Filloi sulmi i përgjithshëm i armikut mbi Rrafshnaltën (E hënë 31 maj, 1999)

Ahmet Qeriqi: Filloi sulmi i përgjithshëm i armikut mbi Rrafshnaltën (E hënë 31 maj, 1999)

Edhe sot si zakonisht jemi zgjuar herët, sidomos unë dhe Neziri.

Në orën 5.30 minuta është dëgjuar një shpërthim rakete në drejtim të Malishevës. Pak më vonë tri raketa të armikut kanë goditur në drejtim të Fshatit të Ri. Pas pak janë dëgjuar edhe shpërthime të tjera në drejtim të Divjakës dhe Kleçkës. Si duket sot do të kemi një ditë me rreziqe.

Të gjitha raketat janë dirigjuar nga baza serbe në afërsi të Gjergjicës.

Disa raketa të tjera kanë goditur drejt shtëpisë së Rizah Berishës, ish selisë sonë dhe në përgjithësi në fshatin Berishë.

Serbët kanë filluar sot një sulm të furishëm mbi të gjitha pikë-pozicionet tona.

Më vonë bëhet e ditur se në dy tri vende tanket dhe autoblindat serbe kanë rënë në minat antitank, të cilat gjatë natës i vendosin xhenierët tanë. Si duket ata kanë pësuar humbje të rëndë dhe krejt kjo është një hakmarrje e çmendur e barbarëve.

Pas një kohe Nusret Pllana ka depërtuar në maje të Pallanikut për të vëzhguar lëvizjet e forcave serbe nga ana veriore dhe lindore.

Të gjithë kemi lëvizur drejt pikave ku zakonisht vëzhgojmë për të mësuar se ç’ po ndodh.

Pas pak Nusret Pllana na ka lajmëruar se serbët në Komaran po i tërheqin disa kamionë, të cilët i ka shkatërruar NATO-ja. Ai nuk ka vërejtur ndonjë lëvizje të veçantë edhe pse luftimet në anën perëndimore nuk kanë pushuar as për një çast.

Rreth orës 12.00 forcat serbe të pozicionuara në Llazicë dhe në Smonicë kanë filluar granatimin raketor në drejtim të Fshatit të Ri. Disa shpërthime të fuqishme të predhave të minahedhësve 122 mm. kanë goditur përreth Shkollës dhe Pallatit të Qeverisë së Përkohshme. Goditje të tjera predhash ka pasur edhe në lagjen e Munollëve, në Fshat të Ri. Një kalimtar rasti na lajmëron se nga shpërthimet kanë pësuar disa civilë dhe disa të tjerë janë plagosur. Serbët kanë goditur në një vendqëndrim të të zhvendosurve ambulantë, pa familje, të cilët zakonisht gjatë tërë ditës qëndrojnë te Zabeli.

Të gjithë kemi filluar angazhimet tona të përditshme. Gazmend Elshani ka marrë kamerën e tij dhe është nisur në drejtim të Gradinës ku po bën incizime nga vend-luftimet. Martini është nisur së bashku me te. Unë dhe Neziri kemi filluar t`i sajojmë informatat. Nusreti zakonisht bën fotografime në mesin e popullatës së zhvendosur. Valdeti dhe Fatmiri përkujdesën për teknikën dhe kryejnë ndonjë incizim.

Prej orës 12 e deri në orën 17.00 nuk janë ndërprerë sulmet serbe kundër pozicioneve tona. Serbët në asnjë vend nuk kanë përparuar me këmbësori. Sipas konstatimeve tona del se dita e sotme ka shënuar rekord me hedhjen e raketave të armikut mbi Rrafshnaltë.

Ka gjasa që serbët kanë pasur informacione se sot nuk ka lëvizje  të forcave të NATO-s, dhe pikërisht për këtë e kanë shfrytëzuar momentin dhe kanë hedhur disa tonë predha kudo në pozicionet tona.

Një lajm nga terreni bën të ditur se serbët në Smrekovnicë kanë masakruar afër 100 shqiptarë. Po ashtu thuhet se serbët kanë masakruar më shumë se dyqind shqiptarë nga mesi i popullatës që ishte nisur në drejtim të Malit të Zi. Këto barbari kanë ndodhur kohë më parë por si duket tani janë identifikuar varrezat masive. Këto ;ajme nuk i kemi transmetuar sepse nuk i kemi verifikuar nga burimet në terren.

Programin ditor e kemi transmetuar me kohë.

Kemi kaluar edhe një ditë tjetër të rëndë dhe plot shqetësime.

Serbët, si duket po i bëjnë përpjekjet e fundit për të thyer rezistencën tonë. Krejt kjo flet se ata po nguten meqë nuk mund të qëndrojnë më gjatë.

Në mbrëmje ka rënë një qetësi e papritur. Njerëzia janë strukur nëpër tenda najloni, të lodhur, të frikësuar disa  dhe shpresëhumbur…

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Lëvizje të reja të ushtarëve në drejtime të ndryshme (E martë 7 korrik, 1998)

Ahmet Qeriqi: Lëvizje të reja të ushtarëve në drejtime të ndryshme (E martë 7 korrik, 1998)

Nuk përshkruhet dot dinamizmi dhe ritmika e zhvillimit të ngjarjeve. Edhe pse po mundohem që …