Frank Shkreli

Frank Shkreli: Një urim, një falënderim dhe një dëshirë për Vitin e Ri

Urimet e mia më të përzemërta për Vitin e Ri 2019 shokëve, miqve, kolegëve dhe bashkëpuntorve të mi, të afërt dhe të largët, sidomos lexuesve të nderuar të shkrimeve të mia modeste, në përgjithësi – në gazetat dhe portalet anë e mbanë trojeve shqiptare dhe në diasporë, të cilat me botimin e tyre, më kanë mundësuar shprehjen e lirë të mendimeve të mia në faqet e tyre të përditshme, në një hapësirë mediatike ku edhe është numri më i madh i lexuesve.  Uroj një Vit të Ri për të gjithë, një vit në të cilin të gjithë ne shpresojmë të realizojmë ëndërrat dhe qëllimet e parealizuara deri tashti, si individ dhe si shoqëri, kudo që jetojmë. E bëj këtë urim, veçanërisht, për vëllëzërit dhe motrat tona anë e mbanë trojeve shqiptare, të cilët edhe pas pothuaj 30-vjet post-komunizëm dhe 10-vjet pavarësi e Kosovës, duket sikur endërrat e tyre për liri dhe demokraci të vërtetë për Kombin shqiptar dhe për integrimin e tij të plotë në proceset euro-atlantike, mbeten vetëm aq – endërra, endërra të pa realizuara, të pa arrijtura. Ju uroj lexuesve kudo dhe Kombit tonë në përgjithësi, që Viti i Ri 2019 të jetë një vit ndryshimesh për më mirë, një ndryshim të vërtetë të ri drejtimesh në strategjinë e politikës kombëtare, si dhe në përcaktimin e objektivave të reja për përmirësimin e jetës së përditshme, ekonomike dhe shoqërore të shqiptarëve, me një angazhim serioz nga klasa politike shqiptare, për realizimin e tyre.

 

Në prag të Vitit të Ri, fatkeqsisht, është vështirë të shihet se si mund të ndodhë një gjë e tillë. Nëqoftse viti që kaloi plot sfida, është një tregues i ngjarjeve të ardhëshme, Viti i Ri mund të jetë edhe më problematik për Shqipërinë dhe për Kosovën, me këto politika të papërgjegjëshme dhe përçarëse që po ndiqen, në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.

 

U shprehi falënderimet dhe mirënjohjen time kuptimplotë të gjithë atyre zonjave dhe zotërive zemërbardhë e mendjendritur – kolegë e kolege, miq e dashamirë dhe lexues të rregullt – të cilët me komentet e tyre më japin kurajë dhe më nxisin të vazhdoj të shpreh mendimet e mia në faqet e shtypit – mendime të cilat shpesh mund të duken si ndryshe nga shumica e opinioneve që botohen në median shqiptare, anë e mbanë trojeve shqiptare dhe në diasporë.  Kjo ndoshta nuk duhet të konsiderohet si një meritë e imja, por e fatit tim që kam jetuar dhe punuar për pothuaj një gjysëm shekulli në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe e rrethanave të tjera të jetës. Unë nuk e harroj kurrë brezin e patriotëve shqiptarë – shumica e të cilëve nuk janë më — që u detyruan të largoheshin nga Atdheu pas ardhjes në fuqi të komunizmit, me të cilët kam pas fatin të njihesha dhe të cilët spikaten në mua rëndësinë e ruajtjes së traditave stërgjyshore dhe lartësimin e shpirtit origjinal të shqiptarit ndër shekuj.

 

Megjithse larg vendlindjes për një periudhë gjysëm shekullore – në një mjedis krejt tjetër kulturor dhe gjuhësor — jam përpjekur mbrenda mundësive të mia modeste, që ndër të tjera, të pasqyroj dhe të vlerësoj traditat, si dhe përfaqsues të atyre traditave stërgjyshore shpesh të anashkaluar e harruar dhe trashëgiminë tonë autotoktone, që po sulmohen dhe po përvetësohen çdo ditë nga armiqët e shqiptarëve, ndërkohë që nuk po mbrohen nga ata që e kanë për detyrë dhe përgjegjësi të mbrojnë dhe të kultivojnë identitetin, kulturën, trashëgiminë dhe autoktoninë mija vjeçare të shqiptarëve në trojet e veta.

Shpreh edhe njëherë, falënderimet e mia më të përzemërta lexuesve për vlerësimet e tyre të vazhdueshme. Me këto parime shpresoj që – për derisa të më japë Zoti jetë e shëndet — edhe në Vitin e Ri të vazhdoj të frymëzojë miqë dhe dashamirë, por mbi të gjithë lexuesit e rregullt të cilët bujarisht dhe me fisnikëri ndjekin rregullisht shkrimet e mia modeste.

Në fillim të këtij shekulli mendonim se më në fund, me shembjen e komunizmit dhe me arritjen e pavarësisë së Kosovës – shekulli XXI do të ishte më në fund, “Shekulli i Shqiptarëve”.  Gjithnjë presim më kot të shohim ndonjë shenjë të kësaj ëndërre.   Prandaj dëshira ime e sinqert – ashtu si edhe në vitet e kaluara — edhe në prak të Vitit të Ri 2019, është sa vjetër aq edhe aktuale, e përmbledhur me një thënje të At Anton Harapit, duke dëshiruar që sidomos klasa aktuale politike të mbledh mendët dhe t’u tregojë shqiptarëve, jo vetëm shqiptarëve, por edhe  “Miqëve dhe armiqve anembanë botës se shqiptarët janë të zotët t’a bëjnë dhe t’a mbajnë Shqipërinë të bashkuar, të fortë, madhështore dhe të denjë për Kastriotin, për stërgjyshërit tanë, për burrërinë dhe fisnikërinë shqiptare.”  Çdo gjë tjetër, më pak se ky realizim i dëshirës time dhe të një pjese dërmuese të shqiptarëve vullnet-mirë kudo në botë, është e papranueshme!

Problemet dhe sfidat e shqiptarëve – të mbrendshme dhe të jashtme — nuk mund të zgjidhen me formula të të tjerëve, që mund t’u përshtaten interesave të tyre dhe miqëve të tyre, në kundërshtim me interesat kombëtare të shqiptarëve.

Urimet më të përzemërta të gjithëve për një vit të mbarë për fatet e KOMBIT, si dhe për ju dhe familjet tuaja.

Kontrolloni gjithashtu

Besnik Fahredin Hoti: TË MOS HARROJMË KURRË!

(25 vite nga tragjedia dhe gjenocidi serb në Krushë të Madhe)    Në përkujtim dhe …