Fidan Mustafa

Fidan Mustafa: Të votojmë lidershipin e përmasave të Anton Çetës e Kukruk Prishtinës

Republika e Kosovës dhe qytetari i saj, ka nevojën për një lidership të përmasave të Anton Çetes e Kokruk Prishtinës. Një elitë politike që bashkon, unifikon, thërret në pika të përbashkëta për vendin. Largon pengesat, lehtëson diferencimet dhe ofron alternativë për çdo problem.

Zgjedhjet e parakohshme në Kosovë, shënojnë organizimin më kritik që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës. Vendi mbetet i ekspozuar nga diplomacia jo propercionale ndërmjet Kosovës e Serbisë në rrafshin ndërkombëtar. Ç’njohja nga shtetet të cilat dikur njohën pavarësinë e Kosovës tashmë janë kthyer në makth të shprishjes së sovranitetit shtetëror në rrafshin ndërkombëtar. Anën tjetër izolimi ndërkombëtar i Kosovës edhe nga shtetet që dikur njohën pavarësinë e saj vazhdojnë akoma. E krejt kjo si rrjedhojë e mos unifikimit të skenës politike në vend si dhe mosqartësimit politik drejt të ardhmes së vendit në realitetin e ri ndërkombëtar.

Një pjesë e madhe e lidershipit politik gjatë dekadës së fundit, fatkeqësisht, ofroj në shumtën e rasteve përçarjet politike, sharjet, fyerjeve, sulmet ndaj njëri – tjetrit, të cilat tashmë janë kthyer në “kulturë” institucionale para qytetarëve dhe miqve tanë ndërkombëtar. Korrupsioni, nepotizmi, shantazhet, bojkoti dhe dështimi i drejtësisë në vend, po rezulton çdo ditë me fatalitet ndaj popullit të Kosovës.

Shumë nga qytetarët në vend të cilët përballën me konteste pronësore dhe vonesa të vendimmarrjes nga organet e drejtësisë, ligjin dhe zgjidhjen e problemeve e kanë marrë vetë në duar qytetarët duke gjetur alternativa sipas traditës e kanunit. Mos sundimi i ligjit mbetet sfidë alarmante në vend. Bazuar në entin e statistikave në vend (2008-2018), që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, mbi 600 qytetar janë vrarë me armë zjarri, shifra të cilat flasin për marrjen e ligjit në duart e veta nga qytetarët duke mos i besuar organeve të drejtësisë.

Problemet sociale në vend akoma dominojnë qytetarin kosovar. Mungesa e kushteve elementare për punë, standardi i ulët jetësor, mungesa e sigurimeve shëndetësore, mungesa e sigurisë ushqimore dhe arsimore, në dekadën e fundit ka rezultuar me largimet e të rinjve, kuadrove profesional dhe atyre intelektual. Bazuar në entin e statistikave në Kosovë, çdo vit mesatarisht 5.000 – 8.000 qytetar heqin dorë nga shtetësia e Kosovës. Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, vetëm për pesë vite, 32.000 qytetarë nga Kosova kanë hequr dorë nga shtetësia e tyre.

Problemet ekonomike në Kosovë, vazhdojnë të përcjellin diferencat e eksportit dhe importit në raportin 1/9 në dëm të Kosovës. Sipas doganës në vend për vitin 2019, deficiti tregtar u rrit me 4% në krahasim me vitin paraprak (2018). Në vitin 2018, Kosova eksportoj jashtë vendit rreth 110 milion euro, ndërsa importoj rreth 1.5 miliard euro, duke rezultuar me një bilanc negativ tregtar prej 1.4 miliard euro.

Duke pasur parasysh sfidat e vendit, problemet dhe hallet e qytetarëve zgjidhja dhe alternativa afatgjate për vendin, nuk mund të arrihet përmes figurave politike të cilët kanë prodhuar lisën serbe në institucionet e vendit. Zgjidhje nuk mund të ofrojnë ata të cilët përmes decentralizimit më 2009, minoritetit serb i ofruan 32% të territorit nën menaxhim. Zgjidhje nuk mund të ofrojnë as ata të cilët nuk njohën e nuk njohin gjithashtu shtetësinë e Kosovës dhe sovranitetin e saj. Nuk mund të ishte alternativë një lidership i cili për gjithë karrierën e tyre politike kanë futur përçarje ndërmjet qytetarëve dhe figurave politike për kauza të rrejshme dhe agjenda të ngushta partiake.

Republika e Kosovës dhe qytetari i saj, ka nevojën për një lidership të përmasave të Anton Qetes e Kokruk Prishtinës. Një elitë politike që bashkon, unifikon, thërret në pika të përbashkëta për vendin. Largon pengesat, lehtëson diferencimet dhe ofron alternativ për çdo problem.

Populli i Kosovës gjithnjë në momentet më të ndjeshme politike ka ofruar alternativa politike dhe unifikim kombëtar karshi interesave dhe të ardhmes së vendit. Vota në këto zgjedhje nuk përcakton partinë politike apo emrat e përveçëm. Vota në këto zgjedhje përcakton fatin dhe të ardhmen e Kosovës.

Të nderuar qytetar të vendit, të kujtojmë mobilizimin mbarë shqiptar të viteve 1989-1999. Pajtim, falje, unifikim, vëllazërim për kauzën tonë të përbashkët, Lirinë e Kosovës, janë thjeshtë jeta jonë. Lidershipi i ardhshëm duhet të posedoj këto vlera.

Le të votojmë një lidership i cili asnjëherë nuk përqeshi, nuk nënçmoj, nuk ofendoj, nuk shantazhoj, nuk tradhtoj, nuk sulmoj, përkundrazi, pavarësisht vijave partiake, thirren në unitet për shtetin, thirren për bashkim ndaj interesave të vendit, thirren për maturi politike, sepse mbi gjitha jemi vëllezër shqiptar të gjithë. Jemi bijtë e bijat e këtij vendi pa cilët Kosova dhe hapësira e saj gjeografike nuk kanë më kuptim. Andaj të votojmë lidershipin e përmasave të Anton Qetes e Kukruk Prishtinës. Bashkohuni e mos u përçani.

Zoti e ruajt popullin tonë liridashës!

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …