Jakup Krasniqi: A jemi rastësisht këtu ku jemi?


 Ndoshta për shkakun se shumëkush nuk po sheh dritë-shprese në fund të tunelit, nga kategori të ndryshme të njerëzve gjithnjë e më tepër po dëgjohet shprehja: “Nuk jemi rastësisht këtu ku jemi”?! Vërtetë ku jemi? Dhe ku do të shkojmë? Me ketë pandjesi qytetare, për të kundërshtuar edhe për çështje kaq vitale politike për vendin, siç është tërësia territoriale e Republikës?!


 


Para një kohe (ishte muaj prill), opozita i kishte ftuar qytetarët të protestonin krejt qetësisht për  Gjykatën Kushtetutës, për shtrenjtimin e energjisë, për RTK-në, pra për kapjen e shtetit tonë: “Opozita, nuk i ka kapur problemet popullore”, “nuk i ka kapur problemet që do t’i nxirrnin njerëzit në rrugë” e të ngjashme. Pastaj pse filani e fisteku janë në protestë? Gjersa fare pak trajtoheshin temat për të cilat po protestohej shumë urtësisht. Ndonëse parashikonin protesta të pa parashikueshme për nga përmasat e përdorimit të dhunës. Nga analizat e tilla dilte se: faji nuk ishte te ata që e kishin pushtetin dhe të cilët para pak kohe kishin prodhuar një egzod të përmasave më të mëdha të pas luftës çlirimtare, por, “fajin” e shihnin te opozita që po luftonte për te ndryshuar qeverisjen e keqe?! Por, në fund të fundit, çka të vyen ajo opozitë që nuk e ka synim marrjen e pushtetit, për ndryshimin e qeverisjes dhe të qeverisurit në shërbim të qytetarëve?! Në vend që të shihej niveli qeverisës, ngecja në zhvillimin e vendit, mungesa e sundimit të ligjit, pa perspektiva për punë, jetë e siguri, për arsim e shëndetësi cilësore, shkaqe këto që kishin nxitur dhe shkaktuar egzodin e qytetarëve tanë në drejtim të vendeve të BE-së.


 


Tani, kur opozita është kapur fortë dhe më të drejtë, për probleme politike, probleme të cilat nëse nuk parandalohen sot, e nesërmja nuk mund të riparoj asgjë. Edhe pse është e qartë që marrëveshjet e arritura në Bruksel më 25 gusht 2015, janë në kundërshtim të plotë me Kushtetutën e Kosovës, janë në kundërshtim të plotë dhe përtej të gjitha të drejtave te komunitetit serb, të parapara me Dokumentin e Presidentit Ahtisari. Anipse edhe Dokumenti i përmendur ishte dokument i kompromisit për të drejtat e liritë e komunitetit serb në Kosovë. Ishte kompromis për pavarësinë. E ngjashme është edhe Marrëveshja për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi. Nuk ka asnjë dyshim, shqiptarët me këto marrëveshje nuk kanë fituar asgjë, as ata brenda Kosovës e as ata jashtë saj. Këto marrëveshje nuk mund të ishin kaq të dëmshme, pa një qeverisje të papërgjegjshme, të korruptuar dhe të keqe në Kosovë. Me një Kryeministër te shekullit të shkuar.


 


Nuk ka asnjë dyshim, njerëzit që i kanë udhëhequr këto bisedime jo vetëm që nuk kanë qenë të përgatitur, por ata as nuk e kanë bërë asnjë përpjekje për të biseduar e konsultuar më njerëz që kanë një përvojë, kanë dije dhe duan të kontribuojnë në ketë proces mjaftë kompleks. Si duket këtyre njerëzve nuk u duhet as përvoja, as dija e as përkushtimi, madje as dashuria për vendin. Ky proces ishte më kompleks sesa procesi i bisedimeve në Vjenë. Pse? Në Vjenë, temë e bisedimeve ka qenë Serbia nga e cila ka arritur të pavarësohet Kosova, ndërsa komunitetit serb i është dhënë një autonomi e gjere kulturore. Ndërsa në Bruksel, nga kjo që rezultojë me 25 gusht, është biseduar ekskluzivisht për të drejtat politike, territoriale e administrative të komunitetit serb në Kosovë, për shqiptarët në Serbi nuk po del të jetë biseduar asgjë. Sikur ata na qenkan qytetarë të një rendi tjetër! Sikur ata nuk i meritojnë të drejtat e liritë, si të gjitha komunitetet pakicë në Evropën e Bashkuar? Pasi këto marrëveshje janë bërë në Bruksel, ai nuk është dashur të lejoj, që të përdoren kut të ndryshëm për etni të ndryshme. Për të gjithë njerëzit, pa dallim kombi, etnie, gjuhe, race a feje, është një standard për liri e të drejta. Kjo është e nënvizuar fuqishëm si në dokumentet e OKB-së për të drejtat e liritë e njeriut, ashtu edhe në Kartën evropiane të të drejtave e të lirive të njeriut.


 


Këtu tek ne ka edhe një absurditet tjetër, shpesh u tha si opozita ta gjej një Jabllanoviq?! Thua se fyerjet e Jabllanoviqit janë më të rënda se marrëveshjet e përmendura, me të cilat humbjet e shumanshme, politike, ekonomike e territoriale të Kosovës janë të pa rëndësishme?! Kësaj i thonë, kthimi i Serbisë në Kosovë, nuk është asgjë, në krahasim me korrupsionin e fyerjet e Jabllanpviqit?! Edhe pse me një qeveri të përgjegjshme, nesër korrupsioni mund të minimizohet, por marrëveshjet e arritura, vështirë se mund të ndryshohen. Nesër mund të organizohet një protestë për korrupsionin, avokatet e qeverisë, përsëri do të thonë, “kjo nuk është çështje që duhet të protestohet”, “opozita po lufton për pushtet”?! Vërtetë, kush duhet t’i kundërshtoi qeveritarët e pa dijshëm, korrupsionin e nepotizmin? Nëse jo opozita e bashkuar?


 


Ndoshta duke parë aftësinë e avokatëve te Kabinetit qeveritar më të madhit në Evropë, duke parë qeverisjen e keqe e korrupsionin, kapjen e gjitha institucioneve të pavarura nga familjaret e qeveritarëve, marrëveshjet e dëmshme, përfshirë edhe Gjykatën Speciale etj., i ka bërë njerëzit të thonë:” A jemi rastësisht këtu ku jemi”? Nëse, Akademikë, intelektualë, profesorë universitetesh, publike e private, nuk marrin mundin të reagojnë për ti bashkuar zërat opozitar për kundërshtim? Kush duhet të reagoj në ketë shoqëri pa busull orientimi? Në atë sistemin tjetër, protestonin studentet! Tash kush duhet, nëse jo opozita që duhet ta bëjë ndryshimin në qeverisjen e vendit?!


 


Nëse shigjetat duhet drejtuar nga opozita e cila po kërkon ndryshimin për mirëqeverisje, hajde ta shpallim edhe ne o avokatë të qeverisë, Kim Jong-un tonë, pasi edhe këta tanët janë në kërkim te sundimit të përjetshëm familjar! Ky fuqizim ekonomik i politikanëve me paranë publike, nuk është për zhvillimin dhe konsolidimin e Demokracisë e as për shtetin e së drejtës!


Edhe çka duhet të ndodhë në ketë vend, që kalemxhinjtë e ndryshëm, të shkruajë e flasin shqip e pa ekuivoke se qeverisja e vendit duhet ndryshuar?


Pa dyshim, nënshkrimi i peticionit i afruar nga opozita e bashkuar nga qytetarët e Republikës sonë, është protesta më e ligjshme për ndaljen e rrënimit të shtetit dhe te tkurrjes se tij.


 


 


Jakup Krasniqi: Peticioni është zëri i qytetarëve, është protesë e ligjshme


 


Sot qeveria foli përmes opinionistëve, për të qenë “analizat” e saja më bindëse për qytetarët, për të mbytur zërin e qytetarëve që janë zoti i vërtetë i këtij vendi. Ata po harrojnë se edhe në të kaluarën kishte “marrëveshje” për t’ju aneksuar Serbisë, se kishin arritur ti bindin disa delegatë në Prizren (korrik 1945), “se ishte interesi i Kosovës që t’i bashkohej Serbisë, se Shqipëria ishte e varfër”. Po edhe në atë kohë, kishin qenë disa zëra që patën kundërshtuar, ani pse ata do te dënoheshin me burg të përjetshëm. Por nuk pat munguar as zëri i guximit njerëzor i Ramiz Cërnicës, i cili kishte thënë: “Me Shqipërinë, JO me Serbinë”!


 


Pas Kuvendit, kur Rifat Berisha ia kumtoi lajmin Tahir Berishës, se Kosova i ishte aneksuar Serbisë, ai i thotë: “ se shumë gjak do të derdhet për të ndryshuar ketë vendim” (parafrazim). Se nga e si ecëm për të ardhur deri të 17 shkurti i vitit 2008 e dimë të gjithë. U deshën mbi 600 shekuj burg për ata që guxuan të kërkojnë çlirimin nga Serbia, u deshën qindra mijëra shqiptarë të shpërndarë në katër anët e Globit, u deshën rreth 100.000 viktima  e martirë pas Luftës se Dytë Botërore e shkatërrime të shumta ekonomike. Jo vetëm këto që i ceka, ishin pasojë e një vendimi mendjelehtësh. Edhe atëherë vendimi ishte marrë nën presion e frikë. E sot?


 


I thash të gjitha këto, jo pse dua të vej shenja barazimi, në mes së sotshmes e se djeshmes, por për të treguar sesa të dëmshme janë vendimet që merren nën çdo formë të diktatit apo presionit. Sesa të dëmshme janë vendimet që merren pa e dëgjuar zërin e qytetarëve te vendit. Nuk kam asnjë dyshim, siç nuk ka as shumica e qytetarëve tani, se koalicioni qeverisës është duke qeverisur keq, madje tepër keq. Gjithë veprimet e vendimet e saj, me vërejtjet e Shoqërisë Civile, te këtyre dite e konfirmojnë ketë. Edhe marrëveshja e 25 gushtit në Bruksel me marrëveshjen e demarkacionit janë tepër të dëmshme për Republikën tonë. Për këto arsyeje të cekura e për shumë të tjera që nuk i ceka, duhet të merr pozicion qytetari ynë.


 


Nënshkrimi i Peticionit që po e afron opozita e bashkuar nga ana e qytetarëve, është akti më i rëndësishëm i qytetarëve, është vërejtja më serioze që qytetarët ua bëjnë shërbëtorëve të tyre, zyrtarëve të shtetit. Çdo zyrtar i zgjedhur, i emëruar apo zyrtar tjetër që paguhet nga paraja publike, është shërbëtor i qytetarëve e jo zot i tyre, si po pretendojnë e krekosen qeveritarët tanë.


 


Nënshkrimi i Peticionit nga qytetarët është forma më qytetare e protestës, është vërejtja më serioze paqësore e demokratike, që u drejtohet atyre që nuk po dinë të qeverisin, atyre që po marrin vendime të dëmshme për vendin, atyre që po u lënë pasoja të pa parashikueshme gjeneratave të ardhshme.


 


 Është momenti i fundit,që qeveritarët duhet të tërhiqen nga marrëveshjet e dëmshme, të cilat ende nuk janë të finalizuara, pasi ende nuk kanë folur përfaqësuesit e popullit. Ky edhe është mesazhi i nënshkruesve të peticionit! Mesazhi është fisnik, për secilin që dinë ta lexoj shqip!


 


Qytetarët duhet të vrapojnë për të shprehur qëndrimin e tyre, për një të ardhmen më të sigurt për fëmijët e tyre.

Kontrolloni gjithashtu

Sejdi Veseli

Sejdi Veseli: URANIUMI I VARFËRUAR DHE NDOTËSIT E TJERË RREZIK SERIOZ PËR KOSOVËN

Po mbushen tetë vete të plota nga përfundimi i luftës së armatosur kundër shkelësve të …