Frank Shkreli

Frank Shkreli: Pavarësisht së kaluarës politike, s’ mund të thuhet se emërimi i Gramoz Ruçit Kryetar i Kuvendit nuk është legjitim

Ky ishte titulli i një programi televiziv ditët e fundit në Shqipëri, duke iu referuar emërimit të Z. Gramoz Ruçi si Kryetar i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.  Nuk e di nëse drejtuesja e programit kishte në mend, që me të ftuarit në studio, dëshironte të pasqyronte qendrimet pro dhe kundër emërimit të Z. Ruçi në karrigën e Kryetarit të Kuvendit, a po të nënvijonte shpresën e saj (wishfull thinking) se me emërimin e tij në detyrën numër dy të shtetit shqiptar, më në fund, do u mbyllet goja njëherë e mirë, anti-komunistëve mbrenda vendit, megjithse është vështirë të përcaktohet se kush janë sot “anti-komunistët”në Shqipëri, ose nëse ekziston një shtresë e tillë — me përjashtim të disa ish-të përndjekurve të regjimit komunist — që kanë mbetur ende gjallë.   Këto 27 vitet e fundit të jetës politike në vend, kanë dëshmuar se as në radhët e pozitës dhe as në radhët e opozitës, nga njëra qeveri në tjetrën, nuk ka patur “anti-komunistë”.   Kështuqë reagimet ndaj emërimit të Z. Ruçi në detyrën e Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë nuk përbëjnë një “betejë” dhe as nuk po ndërmerret një “betejë” e tillë nga “anti-komunistët” në radhët e kësaj politike, pasi të tillë nuk ekzistojnë, në asnjërin krah.   Prandaj të nderuar panelistë të programeve televizive, merrni frymë lehtë dhe mos u shqetësoni as për fillimin dhe as për mbarimin e antikomunizmit, sepse antikomunizëm dhe “antikomunistë” nuk ka në radhët e klasës politike shqiptare të periudhës post-komuniste.   Mendoj gjithashtu se as opozita e sotëme nuk e ka seriozisht kur kritikon emërimin e Z. Gramoz Ruçi në detyrën e lartë shtetërore.…Në fund të fundit, opozita e sotëme, që ishte pozita e djeshme, e ka patur Z. Ruçi aty për 27-vitet e fundit.…Për më tepër, është hipokrizi dhe nuk i takon opozitës të ankohet për këtë emërim, pasi edhe në radhët e saj, në të kaluarën por edhe sot, ka patur dhe ka protagonistë të ish-regjimit komunist, në një nivel ose një tjetër, përgjegjësie.   Për më tepër, çfarë bëri opozita e sotëme kur ishte në pushtet për të zbardhur krimet e komunizmit dhe çfarë masash mori që shoqëria shqiptare të përballej me këtë histori të errët, ashtu siç kanë bërë ish-vendet komuniste të lindjes?

Për mua Gramoz Ruçi nuk është problemi kryesor.   Pa marrë parasyshë të kaluarën e tij politike, nuk mund të thuhet se emërimi i tij sot si Kryetar  Kuvendi nuk është legjitim, pasi ai është votuar  nga zgjedhësit në zonën e tij elektorale dhe u votua me vota të lira të shumicës parlamentare dhe me disa vota të opozitës në Kuvendin shqiptar.   Por, emërimi i Z. Ruçi në atë detyrë mund të konsiderohet nga disa, si një vendim që nuk është menduar mire nga udhëheqja socialiste dhe Kryeministri Rama, sepse në çdo shoqëri tjetër një emërim i tillë do të reflektonte një mungesë ndjeshmërie ndaj krimeve ndaj viktimave të komunizmit — të gjallë e të vdekur.  Prandaj, problemi kryesor, në mendimin tim — nuk është emërimi i Z. Ruçi në vetvete si një person që ka shërbyer në ish-sistemin monist – por është sistemi post-komunist i 27-viteve të fundit, pjellë e dy partive kryesore politike të vendit, që ndonëse me shembjen e komunizmit, shqiptarët e donin Shqipërinë si e gjithë Evropa – por ndryshe nga mbarë Evropa ish-komuniste – klasa politike shqiptare e çerek shekullit të kaluar, nuk dënoi kurrë krimet e regjimit komunist dhe as nuk u përballua me të kaluarën komuniste, madje as nuk kanë caktuar minimalisht një ditë në kujtim të viktimave të komunizmit, ashtu  siç kanë bërë vendet ish-komuniste të bllokut sovjetik.   Caktimi i një dite për të përkujtuar viktimat e komunizmit në Shqipëri nuk nevojitë fonde as debate, por në përputhje me vendet e tjera ish-komuniste, kërkon vetëm kurajo dhe përgjegjësi morale   Për më tepër, nuk mbahet mend asnjë debat serioz në Kuvendin e Shqipërisë, asnjë projekt-ligj ose rezolutë që të jetë paraqitur e miratuar nga cilado palë ose parti politike në raport me diktaturën e egër komuniste dhe mbi pasojat e saj që gjithnjë ndjekin fatin e kombit shqiptar sot.   Njihen mirë nga të gjithë dokumentacioni, rezolutat dhe ligjet evropiane mbi nevojën e domosdoshme për tu përballuar me krimet e komunizmit dhe për marrjen e masave për të ç’rrënjosur një herë e mirë trashëgiminë e regjimit komunist në kontinentin evropian.   Deri, më tani, Shqipëria nuk e ka bërë këtë, prandaj të nderuar panelistë, mos humbni kohë duke debatuar simptomat e sëmundjes së vërtetë të jetës politike dhe parlamentare të Shqipërisë, por merruni me trashëgiminë politike të ishs-regjimit komunist dhe me nevojën e madhe për tu përballur me krimet e ati sistemi.   Një debat i tillë nuk kërkon dhe nuk duhet të ketë hakmarrje, pasi kundër hakmarrjes janë shprehur shpesh edhe ata që kanë vuajtur më së shumëti nga komunizmi, ish-të përndjekurit politikë, por kërkon kurajo civile dhe morale nga kjo klasë politike — si pozitë ashtu edhe opozitë — për tu ballafaquar me krimet dhe me të vërtetën historike të së kaluarës.   Fatkeqsisht, deri më tani një gjë e tillë nuk ka qenë prioritet për asnjerën pale në Shqipëri.

Prandaj, sado që të dëshirojnë disa analistë e komentatorë “fundin e anti-komunizmit” në Shqipëri, fundi i anti-komunizmit të vërtetë nuk do të realizohet as me një debat në televizion as me emërimin e një protagonisti të lartë, të ditëve të fundit të pushtetit komunist, në detyrën e Kuvendit të Shqipërisë.  Por anti-komunizmi do të marrë fund në Shqipëri, ashtu siç ka ndodhur edhe në vendet ish-komuniste të lindjes, kur klasa politike shqiptare të lënë mënjanë arrogancën politike dhe hipokrizinë dhe të vendosë me pjesën tjetër të Evropës se ,“Çdo viktimë e cilit do regjim totalitar qoftë, ka të njëjtin dinjitet njerëzor dhe si e tillë meriton prej nesh drejtësi, kujtesë dhe njohje të vuajtjeve të tyre”, siç është shprehur Komisionerja për Drejtësi e Bashkimit Europian, Viviane Reding.

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …