Jam ndier keq kur në media kam parë disa persona nga Lipjani, të cilët, me sjelljet e tyre në hapësirat e Kuvendit të Kosovës, kanë fyer vlerat tona kombëtare. Jam habitur që nuk kemi dëgjuar për ndonjë masë apo reagim institucional ndaj tyre.
Megjithatë, nuk kam dashur të besoj se, në përditshmërinë që na ka sjellë liria, do të përballesha personalisht, në qytetin tim, me një situatë të ngjashme.
Dua ta ndaj me ju tronditjen që përjetova në një rrobaqepësi në Lipjan. Aty ndodhej një person që nuk e njihja, në shoqërinë e një miku tim, me të cilin shkëmbyem një përshëndetje madje të përzemërt.
Papritur, ai filloi të fliste me zë të lartë:
— Çfarë janë gjithë këto shenja e këta flamuj? Pse vendosen në kapela, këmisha, xhaketa, vetura dhe kudo tjetër? Edhe në Norvegji ka flamuj dhe simbole të UÇK-së. E kanë tepruar! Unë nuk hyj fare në lokalet ku ka flamuj apo shenja të UÇK-së. Një norvegjez më ka thënë se ju kurrë nuk bëheni njerëz dhe as nuk mund ta bëni shtetin. Dhe ka të drejtë!
I tërhoqa vërejtjen:
— A e dini se Kosovës po i mbahen në burg dhe po i gjykohen udhëheqësit e luftës çlirimtare dhe themeluesit e shtetit?
Ai u përgjigj:
— Ata janë kriminelë që i kanë vrarë 400 njerëz dhe mirë kanë bërë që i kanë dënuar!
Kur i kujtova se në Kosovë ishte zhvilluar një luftë, gjatë së cilës forcat serbe kryen qindra masakra, dhe se kemi viktima të cilave ende nuk u janë gjetur as varret, ai vazhdoi me zë të lartë:
— UÇK-ja ka vrarë shqiptarë dhe ata nuk duhet të lirohen nga burgu! Asgjë nuk keni bërë. Amerika e ka çliruar këtë vend, ndërsa ju nuk keni bërë asgjë!
Kjo nuk ishte një bisedë private në tavolinë dhe as një shprehje e qetë e mendimit personal. Ishte përhapje publike e urrejtjes ndaj luftëtarëve të UÇK-së, e shoqëruar me akuza të pakonfirmuara dhe me paraqitje të shtrembëruar të figurës së ushtarit të saj.
Nga ai ambient dola jashtëzakonisht i prekur. Situata mund të përshkallëzohej, po të mos ishte ndërhyrja e matur dhe këmbëngulëse e njerëzve të pranishëm.
Për mua ishte një përjetim shumë i rëndë, pikërisht sepse nuk kishte të bënte vetëm me një fyerje personale. Ishte mohim i sakrificës së një populli, i viktimave, invalidëve, luftëtarëve dhe dëshmorëve të lirisë.
Për këtë ngjarje shkova dhe dhashë deklaratë në Policinë e Kosovës. Këtë nuk e bëra nga hidhërimi apo dëshira për hakmarrje, por nga trishtimi dhe shqetësimi se një gjuhë e tillë mund të prodhojë konflikte ndërmjet nesh.
Kjo dukuri po shfaqet çdo ditë: në rrjetet sociale, në media dhe madje edhe në institucione. Fatkeqësisht, një gjuhë të tillë po e tolerojnë, po e ushqejnë ose po e motivojnë edhe njerëz me përgjegjësi institucionale. Është krijuar një frymë, një orientim dhe, druaj, edhe një qëllim i caktuar.
Jam i shqetësuar sepse e di se çfarë mund të prodhojnë situatat që nxisin reagime të forta emocionale. Unë mund ta përmbaj reagimin dhe ta kanalizoj në rrugë institucionale, siç po bëj edhe tani, por dikush tjetër mund të mos arrijë ta bëjë këtë.
Policia e Kosovës, si institucioni më vigjilent për mbrojtjen e jetës, rendit dhe qetësisë publike, duhet të veprojë në përputhje me ligjin ndaj individëve që:
* përhapin informacione të pavërteta dhe dëmtojnë imazhin e vendit dhe të vlerave të tij;
* dezinformojnë publikun lidhur me zhvillimet gjatë luftës çlirimtare në Kosovë;
* përdorin gjuhë urrejtjeje ndaj UÇK-së, luftëtarëve dhe drejtuesve të saj;
* ndërmarrin veprime që nxisin përçarje dhe konflikte ndërmjet qytetarëve.
Çdo qytetar që përballet me situata të tilla duhet t’u drejtohet institucioneve dhe, para së gjithash, Policisë së Kosovës. Vetëm reagimi i matur, ligjor dhe institucional mund ta pengojë shndërrimin e urrejtjes verbale në konflikt ndërmjet qytetarëve tanë.
P.S. Për të shmangur paqartësitë, identitetin e personit të përfshirë në këtë ngjarje ia kam bërë të ditur Policisë së Kosovës gjatë dhënies së deklaratës.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
