Frank Shkreli: Dhjetë këshillat e papës për të qenë të lumtur


Pak para disa ditësh lexova në mediet  amerikane njoftime në lidhje me një intervistë që Papa Françesku kishte dhënë muajin e kaluar për gazetën Viva të Argjentinës, gjatë së cilës ai kishte rekomanduar  dhjetë këshillat e tija bazuar në përvojën e tij, që ai thotë se po ti zbatojmë, do jemi më të lumtur në jetë. Ndonëse është fund jave dhe jemi si të thuash në vigjiljen e vizitës historike të Papa Françeskut në Shqipëri më 21 shtator, thashë me vete t’i ndajë me lexuesit, të cilët ndoshta nuk i kanë lexuar deri tani këto dhjetë këshilla të Papës, për të qenë i lumtur në jetë, pasi në fund të fundit, kush prej nesh nuk dëshiron të jetë i lumtur në këtë botë.


 


Me këshillat e tija, Papa në përgjithësi përpiqet të inkurajojë njerzit të kenë një qëndrim më pozitiv në jetë dhe të jenë më bujarë dhe zemërgjërë ndaj të tjerëve. Këshillon gjithashtu familjet që të mos shikohet aq shumë televizion pasi nuk u jep antarëve të familjes mundësinë për të komunikuar me njëri tjetrin dhe propozon që njerzit të kërkojnë mënyra më të mira për të kaluar kohën e lirë. Ai tha se është zhdukur kënaqësia për të lexuar libra, njerëzit nuk lexojnë më, fatkeqsisht. Papa, madje rekomandon që të ndalohen përpjekjet për të bindur njerëzit që të përqafojnë fenë tënde. Rekomandon që për arsye të jetës moderne shumë të ngjeshur, që të pushojmë më shumë, dhe të kalojmë më shumë kohë me familjen dhe të punojmë për paqë — sipas mediave të ndryshme amerikane që kanë botuar intervisten me këshillat e Papës për njerzit që duan të jenë më të lumtur në jetë.  Disa prej këshillave të tjera përfshijnë mundësinë për të ndihmuar njerzit që kanë nevojë dhe thotë se lumturia nevojitë përpjekjet e shoqërisë dhe të politikës për punësimin e të rinjve duke u gjetur atyre punë të dinjitetshme. Dhe mbi të gjitha, një ndër këshillat e Papës për të qenë i lumtur në jetë, është e nevojshme dhe rëndësishme që të respektohet besimi i të tjerve. Ja edhe 10 këshillat e Papës dhënë gazetës argjentinase Viva, të përkëthyera shqip për ata, që sipas tij, dëshirojnë të jenë më të lumtur në këtë jetë:


 


 Jeto jetën tënde ashtu si dëshiron vet, por lejo që edhe të tjerët të jetojnë si pas dëshirës së tyre. Të gjithë, tha Papa, duhet të udhëzohen dhe të jetojnë në bazë të këtij parimi.


 


Të jeshë bujar e zemërgjërë me të tjerët. Është e nevojshme, tha Papa, që njerëzit të jenë të sinqertë dhe bujarë ndaj të tjerëve. Në të kundërtën, shtoi ai, njerëzit rrezikojnë të bëhen egocentrik, duke u përqëndruar vetëm në nevojat e veta dhe askujt tjetër.


 


Përpiqu të jeshë i qetësuar në jetë. Reflekto mbi të kaluarën për të parë se si e ke kaluar jetën.


 


Që njeriu të ketë një kuptim më të shëndosh për pushim, për më shumë kohë të lirë. Papa tha se konsumarizmi i tepëruar ka sjellur shqetësime në shoqëri dhe u rekomandon prindërve që të caktojnë kohë të posaçme për të luajtur me fëmijtë e tyre dhe që të mbyllin televizorin kur ulen rreth tavolinës për të ngrënë.


 


E Djela duhet të jetë ditë pushimi.  Puntorët duhet të pushojnë të djelën, pasi sipas tij, e “Diela është për familje”.


 


Të gjënden mënyra të reja inovuese për të krijuar vende pune me dinjitet për të rinjët e të rejat. Duhet të jemi më të interesuar dhe më krijues për tu përballur me nevojat e rinisë, tha Papa për gazetën argjentinase, Viva.


 


Respekt dhe përkujdesje për natyrën. Degradimi i mjedisit, shtoi Papa Françesku, është një prej sfidave më të mëdha me të cilat përballet njerëzimi. Pyetja që duhet t’i bëjmë vetvetes, tha ai, është nëse, “njerëzimi po bën vetvrasje me përdorimin tiranik të natyrës dhe të burimeve të planetit, pa marrë parasyshë pasojat.”


 


Të mos jeshë negativ ndaj të tjerëve. Nevoja për të folur keq për të tjerët është në të vërtetë shënjë e mos respektit për vetveten, tha Papa. “Heqja dorë nga ndjenjat dhe qëndrimet negative ndaj të tjerëve sa më shpejt që të jetë e mundur, është shumë e shëndetshme për individin dhe njëkohsisht e bën njeriun më të lumtur, tha ai.


 


Mos u përpiq të këthesh dike në fenë tënde ose që të tjerët të pranojnë me doemos pikëpamjet tua. Respekto besimin e të tjerëve!  Gjëja më e keqe, tha Papa, janë përpjekjet e tepruara për të kthyer dike në fenë tënde. Të tjerët tha ai, mund të frymëzohen nga shëmbulli ynë, po të duan.  Çdo person, tha ai, dialogon duke filluar nga identiteti i vetvetes dhe se katolikët duhet të dialogojnë edhe me ata që nuk ndjekin besimin e tyre.


 


 


Puno për paqë. Jetojmë në një periudhë luftërash e konfliktesh dhe si përfundim duhet të ngrejmë zërin lartë në mbështetje të paqës. Paqa nganjëherë le të nënkuptohet se është e qetë, por ajo në të vërtetë nuk është kurrë e qetë, tha Papa. Paqa është gjithmonë proaktive dhe dinamike, përfundoi Papa, duke u bërë thirrje njerëzve që të luajnë një rol më aktiv dhe më dinamik në zgjidhjen e konflikteve, anë e mbanë botës.


 


Këto ishin 10-këshillat e Papa Françeskut, dhënë azetës Viva të Argjentinës, për një jetë më të lumtur në këtë botë plot probleme.   Por si individë kalimtarë në këtë botë edhe nëqoftse zbatojmë madje edhe vetëm një prej këtyre këshillave – përfshirë edhe ata që ndoshta nuk duan t’i marrin parasyshë seriozisht këto rekomandime pasi vijnë nga Papa – besoj se do të bëhemi njerëz më të mirë, jo vetëm për veten tonë, për familjen dhe shoqërinë ku jetojmë, por edhe për mbarë familjen e racës njerëzore dhe në proces, si përfundim, do të kontribojmë drejtë një jete më të lumtur, më të pasur dhe më të doemethënse për të gjithë.


Fund jave të këndshëm dhe jetë të lumtur, gjithmonë!


 


 


Frank Shkreli: Patriotët mendjendritur të popullit shqiptar


 


Javën e parë të Korrikut pata nderin të merrja pjesë në promovimin e librit, “Enciklopedi Antologjike e Mendimit Shqiptar, 1807-1957, libër ky i botuar në tre vëllime, i studiuesit Ndriçim Kulla. Është ky një botim shumë i dobishëm dhe i rëndësishëm për brezin e tashëm dhe brezat e ardhëshëm të shqiptarëve, sepse vëllimet janë një përmbledhje e mendimeve të nja 75 intelektualëve të kombit shqiptar të periudhës që mbulon sepse shumë prej tyre ishin të ndaluar nga regjimi komunist.   Vepra e Zotit Kulla është botuar nga Shtëpia Botuese, “Plejad.   Është me rëndësi dhe tepër e dobishme botimi i këtyre vëllimeve në këtë kohë, sepse këta intelektualë patriotë, ndërkohë që Shqipëria siguroi kohët e fundit statusin e kandidatit, pothuaj të gjithë dëshmojnë se shqiptarët e kanë vendin aty, në Europë, shpirtërisht dhe gjeografikisht. Të gjitha shkrimet e tyre në gazeta dhe revista të kohës kur jetonin, i përkasin brezave të shqiptarëve që mund të thuhet se ishin të pafat, dhe të cilët megjithë virtytet e tyre të larta patriotike dhe intelektuale, jetuan dhe vuajtën, ndërkohë që shumë prej tyre  e pësuan keq, madje edhe me jetë për qëndrimet e tyre, gjatë periudhave historike të cilat qenë orëzeza për kombin shqiptar, siç ishte regjimi brutal komunist i gjysëm shekullit të kaluar. Shumë prej tyre, fatkeqsisht u zhdukën nga regjimi komunist si përfaqsues të mendimit të pavarur dhe si mbështetës të fjalës së lire.   Siç mund të shihet nga mendimet e tyre të përfaqësuara në këto vëllime, dhe ndonëse jetuan dhe vepruan në tallazet më të vështira të historisë kombëtare – ata ishin ndër atdhetarët më të spikatur dhe njëkohësisht ata ishin në radhët e disa prej mbrojtësve më të dalluar të idealeve dhe të interesave kombëtare të shqiptarëve të të gjitha kohërave.  Ishin këta të cilët promovuan  idealet dhe vlerat e përbashkëta të të gjithë shqiptarëve, ndërkohë që frymëzimi i të cilëve çoi më në fund edhe në pavarësinë e shqiptarëve. Megjithëse shumë prej tyre jetuan dhe vepruan jashtë atdheut, shpesh të ndjekur e të përbuzur, megjithëkëte ata kurrë nuk e ndërprenë veprimtarinë e tyre në të mirën e kombit shqiptar.


Për t’i nderuar si të tillë, si fëner të dijës kombëtare, si burra dhe largpamës që ishin, në promovimin e kësaj enciklopedie mendimesh shqiptare, mori pjesë edhe Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Zoti Bujar Nishani, përfshirë ndër të tjerë edhe Zotin Bujar Leskaj, Kryetari i Këshillit të Lartë të Shtetit, si dhe një numër personalitetetsh të ndryshme nga jeta kulturore dhe akademike, studiues, gazetarë dhe publicistë. 


Në fillim të ceremonisë së promovimit, Presidenti Nishani vlerësoi veprën tre-vëllimore të studiesit Ndriçim Kulla, si përfaqsuesi më i lartë i shtetit, duke thënë se botimi është ndër më të rëndësishmet e viteve të fundit, i cili për nga rëndësia, “me siguri shënon një gur kilometrik në rrugën e editorisë shqipe”, duke shtuar se, “për herë të parë, në një përmbledhje të shkëlqyer i jepen lexuesit  shqiptar në mënyrë të sintetizuar, fragmente të çmuara të 75 intelektualëve të ndritur në të gjitha fazat e jetës disa shekullore të mendimit të inteligjencës së shqiptarëve.”


Telashet historike të kombit shqiptar nuk e lënë atë kurrë rehat, aty në trojet e veta. Duke folur për këtë dhe për kontributin që kanë dhënë intelektualët shqiptarë në mbijetesën e kombit, si dhe për fatin e keq të këtyre breznive të pa fat, Presidenti Nishani theksoi se fati i keq i gjeopolitikës i përplasi gjithmonë në ballafaqime tragjike me perandoritë dhe barbaritë e kohës dhe shtoi se, “Ata nuk patën luksin që të shijonin intervale të gjata lirie e begatie, por dijtën që të ruanin instinktin e mbijetesës, madje edhe në vitet më të errëta”.   “Në këtë panoramë të tentativës së përhershme për eliminim kombëtar, duke filluar aty nga fundi i Mesjetës” tha Zoti Nishani, “nisën të ndriçojnë disa yje të rralla mendimi, të cilat artikuluan për herë të parë në shqip vetëdijen e ekzistencës sonë.  Ne duhet t’u jemi përherë në jetë mirënjohës Buzukut, Bogdanit, Budit, e të tjerve, që janë pionerët, me të cilët zë fill potenciali shprehës i mendimit shqip”, përfundoi vlerësimin e tij Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Zoti Bujar Nishani.


Këto tre vëllime,  siç thotë edhe  Profesor Ksenofon Krisafi në vlerësimin e tij – studiuesi Ndriçim Kulla, këtyre simboleve të shënjta të mendimit shqiptar u ka ndërtuar, sipas tij, një “muze në kuptimin figurativ të fjalës, në formën e një botimi përmbledhës, kishte trokitur ora që ata, të grupuar në eksponentët e një krestomacie, t’i flisnin njëri-tjetrit dhe të komunikonin kronologjikisht, që lexuesi ta shijonte të plotë mozaikun shumëngjyrësh të mendimit shqiptar në çdo etapë, që kur nisi të kultivohej ai”.


Përfaqsuesit e këtyre mendimeve, ose më mirë të themi  testamentet e disa prej më të ndriturve të mendimit shqiptar, sipas tre vëllimeve të “Enciklopedisë Antologjike e Mendimit Shqiptar 1807-1957” të studiuesit Ndriçim Kulla, janë këta: Gjon Gazulli,  Marlin Barleti, Engjëll Mashi, Xhuzepe Krispi, Vincenso Dorsa, Dhimitër Kamarda, Jeronim De Rada, Elena Gjika, Hasan Tahsini, Zef Jubani, Jani Vreto, Vaso Pasha, Sami Frashëri, Shahin Kolonja, Ismail Qemali, Mithat Frashëri, At Gjergj Fishta, Luigj Gurakuqi, Dom Lazër Shantoja, At Ambroz Malaskaj, Visarion Xhuvani, Faik Konica, Kostë Çekrezi, Kristo Dako, I Përndershmi Fan Stilian Noli, Eqërem bej Vlora, Branko Merxhani, At Anton Harapi, Mehdi Frashëri, Krist Maloki, At Xhiuseppe (Zef) Valentini, Profesor Ernest Koliqi, Gaetano Petrotta, Karl Gurakuqi, Jorgji Meksi, Vangjel Kola, Tajar Zavalani, Nebil Çika, Hafiz Ali Kraja, Ismet Toto, Safet Butka, Nonda Bulka, Sejfulla Malishova, Zef Mala, At Gjon Shllaku, At Benedikt Dema, At Donat Kurti, Stavro Skëndi, Arshi Pipa, Isuf Luzaj, At Marian Serdani, Filip Fishta, Profesor Eqrem Çabej, Athanas Gegaj, Ilo Mitkë Qafzezi, Dhimitër Shuteriqi, Kristo Floqi, Mustafa Kruja, Osman Myderizi, Zef Mark Harapi, At Shtjefën Gjeçovi, Dom Nikoll Gazulli, At Bernadin Palaj, Dom Gaspër Gurakuqi, Jakov Milaj, Dom Ndoc Suma, Gjon Kasmi, Mitrush Kuteli, At Justin Rrota, Mati Logoreci, Profesor Martin Camaj, Namik Resuli, Selman Riza, Aleksandër Xhuvani, ndër të tjerë.


Është kjo një listë që të bën të pyetësh vetveten, se cili do të kishte qenë fati i Shqipërisë dhe i Shqiptarëve po të kishin mbizotëruar mendimet e këtyre patriotëve. Si do ishte sot Shqipëria dhe shqiptarët nëse në shekullin e kaluar do të kishin fituar pikëpamjet e tyre pro-perëndimore?   A e humbi luftën ajka e kulturës dhe e mendimit shqiptar që paraqitet në këtë Enciklopedi në krahasim me një ideologji sllavo-aziatike, apo pikëpamjet e tyre janë gjithnjë frymëzuese për brezat e sotëm dhe të ardhëshëm të kombit shqiptar?


Më kujtohet me një rast, kur isha si refugjat në Romë, më 1970, duke biseduar me Profesor Ernest Koliqin mbi humbjen e nacionalizimit shqiptar dhe mbi fitoren e komunistëve në Shqipëri dhe në Europën Lindore, si dhe për fatin me të cilin u përballuan intelektualët e përndjekur siç ishte ai, si rrjedhim i fitores së komunizmit në kontinentin europian.  Profesori i nderuar, i cili radhitet me plot të drejtë në listën e mendimtarëve të Enciklopedisë së përgatitur nga Ndriçim Kulla, dhe i cili njihet përveë tjerash për kontributin e tij në hapjen e shkollave të para shqipe anë e mbanë trojeve të kombit shqiptar, tha me optimizëm: Edhe Gjergj Kastrioti – Skënderbe humbi mbasi habiti botën me luftën dhe fitoret e tija kundër osmanëve. Megjithëkëtë, vepra e heroit kombëtar, tha Profesor Koliqi, nuk u shua. Përkundrazi, shtoi ai, ajo sot e asaj dite vazhdon të lëshojë rreze dritë gjithnjë e më tepër.  Kështu, përfundoi ai, humbjet tona do të jenë të përkohshme, pasi mendimet dhe ideologjia e patriotëve të vëretetë do të këthehen përsëri në dobi të atdheut, jetën dhe veprat e tyre, të cilit ata ia kushtuan.


Kështu mendon edhe autori i “Enciklopedisë Antologjike e Mendimit Shqiptar, 1897-1957”, Zoti Ndriçim Kulla, i cili shprehet se kjo përmbledhje e mendimit shqiptar, duhet të ketë kontribuar edhe në “baticën e mendimit demokratik” të 20-viteve të fundit në Shqipëri dhe si e tillë, shprehet autori, duke shërbyer si pararëndsja më e denjë dhe më e përpiktë, do të dijë të marrë mendimet shqiptare të pasqyruara në këto vëllime, “të cilat kanë hedhur filiza të shëndetshëm gjatë këryre viteve, për t’i lartuar ato në pemë të mëdha e të patundura, duke u bazuar në udhëheqjen shpirtërore, morale dhe ideore të këtyre shëmbujve të mëdhej….për të ndërtuar një Shqipëri tjetër…të dijës e të përparimit.” 


Ky do të ishte nderimi më i madh ndaj këtyre apostujve të kombit që kanë dalur ndonjëherë nga gjiri i Shqipërisë dhe i kombit shqiptar. I këtyre mendje ndriturve dhe njëherazi edhe kundërshtarëve më të flakët të atyre që donin të shuanin dhe të mohonin traditat më të shëndosha shqiptare.  Ndriçim Kulla ka dhënë një kontribut shumë të vlefshëm në panteonin e mendimit shqiptar duke e përmbledhur në një botim të vetëm pasqyrimin e vërtetë të karakteristikave të përbashkëta të të gjithë shqiptarëve dhe të gjitha kohërave, duke na kujtuar se na ishte njëherë Shqipëria e vlerave.


Frank Shkreli

Kontrolloni gjithashtu

Zymer Mehani

Zymer Mehani: Ushtar Shabani dhe thirrja e atdheut

(Tregim për dëshmorin e kombit, Shaban B. Avdiu, në përvjetorin e rënies) Në një natë …