Gjokë Dabaj

Gjokë Dabaj: Kush dhe pse donte t’ i shfaroste shqiptarët me bombë atomike?

(Romani  “Grahma e fundit”,  i Romen Garrisë, përktheu, Agim Vinca)

Romani “Grahma e fundit” është përkthyer në nja 20 gjuhë dhe, sado që flet në më shumë se gjysmën e vet për Shqipërinë, më saktë për RPSSH-në, problemi është gjithbotëror. Ç’po bëhet kështu me NJERIUN dhe me PLANETIN, në të cilin është krijuar, krahas gjallesave të tjera, edhe ky lloj gjallese, që quhet NJERI?! Sa po i shërben njeriut shkenca?! A po shërben shkenca për ta lumturuar njeriun, apo për ta marrë më qafë e për ta asgjësuar, atë dhe çdo gjallesë tjetër?!

Sa dhe si po i shërben njeriut politika?! “T’i shndërrosh qeniet njerëzore në kafshë dhe t’u zhdukësh tiparet njerëzorë, a kjo quhet politikë?” (f.262) E pyet njëri nga kriminelët shokun e vet, tek po përgatiteshin për të hyrë në RPSSH.

Autori i romanit është Romen Garri (Romain Gary). Thuhet se ka “prejardhje” ruse, se ka lindur në Lituani, se ka ardhur 14 vjeç në Francë dhe se konsiderohet shkrimtar francez. Për mua Romen Garria është një shkrimtar rus.

Në fund të shënimit në formë parathënieje R.Garria thotë: “Shpresoj se lexuesi do ta lexojë ‘Grahmën e fundit’ me buzë në gaz.” (f.5) Unë nuk munda të buzëqesh. Unë nuk munda kurrsesi ta vë buzën në gaz. Përkundrazi, u shqetësova shumë dhe vazhdoj të jem i shqetësuar, sepse ka gati 40 vjet nga botimi i këtij romani (dhe i shumë veprave të tjera të kësaj natyre ndërgjegjethirrëse dhe kushtrimlëshuese) dhe gjendja gjithnjerëzore, jo vetëm s’është përmirësuar, por po bëhet përditë e më me pak dritë në të 4 horizontet.

Njerëzimi po zhytet në katastrofë dhe vendi im, të cilit R.Garria i ka kushtuar më shumë se gjysmën e librit, e përjetoi, pas vitit 1990, një destruksion kaq të tmerrshëm, sa do të jetë një mrekulli, nëse del këndej i pasakatuar më keq se në shekujt XIX e XX.

Në f.50 kemi këto 3 të dhëna, të cilat, sado që kemi të bëjmë me një roman, nuk besoj të jenë larg të vërtetavet faktike: 1.”Fuqia (bërthamore) amerikane mund të shfaroste për 5 minuta të gjithë qytetet rusë me mbi 100 mijë banorë, 36 herë secilin.” 2. “Fuqia (bërthamore) sovjetike mund t’i rrafshonte 12 herë secilin qytet amerikan.” 3. “25% e shkencëtarëvet të BRSS-së dhe SHBA-së merren vetëm me hulumtimin dhe përsosjen e armëvet të shkatërrimit në masë.”

Asgjë në botë nuk mund të ndodhë jashtë këtij konteksti të lemerishëm. Njeriu mund ta ketë një punë, njeriu mund të lindë fëmijë, njeriu mund të dashurojë ose thjeshtë t’i shkarkojë energjitë seksuale pa përjetuar kurrfarë dashurie, njeriu mund të ketë edhe ndonjë pasion, ndonjë hobi, mund të ketë edhe një ideal, të cilit t’ia kushtojë gjithë jetën. Por, që të gjitha, edhe frymëmarrjet, bëhen NËN KËRCËNIMIN E NJË ASGJËSIMI TOTAL.

Midis atyre 25% të shkencëtarëvet, është edhe Mark Matjëja, fizikan i madh bërthamor. Ai ka gjetur mënyrën për ta shndërruar energjinë shpirtërore të njeriut, në çastin kur ai është duke vdekur, në energji elektrike, të dobishme për ata që mbeten gjallë. Por sa pare bën?! Kujt i duhet energjia e dobishme dhe e padëmshme?!

Dhe prandaj, në f.52 konkludohet: „Kontributi më i madh që një fizikan bërthamor mund t’i sillte njerëzimit, ishte të hiqte dorë nga çfarëdolloj kontributi.“

Sarkazma është sa therëse, aq edhe alarmuese. Je fizikan. Hiq dorë nga çdo lloj kontributi, sepse fizika po e shkatërron jetën, të cilën mezi e ka sajuar ky planet kaq i jashtzakonshëm.

„Kërkimi shkencor ishte bërë i pamundur… prirja më e pastër e njeriut përfundonte në poshtërsi.“ (f.53) A mund të ketë konstatim më dëshpërues dhe më pesimist për një shkencëtar, të prirur për të bërë punë të mira?!

I gjendur përpara një të vërtete kaq të rëndë, shkrimtari, prapëseprapë, mundohet të kërkojë e të gjejë farë rruge për të dalë diku: „Ndaj rrëziqevet të shkencës nuk ka përgjigje tjetës, veçse: më shumë shkencë.“ (f.57) Por, në ç’drejtim do të orientohej kjo „më shumë shkencë“?! Në drejtimin e vetëshkatërrimit gjithnjerëzor, apo në udhët e shpëtimit dhe të përmirësimit e zbukurimit të jetës? Këtë ngërç do të mund ta zgjidhë vetëm MORALI POZITIV i mbështetur nga LIGJE SHUMËTË FORTË. Të mos përdoret shkenca ime për keq! Zbulimet që bëj unë, të mos përdoren për keq! Kjo do të ishte motoja udhëheqëse e çdo shkencëtari TË VIRTYTSHËM.

Shkencëtari Mark Matjë arrin deri atje, sa e shikon të domosdoshme që njerëzimi duhet të heqë dorë prej shpresës që jetën e këtij planeti të mund ta shpëtojë ndonjë FORCË E MBINATYRSHME. Është konstatim tepër i rëndësishëm! Ai pyet: „Vërtet mendon se, nëse Zoti do të ekzistonte, unë do të interesohesha kaq gjatë për këtë lloj burimi të energjisë?“ (f.68) Pra, nuk ekziston kurrfarë fuqie, e quajtur e mbinatyrshme, prandaj njeriu është I DETYRUAR, o t’i gjejë vetë rrugët e të mbijetuarit, ose t’i çojë veten dhe të gjitha gjallesat e tjera në rrugën e një asgjësimi me pamje nga më të papërfytyrueshmet.

Mark Matjë, simboli i një shkencëtari që, edhe merr vesh, edhe s’merr vesh nga politika, dhe që nuk u vendos dot asnjë lloj kushti atyre që duan ta shfrytëzojnë shkencën e tij, por gjithsesi i pakënaqur, shkon fillimisht diku në jug të Azisë, pastaj kalon në Kinë dhe ua ofron kinezëvet zbulimin e madh. Kinezët e marrin atë zbulim, e vënë në jetë dhe, fill pas asaj, vjen iluzioni grotesk: „Nuk kishte më mjerim në Kinë…Fryma e popullit kinez ishte një frymë e shenjtë.“ (f.83) Ky konkluzion e ka edhe simbolikën e vet. Duke u vendosur në Kinë rendi komunist, (vija e masavet dhe mobilizimi i masavet), u synua që të krijohej përshtypja që fryma e popullit ish vërtet një frymë e shenjtë.

Në anë tjetër, në krahun perendimor të botës, shkencëtari Mark Matjë nuk mund të mos e kish vënë re që „Lokali Bon Tabak (Bon Tabac) ishte një vendtakim putanash.“ (f.90)

Kush dëshiron të nxjerrë konkluzione, i ka të gatshëm në romanin „Grahma e fundit“. Në njërin krah grotesku: „nuk ka më mjerim në Kinë“, në krahun tjetër, „Lokali Bon Tabak është vendtakim putanash“. Mes tjerash, një realitet terrori mbi shkencëtarët: numërohen rreth 14 shkencëtarë të asgjësuar vetëm në vitet 1970. (f.91).

Në faqet 104-122, gjithsesi, autori duket se e quan të nevojshme të vëjë në dukje kontradiktën midis udhëzimevet RACIONALË të Mao Ce Dunit dhe zbatimevet PA TRU të atyre udhëzimeve. „Unë vetë, shoku gjeneral“, i thotë Pejit një shofer,“e kam zënë veten në faj, duke dëgjuar muzikën perendimore dekadente të Bet’hovenit“. (f.107)

Është fjala për dukurinë e quajtur SHPLARJE TRURI. Të këtillë episode të trushplarjes në sistemin komunist të Kinës, në faqet 108-113, shkaktojnë te lexuesi një turbullirë të papërmbajtshme zhgënjyese: Si mund të katandiset deri në këtë gjendje mendja njerëzore?!

Peji, një ndër gjeneralët më të rinj të Ushtrisë Popullore Kineze, shkon në një spital për të parë një vajzë që e kish dashur dikur. „U ul pranë shtratit dhe që të dy i buzëqeshnin njëri-tjetrit me optimizëm, me sigurinë e lumturisë së masavet të gjëra popullore që i rrethonte“. (f.108). „Këtë vit rritja jonë ekonomike ishte dy herë më e shpejtë se pjesa tjetër e botës.“ „Jam shumë e gëzuar“, tha Lana. „Shokët tanë të industrisë së tekstilit e kanë rritur rendimentin 70%.“ „E di.“ Pëshpëriti Lana. „Ushtria jonë e lavdishme u ka futur dridhmat tradhtarëvet socialimperialistë të BRSS-së.“ „Të gjithë insektet dëmtues dhe zogjtë që kërcënojnë të vjelat tona, janë duke u shfarosur.“ (f.109).

Por lexuesi i kthjellët, lexuesi, i cili nuk ka pranuar që t’ia shplajnë të tjerët trurin në mënyrë kaq skandaloze, nuk mund të mos konstatojë edhe në Perendimin kapitalist, në „lokalin Bon Tabak të putanavet“, të njëjtën dukuri. Vetë urrejtja patologjike ndaj komunizmit është dëshmi e një truri krejt të shplarë e të rrafshuar, pa asnjë rrudhë. Besimi me përkushtim në një perendi, në një allah, në një jetë, të lumtur apo jo të lumtur, pas vdekjes, a s’është dëshmi që në këtë planet ka qindra milionë fakirë me mendje krejt të rrafshuar?! Pastaj, iluzioni mbi një „demokraci“, së cilës as shembëlltyra nuk i shihet gjëkundi, iluzioni se vetëm me daljet nëpër rrugë, me të quajturat greva urie apo duke i gjuajtur me domate e me vezë kundërshtarët politikë, mund të fitohen të drejtat e nëpërkëmbura, iluzioni se „gjithkush“ „mund të pasurohet“, trajtimi përçudnues i femrës dhe iluzioni që femra „nuk po poshtërohet“, iluzioni që, legalizimi i „martesavet“ mashkull me mashkull e femër me femër, është një ndër kulmet e „realizimit“ të „të drejtavet të njeriut“…

E gjendur përballë një të këtillë realiteti, madje fabrikuese e të këtillë realitetesh, dhe duke mos ditur ku e si „ta shfryjë inatin ndaj vetëvetes“, pjesa më përfaqësuese e kësaj bote, BOTË PA TRU, më në fund, arrin ta „gjejë“ „fajtorin“ dhe „shkaktarin“ e të gjithë tersllëqevet të kësaj epoke. „Fajtori“ dhe „shkaktari“ i të gjitha këtyre prapësive na qenka SHQIPËRIA! „Rrëzikuesit“ e jetës mbi këtë planet na qenkan SHQIPTARËT!

Nga faqja 159 deri në faqen 351, në gati 200 faqe, ky roman, dmth autori i këtij romani, do të merret vetëm me “Luginën e Shqipevet“. Pra, me Republikën Popullore Socialiste të Shqipërisë.

Pasi në një “Larus” francez Shqipëria është “prezantuar“ vetëm me 9 rreshta, 24 herë me më pak rreshta se vendet fqinjë, papritur, po në Francë, na del po kjo Shqipëri si vendi që „kërcënon të zhdukë“, me një „armë të re bërthamore“, tri të katërtat e njerëzimit, në mos krejt njerëzimin.

Në f.174 presidenti i SHBA-së thotë: “Dua që (Shqipëria) brenda 5 javësh të jetë fshirë nga faqja e dheut.“ „Ta fshijmë nga sipërfaqja e globit. Ta shfarosim.“

Madje sajohet edhe mënyra se si „do të hiqej qafet“ kjo Shqipëri kaq „e rrëzikshme“: „Aksident“ i një rakete me mbushje bërthamore, e cila „gabimisht devijon“ nga trajektorja e saj. (Gjithnjë në f.174) Por sovjetikët nuk e pranojnë këtë variant, jo se u dhimbet Shqipëria, por, se nuk duan që teknologjia e tyre të diskreditohet.

Gjithsesi, Shtetet e Bashkuar të Amerikës bashkëpunojnë me Bashkimin Sovjetik kundër shtetit shqiptar. Krijohet një koalicion i madh ndërkombëtar për të vepruar në drejtim të këtij vendi kaq të vogël. Kjo shihet gjithandej nëpër këtë libër, nga f.159 e deri në fund, në f.351, por më shkoqur e më qartë ky bashkëveprim shikohet te grupi i diversantëvet që hyn në RPSSH.

Nuk po përtoj ta shënoj këtu krejt përbërjen e atij grupi shqiptarvrasësish: Starri oficer amerikan, Koleku kanadez, ekspert sabotimesh, Grigorovi ushtarak rus, Stankoja sërb, Konarovi rus, Mniseku polak, Lavroja sllavomaqedon, Kaplani fizikan, Litelli anglez, komandant i grupit, Popoviqi një sllavojugor i martuar me një shqiptare, djali i të cilit parashikohet të ketë një rol të veçantë në të ardhmen e Shqipërisë. S’e di kush mund të ketë qenë konkretisht ky gjysmë sllav gjysmë shqiptar, i planifikuar qysh atëherë për ta bërë paçavure këtë çerek shteti të shqiptarëvet.

Por shihet që Romen Garria e ka njohur mjaft mirë veprimtarinë subversive antishqiptare, organizuar prej gjithfarë forcash regresive botërore kundër një shteti që s’kish tjetër faj, përveç atij që donte të dilte nga prapambetja dhe të zhvillohej i lirë.

Për ç’gjë tjetër do t’i duhej botës kapitaliste, (përfshirë aty edhe ish-sovjetikët që tashmë, pasi ishin ngopur me komunizmin, po rendnin me vrap drejt kapitalizmit), gjithë ky preokupim dhe gjithë ky angazhim forcash, për ta vrarë, për ta zhdukur apo thjeshtë për ta tjetërsuar shtetin, i cili sundohej prej Enver Hoxhës?! Ç’të keqe po i sillte botës ky shtet?! A mos kishin udhëheqësit e SHBA-së dhe të BS-së „hallin“ e kooperativistëvet që po “vuanin” nëpër kooperativat tona?! Apo mos kishin „hallin“ e punëtorët tanë?!

Enver Hoxhën, s’e di për ç’arsye, Romen Garria e quan Imir Xhuma. Por pyetja shtrohet: A ish botë pozitive kjo botë që po donte ta asgjësonte „shtetin e Enver Hoxhës“, apo mos ish pozitiv Enver Hoxha, dhe bota që po donte ta asgjësonte „shtetin e tij“, po shqetësohej, madje po alarmohej, pikërisht prej asaj shkëndije progreskërkuese?!

Sulmuesit diversantë e quajnë shtetin shqiptar, prapë s’e di përse, derrkuc ose derr, dhe thonë: “Ta nxjerrim ‘derrin’ jashtë përdorimit dhe të kthehemi.” (f.200) “Të mbledhim informatat që na mungojnë në vendin e ngjarjes, por kryesorja të fitojmë në kohë, e cila do t’u mundësojë vendevet tanë të ndërtojnë derrin e tyre. Një derr prapësues…(një) anti-derr.” (f.201)

Në vitet 1990 u realizua ky qëllim. U mposht “derri” shqiptar dhe u vu në veprim, me kapacitet të plotë, “derri prapësues”: u bë RESTAURIMI I RRËMUJSHËM I KAPITALIZMIT. Sikur të ish gjallë Romen Garria, me siguri do të na thoshte: “A po shihni sa mirë e kam parashikuar?” “Derri prapësues” kapitalist shkatërroi çdo gjë në Republikën e Shqipërisë dhe bëri, jo të mblidhen këtu ata shqiptarë që patën ikur prej komunizmit, por të ikin prej këndej edhe nja 2 milionë shqiptarë të tjerë.

“Atje gjithçka është popullore”, thuhet në f.202 dhe, pak më poshtë, midis tekstit, gjejmë edhe këtë frazë: “Pjesa më e rëndësishme e misionit tonë… konsiston në ‘vrasjen’ e shpirtit të kësaj gjëje.” E kjo do të thotë: Vrasjen e Republikës Popullore Socialiste Shqiptare dhe të gjithçkaje që aty është POPULLORE.

“U transferuan në Jugosllavi.” „Starri pa një ëndërr… greko-ortodokse, një ëndërr përplot vrasës.“ (f.205)

Përsëri autori Romen Garri na del një parashikues i përpikët. Greko-ortodoksët, ndaç thuaj: greko-sllavët, pas vitit 1990, bënë ç’deshën me shqiptarët dhe me pasuritë e shqiptarëvet. Na del kështu që personazhi Starri, oficeri amerikan, e paska ëndërruar, pra ditur, qysh në vitin 1977 se Republika e Shqipërisë, pas shuarjes këtu të „çdo gjëje popullore“, do të mbushej PËRPLOT ME VRASËS, gjë që edhe ndodhi. E tmerrshme!

„Kaluan në këmbë në Shqipëri.“ (f.206) Ndërkaq, njëri prej diversantëvet e vlerëson jo pa mburrje këtë lloj të shkeluri në tokën e lirë shqiptare: „Ne po hyjmë… mbase në ndonjë Bibël të së ardhmes… ne jemi të gjithë vrasës profesionistë.“ (f.208)

Në ndërkohë, për Enver Hoxhën, të cilin, siç thashë pak parë, s’e di pse nuk e ka dhënë me emrin e vërtetë, siç ka dhënë psh Mao Ce Dunin, thotë se „ishte diktatori më i pastër dhe më i ashpër i botës komuniste.“ (f.222) Epitetet „i pastër“ dhe „i ashpër“ janë vlerësime realë për udhëheqësin tonë të asaj kohe. Por, në një vend tjetër, për Enver Hoxhën do të thuhet edhe kështu: „Ishin gjurmë të një personaliteti të denjë për të qenë në krye të një fuqie shumë më të madhe se Shqipëria.“ (f.311) Megjithatë, disa cilësi të tjera, që autori ia atribuon Enver Hoxhës, nuk janë shumë të sakta. E quan marshal (f.218), në një kohë kur në RPSSH ishin hequr gradat e ushtarakëvet, thotë: “rrëkëllente gotat e vodkës” (f.222), kur, ne të këtushmit e dimë që Enveri nuk e pinte shumë as rakinë, le më vodkën që është një pije e huaj. Përmendet aty një “aparat dore për të lustruar këpucët”, i cili do t’i dhurohej Enverit (f.225), ndërsa dihet (sipas thënievet të Nexhmies), që Enveri i lustronte vetë këpucët me një leckë a me furçë të zakonshme, sa herë që nisej për në punë ose kur dilte shëtitje. (Veç në mos e pastë lexuar dikund R.Garria dhe ka dashur t’ia “lehtësojë punën”.)

Edhe në faqen 285 ka një pasaktësi në lidhje me personin e Enver Hoxhës. Aty thuhet: “Gjeneral Koçuku, nip i Imir Xhumës (Enver Hoxhës, Gj.D.)… pasardhës i paracaktuar i tij.” Dihet historikisht që Enver Hoxha nuk la kurrfarë shtegu për ta shndërruar RPSSH-në në një monarki, siç ndodhi , psh, në Korenë e Veriut apo në Kubë.

Në një dialog midis presidentit të SHBA-së dhe sovjetikut Ushakov, presidenti amerikan thotë: “Ne morëm vendim të pengonim shpërthimin bërthamor të shqiptarëvet.” (f.234)

 Sigurisht, krejt kjo thënie do kuptuar figurshëm, sepse të gjithë e dimë, dhe vetë presidenti i SHBA-së e dinte, që RPSSH-ja nuk kish armë bërthamore. Në vend të armatimit bërthamor, shqiptarët punonin tokën (nën parullën: “T’u qepemi malevet dhe kodravet, t’i bëjmë ato pjellore si fushat!”), ndërtonin vepra industriale, shkolloheshin, bënin edhe bunkerë, për t’u mbrojtur, jo për të sulmuar.

“Por kjo, a s’është ideologji, biri im?” (f.235), i thotë presidenti i SHBA-së sovjetikut Ushakov. Pra, presidenti i SHBA-së, as më pak e as më shumë, zhvillimin ekonomik e kulturor të RPSSH-së, përpjekjet e saja për një pavarësi reale, i konsideron, siç duket, “armë bërthamore” dhe deklaron, i zemëruar prej “kokëfortësisë” së shqiptarëvet: “Do të jap urdhër të bombardohet menjëherë kjo flliqësirë.” (f.242). Kështu do të bënte, disa dekada më vonë, një tjetër president i SHBA-së, kundër Irakut.

Po pse, more burrë?! Pse e quan vendin tonë “fëlliqësirë” dhe pse po jep urdhër për ta bombarduar?! A nuk e di ti që ne, edhe kur të kundërshtojmë, duke kërkuar jo më shumë se ç’na takon, jemi MIQTË MË NATYRALË të SHBA-së në krejt këtë rajon që quhet Evropë Juglindore?!

Ndërkaq, në grupin ndërkombëtar të diversantëvet, produkt i koalicionit të thuash gjithbotëror antishqiptar, bëhen të këtillë dialogje: “Ne formojmë një lloj aradhe multinacionale, të përbërë nga maskarenj profesionistë.” (f.261).

Pra, ata që kishin kuturisur të vepronin kundër RPSSH-së, ata që po donin ta shuanin shpirtin e këtij kombi fare të vogël, ishin MASKARENJ PROFESIONISTË! S’ka ku të vejë më shkoqur!

Komploti bërthamor ndaj RPSSH-së është i dyfishtë. Nga njëra anë presidenti i SHBA-së, me fjalët: “Ne do ta bombardojmë. Ne do ta shpëtojmë botën prej tyre.” (f.292), mundohet t’i bindë aleatët e vet sovjetikë, që, me anë të një rakete, “gjoja të orientuar gabimisht”, t’ia hedhin një bombë atomike Tiranës, në anë tjetër, grupit të diversantëvet, përveç armëvet të zakonshme konvencionale, i kanë dhënë me vete edhe një bombë atomike.

“Me këtë bombë bërthamore”, thonë ata, “e cila rëndon kaq shumë mbi supet tanë, ne mishërojmë për mrekulli mbarë njerëzimin, që edhe pse i merren këmbët nga barra e ngarkersës, megjithatë ecën me guxim drejt së ardhmes.” (f.303)

Një e ardhme e zezë! Një e ardhme që e çon njerëzimin në rrugën e vetëshkatërrimit. Në një kohë kur shtetet e mëdhenj rrinë përballë njëri-tjetrit me kërcënimin permanent për ta shndërruar në pluhur radioaktiv njëri-tjetrin, nga 20 a 30 herë, merren me një Shqipëri, e cila nuk rrëzikon askënd në botë!

Një linjë më vete e romanit, siç e kam thënë, është ajo e të quajturit „karburant i ri“. Zbuluesi është një shkencëtar francez, Mark Matjëja, por ai, zbulimin e vet e përhap gjithandej, e çon në Kinë, pastaj në RPSSH. Ky lloj „karburanti i ri“ kalohet brez pas brezi, në mënyrë që njerëzit, kur vdesin, frymëmarrjen e fundit ua lënë të gjallëvet në formën e energjisë elektrike.

Për mua, ky është një simbol, një konvencion. Idetë e socializmit e të komunizmit lindin në Evropën Perendimore, në Francë, në Angli, në Gjermani, por ato po zbatohen, në mënyrën e vet, veç vendevet të tjerë, edhe në Kinë e në RPSSH, në „Luginën e Shqipevet“, siç e quan R.Garria. Pikërisht ky duhet të jetë ai „karburanti i ri“, i cili ka shqetësuar e alarmuar klasat që duan me çdo kusht të ruajnë RENDIN E VJETËR.

Ideja e autorit duket se është kjo: As njëri, as tjetri, pra as kapitalizmi, as komunizmi, s’kanë gjë në terezi.

Kontrolloni gjithashtu

Tri vjet me arrogancë, mujshari politike, keqqeverisje, korrupsion, shpërfillje e aleatëve, thellim të ndasive e përçarjeve…

Kanë kaluar tashmë tri vjet të qeverisjes së Kosovës nga koalicioni: Vetëvendosje ne krye me …