Frank Shkreli: Një mbështetje historike ndërkombëtare ndaj lirisë së fjalës

Frank Shkreli: Protestat si industri prodhimi por edhe më keq

Anë e mbanë trojeve shqiptare vetëm protesta e demonstrata, ndërsa populli shqiptar i mërzitur e plot me halle nuk sheh rrugëdalje, tjetër tani për tani, veç i dëshpëruar të marrë rrugat e gurbetit për një grimë paqe e për një copë bukë.  Kjo situatë e krijuar është sa e mjerueshme aq edhe e vajtueshme!  Është një situatë, që ende pas një çerek shekulli të shembjes së komunizmit dhe tetë vjet pavarësi të Kosovës, shqiptarët nuk po gjejnë paqe as marrëveshje me njëri tjetrin, askund nëpër trojet e veta, as në Shqipëri, as në Kosovë, as në Maqedoni dhe as në Mal të Zi.  Në Shqipëri opozita ka paralajmëruar, “betejë dhe bojkot”, dhe në Kosovë u njoftua se protestat do të zhvillohen, “natë e ditë”.   Është interesant fakti se kërkesat janë të njëjtat: rrëzimi i qeverisë.

E drejta e protestës dhe demonstratës është një drejtë e shenjtë në çdo vend demokratik dhe si e tillë duhet të mbrohet nga të gjithë ata që besojnë në liri dhe demokraci.  Ashtu duhet të jetë edhe në trojet shqiptare.  Por këto nuk janë demonstrata ose protesta nga grupe të ndryshme qytetarësh për ti bërë presion qeverisë dhe politikës në përgjithësi e të cilët mund të kenë ankesa legjitime ndaj zhvillimit të politikave dhe jetës në përgjithësi, për të cilat është detyra e qeverisë dhe e opozitës për të bashkëpunuar së bashku për zgjidhjen e tyre.  Këto janë demonstrata dhe protesta të organizuara nga parti politike dhe politikanë kundër njëri tjetrit e të cilat në sytë e popullit shikohen si përpjekje, jo për të përmirësuar jetën e qytetarëve, por si një luftë për të siguruar karrige të përjetshme në pushtet.  Në vend që politikanët e zgjedhur nga populli të ulen së bashku në tavolinë ose në parlament për të biseduar dhe për të zgjidhur problemet me të cilat përballet sot kombi shqiptar, ata me papërgjegjësi marrin rrogat e tyre të majme — në krahasim me taksa-paguesit e rregullt, duke protestuar rrugëve.  Protestat dhe demonstratat e organizuara nga politika anë e mbanë trojeve shqiptare, si qëllim dhe mjet për të rrëzuar njëri tjetrin nga pushteti, janë kthyer në të vetmen industri që fatkeqësisht po përparon sot në Shqipëri dhe në Kosovë. Por kjo nuk është si gjithë industritë e tjera, pasi nga kjo “industri” nuk përfiton askush.  Mos harroni se si shkon Shqipëria, ashtu shkon edhe Kosova. Disa mund të thonë se dy situatat nuk janë të ngjashme për nga përmbajtja e kërkesave të protestuesve, por ato janë të njëjta për nga qëllimi – me qëllim ose pa qëllim, krijimi i kaosit në shoqërinë shqiptare si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri, pasojat e të cilit nuk dihen. Kërkesat mund të jenë legjitime por duhet të ketë forume dhe rrugë të tjera për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dhe të ndryshimeve në pikëpamje. Në qoftë se nuk ka paq, bashkëpunim dhe marrëveshje politike në Tiranë, ashtu do të ndodhë edhe në Prishtinë.  Për këtë, fajin e ka gjithë kjo klasë politike e sotme dhe e djeshme, gjithandej dhe për këtë votuesi shqiptar duhet të mbajë këta përgjegjës.

Kush përfiton nga kjo gjendje e krijuar, duhet ta pyesin veten politikanët shqiptarë! Nuk është e nevojshme që të lodhni trurin se kush përfiton nga zgjatja e kësaj sage historike. Nga pikëpamja historike, patriotët e vërtetë dhe ata që ia duan të mirën kombit të vet, duhet ta dinë se kush përfiton nga ujërat e turbullta në Ballkan, nga përçarjet dhe nga mosmarrëveshjet e vazhdueshme ndër-shqiptare, si rrjedhim i gjendjes së krijuar. Kujdes trojet shqiptare, kujdes Ballkanin! A është koincidencë kjo që protestat dhe bojkotet kanë ndezur flakë Tiranën dhe Prishtinën gjatë të njëjtës periudhë?

Është kjo një situatë që pikësëpari pasqyron dështimin e qeverive qendrore dhe vendore për të mirë-qeverisur dhe të kësaj klase politike në përgjithësi për të bashkëpunuar me njëri tjetrin për gjetjen e zgjidhjeve më të mira ndaj sfidave politike dhe ekonomike përballë të cilave gjenden sot shqiptarët.  Është  njëkohësisht edhe një mos aftësi e grupeve opozitare për të ofruar zgjidhje të zbatueshme të problemeve në fusha të ndryshme të jetesës, qofshin ato në nivel kombëtar ose ndërkombëtar. Ekziston jë mungesë idesh e propozimesh dhe një boshllek vlerash qytetare për të mos thënë burrërore dhe kombëtare për të dalë nga ky qorrsokak politik ku e kanë katandisur kombin shqiptar. Në vend të dialogut dhe ideve të reja për zgjidhje serioze të problemeve, ofrohen protesta, demonstrata dhe bojkote, ndërkohë që as pozita nuk angazhon si duhet opozitën për ta bërë atë ortake dhe pjesëmarrëse të mirëfilltë në vendimet për fatin e kombit. Kjo gjendje e sotme politike plot rrëmujë, pasqyron gjithashtu edhe një dështim të palejueshëm nga ana e votuesit shqiptar, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë.  Zgjedhësit shqiptarë duhet të jenë të vetëdijshëm dhe të ndërgjegjshëm për përgjegjësitë e tyre për t’i mbajtur përgjegjës partitë dhe përfaqësuesit e tyre politikë në qeveri dhe në parlament, të cilët ata vet i kanë votuar duke u besuar atyre se — mbi të gjitha — gjatë mandatit të tyre ata do të kenë parasysh përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe që njëkohësisht do të mbrojnë dhe do të punojnë për mirë qenien e tyre në mbështetje të interesave të përbashkëta të vendit.   Nëqoftse sot duhet të ketë protesta dhe demonstrata, ato duhet të organizohen dhe të bëhen nga vet votuesit dhe qytetaria shqiptare kundër politikave të pozitës dhe opozitës, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë. Qytetari i thjeshtë ka më shumë arsye të dalë në rrugë për të protestuar situatën në të cilën gjendet ai sot, se sa kanë politikanët. Votuesi shqiptar duhet të theksojë hallet e veta dhe mos-zbatimin e premtimeve të politikanëve dhe partive që ata përfaqësojnë për zgjidhjen e tyre. Zgjedhësit shqiptarë – të punë e të pa punë — kanë më shumë arsye të dalin në rrugë se sa politikanët të cilët megjithëse nuk janë duke kryer detyrën dhe përgjegjësitë e veta të përcaktuara nga kushtetuta dhe në bazë të cilave janë zgjedhur, atyre rroga gjithnjë u vazhdon.

Por mbi të gjitha, qytetaria duhet të protestojë mos aftësitë, dështimin dhe mos vullnetin e kësaj klase politike për të bashkëpunuar me njëri tjetrin për zgjidhjen e problemeve të përditshme me të cilat përballet aktualisht shqiptari, sidomos me sfidat ekonomike dhe politike të dy vendeve.  Por, votuesit shqiptarë të të gjitha pikëpamjeve politike duhet të shfaqin njëherë e mirë mos aprovimin e tyre ndaj dështimit fatal të kësaj klase politike dhe të partive në pushtet dhe në opozitë, për të bashkërenduar politikat afat-shkurta dhe afatgjata, në mbështetje të realizimit të interesave madhore të kombit.  Të kërkojnë që në vend të demonstratave dhe protestave të pa mbarim, klasa politika e sotme anë e mbanë trojeve shqiptare, të përcaktojë se cilat janë objektivat afat gjata dhe afat shkurta të interesit kombëtar dhe për përmirësimin e jetës së përditshme të shqiptarëve. Kjo është detyrë dhe e drejtë e çdo qytetari e një vendi të lirë, që të kërkojë nga politika përcaktimin e prioriteteve të vendit si dhe zbatimin e tyre bazuar në mendimin e shumicës.  Është e natyrshme dhe krejt normale pastaj që grupet dhe partitë politike të kenë qëndrime dhe pikëpamje të ndryshme, madje edhe të kundërta, për realizimin e tyre, ashtu siç ndodhë midis partive dhe politikanëve të ndryshëm në botën e përparuar demokratike.

Përballë kësaj situate të krijuar në trevat shqiptare, edhe miqtë e kombit shqiptarë kanë paralajmëruar se — po të vazhdojnë protestat, bojkotet dhe demonstratat ashtu siç është njoftuar të martën në Tiranë dhe në Prishtinë — ngërçi aktual politik po i çon shqiptarët në një qorrsokak me pasoja të pa parashikueshme.  Ka ardhur koha që të gjitha këto energji shkatërruese të përdoren më në fund për ndërtimin e jo për shkatërrimin e kombit shqiptar.

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …