Fjala e kryetarit Latifi në Akademinë Përkujtimore për 25 – vjetorin e përjetësimit të tetë dëshmorëve të kombit, të rënë në Pashtrik, me 4 dhjetor 1998

Fjala e kryetarit të komunës së Rahovecit Smajl Latifi, në Akademinë Përkujtimore për 25 – vjetorin e përjetësimit të tetë dëshmorëve të kombit, të rënë në Pashtrik, me 4 dhjetor 1998. Përshëndetjet për familjet dëshmorëve, të tetë dëshmorëve, për invalidët dhe veteranët e luftës dhe për të gjithë pjesëmarrësit, Sot, në përvjetorin e 25-të, përkujtojmë me nderime të larta luftëtarët e lirisë, dëshmorët e atdheut: Muhamet Malsori, Hysni Duraku, Hida Hoti, Isak Hoti, Sinan Hoti, Ismet Hoti, Sedat Hoti nga Krusha e Madhe dhe Skënder Hameli nga Mazreku i Hasit. Kurrë nuk do të shuhet emri i tyre, do të jetojë me shekuj ideali i atyre që u nisën në një rrugë të vështirë e me plot rreziqe, në natën e 3 dhjetorit 1998 dhe në marshimin drejt lirisë, ranë për të mos vdekur kurrë. Për agimin e lirisë, ranë 8 luftëtarë trima në atë mëngjes të acartë, më 4 dhjetor. “Armikut dhe erës ktheja gjoksin”, thoshte Jusuf Gërvalla. Dimri në Pashtrik është i ashpër, është i ftohtë, e trimat nga Krusha e Madhe nuk donin t’ia dinin, ata për luftën çlirimtare, borës, të ftohtit, erës dhe armikut që u kishte vënë pritën, ia kthyen gjoksin. Kanë kaluar 25 vjet dhe përderisa ne do të plakemi, këta trima të ri gjithmonë si të tillë do të kujtohen. I kemi njohur shumë prej nesh si shqiptarë të mirë e të thjeshtë, me shpirt atdhetar që për luftën çlirimtare bënë shumë, duke na lënë një vepër të jashtëzakonshme me gjakun e tyre, janë yje të pashuar, heronj të pavdekshëm, për të cilët duhet të dinë ata që lindën në flakët e luftës e në liri, tash të rritur e të pjekur, duhet të dinë e mësojnë edhe gjeneratat që vijnë pas nesh. Prandaj, nipat dhe mbesat, të rinjtë tanë, duhet ta dinë se liria u fitua me grykën e pushkës së luftëtarëve trima që derdhën gjakun e tyre. Rruga e lirisë nuk ishte e shtruar me lule. U derdh gjak trimash në kodra e brigje, në lëndina e monopate, në male e fusha, kudo në këtë truall, u hapën shtigje të luftës për ta fituar lirinë. Sa ishin midis nesh, i kemi parë, kemi ndenjur me ta, kemi bashkëbiseduar e bashkëvepruar, natyrisht kemi edhe kujtime për jetën e tyre për secilin për fëmijërinë, për shkollën, për jetën që bënin këta njerëz të zakonshëm, por sakrificat dhe flijimi i tyre në krye të detyrës i ka fisnikëruar kujtimet për ta, të cilat i bëjnë të paharruara, e që të gjallëve duhet t’u shërbejnë për ta jetuar lirinë me dinjitet dhe krenari e për ta ruajtur e forcuar të arriturën më të madhe pas shekujsh robërie, duke punuar me nder e në shërbim të interesit të përgjithshëm, me çdo çmim. Këtë testament na lanë edhe 8 dëshmorët e rënë në Pashtrik. Sepse, të 5 absolventët, Ismeti, Sinani, Hidai, Isaku dhe Sedati, dëgjuan thirrjen kushtrimtare: “Kush ka një zemër mos ta kursejë e kush ka një pushkë le ta rrëmbejë”, dhe si të rinj që ishin, vetëdijshëm u organizuan në veprimtari të fshehtë në kuadër të Lëvizjes Kombëtare për Çlirimin e Kosovës, më pas lanë edhe studimet dhe me zemrën zjarr e pushkën plot, u bënë pjesë e historisë si luftëtarë të UÇK-së. Më 3 dhjetor 1998, ata u nisën bashkë me njeriun me kulturë, profesorin Muhamet Malsorin, poashtu një luftëtar i përkushtuar dhe artist, që me zërin e tij të ëmbël i këndonte jetës dhe trimave të lirisë. Në grup kishin edhe Skënder Hamelin nga Mazreku i Hasit. Ky grup mund të qëndronte si vëzhgues në fshatrat e Hasit të Krumës, por jo. Fshatrat Cahan, Vlahën, Kishaj, Pogaj, Krumë etj. ishin shndërruar në zona  të mbështetjes së fuqishme për luftën çlirimtare të Kosovës. Mirëpo, ata u nisën sepse ishin të vendosur për të çarë çfarëdo pengese që u dilte përpara në këtë rrugë të vështirë, i kishin vetes qëllim rikthimin në luftën që i priste, të vetëdijshëm se kalimi i kufirit në këtë periudhë ishte me shumë rrezik. Në bjeshkët e Pashtrikut, në pjesën e Hasit të Kosovës, pothuajse në çdo pjesë kishte ushtarë serb, forca speciale të Serbisë, zona të minuara për të pamundësuar depërtimin e luftëtarëve, armëve dhe barotit për luftën çlirimtare. Majat e bjeshkës së Pashtrikut i ndanin në dy pjesë Hasin dhe hasjanët, që janë vëllezërit dhe motrat e një kombi, maja që ishin jo vetëm simbol i ndarjes, por në zonën këtej, edhe shprehje e një pushtimi të egër. Në çdo pëllëmbë të kësaj zone kishte një kujtim, që tregon se sa të gjata, sa të shumta, sa të mundimshme, sa sakrifica e sa vuajtje ka secili prej nesh dhe jo vetëm ne, por edhe baballarët tanë. Prej kohës kur na ndanë e copëtuan, Pashtriku ruan një thesar plot me kujtime. Nëpër Pashtrik, rrugëtuan shumë burra e trima për lirinë e popullit tonë. Në borë e shi, në ngrica e acar, nëpër hundët e pushtuesit, u kaluan këto shtigje, u bartën armatime dhe municione, u kryen detyra të vështira e u bart mbi supet tona zjarri i lirisë. Nëpër Pashtrik kaloi rruga e lirisë. Njëherësh, Pashtriku u bë simbol i përjetësimit të shumë e shumë luftëtarëve të lirisë. Kjo është dëshmia më e mirë se njerëzit më të mirë të këtij kombi të copëtuar nga kufij të vendosur dhunshëm kundër vullnetit tonë, u çanë nga luftëtarë dalëzotës që me atdhedashuri dhe gatishmëri e dëshmuan edhe me sakrificën madhore, duke u flijuar për liri e bashkim. Djemtë e Krushës së Madhe ndoqën rrugën e të parëve të tyre, ndoqën rrugën e nderit dhe të lavdisë, rrugën që ideologu i çështjes kombëtare, Ukshin Hoti, e kishte trasuar me sakrifica personale. Prandaj, na mbetet të nderojmë dhe kujtojmë përherë  këto sakrifica, sepse ata dhanë gjënë më të shtrenjtë. Lavdi e përjetshme heronjve dhe dëshmorëve të kombit shqiptar!   Lavdi 8 dëshmorëve që u flijuan në Pashtrik!

Mund të jetë një imazh i teksti

Kontrolloni gjithashtu

Me ftesë të kryetarit Kastrati udhëheqja e komunës së Meyrinit (Zvicër) po qëndron në Malishevë

Me ftesë të kryetarit të Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, një delegacioni i komunës së …