Frank Shkreli

Frank Shkreli: Dita e Falënderimeve në Amerikë në vitin 2017

Për shumicën e amerikanëve, imazhi i Ditës së Falënderimeve lidhet me gjelin e detit të pjekur dhe me një festë familjare që normalisht bashkon familjet.  Njihet gjithashtu edhe si një ditë paradash, qoftë ditë me borë, apo shumë e ftohtë.  Por edhe një ditë kur luhet futboll amerikan.

Por kjo festë ka një domthënie më të madhe se kaq. Dita e Falenderimeve në Amerikë është një ditë e dalluar në kalendarin vjetor të këtij vendi.  Është me të vërtetë një festë kombëtare, në të cilën përfshihen dhe marrin pjesë të gjithë qytetarët, për një qëllim të përbashkët dhe pa dallim feje, pikpamjesh politike ose origjinë etnike — vetëm e vetëm për të falenderuar Perendinë për bekimet që u ka dhenë atye individualisht, familjeve dhe vendit të tyre, ku ata jetojnë.

Pak histori në lidhje me këtë fetes tipike amerikane.   Çdo vit, Dita e Falënderimeve shënohet të ënjten e katërtë të muajit Nëntor.  Kjo festë e ka origjinën në fillim të historisë së këtij vendi kur kolonët e parë pelegrinë nga Anglia u vendosën në këtë hapësirë në shekullin e 16-të dhe të cilët, pas të korrurave të bollëkshme,vendosën që të pushonin nga puna e mundshme, me qëllim për të falënderuar Perëndinë, për të gjitha bekimet që u kishte dhënë atyre gjatë një periudhe shumë të vështirë për ta.   Thuhet se pelegrinët e parë mësuan nga indianët vendas për të mbjellur misër, fasulje dhe kunguj, ashtuqë në Vjeshtën e vitit 1621, nja 90 prej tyre, së bashku me indianët vendas, përgatitën një darkë të madhe për të shënuar ditën e parë të Falënderimeve.

Por historia e kësaj feste e ka zanafillën zyrtare në vitin 1789, pas një deklarate nga presidenti i parë i këtij i vendi, Xhorxh Uashingtoni, kur Amerika festoi zyrtarisht ditën e parë të Falënderimit ndaj Zotit, në bazë të kushtetutës së re, të caktuar si, “Një ditë Falënderimesh publike, kushtuar të Madhit Zot, Autorit të të gjithë të mirave që kanë qenë, që janë dhe që do të jenë”. Presidenti Xhorxh Uashington, duke caktuar ditën e Falënderimeve si festë kombëtare, ka përdorur një ton gjithëpërfshirës, pa preferuar ndonjë fe ose besim, por në të njëjtën kohë, ai ka theksuar edhe “Bekimet politike, morale dhe politike për demokracinë e re” – të cilat sipas tij bëjnë të mundur funksionimin e një qeverisjeje të mirë, duke perfshirë edhe “Pendimin personal dhe kombëtar”, kur është e nevojshme për të pranuar gabimet, madje edhe në nivel kombëtar, sipas Xhorxh Washingtonit.

Historia amerikane shënon se në Tetor të vitit 1777, të gjitha 13 kolonitë e para amerikane të asaj kohe, u bashkuan për të festuar ditën e Falënderimeve, që në të njëjtën kohë shënoi edhe fitoren e kolonive të reja amerikane në luftën e tyre kundër Perandorisë së atëherëshme britanike. Gjatë viteve që pasuan, festimi i kësaj dite ka pësuar disa ndryshime, por më në fund, presidenti Abraham Linkolni më 1863 ka shpallur zyrtarisht të Ënjtën e katërt të Nëntorit si Ditën Kombëtare të Falënderimeve.

Disa prej presidentëve më të dalluar të Shteteve tëBashkuara, siç janë  Xhorxh Washingtoni, Abraham Linkolni dhe Franklin D, Rusvelti — kanë luajtur rol me rëndësi për të bërë  që Dita e Falënderimeve të jetë për të gjithë amerikanët, pa dallim,  një ditë për të festuar me familjet e tyre, traditat, vlerat dhe idealet amerikane.   Urata e Xhorxh Uashingtonit për Ditën e Falënderimeve ishte kuptimplotë nga pikpamja përsonale si dhe në nivel kombëtar si udhëheqës i këtij vendi por edhe , pasi i lutej Perëndisë edhe për shtetet mike të Amerikës, me uratën: “Le të bashkohemi dhe t’i lutemi me përvjutërinë më të thellë të Madhit Zot dhe Udhëheqsit të kombeve dhe t’i kërkojmë Atij që të na fali gabimet tona kombëtare dhe mëkate të tjera dhe i lutemi të na mundësojë që në jetën tonë private ose publike të kryejmë detyrat tona ashtu siç duhet dhe siç kërkohet nga ne; që qeveria jonë të jetë gjithmonë e mençur, e drejtë dhe të zbatojë ligjet kushtetuesee me besnikëri…Që Perëndia të ruaj dhe të mbrojë të gjitha shtetet sovrane, sidmos ato që janë mike me ne dhe bekojë të gjithë ata o Zot me një qeveri të mirë, falu atyre o Përendi paqë dhe mirëkuptim”, ishte shprehur Xhorxh Wasshingtoni.

Duke i qëndruar besnikë kësaj tradite, gjatë gjithë historisë amerikane, presidentët amerikanë i kanë ofruar lutje dhe falënderime Perëndisë për bekimet ndajë këtij vendi — por pa preferuar një besim fetar ose një tjetër.

Edhe sivjet, me rastin e kësaj dite të shënuar në jetën e shoqërisë amerikane, Presidenti Donald Trump, në deklaratën e tij me rastin e Ditës së Falënderimeve të këtij viti — që festohet të ënjtën me 23 nëntor ka theksuar se, “Në këte Ditë Falënderimi – ashtu siç kemi bërë për pothuaj katër shekuj –Amerikanët falënderojnë Zotin e Plotëfuqishëm për bekimet tona të bollëkshme.   Me këtë rast ne mblidhemi së bashku me të dashurit tonë për të falënderuar Zotin për liritë tona që gëzojmë, për miqët dhe për familjet tona si dhe për Atdheun tonë të begatë”.   Në meazhin e tij, Presidenti Trump u kujtoi amerikanëve tragjeditë shokuese me të cilat është përballur vendi gjatë këtij viti, siç ishin uraganët shkatërrues, zjarret që goditën rëndë pjesën perëdnimore të Amerikës, si dhe aktet e dhunës dhe të terrorit në Las Vegas, në qytetin e New York-ut dhe në shtetin Teksas. “Ndërkohë që mbajmë zi për këto ngjarje të dhimbëshme, ne jemi si gjithmonë të bindur se vendosmëria dhe optimizmi i popullit amerikan do të triumfojnë”, u shpreh Presidenti Trump në deklaratën e tij me rastin e Ditës së Falënderimeve të këtij viti.  “Ashtu siç kanë bërë dikur pelegrinët e parë në këtë vend, Amerikanët sot janë të fortë dhe të vendosur për të mbrojtur familjet dhe të ardhmen e tyre, për të ruajtur dhe për mbështetur vlerat e tyre dhe për t’u përballur me çdo sfidë”, tha Presidenti amerikan Donald Trump, në mesazhin e tij drejtuar bashkëkombasve të vet, në shënim të Ditës së Falënderimeve, festës së përvitshme, tradicionale amerikane.

Amerikanët, nga natyra janë popull optimist madje edhe në kohë të vështira dhe plot sfida me të cilat është përballur dhe përballet vendi i tyre, në fushën politike të mbrendshme dhe ndërkombëtare.   Megjithë problemet ekonomike, shoqërore dhe megjithë fatkeqsitë natyrore me të cilat u pëball ky vend gjatë këtij viti e të cilat i përmendi edhe shefi i Shtëpisë së Bardhë në mesazhin e tij, në Ditën e Falënderimeve, Amerikanët kujtojnë ditët e para të demokracisë së tyre si dhe vështirsitë dhe fatkeqsitë e brendshme dhe të jashtme gjatë historisë së tyre, përfshirë edhe luftën civile, ndërkohë që përballë të gjitha këtyre problemeve në të kaluarën dhe atni, ata janë të vetdijshëm se jetojnë në një vend me shumë bekime për veten, për familjet e tyre dhe për kombin — dhurata të Përendisë këto ndaj këtij vendi, në të cilin çdo qytetar I këtij vendi ka të drejtë të jetojë, të punojë dhe t’i lutet Perendisë në liri të plotë dhe në mënyrën që dëshiron vet – jo vetëm Ditën zyrtare të Falënderimeve, por çdo ditë.

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …