Gjendje alarmante e arsimit në vendin tonë, kërkon riorganizim të vërtetë sindikal (Koment redaksional i Radios-Kosova e lirë)

 


Arsimi, në periudhën e pas luftës në Kosovë, ka mbetur gjithnjë nën hijen e statusit dhe retorikave demagogjike verbale të politikanëve tanë, të cilët duke improvizuar shtetin, që nuk e kanë, dhe duke bërë përpjekje jo të pasuksesshme, hipokrite, për ta orientuar vëmendjen e opinionit kah aspirata e pavarësisë së vendit, kanë arritur që interesimin e njerëzve tanë ta orientojnë drejt statusit, duke lënë anash problemet kapitale të shoqërisë, sikur është arsimi, kultura, papunësia enorme, shëndetësia e lënë pas dore e shumë lëmi të tjera, të cilat janë anashkaluar dhe të cilat janë vitale për funksionimin normal të një shoqërie. Segmenti më i keqtrajtuar dhe më i keqpërdorur në qeverisjen e pas luftës në Kosovë ka qenë dhe ende po mbetet arsimi. Pasi me vjet të tëra nxënësit dhe arsimtarët tanë u ballafaquan mizorisht me periudhën e “aparthejdit”, të cilën e zbatoi kundër shkollës shqipe regjimit antishqiptar serb, nxënësit dhe arsimtarët tanë në Kosovë nuk patën fat që frytet e fitores dhe të lirisë t’ i kthejnë në mobilizim për dije dhe arsimin bashkëkohor e cilësor. Jo se ata nuk e merituan këtë, por këtë të drejtë të tyre elementare e goditi ndarja partiake, partijësimi dhe aktualisht LDK-izimi i arsimit dhe i kulturës, pozita tejet e dobët materiale e arsimtarëve, lënia tërësisht pas dore e angazhimit për përparimin e njëmendtë të arsimit dhe shumë dobësi e papërgjegjësi të tjera, me të cilat ballafaqohet shkolla shqipe në Kosovë. Gjendja aktuale në tri nivelet e arsimit në vendin tonë është alarmante. Këtë e dëshmojë sa e sa shembuj, sa e sa statistika dhe dukuri devijuese, të cilat po degjenerojnë edhe më tej deri në shpërfytyrimin e plotë të interesimit të brezave për dije, arsim kulturë dhe emancipim. Ditë më parë, Kosovalive, publikoi të dhënën se prej vitit 2002 e deri në vitin 2005, për shkaqe të ndryshme e kanë lëshuar shkollën hiq më pak se 13.000 nxënës të vendit tonë. Shprehur në shifra të tjera, kjo do të thotë janë mbyllur hiq më pak se 13 shkolla me nga 1000 nxënës apo 26 shkolla me nga 500 nxënës. Ky është rezultati që ka korrur ministria e Arsimit e LDK-së me njerëzit, të cilët e drejtojnë arsimin kombëtar në Kosovë. Kjo shifër do të duhej ta alarmonte Qeverinë, po të kishim qeveri që interesohet në radhë të parë për qytetarët dhe zhvillimin e mbarë të vendit. Kjo shifër alarmuese do të duhej të gjendej në rend të ditës për diskutim në Parlamentin e Kosovës, ku nganjëherë debatohet edhe për gjera profane, por nuk është hapur asnjëherë debat për krizën më të rëndë, me të cilën po ballafaqohet arsimi dhe arsimimi në Kosovë. Këtij segmenti të jetës sonë kombëtare nuk i kushton rëndësi as opozita, e cila po ashtu është bërë pjesë e angazhimeve në të ashtuquajturin proces politik të zgjidhjes së statusit, status i cili do të zgjidhet dhe do të përcaktohet nga OKB-ja dhe BE-ja, fare pa i pyetur këta politikanët tanë, aq të “devotshëm” për punë të mëdha, po aq të papërfillshëm e të papërgjegjshëm për problemet jetike të vendit. Nuk i kushtojnë fare rëndësi gjendjes në arsim tri TV-të e vendit tonë, të cilat propagandojnë ndragien, lakuriqësinë, majmunërinë, anti kulturën dhe anët më të shëmtuara të degjenerimit. Nuk merren me probleme të tilla as shumica e gazetave ditore, të cilat më shumë se gjysmën e faqeve të tyre e mbulojmë me pozim të lakuriqësisë dhe perversiteteve të ndryshme, por nuk gjendet dot një reportazh apo një koment që ka të bëjë me gjendjen e mjeruar e arsimit në fshat dhe në qytet. Dhe përderisa me gjendjen kaotike në arsim nuk merren organet përkatëse relevante, përderisa mediet e papërgjegjshme nuk pranojnë të vizitojnë qoftë vetëm një shkollë, për të mësuar dhe për të publikuar pastaj, problemet me të cilat po ballafaqohen nxënësit tanë, përderisa arsimtarët janë lënë në mëshirë të kohës, për të jetuar me 150 euro pagë mujore, përderisa prindërit e këtyre nxënësve ballafaqohen me problemet elementare ekzistenciale, gjendet dikush tjetër, i postuar me çelësin partiak në kreun e arsimit, që ia “luan” dhe ia “punon” arsimit sipas qejfit, sipas interesave, sipas përkatësisë partiake dhe thjesht sipas mendjes së çoroditur dhe inatit të çmeritur. 13.000 mijë nxënës janë larguar nga shkollimi për tri vjet. Po të kishte ndodhur kjo në një shtet me 100 milionë banorë ndoshta nuk do të dukej shifër alarmante, por kur ndodh kjo dukuri në një si shtet me rreth 2 milionë banorë, kjo shifër është gjithsesi alarmante, ashtu sikurse janë shumë edhe më alarmante dukuritë e tjera negative, me të cilat po ballafaqohet arsimi në vendin tonë. Tashmë dihet botërisht, edhe pse të dhënat po fshihen nga opinioni se pothuajse në të gjitha shkollat e mesme të vendit ka dukuri të përdorimit të drogës, sidomos nga nxënësit, ndërsa pirja e duhanit është pothuajse e lejueshme. Ka edhe dukuri të tjera perverse, të cilat tashmë janë bërë dukuri të përditshme dhe nuk çan kush kokën për to. Përveç këtyre dukurive degjeneruese, vërehet edhe një tendencë tjetër, tepër e rrezikshme e shpërfytyrimit të përmbajtjeve të idejshmërisë kombëtare shqiptare në lëndë të caktuara, me qëllim për të trasuar rrugën drejt multietnicitetit dhe krijimit të një shoqërie amorfe, sa i përket identitetit të mirëfilltë kombëtar. Nga tekstet e historisë është fshirë pothuajse krejtësisht UÇK-ja dhe lufta për liri. Janë reduktuar orët e mësimit të lëndës së gjuhës dhe letërsisë shqipe, të historisë dhe të shkencave shoqërore. Punohet me plan-programe të kohës së autonomisë së “Krahinës së Kosovë-Metohisë” dhe nxënësit tanë ende mësojnë veprat e letërsisë së socrealizmit jugosllav apo të autorëve kosovarë, të cilët kanë mbetur besnikë të përjetshëm të atij socializmi të kohës së “bashkim vëllazërimit” të shqiptarëve me popujt sllavë. Janë të shumta dhe të llojllojshme problemet me të cilat ballafaqohen nxënësit dhe arsimtarët tanë. Dhe të gjitha këto probleme i kanë shkaktuar njerëzit, ata të cilët po e drejtojnë arsimin dhe ata të cilët nuk i nënshtrohen asnjë lloj përgjegjësie, sepse mungon institucioni i përgjegjësisë kudo në shoqërinë tonë. Mjafton që postin e një ministri ta merr ndonjë profesor i dështuar i një shkolle të mesme, dhe prit pastaj kur ai me kutin e “dijes” së tij dhe me inatin provincial, bajraktar e fisnor, i turret arsimit me ushtën e Don Kishotit për të bërë reforma, për të eksperimentuar me brezat, për të ndërruar të gjithë drejtuesit e tri niveleve arsimore, dhe për t i postuar të tjerët, në radhë të parë sipas përkatësisë partiake, me qëllim për të përfituar sa e sa favore të tjera. Ndërhyrje të tilla bëhen sepse drejtorët e zgjedhur të shkollave në vijë partiake janë ata, të cilët gjatë fushatave zgjedhore manipulojnë me nxënës dhe nxënëse, duke i mbushur përplot stadiumet dhe vendet e tjera ku organizohen mitingjet e partisë. Kjo që po ndodh në shkollat tona është rezultat i mungesës totale të organizmit të vërtetë sindikal. Sindikatat e tanishme tashmë janë bërë pjesë e politikës së Ministrisë së Arsimit dhe nuk mund ta nxjerrin arsimin nga kriza, për më tepër këto sindikata edhe nuk funksionojnë më as edhe formalisht. Aktualisht është më se e domosdoshme që vetë arsimtarët, me përkrahjen e prindërve dhe të asociacioneve të tjera, të merren me problemet e arsimit, të organizojnë një sindikatë të pavarur politikisht, një sindikatë të vërtetë arsimore, e cila do të merrte në duar fatin e arsimit, në mënyrë që ky segment tejet i rëndësishëm i dijes dhe përparimit të lirohet nga kthetrat e politikanëve të caktuar, të dështuar, të degjeneruar, të korruptuar dhe të papërgjegjshëm. Për situatën e tillë kaotike në arsim nuk është fajtor statusi i pazgjidhur i Kosovës, por fajtori i vetëm dhe kryesori është ministria, e cila ka krijuar këtë kaos. Dhe nuk mund të pritet që vetë kjo ministri ta kthejë për së mbari arsimin, as mund të bëjnë kthesë sindikalistët e korruptuar e të mashtruar dhe as politikanët gjithnjë të dështuar dhe të papërgjegjshëm. Për ta shpëtuar arsimin nga katastrofa duhet të organizohen forca të reja energjike brenda vetë arsimtarëve, të cilët përbëjnë armatën më të rëndësishme të Kosovës, atë të dijes, përparimit dhe emancipimit bashkëkohor. Nuk duhet lejuar që energjia kreative e mësimdhënësve të ndershëm, të përgjegjshëm, të rinj dhe të dëshmuar kombëtarisht, të përdhoset, të injorohet dhe të nëpërkëmbët nga drejtues të pandershëm, nga ish përfaqësuesit e politikave arsimore titiste e jugonostalgjike, nga pleq senilë, nga njerëz fodullë, të padijshëm dhe të papërgjegjshëm.

Kontrolloni gjithashtu

Adrian Gjini: Kryeministri Kurti, Ideologjikisht është tipik anti-amerikan

Nënkryetari i AAK-së, z. Adrian Gjini, ka kritikuar kryetarin  e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtin, për …