Vetëvendosje

Fiaskoja e dytë e Vetëvendosjes, numri përgjysmë më pak i votuesve, pritet e treta, më 15 nëntor 2021

Me numrin e votave të përgjithshme sa ka siguruar Vetëvendosja, në zgjedhjet vendore, të gjitha gjasat janë që edhe në balotazh të mos fitojë më shumë se në dy tri komuna, me një diferencë tepër të ngushtë, sado që në këtë  fushatë kryeministri,  Albin Kurti, që është edhe kryetar i Vetëvendosjes, po përpiqet me çdo kusht të rrisë numrin e zgjedhësve në balotazh, madje duke shpenzuar edhe buxhetin e vendit, jo “me vjedhje industriale të votave”, sikur sipas tij  kanë bërë partitë e tjera, në të kaluarën kurdoherë kur ai dhe partia e tij nuk ka fituar votat,  por duke joshur pensionistët, të cilëve në fillim  ua kishte ulur pensionet,  për t’ ua rritur  tani në prag të zgjedhjeve,  në balotazh.

Sipas numrit të fituar të asamblistëve, Vetëvendosja ka siguruar vendin e tretë dhe nuk duket se ka gjasa të fitojë në garën e radhës për rikofirmim të rezultatit përfundimtar për kryetarë komunash, të cilët nuk kanë fituar shumicën që parasheh ligji mbi zgjedhjet vendore, në radhën e parë të votimit.

Rënia rapide e Vetëvendosjes shihet më së miri në shifrat dhe dallimin mes zgjedhjeve të përgjithshme dhe zgjedhjeve vendore. Nga më shumë se 400 mijë vota sa kishte marrë Vetëvendosja e Albin Kurtit dhe lista e Vjosa Osmanit, në zgjedhjet e 14 shkurtit tani numri ka rënë në 168 mijë. Kjo shifër tregon më së miri sa i ka zgjatur jeta kauzës mashtruese të Vetëvendosjes, e cila ishte ngritur me premtime të parealizueshme.

Vetëvendosja ishte ngritur sidomos  me tri parulla:

-Vetëvendosje, – jo negociata!

-Bashkimi i Kosovës me Shqipërinë

-UNMIK – EULEX jashtë Kosovës!

Parulla e parë është hedhur poshtë sapo Kurti ka krijuar Qeverinë. Negociatat me Serbinë po vazhdojnë, madje po pranohen edhe marrëveshjet paraprake, që i kishte nënshkruar ish Qeveria dhe të cilat, Vetëvendosja jo vetëm që nuk i kishte pranuar, por e kishte akuzuar Qeverinë për tradhti të interesave  të vendit.

Parulla e dytë, bashkimi i Kosovës me Shqipërinë nuk përmendet më me arsyetimin se këtë nuk po e lejuaka Kushtetuta e Kosovës. Është e pabesueshme që Kurti që mos e ketë lexuar Kushtetutën, por  duket sikur bën shaka me të.

Parulla e tretë, UNMIK jashtë Kosovës, e cila ende ndodhet shkruar kudo nëpër mure lagjesh në qytetet e vendit, diku e nxirë,  diku e copëtuar, tashmë mori një tjetër dimension. Qeveria Kurti e pranon këtë mision, komunikon me të, ndërsa kryetarja Osmani, shkon “dorë për dore” në OKB me ( xhaxha) Zahir Taninin.

Janë edhe më shumë se tridhjetë parulla të tjera  të Vetëvendosjes të cilat janë tradhtuar, janë shpërfillur dhe nuk flet kush për to.

Nga shpallja e rezultateve të  KQZ-së,  shihet më së miri se Vetëvendosja ka pësuar edhe fiaskon e dytë dhe tani është njëjtë me partinë Socialdemokrate të Zaevit, në Maqedoninë  e Veriut. Por mbetet  për t u parë dhe për t u bindur në moralin qytetar e politik të Albin Kurtit se a do të veprojë njëjtë si,  Zoran Zaevi, duke marrë përsipër fajin e humbjeve,  apo sikur Ilir Meta, i cili mbanë dhunshëm postin e kryetarit të shtetit, mbi bazën e votave të një partie minore, tani jashtë parlamentit. (RKL)

Kontrolloni gjithashtu

Fidaim Lushi: Në kujtim të Flakadanit të Lirisë, atdhetarit, veprimtarit dhe ish-burgosurit politik të vitit 1981, Remzi Lushi (15.02.1961 - 20.04.2017)

Fidaim Lushi: Në kujtim të Flakadanit të Lirisë, atdhetarit, veprimtarit dhe ish-burgosurit politik të vitit 1981, Remzi Lushi (15. 02.1961 – 20. 04.2017)

Me 20 prill bëhen shtatë vite nga ikja e vëllait Remzi nga kjo botë. Gjithmonë …