Frank Shkreli

Frank Shkreli: Gjorgj Orvell thoshte se është një akt revolucionar të thuhet e vërteta në kohë gënjeshtrash

Në janar të vitit 1950 vdiq Eric Arthur Blair (25 Qershor 1903 – 21 Janar 1950) ose siç njihej më mirë me emrin George Orwell, novelisti, gazetari, kritiku dhe eseisti britanik, i njohur për veprat e tija mbi padrejtsitë shoqërore, për kritikat letrare dhe si gazetar polemik, ndërkohë që është dalluar sidomos për kundërshtimet e tija të forta ndaj totalitarizmit si dhe për shkrimet në mbështetje të socializmit demokratik.

Por Xhorxh Orwell njihet më së miri për dy veprat e famshme klasike, “1984” dhe “Ferma e Kafshëve”, të cilat BBC-ja i ka cilësuar si novelat më të njohura në botë, të shekullit 20.  Ndërsa gazeta Times e Londrës e ka renditur Orwell-in të dytin në listën e 50-shkrimtarëve më të njohur britanikë ç’prej vitit 1945.   “Ferma e Kafshëve” është botuar në vitin 1945, dhe vepra tjetër, “1984” është botuar katër vjet më vonë. Siç le të kuptohet edhe titulli, kjo vepër është një fabul i shkurtër politik, por i bazuar në një të ardhme imagjinare totalitare.  Si mbrojtës i vendosur i lirisë së individit, George Orwell luftoi të gjitha dukuritë dhe çdo formë shtypjeje. Kjo frymë përshkon pothuaj të gjitha veprat e tija kryesore.

Siç dihet, në romanin e titulluar thjeshtë “1984”, Orwell-i përshkruan një botë të ndarë dhe të pëçarë në konflikt të vazhdueshëm.  Konflikti justifikon sundimin e fortë të qeverisë me qëllim për të kontrolluar dhe për të shtypur individin duke përdorur zhvillimin e shkencës dhe teknologjinë.  Orwelli përshkruan, në këtë vepër, një botë ku jeta private e individit pothuaj nuk ekziston më.   Ndërsa në veprën tjetër të famëshme, “Ferma e kafshëve”, George Orwell I ofron lexuesit një gjëndje të krijuar, ku kafshët, ndërsa heqin qafe pronarin e vjetër njerëzor të tyre, shpresojnë se në këtë mënyrë do të krijojnë një jetë më të mirë dhe më të kënaqshme për veten e tyre.  Por, ndërkohë një elitë tjetër politike, më e mençur, më mizore dhe në mënyrë të vet më e djallëzuar, vjen në fuqi — kafshët e tjera zbulojnë se janë katandisur në një gjëndje edhe më të pa shpresë se përpara, ndërkohë që sundohen dhe kontrollohen me të njëjtat mënyra mizore si më parë.  Në të vërtetë, “Ferma e Kafshëve” është një libër që përshkruan komunizmin dhe totalitarizmin në përgjithësi, jo vetëm në Rusinë e asaj periudhe kur jetoi Orwell-i – por ishte një model që duhej të adaptohej dhe në “fermat”, vendet e tjera komuniste.

Ndonëse sillej si anarkist në 1920-at, me fillimin e dekadës së 1930-ave George Orwell e konsideronte veten si socialist.  Si i tillë, ai shkon në Spanjë për të luftuar në anën e republikanëve, kundër forcave nacionaliste të Francos. Nga Spanja, ai u detyrua të largohej prej frikës se do të vritej nga komunistët e mbështetur nga sovjetët, të cilët po zhduknin kundërshtarët e tyre revolucionarë socialistë, siç ishte Orwell-i — gjatë luftës civile në Spanjë.  Kjo përvojë, sipas BBC-së, e bëri George Orwellin një anti-stalinist të përbetuar dhe të përjetshëm.  Si rrjedhim, “Ferma e kafshëve” e shkruar pas kësaj përvoje të keqe që Orwell me komunistët sovjetikë, është një novelë alegorike e cila pasqyron, sipas tij, ngjarjet nga periudha para Revolucionit Rus të vitit 1917 e deri tek sundimi i diktatorit Stalin i Bashkimit Sovjetik.

Orwell-i e konsideronte Bashkimin Sovjetik si një diktaturë brutale, e themeluar mbi kultin e personalitetit dhe e mbështetur nga sundimi i terrorit.  Derrat si karakterë kryesorë në novelën e tij, “Ferma e kafshëve”, përfaqësojnë udhëheqjen komuniste dhe pjesa tjetër e kafshëve në fermë simbolizojnë pjesë të ndryshme të shoqërisë ruse dhe se si ardhja me dhunë në pushtet e komunistëve në Rusi — kishte prekur jetën e tyre të përditshme.  Dy karakterët kryesorë të novelës — derrat “Napoleoni” dhe “Snowball” — që simbolizojnë Trotskin dhe Stalinin, janë të mbërthyer në një luftë politike, pasi secili prej tyre dëshiron të udhëheq të gjitha kafshët e tjera në fermë.  Më në fund, dy derrat kryesorë konfliktohen me njëri tjetrin se cili prej tyre duhet të ketë më shumë pushtet në fermën e kafshëve. Më në fund, derri “Napoleon” thërret nëntë qentë e fermës që t’i vërsulen derrit tjetër kundërshtarit “Snoball-it” për ta përzen nga ferma.  Krye-derri “Napoleon” bëhet udhëheqsi numër një në fermë, anullon çdo mbledhje e konsultim dhe deklaron se këtej e tutje vetëm derrat, dhe jo kafshët e tjera, do të marrin të gjitha vendimet për të mirën e përbashkët, ndërsa deklaron se është mik i ngushtë i njerëzve. Ndërkaq, kafshët që dëgjojnë deklaratën e krye-derrit, ashtu të konfuzuar, nuk dinë se cilët nga ata që gjënden mbrenda fermës, janë njerzit e cilat janë kafshët.

Sa aktuale aq edhe e dhimbëshme dhe tragjike!   Megjithatë, George Orwell nuk ngarkon me faj vetëm klasën sunduese politike për krijimin e një gjëndjeje të tillë si Ferma e Kafshëve në shoqëritë moderne, por edhe ata që e votuan në pushtet elitat politike sunduese, duke thënë se, “Një popull që voton për të zgjedhur politikanë të korruptuar, mashtruesë, hajdutë dhe tradhëtarë, ai popull nuk është viktimë, por bashkëpuntor i tyre”. (George Orwell).

Fatkeqsisht, është e pamundur që mesazhet politike dhe paralajmërimet (1984) e Orwell-it për fund shekullin e 20-ët, të shkruara fillim shekullin e kaluar të mos lidhen me jetën e sotme shoqërore pasi tingëllojnë aqë aktuale me politikën kudo – diku më shumë e diku më pak — përfshirë botën shqiptare.   Si të tilla, megjithse në mënyrë allegorike, (Ferma Kafshëve) veprat e Orwell-it, na kujtojnë gjithashtu edhe aktualitetin politik post-komunist, që po përjetohet sot, edhe në Shqipëri dhe Kosovë — ku shpresohej se me shembjen e komunizmit enverist dhe me çlirimin e Kosovës nga komunizmo-fashizmi serb –duke hequr qafe njëherë e mirë derrat e vjetër të “Fermës së kafshëve”, — kombi shqiptar do të krijonte një jetë më të mirë dhe më të kënaqshme për veten.   Fatkeqsisht, shqiptarët sot e gjejnë veten përsëri në një gjëndje të pa shpresë, megjithse në pushtet është një elitë tjetër sunduese, ndryshe nga ajo e më përparmja, ndonëse gjëndja mund të ketë ndryshuar shumë pak për shumicën dërmuese. Për të cituar Orwell-n, parulla ka ndryshuar nga, “Të gjitha kafshët janë të barabarta”, në parullën se “Të gjitha kafshët janë të barabarta, por disa janë më të barabarta se tjerat”.

Një tjetër shembull, sa për ilustrim, një citim nga vepra “1984” e Orwell-t: “Tani po ua jap përgjigjen ndaj pyetjes time. Partia kërkon pushtetin vetëm për përfitime të veta. Ne nuk jemi të interesuar për të mirën e të tjerëve. Ne jemi të interesuar vetëm të kontrollojmë pushtetin, pushtetin e vërtetë dhe asgjë tjetër. Çfarë do të thotë pushtet i vërtetë, ju do ta kuptoni tani. Ne jemi ndryshe nga oligarkitë e së kaluarës, për faktin se ne dijmë ekzaktërisht se ç’jemi duke bërë.   Të gjithë të tjerët, madje edhe ata nga të cilët kemi marrë shembull, ishin frikacakë dhe hipokritë.   Nazistët gjermanë dhe komunistët rusë ishin shumë afër nesh për nga metodat që përdornin, por ata nuk mundën kurrë të identifikonin motivet e tyre. Ata silleshin, e ndoshta edhe besonin sikur kishin marrë psuhtetin pa dashur dhe pa vullnet dhe për një kohë të caktuar dhe se së shpejti do të krijohet parasja, ku njerzit do të jetonin të lirë dhe të barabartë.  Ne nuk jemi si ata.  Ne e dijmë se kushdo që merr pushtetin me forcë, bën një gjë të tillë me qëllimin për të mos hequr kurrë më dorë nga pushteti.   Pushteti nuk është një mjet për të arritur diçka por është qëllimi përfundimtar. Nuk themelohet diktatura për të ruajtur revolucionin. Jo, revolucioni bëhet për të mbështetur e ruajtur diktaturën.  Qëllimi i përsekutimeve, janë përsekutimet.  Objektivi i torturës është tortura. Objektivi i pushtetit është pushteti. Tani, ke filluar t’a kuptosh?”. (George Orwell, “1984”).

”Kush kontrollon të kaluarën, kontrollon të ardhmen. Kush kontrollon kohën e tanishme, kontrollon edhe të kaluarën.” (George Orwell,”1984”)

“Mënyra më efektive për të shkatërruar një popull është që atij t’i mohohet dhe t’i fshihet nga kujtesa, historia e vet.” (George Orwell)

“Për derisa njerëzit nuk janë të ndërgjegjëshëm, ata nuk do të rebelohen dhe pa u rebeluar, ata nuk do të bëhen të ndërgjegjëshëm.” (George Orwell, “1984”)

George Orwell ka vdekur me 21 Janar, 1950 në Londër

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …