leoni

Frank Shkreli: Profili i një analisti të shquar shqiptaro-amerikan


            Gjatë jetës dhe karrierës, njeriu takon ose për fat të mirë ndodhë që punon me njerëz të cilët, me sjelljet e tyre njerëzore dhe me aftësitë e tyre profesionale, lënë mbresa të përjetshme dhe të paharrueshme. Unë për veten kam pasur fatin dhe rastet e mira që të kem njohur dhe punuar me disa prej gazetarëve dhe analistëve më të shquar shqiptarë jo vetëm në mërgim, por edhe më gjerë, nga të cilët jam munduar të mësoj prej tyre, përveç vlerave njerëzore dhe shoqërore që ata posedonin, edhe ushtrimin e  profesionit të gazetarisë.  Njëri prej këtyre analistëve, të cilin kam pasur fatin jo vetëm ta njihja gjatë pothuaj disa dekadave të fundit, por edhe të punoja me ‘të fillimisht në Zërin e Amerikës, në fillimin e 1970-ave.  Ai është Louis (Luigj) Zanga, një profesionist tepër modest gjithë jetën dhe karrierën e tij, por njëri prej me të shquarve politologë, komentatorë dhe analistë të problemve shqiptare për pothuaj një gjysëm shekulli në SHBA dhe në Europë, fillimisht siç thashë me VOA-n shqip në Washington, ndonëse  pjesën më të madhe  të veprimtarisë së tij Zanga e ka zhvilluar pranë Institutit të Kërkimeve të Radios Europa e Lirë, në Munchen të Gjermanisë. 


                Radio Europa e Lirë nuk kishte radio transmetime në gjuhën shqipe gjatë Luftës së Ftoftë, por Louis Zanga mbushte një boshllëk informacioni që ekzistonte në atë kohë mbi gjëndjen në Shqipërinë komuniste dhe në mbarë trojet shqiptare, përfshirë edhe gjëndjen e vështirë të shqiptarëve të Kosovës që sa vinte e keqësohej gjatë dekadave të fundit të shekullit të kaluar.  Analizat dhe komentet e tija ishin në anglisht dhe mund të përktheheshin dhe përdoreshin edhe për transmetim, por qëllimi kryesor ishte që me anë të tyre të njoftohej bota anglisht- folëse dhe më gjërë se çfarë po ndodhte me fatin e shqiptarëve në Ballkan gjatë sundimit komunist, një periudhe kur të drejtat e njeriut të shqiptarëve shkeleshin më keq se pothuaj kudo tjetër në botë.  Lou Zanga, me raportet dhe analizat e tija, ishte si një dritare e vogël informacioni, sidomos për botën amerikane dhe europiane, mbi ngjarjet që po ndodhënin në Shqipërinë e mbyllur dhe të vet-izoluar komuniste. Analizat e tija përhapeshin dhe ishin si të thuash lexim i detyrueshëm për të gjithë ata që, në atë kohë merreshin ose që ishin përgjegjës për çështjet shqiptare, jo vetëm në qarqet më të larta të qeverisë amerikane në Washington, por edhe në universitetet dhe qëndrat e ndryshme akademike të Amerikës që merreshin me studimin e çështjeve të Europës Lindore komuniste gjatë luftës së ftohtë.  Lou Znaga i përgatiste analizat e tija, bazuar në monitorimin e burimeve të mbrendshme të lajmeve dhe  informacionit si dhe në materialet nga agjencitë përendimore të lajmeve, por edhe nga përkthimet e Shërbimit Informativ të Transmetimeve të Huaja FBIS).   Louis Zanga ishte pjesë e një strukture administrative të Radios Europa e Lirë, përgjegjëse për Shqipërinë, Kosovën dhe Maqedoninë, ndërkohë që mbulonte edhe subjekte të çështjeve ballkanike. 


Zanga kishte filluar të punonte si analist  kërkimesh të çështjeve shqiptare në Radion Europa e Lirë në vitin 1961 dhe më vonë ka qenë gjithashtu përgjegjës për mirëmbajtjen e arkivave me materiale mbi Shqipërinë, Kosovën dhe Maqedoninë. Raportet dhe studimet e Louis Zangës dhe të kolegëve të tij ishin të shumëta. Ato tek lexuesit, gëzonin një reputacion të lartë gazetaresk dhe akademik, për nga niveli i lartë informativ dhe i paanshëm i artikujve dhe analizave të tija, pothuaj me një përpikmëri profetike të analizës mbi çka mund të ndodhte në të ardhmen, I mbështetur në njohjen e thellë që ai kishte. 


Sa për ilustrim, në një prej raporteve të tija, Louis Zanga komenton fjalimin e Enver Hoxhës në Shkodër më 24 tetor 1979 pas tërmetit që goditi atë anë, fjalim të cilin analisti Zanga e cilëson si të ngarkuar me motive propagandistike, por në të cilin udhëheqsi komunist preku, përveç çështjeve të mbrendshme edhe çështje të politikës së jashtëme.  Zanga komentonte fjalimin e udhëheqsit komunist shqiptar dhe vinte në përfundimin e saktë dhe paralajmërues se, “Fjalimi i fundit i Enver Hoxhës është një shembëll tjetër i ashpërsisë dhe vështirsive që kanë karakterizuar udhëheqjen komuniste shqiptare të 35-viteve të kaluara. Fjalimi tregon gjithashtu qartë se për derisa Hoxha është gjallë, vendi nuk do të ndryshojë, por do të marshojë përpara duke u bazuar në një platformë qëndrimesh të pa komprometueshme”, të politikës së mbrendshme dhe të jashtëme, parashikonte Zanga.


Ndërsa në një raport të datës 12 Korrik, 1982 mbi gjëndjen politike në Kosovë, komentatori Zanga analizon një intervistë të Kryetarit të Lidhjes së Komunistëve të Kosovës, Sinan Hasanit dhënë gazetës Rilindja, mbi gjëndjen politike në Kosovë.  Zanga kritikon fjalimin dhe arrinë në përfundimin se, “Ajo që përshkruhet tani si një atmosferë e qetë e gjëndjes në Kosovë nuk është aspak e tillë dhe prova më e mirë për këtë është intervista e Sinan Hasanit mbi gjëndjen e “normalizuar” të situatës në krahinë. Ai e dha intervistën disa ditë para se të mbahej Kongresi i 12-të i Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë.  Mirëpo, nuk ka aspak gjasë që punimet  ose rezolutat e Kongresit të përmirësojnë gjëndjen e shqiptarëve në atë krahinë, sepse në kongresin e lidhjes Komuniste të Jugosllavisë, u mbajtën fjalime të gjata plotë retorikë por që në fund të fundit nuk parashikonin asnjë zgjidhje praktike të problemeve të Kosovës”, e përfundonte Zanga komentin e tij mbi gjëndjen në Kosovën e vitit 1982.


Parashikime të sakta nga një analistë i regjur mirë në çështjet shqiptare dhe të Ballkanit, kur njeriu u hedh një vështrim ngjarjeve të dekadës së 80-ave dhe më vonë.  Ashtu siç parashikonte Zanga, Shqipëria ishte vendi i fundit komunist që   hoqi dorë nga qëndrimet e saja staliniste, vetëm e vetëm se pse komunizmi u shëmb në pjesën tjetër të Europës dhe në Kosovë, ashtu siç komentone analisti Louis Zanga, problemi i shqiptarëve atje, jo vetëm që nuk u përmirësua por erdhi duke u keqësuar gjithnjë e më shumë.  Ishin analizat si këto që lexoheshin dhe vlersoheshin shumë nga lexuesit dhe ekspertët e çështjeve shqiptare.


 


Analistët shqiptaro-amerikanë në qeverinë amerikane dhe në botën akademike në SHBA në atë kohë, mund të numëroheshin me gishtat e një dore dhe Louis Zanga zë një vend të merituar ndër më të dalluarit, për analizat dhe komentet e tija mbi çështjet shqiptare dhe ballkanike. Për këtë arrijtje dhe për punën e tij të gjat[ në këtë fushë, Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani me plot të drejtë dhe arsye i akordoi muajin që kaloi, analistit dhe komentatorit të shquar shqiptaro-amerikan, Louis Zanga dekoratën “Nderi i Kombit” me këtë motivacion:


 


“Në vlerësim të veprimtarisë së vyer dhe kontributit të tij të çmuar atdhetar prej gati gjysmëshekulli në shërbim të përhapjes dhe konsolidimit të vlerave të lirisë dhe demokracisë anembanë botës, veçanërisht në luftën e paepur dhe pa kompromis kundër diktaturës komuniste në Shqipëri”.


 


Në fjalimin e tij me këtë rast, Presidenti Nishani, pasi përmendi shërbimin ushtarak të Z. Zanga në luftën e Koresë, me këthimin e tij në Shtetet e Bashkuara, presidenti shqiptar tha se ai, “zgjodhi një armë tjetër për të vazhduar përpjekjet në luftën e tij për liri e demokraci – ai mori penën në dorë – arma e preferuar e intelektualit dhe filloi të punonte për Zërin e Amerikës, në atë medium të dashur dhe shpresëdhënës për të gjithë shqiptarët, ç’prej viteve të 1950-ave të shekullit të kaluar.” Media të tilla, si Zëri i Amerikës, BBC-ja, Radio Vatikani dhe Radio Europa e Lirë dhe individët që kanë punuar aty, shtoi Presdienti Nishani, “kanë patur një ndikim më të madh se kushdo dhe çdo gjë tjetër në mbajtjen gjallë të vlerave më të dalluara kombëtare, në rivendosjen e demokracisë të fjalës së lirë dhe të lirisë së shtypit.”  Duke i dorëzuar dekoratën, “Nderi i Kombit”, udhëheqsi shqiptar u shpreh se Louis Zanga nuk harroi kurrë se nga vinte dhe kush ishte –“Një shqiptar i vërtetë, zemëra e të cilit rrah me emocion çdoherë që përmendet Shqipëria”, dhe theksoi se Z. Zanga “na bën të gjithëve të ndihemi krenarë të jemi bashkatdhetarë të tij”.


Ish drejtori i Radios Europa e Lirë, George Urban në librin e tij, “Radio Europa e Lirë dhe përpjekjet për demokraci”, ka shkruar se “Për të kuptuar arsyet se pse ndodhin disa gjëra në jetë është me rëndësi, por nuk mjafton”. Ai citon Karl Marksin i cili ka thënë se “ne duhet të bëjmë diçka edhe në lidhje me arsyet se pse gjërat ndodhin ashtu siç ndodhin”.  Karl Marksi, shkruan Z. Urban, bëri një gjë të tillë, ai shpjegoi mbi arsyet sepse gjërat ndodhnin ashtu siç ndodhnin, dhe siguroi një fitore nepërmjet Leninit. Por ish-drejtori i Radios Europa e Lirë, shprehet se, “Edhe ne në Perëndim bëmë diçka në lidhje me arsyet se pse gjërat ndodhnin ashtu siç ndodhën gjatë Luftës së Ftohtë, dhe si përfundim shënuam një fitore kundër ideologjisë së Marksit dhe Leninit.”  


Për pothuaj një gjysëm shekulli, Louis Zanga ishte pjesë e këtyre përpjekjeve për të zbuluar se pse ndodhën gjëra ashtu siç kishin ndodhur në Shqipëri dhe në Europën Lindore gjatë sundimit komunist dhe ç’mund të bëhej — nga pikpamja e perëndimit — për të ndryshuar situatën.  Lou Zanga, jam i sigurt, e ndjenë veten krenar që ishte pjesë e këtyre përpjekjeve perëndimore për të zbuluar arsyet dhe ç’mund të bëhej për të ndryshuar situatën për më mirë. Dhe më në fund, tashti në pension, jam i sigurt se si përfundim i përpjekjeve dhe përkushtimit të tij personal dhe kolegëve, Louis Zanga e ndjenë veten me fat se ishte dëshmitarë i fitores mbi diktaturën komuniste, në rrugën e gjatë dhe të vështirë të konsolidimit të lirisë dhe të demokracisë së vërtetë në Shqipëri dhe në Kosovë – realizimit të këtyre objektivave, që me mend e penë dhe profesionalizëm të lartë, ia kushtoi gjithë jetën. 


 


 


Frank Shkreli: Me sulme të ashpra kundër lirisë së shtypit


 


Artikulli 19 i Deklaratës Universale mbi të Drejtat e Njeriut  përcakton se, “Çdo person gëzon të drejtën e lirisë së opinonit dhe të shprehjes; kjo e drejtë përfshinë lirinë për të pasur opinione pa asnjë ndërhyrje dhe për të kërkuar, për të marrë informacion, dhe për të shpërndarë këto informacione dhe ide nepërmjet medias dhe pa pengesë kufijsh ndërkombëtar”. Liria e fjalës dhe e medias është pra një e drejtë themelore e sanksionuar nga marrveshje ndërkombëtare, nënshkruar nga vendet anëtare të Kombeve të Bashkuara.  Por megjithë angazhimet e vendeve të ndryshme për të mbrojtur këto të drejta, fatkeqsisht, liria e të shprehurit dhe e medias — historikisht — është ndër të drejtat themelore që abuzohet më së shumti nga vet vendet të cilat me nënshkrimin e tyre të deklaratave dhe marrveshjeve ndërkombëtare, janë zotuar për t’i mbrojtur ato. 


 Çdo ditë, në shumë vende të botës, gazetarët si transmetues të informacionit dhe fjalës së lirë, sulmohen ndërkohë që përpiqen të bëjnë punën e tyre si gazetarë.  Shpeshë, gazetarët dhe përfaqsues të medias janë viktima dhe subjekt kritikash dhe paditjesh –vetëm e vetëm sepse kryejnë detyrën e tyre — nga qeveri dhe përfaqsues qeverishë të cilët mendojnë se pushteti u jep atyre të drejtën që të përdorin fuqinë e shtetit për të frikësuar median e lirë dhe gazetarët, të cilët ata mund t’i konsiderojnë si ferrë në sy. 


 


Turqia ka një reputacion ndërkombëtar për sjelljet dhe presionet e qeverisë kundër gazetarëve dhe lirisë së medias. Të mërkurën në Stamboll, një numër përfaqsuesish të organizatave ndërkombëtare dhe rajonale, misioni i të cilave është mbrojtja e lirisë së shtypit dhe e fjalës së lirë anë e mbanë botës, u takuan në një tubim për të shqyrtuar presionet në rritje e sipër kundër gazetarëve dhe medias së lirë.  Në atë takim morën pjesë përfaqsues të 9 organizatave prestigjioze botërore që merren me mbrojtjen e lirisë së medias dhe fjalës së lirë, përfshirë Institutin Ndërkombëtar të Medias, Komitetin për Mbrojtjen e Gazetarëve, Korrespondentët pa Kufij, Unioni i Gazetarëve Turq dhe Federata e Gazetarëve Europianë, ndër të tjera. Ata erdhën në përfundimin se presionet kundër gazetarëve që punojnë në Turqi janë keqësuar jashtzakonisht shumë ç’prej zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit dhe para zgjedhjeve të ardhëshme që do të mbahen më 1 nëntor.  Sipas deklaratës së lëshuar të mërkurën nga përfaqsuesit e këtyre organizatave për mbrojtjen e lirisë së medias, pas punimeve dy ditëshe të tubimit në Stamboll, ata erdhën në përfundimin se nëqoftse vazhdojnë presionet aktuale para zgjedhjeve të 1 nëntorit, ka të ngjarë që ato “të kenë një efekt të dukshëm negativ ndaj mundësisë së votuesve turq për të pasur informacionin e nevojshëm, gjë që do të prekë drejtë për drejtë demokracinë në Turqi.”


 


Përfaqsuesit e këtyre organizatave ndërkombëtare dhe rajonale shprehën solidarsinë e tyre me kolegët e tyre gazetarë dhe median në Turqi dhe kërkuan që menjëherë tu jepet fund të gjitha presioneve të cilat pengojnë gazetarët që të kryejnë detyrën e tyre, ose të cilat shërbejnë si masa që njëkohsisht nxisin   atmosferën e vet-censurimit në radhët e gazetarëve.  Në deklaratë u bëhet thirrje autoriteteve turke të marrin masa për të siguruar që të gjithë gazetarët të jenë të lirë të merren me gazetari investigative mbi çështje të interesit publik, përfshirë akuzat për korrupcion, shkeljen e të drejtave të njeriut, dhe politika, çështje të interesit vendor ose rajonal.


 


Serioziteti me të cilin organizatat ndërkombëtare për mbrojtjen e medias dhe fjalës së lirë, i shikojnë presionet kundër gazetarve në Turqi, shihet në numrin e rekomandimeve drejtuar zyrtarëve turq me qëllim përmirsimi të ushtrimit të gaztarisë së lirë në Turqi.. Përfaqsuesit e këtyre organizatave specifikisht u bëjnë thirrje autoriteteve turke — që ndër të tjera — të ndërmarrin hetime transparente ndaj sulmeve kundër gazetarëve dhe organizatave mediatike dhe t’i japin fund abuzimit të ligjeve anti-terror për të ndaluar raportimin e çështjeve të interesit publik ose për të mos shkruar kritika ndaj figurave politike.   Rekomandohet bërja e reformave në ligjet aktuale kundër gazetarve, sidomos artikullit 299, i cili mbron presidentin e Turqisë nga kritikat e mundshme, gjë që në vetvete është një shkelje e standardeve ndërkombëtare dhe që njëkohsisht të ndërmirren reforma për të mbrojtur gazetarët dhe lirinë e qëndrave mediatike nga presionet politike. Porositen autoritetet truke që të mos përdoren entet dhe ministritë qeveritare, siç janë autoritetet e tatimeve, për tu bërë presion gazetarëve të cilët kritikojnë ose raportojnë në mënyrë kritike ndaj politikanëve ose akteve të qeverisë.


 


Ndër rekomandimet e shumëta, përfaqsuesit e organizatave për mbrojtjen e gazetarëve dhe të lirisë së medias, i bënë thirrje Presidentit të Turqisë që tu japë fund të gjitha presioneve personale dhe direkte ndaj pronarëve ose kryeredaktorëve të gazetave dhe mediave të tjera që kritikojnë autoritetet, ndërkohë që nxitën qeveritë e huaja, sidomos Shtetet e Bashkuara dhe vendet e Bashkimit Europian t’i bëjnë presion Turqisë që të zbatojë angazhimet e marra dhe të respektojë dhe të zbatojë standardet  ndërkombëtare mbi të drejtat e njeriut.  Dhe një rekomandim me rëndësi — që vlenë për çdo vend ku presionet ndaj lirisë së medias dhe gazetarëve janë të pranishme — iu drejtua të gjithë gazetarëve turq që të tregojnë solidarsi me kolegët e tyre të cilët punojnë nën presione ose që kritikohen nga autoritetet, si një angazhim për të mbrojtur të drejtat e të gjithë gazetarëve. Përfaqsuesit e organizatave ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të gazetarëve dhe lirisë së fjalës thane, në deklaratën e tyre, se objektivi kryesor i tubimit në Stamboll dhe Ankara ishte për të treguar solidarsi me kolegët e tyre turq dhe njëkohsisht për të venë në dukje, jo vetëm për Turqinë, por edhe për vende të tjera, pasojat negative të presioneve politike në rritje e sipër ndaj medias së pavarur.


Por shtypja e lirisë së shtypit në një vend është shkelje e lirisë së shtypit kudo. Shqipëria mund të mos jetë Turqi, por lajmi i djeshëm shqetsues nga Tirana se Ministri i Energjisë dhe Industrisë, Z. Damian Gjiknuri, i shqetsuar për një shkrim të gazetës në lidhje me Ministrinë që ai drejton, ka paditur të përditshmen Telegraf të kryeqytetit që të paraqitet para Gjykatës së Rrethit Gjyqësor, Tiranë duke e akuzuar gazetën se, “Ka publikuar disa shkrime kundër personit tim në cilësinë e Ministrit të Energjisë dhe Industrisë”.  Në padinë e tij kundër gazetës Telegraf drejtuar Gjakatës së Tiranës, Ministri shqiptar, Z. Gjiknuri shprehet se, “Gjykoj se këto shkrime dhe deklarime, përveçse cënojnë rëndë nderin dhe personalitetin tim, përcjellin në publik informacione të pavërteta” dhe i kërkon Gjykatës që të detyrojë gazetën Telegraf, t’i paguaj atij si dëmshpërbim, shumën prej 10.000.000 ose $100.000 dollarë.  Ai e bëri këtë padi një ditë pas botimit të një shkrimi kritik ndaj tij në gazetën Telegraf dhe një ditë para se të njoftohej raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH) mbi auditimin në Ministrinë e Energjisë dhe Industrisë. KLSH njoftoi gjithashtu padinë ndaj Gjiknurit në Prokurori, në bazë të cilës Ministri Gjiknuri akuzohet për shpërdorim detyre.


 


Interesimi im është liria e shtypit dhe jo të bërat ose të pabërat e Ministrit Gjiknuri të cilat duhet të jenë përgjegjësi e dikujt tjetër. Gazeta Telegraf ushtroi detyrën e saj duke shkruar për abuzimet në Ministrinë e Energjisë dhe të Industrisë, shpërdorime këto që siç duket u vërtetuan edhe nga KLSH. Presionet politike ndaj gazetës Telegraf janë të pavend në një shoqëri që e quan veten demokratike. Por fatkeqsisht, kjo nuk është hera e parë dhe siç duken punët, as e fundit që zyrtarë të qeverisë dhe të shtetit shqiptar ushtrojnë presion ndaj lirisë së medias duke hedhur ne gjyqe gazeta, televizione, dhe web saite, të cilat mund të jenë kritike ndaj tyre dhe punës që ata duhet të kryejnë në emër të shtetit dhe për të mirën e publikut.  Përfaqsues dhe analistë në vend e kanë përshkruar gjëndjen si një situatë ku shtypi dhe media shqiptare në përgjithësi, vepron dhe punon nën kërcënime dhe vet-cenzurë si dhe nën presione politike, siç është rasti i fundit i gazetës Telegraf, paditur nga një ministër për një shkrim kritik ndaj tij.  Presionet ndaj lirisë së medias janë një shënjë e keqe për respektimin e të drejtave të tjera të njeriut në përgjithësi. Historikisht, liria e shtypit është liria e parë që zhduket në rrjedhën e shkeljeve dhe të abuzimit të të drejtave të tjera të njeriut nga autoritetet e një shteti. Kur një vend nuk ka respekt për lirinë e shtypit, e njohur ndërkombëtarisht si një e drejtë themelore për çdo shoqëri demokratike, ai vend heret ose vonë, do të humbas respektin dhe do të mbytë edhe të drejtat e tjera bazë të njeriut për shtetasit e vet. Njëkohsisht presionet politike dhe shtypja e lirisë së shtypit është një paralajmërim se një shtet i tillë është në rrugë të gabuar.  Thomas Xheffersoni ka thënë se, “Njeriu qeveriset bazuar në arsyen dhe në të vëretetën dhe si pasojë, qëllimi ynë duhet të jetë që atij t’i lihen të hapura të gjitha rrugët për të zbuluar të vërtetën. Drejtë këtij objektivi, ne kemi ardhur në përfundimin se deri tani, rruga më efektive për të zbuluar të vërtetën, është liria e shtypit. Prandaj, liria e shtypit është liria e parë që shtypet nga ata të cilët kanë frikë nga hetimet e veprimtarive të tyre”, dhe nga ata që nuk duan që e vërteta të jetë bazë e qeverisjes.  Ndërsa Sekretari i Përgjithëshëm i Kombeve të Bashkuara, Z. Ban Ki Moon ka deklaruar me rastin e Ditës Ndërkombëtare të lirisë së shtypit se, “Gazetaria cilësore ua bën të mundur qytetarëve të marrin vendime të infomuara mirë mbi zhvillimet në shoqërinë e tyre. Gazetaria shërben gjithashtu për të ekspozuar padrejtësitë, korrupcionin dhe abuzimet nga ana e pushtetarëve. Për këtë arsye, gazetarët duhet të punojnë në një mjedis ku të kenë mundësi të zhvillojnë veprimtarinë e tyre në mënyrë të pavarur, pa ndërhyrje dhe në kushte sigurie.”


Ky pra është roli i një shtypi të lirë në një shoqëri demokratike, një rol që është dhe duhet të jetë pjesë përbërse dhe e paprekur në zhvillimet demokratike të një vendi, siç është Shqipëria dhe nuk duhet të jetë subjekt paditjesh nga pushtetarët kur gazetat botojnë diçka që nuk u bie për shtat atyre.

Kontrolloni gjithashtu

Sejdi Veseli

Sejdi Veseli: URANIUMI I VARFËRUAR DHE NDOTËSIT E TJERË RREZIK SERIOZ PËR KOSOVËN

Po mbushen tetë vete të plota nga përfundimi i luftës së armatosur kundër shkelësve të …