutje kufiri me Serbinë konsiderohet kufi administrativ dhe në të përdoren standardet e dyfishta (shih për këtë tabelat, pasaportat, trajtimet në kufi, etj.).

 

Kosovës i mungon integriteti territorial sepse sigurimi i integritetit tonë edhe më tutje është i varur nga KFOR-i, NATO, BE etj. Edhe pse Kosovën e kanë pranuar mbi 110 shtete edhe më tutje nuk njihet ndërkombëtarisht, sepse në Kosovë edhe më tutje funksionon Rezoluta 1244, shteti me fusnotë, me “kornizë kushtetuese”, pa kornizë fare, me plan 6 pikësh, me minishtete brenda shtetit, me liri të kufizuar të lëvizjes nga minoriteti serb. Pra, popullata shumicë pengohet që të mos lëvizë lirshëm nga minoriteti pakicë e çka jo tjetër. Në Policinë e Kosovës u futën si pjesë e integrimit “rojet e urës”, paramilitarë e militarë të njohur, emra të njohur të shërbimeve sekrete serbe. Ata që i dogjën pikat doganore, ata që e barrikaduan Mitrovicën, ata që i dëbuan mijëra shqiptarë nga trojet e veta në pjesën veriore të Mitrovicës e fshatrave përreth, sot janë policë të Kosovës, shumica prej të cilëve edhe sot e kësaj dite nuk e pranojnë shtetin e Kosovës. Shteti i Kosovës që nga themelimi e gjer më sot pothuajse nuk ka pasë institucione të drejtësisë, gjykatat kurrë nuk kanë funksionuar si duhet, secili qytetar është i vetëdijshëm se gjykatat në Kosovë janë të varura nga klanet e mafies politike. Shumica prej tyre vijnë nga nomenklaturat e ish-sistemit, nga njerëz të kanë punuar në masa të dhunshme gjatë okupimit serb deri në qershor të vitit 1999, të cilët e kanë gjykuar,  dënuar e shkatërruar elitën politike e kombëtare të popullit të vet dhe si të tillë kanë arritur të integrohen me prioritet në sistemin gjyqësor të shtetit të ri të Kosovës. Ka vite që shtypi ynë shkruan çdo ditë për afera korruptive në gjykata, por askush nuk është marrë me këtë temë. Pra, në Kosovë nuk ka drejtësi, gjykatat vlejnë vetëm për të gjykuar e dënuar ish-ushtarët e UÇK-së dhe njerëzit e pafuqishëm. Shërbimi i inteligjencës tubon një grumbull njerëzish të paaftë e të papërgatitur për punë të inteligjencës, që askush nuk di për dosjet e tyre, për biografitë e tyre, për shkollimin e tyre. Shumica prej tyre kanë ardhur nga sektori i policisë pa kurrfarë verifikimi dhe ç’është më keq janë të shkëputur nga bota akademike. Për shembull, personi që i ka verifikuar të gjitha kuadrat në Kosovë doli se vetë ishte i pajisur me diplomë false. Ky është niveli i shërbimit tonë të inteligjencës, survejime, kërcënime, shantazhe, plasime të dezinformatave për njerëz të padëgjueshëm, etj. Shërbimi i inteligjencës ka nevojë të përballet me realitetin në Kosovë, por kjo nuk do të ndodhë përderisa në kuadër të tij punojnë njerëz të tillë, sepse ata nuk kanë dashur ta shohin realitetin në Kosovë. Ata i shohin ngjarjet vetëm bardh e zi.

 

Populli në përgjithësi, familjet e veteranëve, invalidëve e dëshmorëve kanë pasë shumë shpresa në Organizatën e Veteranëve të Luftës se do t’i mbrojnë vlerat e luftës, por niveli i gatishmërisë nuk është treguar i tillë. Vlerat e luftës janë nëpërkëmbur e poshtëruar skajshmërisht, njerëzit e luftës janë izoluar e janë lënë në harresë. Nuk është mirë që elitat politike ta mohojnë vetveten për ta mbrojtur jetën luksoze të tyre. Askujt pushteti nuk i zgjatë tërë jetën. Prandaj,  shikoni çka po ndodhë rreth jush, sepse populli ju zgjodhi juve si dalëzotës të këtij vendi.

 

Nuk është çudi pse jemi katandisur në këtë gjendje, sepse nuk kanë funksionuar mekanizmat e shtetit. Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës e ka humbur aktivitetin e saj nga pasiviteti, pothuajse qe pesëmbëdhjetë vite nuk është vërejtur ndonjë aktivitet i mirëfilltë akademik, ku promovohen vlerat e popullit shqiptar e veçanërisht të Kosovës, apo ndonjë projekt tjetër, që ia tregon këtij populli udhën e zhvillimit dhe të progresit. Institucionet e arsimit, shkollat, fakultetet, kanë nxjerrë një ushtri analfabetësh me diploma. Nuk dua as ta paramendoj se sa njerëz me funksione të larta publike kanë diploma false, madje edhe shkollim pasuniversitar, duke mos e përjashtuar marrjen e diplomave të tilla në Beograd, Mal të Zi e në universitetin “paralel” të Mitrovicës. Organet kompetente të arsimit e dinë se është e vërtetuar se rreth 3500 diploma janë të falsifikuara.

 

Që nga viti 2000 e këndej, Serbia i ka organizuar zgjedhjet në Kosovë dhe e ka konsideruar Kosovën pjesë kushtetuese të saj, gjë që po e bën edhe sot e kësaj dite. Ajo ka investuar në Kosovë miliona euro si pjesë e saj dhe lidershipi ynë ka heshtur. Që kur Kosova është pavarësuar, në Kosovë kanë funksionuar strukturat paralele në arsim, polici, gjyqësi, elektroekonomi, shëndetësi, hekurudha etj. Mbi 35 mijë pasaporta serbe i kanë marrë qytetarët tanë në Serbi nga neglizhenca e komplikimet administrative në Kosovë. Mbi 15 mijë persona e kanë tërhequr shtetësinë e Kosovës për shkak se shtetet ku ata punojnë e veprojnë nuk e njohin shtetësinë e Kosovës. Ç’është më keq gjatë dhjetë viteve të fundit mbi 30 mijë vetë kanë kërkuar azil politik në vende të ndryshme të botës, që është tepër pasqyrim i keq për shtetin e Kosovës.

 

Edhe pse është gjendje e pashpresë, që si të tillë e solli lidershipi ynë, të cilit ia dhamë votën dhe e sollëm në pozitë me sakrifica të mëdha, megjithatë, ky vend ka forcë që t’i rikthejë shpresat dhe ta bëjnë reale lirinë, pavarësinë dhe ndërtimin e shtetit të Kosovës.

Kontrolloni gjithashtu

Agim Musliu dhe Gurakuç Kuçi: SKENARËT PAS BANJSKËS DHE LUFTA HIBRIDE RUSO-SERBE NË KOSOVË

Në përvjetorin e sulmit në Banjskë, qëllimet e këtij akti të dhunshëm rifreskohen me një …