Faton Mehmetaj: Një libër i rrallë, ku trajtohen çështjet më të ndjeshme të sigurisë në Kosovë

( Përkitazi me botimin e librit “Organizatat ekstremiste serbe në Kosovë”, i autores mr. Fetnete Ramosaj, botoi Instituti për Studime Gjeopolitike dhe Siguri, Prishtinë, 2013, 182 faqe.)


 



Libri i Fetnete Ramosajt,  “Organizatat ekstremiste serbe në Kosovë” është një vepër  me tematikë të rrallë, pak të trajtuar nga studiues dhe hulumtues të ndryshëm vendorë e të huaj, sepse megjithatë konsiderohet si “temë e nxehtë”. Edhe përkundër kësaj, Ramosaj ka bërë një punë të shkëlqyer, në radhë të parë hulumtuese e mjaft argumentuese, duke e faktuar në mënyrë të përsosur veprimtarinë e këtyre organizatave në Kosovë. Faktikisht, libri është një përmbledhje e fakteve, e provave dhe e argumenteve, është një libër i dokumentuar që tregon në mënyrë kronologjike për aktivitetin e këtyre organizatave, të cilat datojnë qysh para 100 vjetësh e që janë aktive edhe sot, me shtrirje në Kosovë dhe në viset tjera shqiptare, por edhe në vende të ndryshme të Europës dhe të botës.


Edhe në këtë kohë kur rajoni po synon të integrohet në Unionin Europian, kur bota dhe Europa po bëjnë plane për një Evropë të bashkuar e unike, megjithatë organizatat ekstremiste dhe terroriste serbe, si një instrument shtetëror i Serbisë, vazhdojnë të veprojnë në Kosovë dhe në disa shtete të Europës e të botës. Përmendim këtu vetëm rastin e terroristit Breivik në Oslo të Norvegjisë, i cili deklaroi haptazi se për të kryer këtë akt është inspiruar nga organizatat sekrete serbe. Nga po të njëjtat organizata u vra ministrja e jashtme suedeze Ana Lind, pastaj gazetarja e BBC-së Jill Dando etj., për mbështetjen që i dhanë Kosovës, u vra edhe boshnjaku Shefko Sallkoviq në pjesën veriore të Kosovës etj. Duhet përmendur sulmet e njëpasnjëshme mbi popullatën civile, sukmet mbi strukturat politike serbe, që kanë kanë shfaqur çfarëdo shenje për të bashkëpunuar me institucionet e Republikës së Kosovës, sulmet dhe vrasjet e policëve vendorë e ndërkombëtarë, sulmet e vazhdueshme me eksploziv, ku ka pasur edhe viktima, të plagosur dhe dëme të shumta materiale, vrasjet e vazhdueshme të civilëve shqiptarë, në mesin e të cilëve ishte edhe Selver Haradinaj, në pjesën veriore të Mitrovicës, pastaj sulmet e organizuara kundër disa pikave doganore të Kosovës, duke mos e anashkaluar as sulmin e 17 marsit 2008, në të cilin u plagosën rëndë e lehtë 63 pjesëtarë të policisë së UNMIK-ut, 45 pjesëtarë të KFOR-it, dhe 70 protestues serbë. Ky sulm ishte përgatitur nga pjesëtarët e MUP-it dhe ushtarakët rezervë të ushtrisë së Serbisë.


Këto organizata vazhdimisht kanë bërë agresion ndaj Kosovës dhe pjesëve të caktuara të saj. Ishte pikërisht organizata e parë sekrete terroriste serbe me përmasa ndërkombëtare “Dora e Zezë” (“Crna Ruka”), që nëpërmjet degës së saj me veprim në Bosnjë “Mlada Bosna” (“Bosnja e Re”) organizoi vrasjen e Arkidukës Franc Ferdinandi, në Sarajevë, më 28 qershor 1914, për shkak se ai e kishte penguar daljen e Serbisë në Detin Adriatik. Kjo vrasje u mor si shkak për fillimin e Luftës së Parë Botërore. Duhet nënvizuar se në atentatin kundër Arkidukës Franc Ferdinand,  kishte marrë pjesë pos tjerëve edhe shefi i shërbimit zbulues-kundërzbulues të Ushtrisë Serbe dhe kryesori i “Dorës së Zezë”, koloneli Dragutin Dimitrijeviq – “Apis”-i dhe Vasa Çubrilloviqi, më vonë kryetar i Akademisë së Shkencave të Serbisë dhe përpiluesi e disa elaborateve famëkëqija, në të cilat në detaje parashihej shfarosja e shqiptarëve.


Për të treguar pajtueshmërinë dhe lidhshmërinë historike me veprimtarinë e organizatave ekstremiste e terroriste sekrete e gjysmësekrete serbe që trajtohen në këtë libër, me iniciativën e Vuk Jeremiqit, në cilësinë e kryesuesit të Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, u këndua kënga “Marshi mbi Drin”, nën tingujt e të cilit 100 vjet me parë u vranë e u masakruan qindra mijëra banorë shqiptarë e popuj të tjerë të ish-Jugosllavisë.


Përderisa në njërën anë, në këtë kohë kur Europa dhe bota po na sugjeron t’ia shtrijmë dorën e pajtimit Serbisë e t’ia falim krimet e terrorin që e ka bërë mbi popullin shqiptar për më shumë se 100 vjet me radhë, në anën tjetër deri më tani në asnjë rast Serbia jo vetëm që nuk ka kërkuar falje, por po vazhdon të na terrorizojë, të na shantazhojë e diskreditojë me të gjitha mjetet, sikurse herëve të tjera, edhe përkundër marrëveshjeve të arritura, të cilat po i përdorë vetëm për të përfituar në kohë. Në këtë prizëm duhet parë edhe nismat e institucioneve më të larta të Serbisë për rehabilitimin e Drazha Mihajloviqit, Aleksandër Rankoviqit e të tjerëve, të cilët në vazhdimësi bënë krime mbi popullin shqiptar.


Në këtë libër argumentohet se nën orkestrimin e shërbimeve sekrete serbe, në pajtueshmëri të plotë edhe me elitat politike të cilat gjithnjë kanë qenë të koordinuara me Akademinë e Shkencave të Serbisë, janë planifikuar vrasjet e krerëve dhe prijësve të popullit shqiptar, duke filluar nga Hasan Prishtina, Shtjefën Gjeçovi, albanologu i shquar Millan Shuflaj, Nazim Gafurri, Ymer Berisha, Xheladin Hana, Halim Spahia, Enver Hadrit etj. Nga kjo strukturë janë bërë planet për shpërnguljen e shqiptarëve me dhunë nga trojet e veta, është bërë spastrimi i kohëpaskohshëm etnik nga popullsia shqiptare, nëpërmjet terrorit dhe gjenocidit që e kanë zhvilluar në kohë lufte apo edhe në rrethana të tjera. Me qëllime të tilla organizuan ndërrimin e dhunshëm të fesë tek shqiptarët, mbylljen e shkollave dhe burgosjet dhe vrasjet e intelektualëve në zë, mohuan kombësinë dhe autoktoninë e popullit shqiptar, ua uzurpuan pronat disa herë nëpërmjet “reformave agrare”, i burgosën të gjithë ata që patën guxim t’i ngritin çështjet kombëtare, shkruan qindra libra për ta tjetërsuar e mjegulluar të kaluarën dhe historinë e shqiptarëve, bënë gjithçka për të na e mohuar gjuhën dhe flamurin. Edhe sot pa ndryshuar në asnjë dimension Serbia i vazhdon politikat e veta ndaj Kosovës, pa kurrfarë korrigjimi edhe pse në luftën e fundit bëri tmerre të papara ndaj popullit shqiptar. Për këtë arsye me të drejtë, Hasan Prishtina, në artikullin me titull “Kush e sundon Jugosllavinë”, të botuar në gazetën “Kosova” (1933) thoshte se Jugosllavia ka qenë qysh në fillim shtet i sunduar prej shoqatash të fshehta terroriste. Pothuajse të gjitha këto organizata atëherë e sot, qëllim kryesor e kanë bashkimin e të gjitha territoreve që kishin pakica të kombësisë serbe në një shtet me Serbinë dhe serbizimin e tyre. Këto organizata atëherë e sot janë përpjekur për aneksimin e Kosovës, Maqedonisë, Vojvodinës, Malit të Zi, Bosnjë-Hercegovinës dhe tërë bregdetit Adriatik.


Duhet nënvizuar se organizata sekrete terroriste serbe “Dora e Zezë” nga e cila i kanë marrë orientimet organizatat tjera simotra, në programin dhe statusin e vet  (përkatësisht në “kushtetutën” dhe “rregulloren”), moto e kishte sloganin: “Ujedinjenje ili Smrt” (“Bashkim ose Vdekje”). Kjo organizatë dhe organizatat tjera deri në ditët e sotme përbëheshin kryesisht nga ushtarakët serbë të dalluar për aksione e sakrifica, udhëheqës të grupeve militante çetnike si dhe intelektualë të dalluar, të gjithë të kombësisë serbe, nënshtetas serbë dhe banorë të Serbisë, të përbetuar për ta kryer detyrën që parashtronte motoja e programit të kësaj organizate.


Që nga përfundimi i luftës në vitin 1999 e këndej këto organizata shpesh e kanë cenuar sigurinë tokësore duke hyrë “ilegalisht” dhe me dhunë në territorin e Kosovës, siç është rasti me organizatën “Garda e Car Llazarit” e dhjetëra të tjera si kjo. Këto organizata jo vetëm që kanë bërë thirrje të vazhdueshme për luftë, por kanë kryer edhe aksione konkrete brenda territorit të Kosovës, kanë marrë përgjegjësi për aktet e kryera terroriste etj. Shumica e pjesëtarëve të këtyre organizatave kanë qenë pjesëmarrës në luftën e Kosovës 1998-1999, kanë marrë pjesë në masakra e në vrasje, sepse dihen me emra e me mbiemra. Të tillët sot pritet të hyjnë në Policinë e Kosovës, në MPB, në AKI e në organe të tjera të sigurisë. Kjo nuk është për t’u habitur ngase edhe pas mbarimit të luftës shumica e çetnikëve dhe kriminelëve serbë të luftës i morën pozitat më të larta në shoqëri.


Ekstremizmi serb, radikalizmi dhe nganjëherë aktet e dhunshme terroriste edhe më herët edhe gjatë këtyre katërmbëdhjetë viteve kanë qenë të pranishme në Kosovë. Shpesh e kemi anashkaluar praninë e këtyre organizatave, e kemi anashkaluar, e kemi minimizuar, e kohëve të fundit e kemi bërë praktikë të mos flasim fare për to.


Megjithatë kur ndodhemi përballë argumenteve, vlerësojmë ndryshe dhe adresimet janë të qarta. Kështu ndodh kur kemi në duar librin ekskluziv “Organizatat ekstremiste serbe në Kosovë”, në të cilin adresohen çështjet më të ndjeshme të sigurisë në Kosovë. Ky libër i rrallë do t’u shërbejë strukturave të inteligjencës, AKI-së, policisë, gjyqësisë, qarqeve shkencore e politike, opinionit të brendshëm dhe atij të jashtëm, për të ditur realisht për ngjarjet që kanë ndodhur dhe po ndodhin në të vërtetë në Kosovë dhe rreth saj.

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …