Ramush Haradinaj

Fetnete Ramosaj: Ramush Haradinaj është jo vetëm lider që e mbanë fjalën, por edhe lider që i dalin fjalët

Ramush Haradinaj është jo vetëm lider që e mbanë fjalën. Por edhe lider që i dalin fjalët Për ta argumentuar këtë do të përmendi vetëm dy raste:

  1. Në ndërrimin e moteve të vështira, teksa po fillonte Viti i Ri 1999, Ramush Haradinaj, në cilësinë e Komandantit të UÇK-së për Zonën Operative të Dukagjinit, në pyetjen e gazetarit të luftës Ernest Luma, se cili është Vizioni Juaj për Kosovën, UÇK-në dhe luftën çlirimtare në vitin që kemi hyrë?, do t’i përgjigjej se: Ushtria Çlirimtare e Kosovës, gjatë këtij viti do ta bëjë realitet shtetin kosovar. Me atë rast Ramush Haradinaj, veç tjerash do të thoshte: “Kosova është hapësira ku jeton popullata shqiptare që përbën shumicën dhe pakicat serbe, malazeze, myslimane, turke etj. Ne e njohim dhe e pranojmë si të tillë. UÇK lufton për një shtet demokratik në Kosovë, në të cilin do të vendoste popullata shumicë (ajo shqiptare), por që do të respektonte edhe pakicat tjera, do të garantonte vlerat e tyre historike, kulturore dhe do të krijonte klimën ku çdokush, pa marrë parasysh përkatësinë e tij kombëtare, fetare, bindjet e tij ideopolitike, do të gjente veten në shoqërinë kosovare. Ushtria Çlirimtare e Kosovës, gjatë këtij viti do ta bëjë realitet shtetin kosovar”.
  1. Po ashtu, do të veçoja këtu edhe komunikatën e Komandantit të Zonës Operative të Dukagjinit, Ramush Haradinaj, të datës 10 maj 1999, kur po luftohej për jetë a vdekje, kur ishim të rrethuar nga të katër anët nga forcat pushtuese serbe:

Po vazhdon lufta për çlirimin e Kosovës. Me gjithë vështirësitë e shumta dhe çmimin e madh që po paguajmë si komb lufta po përparon. Çdo ditë që kalon zhvillohen luftime shumë herë nga afërsia dhe luftohet me granata dore ose më mirë të themi me zemrën e trimave. Djemtë tanë flijohen tuj luftu e tuj këndu. Kur i shtiem në dhé themi: Do ta çlirojmë Kosovën!

Në këtë kohë kur edhe NATO-ja po vepron energjikisht për të lehtësuar vuajtjet e popullit tonë, për t’u kthyer në vatrat tona, ne bijtë e Kosovës duhet të vetëdijesohemi të sakrifikohemi për Kosovën, ta bëjmë vdekjen si me le, t’i bashkohemi UÇK-së, ta ndihmojmë Fondin “Vendlindja Thërret” dhe ta nderojmë veten dhe kombin.

Të nderojmë të gjithë ata që dhanë jetën për Kosovën!

Dhe ne nga lufta e përsërisim: Do ta çlirojmë Kosovën!

Rroftë Ushtria Çlirimtare e Kosovës!

(Intervista është botuar në gazetën “Zëri i Kosovës”, më 14 janar 1999, f. 1, 7 e 12 dhe në gazetën “Bota e Re” në Prishtinë, ndërkaq Komunikata që i referohemi është transmetuar të njëjtën ditë në Televizionin Publik Shqiptar – TVSH dhe në Agjencinë e Lajmeve Kosovapress. Së shpejti do të jenë në duart e lexuesve, pasi që botohen në kuadër të librit tim më të ri me titull: “UÇK-ja NË ZONËN OPERATIVE TË DUKAGJINIT (Dokumente e raportime të luftës 1998-1999)”, që këto ditë pritet të dalë nga shtypi).

Prandaj, nuk ka faj Serbia zyrtare që vazhdon ta akuzojë Ramush Haradinajn! Nuk ka faj që vazhdon ta akuzojë Kadri Veselin! Nuk ka faj Serbia që vazhdon ta akuzojë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, sepse Ramush Haradinaj dhe kjo ushtri çlirimtare e ngritur mbi baza vullnetare, e mbështetur nga ajri nga aleatët e NATO-s, arriti ta mundë Serbinë (si trashëguese të ish-Jugosllavisë) që ishte fuqia e tretë ushtarake në Evropë. Ushtria Çlirimtare e Kosovës arriti ta mundë Serbinë pushtuese edhe pse kjo e fundit i kishte në terrenin e luftës në Kosovë mbi  500 000 forca ushtarake, policore e paramilitare, me tërë arsenalin luftarak më modern të mundshëm. Ndaj nuk kanë faj Vuçiqi, Nikoliqi, Daçiqi, Vulini e vdiqët e tjerë kriminelë, bashkëpunëtorë të Millosheviqit, pjesëmarrës në gjenocidin e kryer ndaj popullit të Kosovës (1998-1999), që nervozohen, fyejnë, shajnë, dhe i përdorin të gjitha mjetet që ta pengojnë fitoren e Koalicionit të Lirisë dhe ardhjen e Ramush Haradinajt në krye të ekzekutivit të Republikës së Kosovës, por edhe këto përpjekje do t’u shkojnë huq, sikurse më 1999.

Sepse Ramush Haradinaj e meriton që nesër populli t’ia japë besimin e merituar dhe të zyrtarizohet si Kryeministër i Kosovës!

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Organizatat kryesore atdhetare në Kosovë nga LNDSH-ja, LRBSH-ja, OMLK-ja, LPK-ja, PKMLSHJ e të tjera

Përpjekjet e disa individëve, ish të burgosurve dhe e ishave të tjerë, me qëllim  për …